Zajmina: Është shumë më “shumë” për mua

Luela Myftari

Intervistë me Zajminën, atë që për shumëkënd është ende Miss. Rrëfen këngën e saj më të re dhe planet për stinën e nxehtë të verës


“Shumë” është kënga më e re që ka publikuar Zajmina. Për ata që mendonin se bukuroshja ka kohë pa sjellë një material të ri muzikor dhe për ata që mendonin se Zajmina e braktisi këngën, ajo rikthehet. Dhe jo me pak, por me “Shumë”. “Shum”, ashtu sikurse e përdorin të rinjtë e sotëm në zhargonin e përditshmërisë është edhe titulli i produksionit muzikor që ajo prezanton për këtë verë. Stili i saj është po aq i freskët dhe sensual sa jeni mësuar ta shihni gjithnjë Zajminën. “Shekulli” në një intervistë të realizuar me këngëtaren ju përcjell detajet e një klipi ku na shfaqet një Zajminë joshëse dhe shumë moderne. Ajo do të na rrëfejë edhe planet e saj për stinën e nxehtë të verës që duket se mezi po pret të mbërrijë. 

Zajmin, sa shumë punove për këtë klip dhe për një Zajminë super joshëse? 

Këtë herë xhirimet e videoklipit kanë mbaruar në kohë rekord. Ekipi me të cilin unë kam realizuar videoklipin e këngës ka bërë një punë shumë të mirë dhe klipi ka mbaruar në dy ditë. Sigurisht përpara tij duhen shumë kohë mendim dhe kompozim, për të ndërtuar diçka të mirë, por sidoqoftë e kam shijuar. Jam përpjekur të sjell më të mirën për këtë produkt dhe më vjen mirë që  mendoni se rezulton joshës. 

Ka vetëm pak ditë që është publikuar në YouTube. Është pëlqyer dhe klikuar? 

Feedback-u që kam marrë ka qenë shumë i mirë. Më kanë uruar shumë njerëz, mes të cilëve edhe artistë, që e kanë pak të vështirë të tregohen dashamirës. Mendoj se tregues i këtij suksesi janë edhe klikimet e këngës, por nuk është treguesi më i rëndësishëm. Ka vetëm pak tre ditë që është publikuar, ndaj edhe mendoj se pritshmëritë janë ende edhe më të mëdha për të dalë në përfundime. Pres shumë nga kjo verë. 

Mendoni se do të jetë pjesë e diskotekave verore në Shqipëri dhe në Diasporë? 

Patjetër që po. Vera gjithmonë na gjen të angazhuar me koncerte si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj… Kam idenë që këtë herë do të jem më shumë e angazhuar në Kosovë se sa në Shqipëri. Edhe thirrjet e para vijnë nga Kosova, ndaj edhe besoj se do të jetë kështu.

Ndonjë plan tjetër për këtë vit, për këtë verë? 

Besoj se shumë shpejt do të vijë edhe kënga e re, një këngë tjetër për këtë verë. E vetmja gjë që mund t’ju zbuloj tani për tani për produksionin tjetër muzikor që dua të publikoj është se pas saj, pas këngës është sërish Flori. Mund të them se bashkëpunimi me të më ka dhuruar gjithmonë hite, ndaj kam besim në vazhdimësinë e këngëve, ndaj edhe vazhdoj të bashkëpunoj me të. 

Si po e pret verën Zajmina? Ku do t’i bëni pushimet? 

Ende nuk kam vendosur asgjë. Pak më lart të tregova për një axhendë koncertesh në Shqipëri dhe në Kosovë, kam përshtypjen edhe në vendet ku shqiptarët mezi presin të na takojnë pasi janë në emigracion. Prandaj nuk mund të them se kam bërë ndonjë plan, sepse realisht një plan për pushimet verore nuk kam. Dhe kjo pasi është e vështirë të mendosh për pushimet kur vera që të pret është e gjitha punë, punë dhe vetëm punë. 

Një miss, arkitekte dhe këngëtare 

Zajmina Vasjari u shpall më e bukura vajzë e Shqipërisë në vitin 2002. Që nga ajo kohë kanë kaluar 12 vjet, por ajo nuk duket se ka ndryshuar shumë. Mbetet po aq elegante dhe tërheqëse si atëherë. Vlen të theksohet se Zajmina gjithnjë e më shumë ka filluar të shfaqet joshëse dhe sensuale në dalje publike apo në koncertet që ajo përfshihet. Përveçse ka qenë pjesë e ekranit si pjesëmarrëse në disa koncerte të muzikës shqiptare, Zajmina është edhe pjesë e videoklipeve më  seksi që mund të gjeni në Shqipëri. Ajo ka ditur se si të tërheqë vëmendjen e publikut edhe pas dymbëdhjetë vitesh. E kontaktuar nga “Shekulli”, Zajmina na tha kështu kur i bëmë pyetjen: Çfarë do të bëhet një miss si ju kur të rritet? “Thuajse të gjithë e dinë që unë jam duke vazhduar studimet për arkitekturë. Kjo degë më ka pëlqyer gjithmonë, ndaj edhe po përpiqem që të shkëlqej edhe këtu”. Por, më së shumti, joshësja Zajminë po shkëlqen edhe në klipet muzikore.