Zgjedhjet nxorrën të parin Thaçin dhe shumicë opozitën

Nga Mero Baze

Rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë konfirmuan sipas të dhënave paraprake, si partinë më të madhe, partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, por partitë e deklaruara në opozitë para zgjedhjeve, kanë arritur një shumicë dërrmuese. Lidhja Demokratike e Kosovës, Vetëvendosja, Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët verbalisht janë shprehur si opozitarë të Hashim Thaçit, përbëjnë rreth 60 për qind të elektoratit, nëse shifrat paraprake nuk përmbysen.
Nga raportimet e deritanishme, procesi ka qenë i rregullt dhe parregullistë nuk kanë cenuar thelbin e rezultatit. Kjo është një fitore për Kosovën, por dhe për qeverinë, e cila është përgjegjëse për organzimin e zgjedhjeve.
Ky rezultat është një shenjë e qartë e stablitetit elektoral të partisë së Hashim Thaçit, por dhe një kërkesë për ndryshim të shoqërisë së Kosovës. Votuesit kanë eleminuar nga skena politike Behxhet Pacollin, i cili duket se nuk po e kalon pragun, dhe kanë konfirmuar deri në këto momente që po shkruaj Fatmir Limaj si një parti parlamentare.
Nëse rezultati ruhet deri në fund, Kosova ka nevojë të lexojë votën e saj në përfaqësimin qeveritar. Edhe pse Hashim Thaçi ka të drejtë të marrë mandatin për krijimin e qeverisë, Kosova duhet të respektojë frymën e ndryshimit, duke ju drejtuar ndoshta një qeverie me bazë të gjerë, nëse opozita nuk gjen gjuhën e përbashkët për të formuar një shumicë të sajën.
Dy gjëra nuk do të ishin të këndshme të ndodhnin, nëse ky rezultat konfirmohet deri në fund. E para që Thaçi të formojë qeveri me parti të vogla, sa për të siguruar shumicën dhe që Thaçi të përjashtohej nga e drejta e formimit të qeverisë përmes një koalicioni paraprak opozitar.
Zgjidhja më racionale do të ishte një qeveri me bazë të gjerë dhe një marrëveshje për reforma të thella, qoftë dhe elektorale, për t’i dhënë vendit në të ardhmen një shumicë të qëndrueshme.
Por, për një vendim përfundimtar duhen pritur rezultatet finale dhe sidomos rregullsia në procesin e numërimit. Pjesa më e rëndësishme e procesit u krye dhe votimi në Veri të Kosovës është nëj shenjë se serbët më në fund po detyrohen të pranojnë shtetin e Kosovës.
Sidoqoftë, ky është një rezultat i cili vë në provë të gjitha palët. Votuesit e Thaçit kanë dëshmuar se vazhdojnë t’i besojnë atij, por jo ish- aleatëve të vet, dhe përveç tyre, pjesa tjetër e Kosovës ka votuar për ndryshim. Një qeveri që do të lexojë këtë rezultat, do të jetë një qeveri që do të bëjë ndryshimin real në Kosovë.

Related Posts: