Nazim RASHIDI
Kur në fokus është kampionati botëror në futboll dhe lojtarët shqiptar por në kombëtare të tjera ajo që bie në fokus, me të drejtë është dhe krenaria që japin këta djem. Por jo shumë kohë më parë debatet për angazhimet e tyre kalonin nëpërmjet tonesh të ndryshme që sot të vënë në vëmendje atë që është shumë e rëndësishme dhe që ka të bëjë me konceptimin e asaj se çfarë është sukses shqiptar dhe çfarë përbën krenari kombëtare? Në kohën kur po jetojmë globalizimin gjithçka realativizohet nga teknologjia e cila po rrëzon fillimisht kufijtë brenda nesh pastaj edhe ata fizik duke sjellë kështu në vëmendje edhe procese shoqërore brenda hapësirave juridike ku ne jetojmë. Me fjalë të tjera janë kushtet që u mundësojnë talenteve sukses global, kushte që garantohen nga shoqëri dhe hapësira të tjera brenda shteteve ku ata veprojnë por ajo që është më me rëndësi ku suksesi dhe vlera është parësore dhe pastaj gjithçka tjetër. Por çfarë mesazhi lënë këto suksese si ato të djemve që marrin pjesë në kampionatin botëror? Rreziku është se gjithçka do të interpretohet se nëse do të kesh arritje duhet të ikësh. Dhe ne fakt kjo mendësi mbizotëron por tashme po përforcohet edhe më shumë. Fillimisht të gjithë kritikuan shqiptarët e kombëtareve të tjera, që tani të gjithë të mburren me "shaqomaninë" dhe që në fund të gjithë të humbin shpresë se mund të kenë sukses në një vend ku jo më i miri dhe mi afti merr atë që meriton. Tani është në fokus sporti, por kjo mendësi sundon në të gjitha sferat e shoqërisë. Si rrjedhoje ajo që ndodh është individualizimi i përkatësisë etnike, madje shprehja me ngulm e identitetit kombëtar por në territore për tej atyre gjeografik. Tek shikoje futbollistët me simbole shqiptare por me fanella me flamuj të huaj kupton se tashme përkatësia dhe patriotizmi nuk lidhte më me vendin por me ndjesinë brenda individit. Territori shqiptar është për këta njerëz trupi i tyre i mbushur me simbole shqiptare, por përkatësia është shumë më gjerë se shtete tona. Aq e madhe në fakt, sa që flamuri dykrenor shkoi edhe në Brazil pikërisht nëpërmjet këtyre djemve. Por çfarë do të sjellë kjo situatë? Në terma individual një model i kërkimit të suksesit vetë, qartësisht të bazuar në forcat dhe aftësitë e vetë njerëzve duke mos shpresuar për mbështetje institucionale. Por në kontekst shoqëror e gjithë kjo situatë sjellë dobësimin e besimit tek shteti dhe infrastruktura që ngrihet për të mbështetur njerëzit. Vetë esenca e qeverisjes është që ajo të jetë në funksion të qytetarit, por kur dështohet në këtë drejtim dhe më keq akoma, kur modelet e ofruara të suksesit nuk dalin nga mbështetja e kësaj strukture shtetërore, atëherë efektet janë një mosbesim i përgjithshëm. Këtij mosbesimi në institucione kur i shtohet dhe logjika e përkrahjes partiake dhe jo meritokracisë gjithçka bën që ata që vlejnë të ikin me vrap. paralelisht me sukseset në sport që janë më popullorë ndodhin dhe suksese të tjera. Si ai i studentëve nga Shkupi që dolën të dytët në botë në një konkurs të NASA. (Po i përmend sërish sepse suksesi i tyre më entuziazmon dhe emocionon). Kur i pyesje se çfarë mbështetje dëshironi nga institucionet, ata thonë asgjë më shumë se sa laboratorë për eksperimente. Laboratorë, ashtu si fusha sporti, ashtu si shumë kushte të tjera që nuk ekzistojnë dhe si rrjedhojë nuk dalin edhe talente në sipërfaqe. Por në pyetjen tjetër nëse do të kishin shkuar të studionin dhe bënin kërkime në vende të tjera me kushte përkatëse, përgjigjja ishte "po". E njëjta situatë si djemtë e futbollit të cilët i kanë thënë po kushteve sportive të cilat u mundësojnë suksesin. Studentët shkencëtarë sigurisht që duhet të shkojnë në laboratorë të mirë paisur në çdo cep të botës dhe të bëjnë zbulime dhe të marrin dhe çmime. Aq të vetëdijshëm janë ata për përkatësinë e tyre sa që do ta nderojnë më shumë se çdo njeri tjetër e sidomos më shumë se të gjithë të pushtetshmit që hiqen patriotë, fitojnë nga patriotizmi dhe akuzojnë për patriotizëm. Jemi në festën e futbollit, dhe sigurisht suksesi i Zvicrës dhe i Shaqirit entuziazmoi të gjithë. Asnjë gjë nuk duhet të eklipsojë këtë sukses të tijin personal por dhe mbarë shqiptar. Por shikon politikanë që lavdërohen me mundin dhe sakrificën e dikujt tjetër për hir të "patriotizmit" ndërkohë asgjë patriotike s'po bëjnë që të shpërthejnë edhe "Shaqirë" të tjerë që janë pranë nesh por pa mundësi, ajo që mbetet të urojmë sa më shumë "Xherdanë", në të gjitha sferat të cilët të merren si model jo vetëm për suksesin personal, por edhe për gjithë procesin e ndërtimit të tyre në të cilën përfshihet dhe mbështetja nga institucionet. Në të kundërt do krenohemi me "Xherdanë" që krijohen me material shqiptari por prodhohen jashtë. Një shkëputje e territorit me ndjesinë patriotike që do të sjellë (në mos i ka sjellë) të tjera lëvizje shoqërore.






