VALLËZIMI I TANGOS

Vullnet Mato



Kavalieri vallëzon tango nëpër salla e sallone,
me dama të ndryshme, në disa ballo të vitit,
dhe në çaste kërcimi, shijon ato emocione,
që ia mrekullojnë ndjesitë e holla të shpirtit.

Femra s’mund t’i bjerë çdo mashkulli në duar,
por bashkon duart me çdo kavalier të rastësisë,
për të vallëzuar tango në afërsinë e kufizuar,
siç kërcen vala e detit, mbi cipën thellësisë.

Gjoksi i saj i rrumbullt, teksa luhatet i afruar,
detyron mashkullin të bëhet tepër i kujdesur,
për të mos ia cekur hënat, në distancën e lejuar,
siç vërtiten satelitët me planetin, pa u ngjeshur.

Ky lloj vallëzimi i sajuar nga qytetërimi i lashtë,
për të rrotulluar rreth vetes amforën më ëmbëlsirë
dhe njëherësh të ruhesh, mos prekë gishti në mjaltë,    
është një torturë e ëmbël, që bëhet me dëshirë...

Kushdo kujton ndonjë peng nga përvoja jetësore,
kur nga vallëzimi i tangos, ka dalë pa shijuar aspak,
ëmbëlsirën e ofruar me bujari, nga bota femërore,
kur dhe vetë damës, mund t’i ketë mbetur merak...

Prapë tangoja na thërret të gjithëve në vallëzim,
sepse dora e mbështetur lehtas përsipër dorës,
vetëm sa për të shijuar ëmbëlsirën pa ëmbëlsim,
mund t’i ndalë beqarët, në nektarin e kurorës...