Valbona, vendi i qetësisë, natyrës së virgjër e ushqimit bio

Fërlik, troftë Valbone, mjaltë trumze pasi ke përshkuar shtigjet e Llabudave, Kollatës e Rosit.



Nëse kërkoni qetësinë olimpike, natyrën e virgjër, ajrin e Bjeshkës, aventurën natyrore dhe ushqimin bio, harrojini të gjitha dhe zgjidhni Valbonën.
Në mes të natyrës së egër nuk mund të ketë hotele me pesë yje, por shtëpi të rehatshme që e mbajnë gjithnjë derën hapur. Mund të zgjidhni midis shtëpive karakteristike, rezidencave, gjest house-veapo camping, në varësi të kushteve që po kërkoni me çmime absolutisht të arsyeshme. Vetëm 250 kilometra nga Tirana, pasi kaloni qytetin e Bajram Currit, ju do të gjendeni në Parkun Kombëtar të Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh. Udhëtimi më mbresëlënës është ai i anijes që lundron në liqenin e Komanit për rreth dy orë. Prestigjiozja e përgatitjes së guidave turistike Bradt Guide e ka cilësuar “One of the Great Boat Trips of the World”, sigurisht që duhet ta provoni vetë që ta besoni. Gjithashtu, “mbreti” i transportit të udhëtarëve për vendin tonë momentalisht mbetet furgoni. Duke qenë se rruga është relativisht jo e shkurtër, komoditeti i furgonëve që e kryejnë këtë linjë vlen për t’u theksuar. Ndërkohë mund të merrni edhe makinën tuaj personale në qoftë se jeni të familjarizuar me rrugët e veriut të Shqipërisë.
Për t’i njohur të gjithë të pasionuarit e natyrës, ata të cilët nuk duan të rrinë asnjëherë në një vend, të eksplorojnë, t’i bien kryq e tërthor një vendi që të magjeps, sigurisht Valbona ka shumë ç’të të ofrojë. Për t’i vizituar të gjitha këto vende do t’ju duhet guida e ndonjë banori që e njeh mjaft mirë zonën. Më poshtë keni disa nga vendet që nuk duhen lënë pa i vizituar sapo të keni rastin.

Zalli i Motinës është afërsisht 4 orë rrugë që kalon përmes lumit të Motinës, Stanet e Gjarprit, këtu mund t’u bëni një vizitë familjeve Doci dhe Molusmani dhe kullotave të tyre. Rruga e Çeremit, jo shumë e këshillueshme për amatorët e ecjeve, mund të kaloni nga Maja e Pecmarrës, Bregu i Lumit të Poshtëm, do të ecni përgjatë 2 orëve në një drejtim. Ai që kërkon të hedhë një shikim ç’bëjnë arinjtë përgjithësisht ngjyrë kafe, derrat dhe tek-tuk mund t’ia bëni me dorë ndonjë ujku. Në korrik është muaji ku luleshtrydhet e egra janë me shumicë. Liqeni i Xhemës jo shumë larg prej hotelit “Rilindja” ndodhet ky liqen i mrekullueshëm, me një ngjyrë blu të pastër. Kujtesë për notarët: është i ftohtë akull. Prroni i Picimalit dhe Burimi lidhet me Shpellën e Dragobisë. Dëshironi t’u bëni një vizitë dhive të egra apo të humbisni disa kg të tepërt? Bëni një xhiro nga Zhari i Bjezhz. Quku i Llabudave për njerëzit që nuk kanë frikë nga lartësitë dhe që janë këmbëngulës. Rruga e Punëtorëve: për alpinistë që kërkojnë gjithmonë të shikojnë panoramën më të bukur. Maja e Kollatës, Maja e Rosit afërsisht 3 orë për t’u ngjitur dhe 2 orë të tjera për të zbritur. Botanistët do të kenë ç’të shikojnë, ndërkohë cilësohet ndër ato rrugë të “lehta” për t’u përshkruar. Qafa e Shelegut dhe Piramida 18. Dhe në fund po ju sugjerojmë edhe mënyrat se si mund të shkohet në Valbonë. Ushqimi është një tjetër element që do t’ju mahnitë në këtë aventurë. Si mund mos të shijohet p.sh. mishi i kecit, “qengjin në hell” (fërlikun), troftë Valbone, çorbë, gjizë me speca djegës, qumësht, mjaltë trumze dhe djathë deleje, mazë, bukë misri (leqenik), kos të kulluar dhe fli, të gjitha produkte biologjike të zonës.