Valbona, epos i bukurisë kreshnike të Shqipërisë

Mrekullia e turizmit malor, mes mikpritjes së malësorëve dhe problemeve të rrugës

Nga Rezarta Dobrovoda

E gjendur e fshehur midis maleve krenare të vendit tonë, Lugina e Valbonës, dikur perlë e mbyllur brenda guaskës, si pasojë e mungesës së infrastrukturës, sot kjo relikte e çmuar e natyrës, e skalitur aq bukur nga Zoti, simotër e Kopshtit të Edenit, është bërë plotësisht e vizitueshme për shqiptarët, por edhe turistët e huaj. Simbol i veçantë i bukurisë dhe hijeshisë në veriun shqiptar, Lugina e Valbonës qëndron krenare dhe shpalos të veçantat e saj, vende-vende qartazi për këdo, por në të njëjtën kohë edhe me mistere të fshehta, duke u alternuar me elementët e saj të hijeshisë. E brishtë shpeshherë, e bukur, hijerëndë dhe e palëkundur, Lugina e Valbonës qëndron krenare nën kreshtat e Alpeve shqiptare.
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në Rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Uji i lumit të rrëmbyeshëm është lajmëtari që të uron mirëseardhjen sapo makina merr kthesën e parë drejt luginës së Valbonës.
Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë, ku ‘vallëzojnë’ troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës.
Valbona, madhështia e turizmit malor

Në Shqipëri, turistët e huaj, përveç detit, mund të vizitojnë dhe vende ku ndërthuret plazhi me bjeshkët. Një mundësi për pushime të tilla e ofron lumi i Valbonës me ujin e pastër, mbi të cilin prehet mali i Jezercës, në Rrethin e Tropojës. “Tashmë janë shumë sipërmarrje turistike, që kërkojnë të sjellin turistë për të kaluar disa ditë në pikën turistike të Valbonës. Çdo ditë e më tepër kërkesat e vizitorëve të huaj janë në rritje për të kaluar disa ditë pushime në Valbonën turistike. Kjo është një dukuri që sa vjen e zgjerohet”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexhë Byberi. Dritan Selimaj, mikpritësi më në zë i zonës, i cili kujdeset për strehëzën e drunjtë të komunës, tregon se në këtë vend vijnë turistë nga i gjithë globi. Përveç natyrës, turistët joshen edhe nga banesat karakteristike alpine prej guri, me dritare të vogla, që janë një mjet mjaft tërheqës për turistët. Në fshatin Valbonë janë rreth 20 të tilla, me rreth 100 shtretër gjithsej. Njëra prej banesave është ajo e Selimajve, e ngritur në mes të fshatit, e cila thuajse çdo ditë pret vizitorë të ndryshëm. Turistët apo pushuesit mund të shijojnë ushqimet tradicionale vendase, të shoqëruara nga mishi i kecit, trofta dhe pijet që prodhohen në mënyrë artizanale nga banorët.
Mikpritja malësore, aty ky vendasit dëshmojnë bujarinë
Është folur shumë për mikpritjen e famshme të malësorëve në të gjitha Alpet shqiptare, por në terma të përgjithshëm nuk mund të përfshihesh emocionalisht në ca kode njerëzore që ruhen mrekullisht në këto zona të Shqipërisë. Në asnjë nga mënyrat e mundshme nuk mund të përshkruhet ndjesia që provohet nga kjo mikpritje. Nëse nuk shkon vetë të dëgjosh se çfarë fjalësh të thonë vendasit kur të urojnë mirëseardhjen, nëse nuk shikon vetë se me sa dashuri të presin, se si i shtrojnë vaktet, se sa dashuri hedhin në çdo gram ushqimi që servirin e gatuajnë, nuk mund të kuptosh asgjë nga kjo mikpritje. Prandaj e vetmja mënyrë për të shijuar është të provosh, e vetmja mënyrë për t’u argëtuar është të guxosh, e vetmja mënyrë për të ndjerë Valbonën e bukur, është të shkosh atje e ta jetosh mikpritjen e saj…
Infrastruktura
Ashtu sikurse zonat e tjera të largëta të Shqipërisë, që vuajnë problemet e infrastrukturës, duke e shfaqur disi lodhjen e të pasionuarve pas turizmit malor, edhe Lugina e Valbonës ka të njëjtin problem. Rruga e papërfunduar, si dhe mungesa e energjisë elektrike në shumë raste, janë dy problemet kryesore që shqetësojnë banorët, operatorët turistikë dhe autoritetet lokale. Rruga e Valbonës, 23 km e gjatë, e parashikuar për të përfunduar në fund të vitit të kaluar ka mbetur pa financim për më shumë se gjysmën e saj. Vetëm 8 km nga 23 të tilla janë shtruar me asfalt, ndërsa pjesa tjetër edhe pse është, ka një shtresë çaklli, është drejt shkatërrimit. Veç problemit me rrugën, për kryetarin e Bashkisë së Bajram Curri, Agron Demushi, turizmi në këtë zonë vështirësohet edhe nga mungesa e shtretërve, dhe herë pas herë edhe nga mungesa e energjisë gjatë dimrit të ashpër. Zyrtarët e Qarkut të Tropojës, ku konturohen skajet e bukura veriore, i dërgojnë mesazhe qeverisë për mbështetje financiare dhe nevojën e një master-plani në këtë zonë të largët. “Një master-plan rregulluese për këtë zonë do të ishte zgjidhja më e mirë, dhe unë jam i bindur që kjo do të bëhet shumë shpejt”,pohon kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi.
Por, në përballjen e parë me pishat e larta dhe me maja pishash që çajnë qiellin, duket sikur ky vend nuk ka asnjë problem. Koha këtu ecën ngadalë dhe të shfaq përpara syve jo rastësisht përrallat e Bjeshkëve të Nemuna e zanova të maleve e legjenda kreshnikësh, për të cilat çdo shqiptar ka dëgjuar që në vegjëli. Këtu natyra të pikturon në mendje fotografi që mbeten aty gjatë dhe që të kujtojnë që Shqipëria është më e madhe dhe më e bukur seç ti e ke njohur deri sot…
****
Rexh Byberi: Presim dyfishim të turistëve këtë vit

Lugina e Valbonës thuajse në çdo stinë të vitit ka turistë, por sigurisht ky numër është më i madh në muajt e verës. Falë infrastrukturës, si dhe asfaltimit të pjesës së rrugës që ka mbetur për në Valbonë për vitin 2014 presim dyfishim të numrit të turistëve. Garanci për turistët nuk është vetëm mikpritja, karakteristika që i dallon banorët e kësaj zone, por dhe investimet e kryera ndër vite. Në shtimin e numrit të turistëve do të ndikojnë dhe investimet e rrugëve të hapura nga efektivat e FA, ku presim që të gjitha Bjeshkët e Nemuna të Malësisë së Gjakovës të përfitojnë sikurse i gjithë Rrethi i Tropojës.


Parku kombëtar “Lugina e Valbonës”

Ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në Rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Kushtet klimaterike

Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë, që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë. Reshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për turizëm gjatë verës dhe në dimër gjithashtu. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm, e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por, duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër, mund të lëvizni ‘me rrathë’.
Flora dhe fauna

Park ndërkufitar me vlerat më të larta të biodiversitetit. Takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine (bjeshkë), pyje të gështenjës (Castanea sativa) në gjendje natyrore, përrenj e lumenj malorë etj. Park i pasur në endemizma e subendemizma. Parku është gjithashtu dhe një zonë e vetme e takimit të hermoqit (Picea abies). Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), kope me dhitë e egra (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) etj., ndërsa nga shpendët veçojmë praninë e gjelit dhe të pulës së egër (Tatrao urogallus) dhe shqiponjës së malit (Aquila chrysaetos) etj. Në ujërat e lumit të Valbonës takohet lloji globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra).