Një guvernator miliarder ukrainas i paraqiti sot presidencës një projekt për ngritjen e një muri 2 000 kilometra të gjatë, me tela me gjemba, përgjatë kufirit me Rusinë, njoftoi ndihmësi i tij.
Igor Kolomoiski, më i pasuri i katërt i Ukrainës me një pasuri prej 1,8 miliardë dollarë, që është emëruar guvernator i rajonit të Dnipropetrovskut (lindje), vlerëson se “një mbrojtje e tillë është e nevojshme për të evituar çdolloj ndërhyrje nga ana e shtetit që ndjek politika agresive kundrejt Ukrainës”.
“Ky projekt mund të fillojë brenda gjashtë muajsh”, garantoi zëvendësguvernatori i Dnipropetrovskut, Sviatoslav Olinik për agjencinë “Interfax-Ukrainë”.
“Ky projekt me një çmim total prej 100 milionë dollarë parashikon ndërtimin e një rrethimi metalik me tela me gjemba përgjat kufirit prej 1 920 kilometrash me Rusinë”, shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen një ditë pas shkëmbimit të parë telefonik mes presidentit të ri ukrainas Petro Poroshenko dhe homologut të tij rus Vladimir Putin gjatë së cilës kreu i shtetit ukrainas është ankuar për një ndërhryje të dyshuar të tankeve ruse në Ukrainë.






