Zbulohet dokumenti i shek. XVIII, prifti letër Papës në shqip


Autori: Nilo Borgia
Titulli: Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri-Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII.
Përktheu prej origjinalit në gjuhën shqipe: Mimoza Hysa
Redaktor: prof. Shaban Sinani
Recensues: prof. Matteo Mandalà, prof. Pëllumb Xhufi
Shtëpia botuese: Naimi
Numri i faqeve: 376
Çmimi: 1500 lekë

U promovua në Ministrinë e Kulturës libri i Nilo Borgias.

Zef Skiroi një lutje Selisë së Shenjtë, dëshmi e lëvrimit të një standardi të hershëm gjuhësor.

Në shek. XVIII, kur gjuha zyrtare e kishës katolike ishte latinishtja, Argjipeshkvi i Durrësit guxon dhe i shkruan Papës në gjuhën shqipe. 
Çka do të thotë se shqipja lëvrohej gjerësisht dhe autori i letrës e trajtonte atë në lartësinë e gjuhëve të tjera europiane. Ky dokument i rëndësishëm, që mban firmën e Zef Skiroit (Giuseppe Schirò), është pjesë e veprës së Nilo Borgia-s “Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, i cili u promovua dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, e cila e ka mbështetur financiarisht këtë botim. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin albanologët arbëreshë Francesco Altimari e Matteo Mandalà. Ky i fundit ka shoqëruar me një parathënie studimore librin e Borgia-s, sjellë në shqip nga përkthyesja Mimoza Hysa. Nuk ka qenë e thjeshtë për përkthyesen të punojë midis disa rrafshesh gjuhësore, asaj dokumentare të shek. XVI-XVIII dhe të asaj të kohës së Borgia-s, që i takon fillimshekullit XX. Kërkohej një pakt i vështirë, që dokumentet të vinin të pacenuara nga ana kuptimore dhe të kuptueshme për lexuesin. Libri i murgut arbëresh, Nilo Borgia, është një përmbledhje materialesh dokumentare, me relacione të paraardhësve të tij misionarë të vendosur në Himarë, të cilët u përshkruajnë Selisë së Shenjtë në Vatikan vështirësitë e misionit. Në këto dokumente ata flasin për vendasit, për mënyrën se si ata jetojnë, për mosbindjen ndaj ligjit, për vetëgjyqësitë, për përplasjen mes klerikëve grekë dhe misionarëve italianë, për mësymjet osmane, për ndryshimet me popullsinë greke etj. Materialeve dokumentare të sivëllezërve të misionit, Borgia i shton edhe eksperiencat personale të jetuara gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, në vitet ’20-’30 të shek të shkuar. Përveç përmbajtjes, me karakter historik, letrat duhet të jenë një objekt studimi më vete, ashtu si letrat e Skiroit, me një rëndësi të veçantë historike. Për albanologët, këto dokumente mund të shtyjnë në kohë kufijtë e lindjes së periudhës së Rilindjes, të përdorimit të gjuhës shqipe, por edhe të hapjes së parë të shkollës shqipe. 

Letra 


Dje gjatë ceremonisë së promovimit të librit në Ministrinë e Kulturës

Për studiuesin Matteo Mandala bëhet fjalë për një vepër të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare e arbëreshe. Ai theksoi se rëndësia e tij është e shumanshme, sepse hedh dritë mbi lindjen e Rilindjes Kombëtare. “Thesari i ideve të Rilindjes nuk ishte si kërpudhat pas shiut, por u vendos në një shtrat të përshtatshëm”, tha Mandala. Pjesë e këtij shtrati duket se ishte edhe letra e Zef Skiroit (Giuseppe Schiròit), drejtuar Papës në vitin 1760. Përmbajtja e letrës nuk ka të bëjë me Shqipërinë apo shqiptarët. Ajo është një lutje për shenjtërimin e disa personaliteteve të kishës katolike, por rëndësia qëndron te gjuha. Sipas Mandalasë, ai përdor një standard letrar, i cili është mbidialektor, jo thjesht me të folmen e zonës, por i ngritur mbi një shtrat ndërdialektor. Sipas tij, ky libër zbulon një periudhë letrare të pasur, duke krijuar kështu vazhdimësinë e traditës së gjuhës shqipe. Për albanologun, ekzistojnë ende shumë dokumente të papërdorura, të cilat mund të hedhin dritë në shumë procese që lidhen me gjuhën dhe identitetin kombëtar shqiptar. “Arkivi i propagandës ka rreth 40 fashikuj të paprekur. Pikërisht atje duhen kërkuar materialet, përtej fjalëve boshe nëpër media”, tha Mandala. Për Francesco Altimarin, t’i dërgoje një letër Papës në gjuhën shqipe, në shek. XVIII ishte disi e çuditshme, por kjo tregon gjithashtu se gjuha shqipe ishte e njohur ndërkombëtarisht dhe Zef Skiroi e trajton gjuhën e tij si çdo gjuhë tjetër. Për të është shumë e rëndësishme që “në atdheun e përbashkët, që është Europa, ne të mos shkojmë me duar bosh, por me një shkallë të tillë vetëdijeje”. 


Letra në shqip, që Zef Skiroi i dërgonte Selisë së Shenjtë në mesin e shek.XVIII


Shaban Sinani: Dokumente të dorës së parë për historianët 

Profesor Shaban Sinani vlerëson se ka ardhur koha që edhe dokumentet mbi historinë e kishës të përfshihen, të shfrytëzohen në historinë e Shqipërisë. Sipas tij, libri i Borgia-s sjell dokumente shumë të rëndësishme, të cilat hedhin dritë mbi shumë momente kyçe në historinë shqiptare. “Janë dokumente të një rëndësie parësore si nga përmbajtja, edhe serioziteti me të cilin ato janë hartuar. Nuk janë relacione dosido, por dërguar Selisë së Shenjtë, çka e bën besueshmërinë e tyre edhe më të lartë, faktor që i bën këto dokumente të gatshme për t’u futur në shkencën e historisë. Përfundimisht provohet se raportet ndërshqiptare janë shumë më të hershme dhe se urat mbi Adriatik janë hedhur 2 shekuj më herët. Janë dy shekuj, që janë trajtuar si shekuj të hiçit, të mosgjësë, por ky libër tregon se nuk është kështu”.

ALMA MILE/panorama