Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI
Disa javë para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për analistët dhe njohësit e rrethanave politike ishte krejt e qartë se vizioni për president konsensual, ashtu si edhe merita për njërin nga tre postet më të larta shtetërore për shqiptarët, ishin pjesë e një agjende tjetër politike, ndoshta të porositur dhe jo autoktone e parimore.
Në aktualitetin e krijimit të qeverisë së “re” me drejtues të vjetër, krahas shumë turbulencave të tjera në shoqëri, shtrohet edhe dilema legjitime a mundet dhe sa është reale një qeverisje e vjetër, që me të njëjtin timonier të realizojë platforma te reja? Nëse vrojtohen dhe analizohen më detajisht platformat e premtuara të subjekteve qeverisëse (DPMNE dhe BDI), ato kanë të njëjtën strukturë përmbajtjesore si ato të tetë viteve paraprake të bashkëqeverisjes, pavarësisht që për nga forma duken ndryshe të paketuara dhe aranzhuara. E vetmja shpresë qëndron në prioritetin e premtuar të infrastrukturës karshi superstrukturës së deritanishme, në kërkim të identitetit antik të rrumbullakuar. Nga këto dilema, logjikisht, lind hamendja se sa qeveria e re, për nga mandati i freskët politik, do të arrijë të dizajnojë dhe zbatojë standarde të reja apo do ta vazhdojë avazin e vjetër edhe në mandatin e ri?! Kjo dilemë është shumë normale, sepse një standard që “funksionon” dhe rezulton qeverisje të gjatë s’ka se pse të ndryshojë. Bota idilike e politikanëve në shoqëritë jofunksionale është “sa më gjatë më mirë” posaçërisht në ato me premisa diktatoriale! Paradigma “më gjatë në qeverisje më mirë”, vështirë zëvendësohet me atë “më mirë, por qoftë edhe më shkurt”! (Simetrikisht me aksiomën “more is better” që zëvendësohet me “better is more”).
Pasi kanë përfunduar “negocimet” për qeverisjen e “re”, me shpresë që kësaj radhe mos të trazojë dikë nga qeverisja, nuk do të lëshohem në analiza të hollësishme dhe teknike të platformave ekonomike, por do të diskutoj vetëm me parimet bazë dhe “vizionet” e qeverisjes së shtetit të përbashkët, për të cilën aq shumë angazhohet lidershipi! Disa javë para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për analistët dhe njohësit e rrethanave politike ishte krejt e qartë se vizioni për president konsensual, ashtu si edhe merita për njërin nga tre postet më të larta shtetërore për shqiptarët, ishin pjesë e një agjende tjetër politike, ndoshta të porositur dhe jo autoktone e parimore.
Si mund të pretendohet për vizion, që do të thotë “cak përtej kodrës” diku larg, që të tjerët nuk e shohin, nëse nuk e di se ku gjendesh momentalisht dhe kah duhet “t’ia mbash” për ta arritur cakun vizionar? Si duket janë ngatërruar konceptet bazë të vizionit me implementimet operative të përditshme. Vizioni është sinonim i ardhmërisë. Me Car Dushana dhe shokë të tij shkohet në histori dhe jo në ardhmëri. Do ishte krejt në rregull nëse në nivel të lidershipit do të bisedohej dhe negociohej për parimet fondamentale të bashkëqeverisjes edhe pas tetë viteve! Sepse o tani o kurrë, ky shtet i “përbashkët” ka nevojë për rishikim të fondamentit të qeverisjes. Fondamenti bazë është LIRIA, duke filluar nga ajo për jetë dhe siguri, e deri te liria e fjalës, e mendimit të lirë, e trajtimit të barabartë në shoqëri dhe e lirisë ekonomike.
Për çfarë vizioni flasim kur në mes të shtetit (bile në kryeqendrën e tij) po cenohet e drejta e jetës së njerëzve në prag të shtëpisë tyre. A janë verbuar qeveritarët dhe nuk shohin ç’ndodh në Radishan me familjen Zeqiri. Po u hidhen bomba në shtëpi të monitoruar anembanë me kamera dhe policia nuk mund t’i gjejë kriminelët. Po kjo polici që i “identifikon” (duke i marrë në qafë) aktorët te liqeni i Smilkovës s’mund t’i gjejë kriminelët që rrezikojnë në vazhdimësi një familje të ndershme, vetëm pse jetojnë të vetmuar si shqiptarë dhe të rrethuar nga “bashkëqytetarët” tanë, për të cilët lidershipi krijon vizion bashkëjetese. Për një incident në Gjorçe Petrov, që fatkeqësisht mbaroi me humbje të një jete, u dogjën dhe shkretuan shumë prona, vetëm sepse i takojnë të njëjtës etni me dorasin e incidentit. Çka duhej të ndodhë në SHBA, kur çdo ditë ndodhin këso dhe incidente edhe me përmasa shumë më fatale se ky. Dallimi është se atje ka shtet funksional dhe institucione që merren me drejtësinë dhe ajo nuk është në duar të huliganëve. Ideatorë të këtij skenari, kudo qofshin ata, janë fashizoidë, të cilët qeverisja e vizionit duhet t’i zbulojë sa më parë. Në të kundërtën rezulton pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e saj në këtë skenar.
Liria e shtypit dhe fjalës së lirë ka arritur rangimin famoz global 123 – me shumë vende prapa shteteve më jofunksionale të Afrikës! Liria e mendimit të lirë anatemohet dhe “linçohet” çdo ditë. Kërcënohen gazetarë, mediumet, analistët, mendimtarët …etj., gjithë kjo me të vetmin qëllim të qeverisjes pa “opozitë”! Edhe kësaj ia arritën. Imagjinoni s’ka të drejtë opozita të zgjedhë rrugën e veprimit, sepse me zor po i verifikohen mandatet sa për të menaxhuar fillimin dhe aktualitetin e krizës politike. Me zor çdo gjë edhe mund t’i merret opozitës, por ama me zor nuk mund t’i jepet diçka, po qoftë edhe mandate parlamenti!
Sa për vizionet e integrimeve nuk ka nevojë, se i ka dalë ngjyra fare “muhabetit”! Që të jetë e keqja më e madhe, lëre që një pjesë e vizionit është ky që elaboruam, problemi qëndron te misioni – kujt i shërben politika? Misionar të kujt janë ata? Tani kuptohet pse thyenin këmbët të dyja palët se kush së pari do shkojë në takimet famoze në “Palas” apo në “Sushiko”!
Parimi i dytë i qeverisjes në një shtet multietnik e multikulturor, për të cilin duhej të negociojë lidershipi “vizionar”, është barazia dhe drejtësia. Dhe, kjo në të gjitha poret e jetës shoqërore, por me theks të veçantë në atë ekonomike. Sado që në shkencat ekonomike është i njohur relacioni i zhdrejtë midis barazisë dhe efiçiencës (Equality Vs.Efficiency), në kushtet e shteteve multikulturore është politika instrumenti që e ekuilibron këtë korrelacion. Shumë herë kemi dëshmuar për pabarazinë ekonomike, me theks të veçantë atë të shpërndarjes së buxhetit dhe fondeve publike, por si duket edhe më shumë duhet të debatohet kjo fushë e pabarazisë, por tani në prezencë edhe të përfaqësuesve të DPMNE-së, sepse “ish kryeministri” para zgjedhjeve na u adresua shumë qartë se edhe ato pak fonde dhe përkrahje që na “paskan dhënë” qenkan prej tij, ngase përfaqësuesit tanë “kanë qenë të paaftë dhe të papërkushtuar” për këtë barazi. Kështu del qartë se njëra palë gënjen thellë, ndërsa koha do të dëshmojë se kush më shumë. A thua vallë kryeministri prej “gjyshit vet” e ka atë pasuri që na e shpërndanë edhe neve, sipas tij përpjesëtimisht në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, infrastrukturë…etj. Përderisa në zonat e “tyre ekonomike” kanë punësua mijëra punëtorë, kjo e “jona” tash e 10 vite mbetet djerrinë.
Parimi i tretë i qeverisjes është demokracia funksionale, që përfshinë të gjitha aspektet – nga institucionet e pavarura e deri te tregu funksional. Kjo duhej të negociohet në nivel lidershipi. Po ku e ka guximin (po edhe dijen) lidershipi i jonë të negociojë për këtë vlerë?! Ndoshta presin me “rezolutë politike” të Hovit-it ta shpallin vendin si ekonomi funksionale të tregut. Çfarë demokracie funksionale është kjo e qeverisjes së përbashkët, ku gjyqësori dirigjohet nga ekzekutivi, bota akademike nga partia, mediumet nga agjencia dhe shoqëria civile nga varësia sociale dhe ekonomike?! Krejt këto korrelacione varësie janë të instaluara si “sistem vlerash” në nivel shteti. Këtu fare nuk dallon elita politike maqedonase nga ajo shqiptare, bile përgjegjësia për këtë gjendje u takon më shumë atyre.
Parimi i katërt (radhitja jo edhe për nga rëndësia) do të ishte qeverisja e mirë. Në të gjitha aspektet me interes publik kemi qeverisje të keqe. Kjo konstatohet edhe në të gjitha raportet e komisionit të BE-se, krahas atyre të FMN-së, BB-së dhe PNUD-it. duke fillua nga eklipsi i transparencës, mungesa elementare e përgjegjësisë, llogaridhënia partiake dhe joefiçienca në të gjitha sferat e menaxhimit publik. Këto duhet t’i negocojë lidershipi, që të mundet pastaj “grupet punuese” të negociojnë për teknikalitetet e qeverisjes së përbashkët, deri në ndarjen e dikastereve dhe drejtorive publike.
Për fund, analistët dhe intelektualët janë fajtorë pse i paralajmërojnë për veprimet e padëshirueshme. Me këto “elita politike” dhe këtë “xhahilizëm” masiv në gjithë vendin, s’e ka lehtë të komunikojë mendimi ndryshe. Përveç mediumeve të mbyllura, jemi i vetmi vend që akoma mbanë gazetarë të burgosur për arsye dhe motive politike. Të paralajmërosh dhe apelosh është keq, por të heshtësh edhe më keq. Bile njëra palë të hidhërohet e tjetra të kërcënohet. Të gjitha palët e kanë emëruesin e përbashkët – ngufatja dhe heshtja e mendimit ndryshe. Paradigma mentale e këtyre është shpifja dhe linçi prej militantëve dhe hizmetqarëve të tyre. Përderisa etiketohen, ofendohen dhe shpifen diplomatët, gazetarët, intelektualët, analistët, drejtuesit e shoqërisë civile…, si në bllokun maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar, vendi do të shkojë dy hapa pas dhe një para drejt Europës. Për oponencën e mendimit kritik, mjafton vetëm një krahasim, që të konstatojmë regresin e shoqërisë. Dikur, edhe para 15-16 vitesh, shpesh ndodhte që anëtar i ekzekutivit (ministri) të oponojë edhe liderin e vet në çështje të caktuara dhe të mbijetojë në këtë proces. Këso raste ka pasur në të dyja blloqet, bile te shqiptarët edhe më shumë. Sot kjo situatë do ishte e paimagjinueshme të funksionojë. Bile pak sa paradoksale në aspekt të kohës dhe vendit tonë. Kjo tregon se kapaciteti demokratik i vendit dhe lidershipit është në regres permanent, thjesht një diktaturë dhe mitizim i lidershipit te të gjitha partitë politike me përmasa serioze. Bile, për disa aspekte as që gjykohet me arsye të brendshme. Një militant politik një ditë shprehet në formë barsolete se s’kemi pse të mendojmë ne për këto çështje, sepse ka menduar kryetari ose “bossi”, siç pretendojnë të (vetë)quhen në kohën moderne! Ky është bërë standardi i politikës së sotme. Prandaj do të jetë vështirë të ndryshojë ky sistem i “vlerave”, përveç me revolucion politik, i cili nuk duket në horizont.