Emri i heroit më të famshëm të historisë së Zvicrës sigurisht që është William Tel. Pas tij vjen ylli i tenisit botëror, Roger Federer.
Mirëpo askush nuk e ka menduar se pas këtyre dy emrave në listë do të vijnë emrat e emigrantëve si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka apo Admir Mehmedi, shkruan BBC Sport.
Të rritur në një vend të huaj, futbollistët shqiptarë pranuan ta përfaqësonin atë, madje krenarisht, por ata nuk duan ta harrojnë vendlindjen e tyre. Ata janë myslimanë, të cilët jetojnë në një vend i cili vetëm tani vonë vendosi t’i ndalojë minaret e xhamisë.
Madje, vite më parë, një parti e djathtë zvicerane filloi fushën: “Shqiptarët e Kosovës – JO”. Gjithsesi, tani të gjithë i duan ata. Ata të cilët po e përfaqësojnë denjësisht Zvicrën para gjithë botës, duke qenë heronjtë e radhës të këtij shteti. Por, një gjë është e sigurt: Ata nuk i harrojnë rrënjët e tyre.
Vetëm kohë më parë, i pyetur për prejardhjen e tij, Shaqiri u përgjigj: “Unë jam shqiptar nga Kosova”. “Unë jam një mysliman dhe kësisoj nuk i festojmë (Krishtlindjet), por motra ime e vogël ka dëshirë të ketë një pemë Krishtlindjesh dhe ne gjithmonë ia marrim një”, shtoi më tutje Shaqiri, raporton Express.
BBC Sport shkruan më tej se, “mesazhi është jashtëzakonisht i qartë: Ne jemi këtu, ne jemi zviceranë, ne jemi krenarë që luajmë me Zvicrën, por mos na kërkoni ne që ta harrojmë kulturën tonë”.





