Me rënien e ekonomisë, për shkak të krizës financiare që pakësoi të ardhurat, mijëra njerëz kryen vetëvrasje; ky numër ishte veçanërisht i lartë në Europë dhe Amerikë
Recesioni i fundit shkaktoi rritje të vetëvrasjeve, veçanërisht te burrat. Një studim i ri ka zbuluar se krizat financiare mes vitit 2008 dhe 2010, kanë përgjegjësi për mijëra vdekje në Europë dhe Amerikën e Veriut. Kërkimi, i publikuar në Revistën Britanike të Psikiatrisë, tregon numrin e vetëvrasjes që “lulëzoi dukshëm” pas rrënimit financiar të vitit 2007.
Ekspertët nga Universiteti i Oksfordit, Shkollës Londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, thanë se rritja ishte katër herë më e madhe te burrat sesa te femrat.
Ata analizuan të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetit rreth vetëvrasjes në 24 shtete në Europë, SHBA dhe Kanada. Diku nga viti 2007, kriza ekonomike filloi dhe më pas në vitin 2009, shkalla e vetëvrasjeve në Europë u rrit me 6.5 për qind, sipas studiuesve. Kjo shkallë qëndroi e njëjtë deri në vitin 2011.
Kjo korrespondon me një numër shtesë prej 7950 vetëvrasjesh më shumë sesa pritej në këto vende europiane gjatë kësaj periudhe, thanë ata. Përpara recesionit, sipas studiuesve, numri i vetëvrasjeve në Europë ishte në rënie.
Për më tepër, rastet e vetëvrasjeve në Kanada dhe SHBA lulëzuan me 4.5 për qind dhe 4.8 për qind respektivisht, gjatë të njëjtës kohë. Në total u kryen të paktën 10 mijë vetëvrasje plus mbi numrin e përgjithshëm, si rezultat i krizës.
Por ekspertët shtuan se ky ishte një vlerësim i ngurtë.
Humbja e punës, kthimi i shtëpisë së lënë garanci dhe borxhi janë shkaqet kryesore të vetëvrasjes gjatë rënies ekonomike.
“Ka pasur një rritje të madhe të vetëvrasjeve gjatë recesionit, më e lartë seç pritej bazuar në parashikimin e trendeve”, tha autori, drejtues i studimit, dr. Aaron Rivs (Aaron Reeves), nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Oksfordit.
Një pyetje kritike për politikat dhe praktikat psikiatrike është nëse rritja e vetëvrasjeve ishte e paevitueshme. Ky studim tregon se rritja e vetëvrasjeve nuk është vëzhguar kudo, ndaj recesioni do të vazhdojë të lëndojë njerëz, që jo gjithnjë dëmtojnë veten.
Futja e programeve antidepresive në punë mund të ulë rrezikun e vetëvrasjes gjatë rënieve të ardhshme ekonomike. Bashkautori i studimit, profesor David Stakler (Stuckler), gjithashtu nga Universiteti i Oksfordit, shtoi: “Vetëvrasjet janë vetëm maja e ajsbergut. Këto të dhëna tregojnë se ekziston një krizë e shëndetit mendor në Europë dhe në Amerikën e Veriut. Në këto kohë të vështira ekonomike, ky studim këshillon se është thelbësor kërkimi i rrugëve për mbrojtjen e atyre që kanë marrë goditjen më të rëndë.”
Shumica e vetëvrasjeve janë kryer nga persona me depresion klinik dhe studimi zbuloi një rritje të dukshme të përdorimit të antidepresantëve gjatë rënies ekonomike.
Vetëm në Britaninë e Madhe përdorimi i ilaçeve u rrit me 19 për qind nga 2007-a në 2010-n.
Programet që ndihmojnë aktivisht njerëzit që kanë mbetur pa punë duket se reduktojnë numrin e vetëvrasjeve, sipas zbulimeve. Kërkuesit përllogaritën se çdo 100 dollarë të shpenzuar për personat që kanë mbetur pa punë në formën e asistencës, ulte me 0.4 për qind rrezikun e vetëvrasjeve.
Austria, Suedia dhe Finlanda ishin shembuj të vendeve ku numri i vetëvrasjeve nuk u rrit dukshëm, pavarësisht papunësisë në rritje gjatë vitit 2008-2010.
Në Suedi dhe Finlandë, numri mbeti i qëndrueshëm, ndërsa në Austri u ul edhe më shumë. Në një periudhë më të hershme të rritjes së papunësisë në vitet 1990, vetëvrasjet u ulën si në Suedi ashtu edhe në Finlandë.
Ato pak vende të industrializuara që ia hodhën pa u lagur nga recesioni, si për shembull Zelanda e Re, gjithashtu shmangën edhe rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Në BE, numri i vetëvrasjeve për një popullsi prej 100 mijë banorë, ishte 10-12 në vitet 2001-2006. Më pas filloi të rritej, duke u rritur me 6.5 për qind gjatë viteve të krizës financiare.





