Udhëtime: Buzas, qyteti buzë detit

Ishte viti 324, kur Kostandini ilir zgjodhi Bizantin dhe më 11 maj 330 u zhvillua ceremonia e shenjtë. Perandoria Bizantine mori rreth vetes çdo kulturë që i vuri në përdorim; trashëgiminë bizantine dhe pasurinë e Orientit i ktheu në fuqinë e tij. Kostandinopoja, qendra e dikurshme e botës tregtare, ishte një pikë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit
 Dorina Arapi*

Sarajet e Ibrahim Pashës

Gjithmonë më ka pëlqyer shkëmbimi i kulturave, gërshetimi i tyre dhe njëkohësisht dhe përplasjet që krijojnë gjithmonë kontraste e shpeshherë harmoni perfekte. Një shembull i tillë është qyteti i bukur i Stambollit. Është kënaqësi të dallosh midis kaosit dhe energjisë urbane të këtij qyteti, frymën e heshtur të bazilikave bizantine dhe minaret e larta të xhamive që çajnë qiellin. Nuk ka asgjë më të bukur se ta njohësh një qytet përpara se ta shohësh. Kjo ndodhi me Stambollin, ku nëpërmjet librave të Pamukut, kam njohur çdo cep të qytetit.
Ndoshta në librat e Pamukut vihet re një përshkrim melankolik i qytetit, por ashtu siç e quan ai, kjo është një melankoli e mrekullueshme. Stambollin nuk mundja ta shihja ndryshe; ai qytet kishte qenë imi, para se unë ta shihja.
Kur Kostandini i Madh zgjodhi qytetin Buzas, si qyteti buzë detit (Demetrius John Georgacas, The names of Constantinople), si qytetin e tij, si Roma e Re, me majën e shpatës në dorë duke shënuar pikën fillestare të një qyteti të ri, ai shënoi fillesën e një epoke të re. Ishte viti 324, kur Kostandini ilir zgjodhi Bizantin dhe më 11 maj 330 u zhvillua ceremonia e shenjtë. Perandoria Bizantine mori rreth vetes çdo kulturë që i vuri në përdorim; trashëgiminë bizantine dhe pasurinë e Orientit, i ktheu në fuqinë e tij. Kostandinopoja, qendra e dikurshme e botës tregtare, ishte një pikë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit: çdo lloj malli e tregtie e mundshme mund të zhvillohej atje, tregtarë nga e gjithë bota vinin për të reklamuar mallin e tyre. Stambolli është personifikimi i kulturës, i perandorive të mëdha e ndërthurjes së kulturave. Dikur, meqenëse të gjithë flisnin për “qytetin”, kur ai kuptohej si polis, gjithkush që drejtohej për në qytet, thoshte: Eis tin Polin, d.m.th. “po shkoj në qytet”. Pas rënies së qytetit e marrjes nga osmanët, fjala Eis tin Polin – Istin Polin u modifikua në Istanbul.(Encyclopedia of the Ottoman Empire. Gábor Ágoston, Bruce Alan Masters).

Xhamia ku prehet Kapiten Barbarossa

Ajo ishte jo vetëm kryeqendra e shkëmbimeve tregtare, por dhe kryeqendra e dijeve dhe e shkollave. Kur sheh madhështinë e Shën Sofisë, mund të kuptosh se kush qe Bizanti me fuqinë që ushtronte. Byzantium, Vizant, Nova Roma, Anthusa, Tsargrad, Miklagrad, Kostandinopojë, Kospoli, mishërimet e Stambollit i quan Orhan Pamuk.
Stambolli ishte një qytet kozmopolit, ashtu siç është dhe sot. Shtresëzimet e kohërave dhe kulturave, gjenden kudo: nga cisternat bizantine të cilat furnizonin me ujë qytetin e deri te gurët e sarajeve; ai është një qytet që nuk fle kurrë.
Aty mund të gjesh aromat e botës, kultura nga të gjitha vendet, mund të dëgjosh gjuhë të ndryshme të botës, vizitorë nga e gjitha bota, duket sikur ky qytet të ofron gjithçka në madhështinë e tij. Stambolli dallohet edhe sot për bukurinë, forcën, pasurinë e tij jo vetëm për shijen e një qyteti kozmopolit që të lë, por dhe për shtrirjen e tij, horizontin e perspektivën vizive që ka si qytet. Minaret e larta e kupolat kthehen si kurorë që të shoqërojnë kudo. Shëtitja gjatë Bosforit është një udhëtim që s’duhet humbur: flladi i freskët e drita e bardhë e këtij qyteti kanë një forcë që të tërheqin shqisat. Buzë Bosforit dallon ndërtesat prej druri, që të risjellin në mendje bukurinë e shtëpive të dikurshme e tipike të Stambollit, që tashmë i sheh vetëm në piktura e gravura të vjetra. Stambolli është qyteti i mijëra shëmbëllimeve: ai është qyteti i pazarit të madh, qyteti i mureve bizantine, qyteti i parfumeve më të këndshme, qyteti i Pamukut, i kebabeve të shijshme; Stambolli është qyteti me lagjen e shqiptarëve, i barkave me vela, pulëbardhave, bizhuterive vezulluese. Është qyteti i metrove gjigante që përshkojnë Bosforin duke bashkuar Europën dhe Azinë, i rrugëve të gjera, i bareve me muzikë franceze, por dhe i ezanit më të bukur. Stambolli është qyteti i muzeve nga më të ndryshmit, aty ku historia nuk është thjesht një copë letër, por ti e prek dhe e shijon me sy. Stambolli është qyteti i trazimit të shqisave. Nuk resht ky qytet duke të të mahnitur.

Sarajet e Ibrahim Pashës

Këtu gjen një numër të madh muzesh dhe mes tyre Muzeu i Pafajësisë, i cili nuk duhet humbur. Sa hyn në muze gjendet një shkrim i Orhan Pamukut rreth idesë së tij për muzeun. “Shumicën e kohës muzetë, shkruan Pamuk, flasin për fuqinë e një shteti. Dhe kjo lloj manie e re e tyre shmang paraqitjen e një realiteti në mënyrë artistike apo në një mënyrë individuale. Fuqia është më e rëndësishme se arti ose se njeriu”. Ideja e tij ishte hapja e një muzeu për shpirtin dhe botën intime të njeriut, sepse bota ka nevojë të ketë një muze edhe për jetën e përditshme të një të panjohuri. Më vijnë ndër mend fjalët e Pamukut: “Lumturia më e madhe që një muze mund të krijojë është të transformojë kohën në hapësirë”.
Një vizitë në këtë qytet është një domosdoshmëri për çdo studiues, ashtu siç mund të jetë në çdo vend tjetër, ku historia dhe monumentet e kulturës janë të pranishme. Turqia sot është një shtet, i cili financon shumë projekte mbi kulturën. Pothuajse shumica e trashëgimisë kulturore janë në restaurim. Kjo është një nga gjërat më të mira që mund të bëjë një shtet për kulturën e tij.
Ndonëse qyteti ka mjaft muze të ndryshëm, një ekspozitë mjaft interesante ishte hapur në muzeun “Sakip Sabanci” rreth marrëdhënieve 600-vjeçare midis Polonisë dhe Perandorisë Osmane, ku dokumente e kostume të kohës, portrete të sulltanëve të shkollave të Rilindjes veneciane, tapetë e qilima nga më të bukurit, armatura të husarëve polakë e të ushtarëve osmanë. Midis tyre ishte ekspozuar një portret i sulltaneshë Hurrem, gruas së Sulejmanit të Madhërishëm. Ishte një portret në vaj i pikturuar nga një piktor polak i shekullit XVII. E veshur me një veshje të kohës, bukuria e saj ndoshta gjendej në penelatat e pikturës dhe jo në portretin e saj. Për venecianët e kohës, Hurrem nuk kishte një bukuri të veçantë, por ajo ishte elegante dhe e dallonte një buzëqeshje rrezatuese. Por kur qëndroja para saj, pyeta veten vallë a kishte qenë kjo grua kaq e fuqishme që të ushtronte një pushtet mbi Sulejmanin?! A ishte vallë kjo grua që arriti të hynte në mes dy figurave të pushtetshme si Sulltani dhe Ibrahim Pashë Pargaliut? Fuqia e saj dallohet në letrat dhe shkëmbimet që ajo ruante me mbretin e Polonisë, për relacionet e mira që dëshironte midis osmanëve, Polonisë dhe Ukrainës, vendit të saj. Por midis saj dhe Ibrahimit, Vezirit më të madh të Perandorisë, u shpall luftë e heshtur.
Pranë Sheshit të Hipodromit antik, ku dy obeliskët e gjatë i jepnin pamje të një kohe të largët sheshit, ndodhej Muzeu i Artit Turk dhe Islam, ku dikur kishte qenë pallati i Ibrahim Pashës ose siç e thërriste Sulltani “Pargali”. Ndonëse muzeu ishte i mbyllur për restaurim dhe për një kohë kishin vazhduar punimet në këtë muze, m’u mundësua të hyja në brendësi të oborrit të muzeut.
Një koleg i muzeut të “Arteve turke dhe islamike” më shoqëroi në vizitën e shkurtër që pata në sarajet e Ibrahim Pashës. Ndryshe nga shumica e ndërtesave civile të asaj kohe, të cilat ishin prej druri, ashtu si dhe shtëpitë turke prej druri të cilat mbetën për kohë të gjatë, ky pallat u ndërtua prej guri. I ndërtuar mbi rrënojat e hipodromit të vjetër, ashtu siç dallohet dhe sot nga mbetjet arkeologjike, nuk dihet me saktësi se kur është ndërtuar ky pallat. Më 1520, Sulejmani ia dhuroi vezirit të lartë. Pjesa e mbetur sot është pjesa administrative ose selamllëku, ku bëheshin takimet zyrtare dhe nga ana përballë obeliskëve në shesh, dallohet ballkoni, në të cilin Ibrahimi dhe Sulltani shihnin festimet e ndryshme. Nga larg punonjësi i muzeut më tregonte hollin e madh të takimeve zyrtare. E gjithë ndërtesa ishte tipike osmane e ndërtuar me gurë dhe e vetmja e mbetur e asaj kohe. Pjesa e haremit, pjesa ku qëndronte familja e tij, fatkeqësisht nuk ekziston më. Ajo është prishur gjatë kohës. Studime nënvizojnë se “pallati i Ibrahim Pashës ishte më i madh dhe shumë më i bukur se Topkapia, ndonëse nuk dihet dhe nuk ka asnjë dokument se cili ka qenë arkitekti i kësaj godine, pa dyshim që studiuesit hedhin hipoteza se mund të ketë qenë dora e mjeshtrit Arkitekt Sinani” (The museum of Turkish and Islamic Arts. Official Museum Guide). Në mjaft miniatura të kohës, ato të mjeshtrit Nakkas Osman, paraqiten skena të cilat pasqyrojnë skena festive, por dhe bukurinë e Sarajeve të Pashait.
Por kush ishte Ibrahim Pasha? Ibrahim Pargaliu vinte nga Parga, një qytet bregdetar i Thesprotisë. Udhëtarë e kronikanë e kanë përshkruar si qytetin e portokajve, agrumeve, vajit të ullirit, e bukurisë së mahnitshme që ka pasur ky qytet i vogël. Njihet historia e Pargës në shekullin XIX. Parganiotët e dhimbsur u hapën dyert suliotëve të arratisur nga krimet e Ali Pashës dhe për këtë u ndëshkuan. Të detyruar të largoheshin, parganiotët zbritën në rrugë të tmerruar e para se të largoheshin ata shkuan në kishë, gërmuan varret për të marrë trupat e të parëve të tyre. Përshkrimet e Pargës janë nga më të përvuajtshmet. Autorë e piktorë përshkruajnë skena të dhimbshme, vajtime e duke mbajtur eshtrat e të vdekurve, të gjunjëzuar e duke puthur tokën mëmë, u larguan duke dhënë lamtumirën e fundit.
Për Ibrahim Pashën mendohet se emri i tij të ketë qenë Pjetër (Pietro Zen. Relazioni degli ambasciatori veneti al Senato durante il XVI secolo). Hipoteza të ndryshme e paraqesin “grek, kroat apo shqiptar” (The museum of Turkish and Islamic Arts. Official Museum Guide). Dihet se në Perandorinë Osmane mjaft shqiptarë ishin pjesë e radhëve ushtarake. Midis tyre në periudhën e artë të perandorisë në shekullin XVI, përmenden Ajaz Pasha nga Himara, Ibrahim Pasha i Pargës shqiptare (Antoine Geuffroy, Briefue description de la court du Grant Turc et ung sommaire du regne des Othmans, 1543), Hajredin Pasha ose më mirë i njohur si Barbarosa, djali i Jakub shqiptarit nga ishulli i Lesbos në Egje (Suleyman the Magnificient. Sultan of the East. Harold Lamb). Barbarosa, një tjetër luftëtar i Perandorisë, kapiten i deteve. Ashtu siç thuhet, mjekërkuqi, kishte një natyrë të mirë, por i ashpër kur inatosej. Sot në sheshin Barbaros Bulvari, në një xhami të vogël, afër muzeut të flotës është varrosur Kapiteni Barbarosa, së bashku me familjen e tij.
Ibrahimi, mendohet të jetë marrë, sipas sistemit dervishme, ku shumë fëmijë kristianë ndaheshin nga familjet e tyre dhe vendi i tyre për t’u trajnuar për jeniçerë. Falë zgjuarsisë, shkathtësisë e inteligjencës ushtarake që paraqiste Ibrahimi, Sulltani e zgjodhi atë në gradat më të larta të Perandorisë Osmane. Në shumë studime, Veziri i lartë Ibrahim, paraqitet një figurë e pashoqë në tërë aspektet: një figurë që meriton vërtet të quhej ashtu siç e thërrisnin venecianët e kohës “Ibrahimi i Madhërueshëm”. Marrëdhëniet e tij diplomatike të vendosura me Venedikun e disa shtete europiane, e bëjnë atë një nga vezirët më të shkëlqyer që ka pasur Perandoria Osmane.
Paraqitja e tij rrezatonte magnetizëm, shkathtësi të mendjes, gjë për të cilën vet Sulltani e kishte admiruar. Studiuesit e përshkruajnë një figurë të shkëlqyer, madhështore, të guximshëm duke çuar veten e tij dhe ushtrinë deri në pikën e rrezikut më të madh e ku dallohej për taktikat e tij luftarake në artileri e rrethime. Në momentin që Ibrahimi merr titullin Vezir i Lartë dhe merr kontrollin në shumë gjëra, madje ishte gati i barabartë me fuqinë absolute që kishte Sulltani.
Ibrahimi mbajti pozicionet më të larta të Perandorisë, me një karrierë të shkëlqyer, e cila zgjati për 13 vjet me radhë, duke i shtrirë territoret e perandorisë deri në afërsi të portave të Vjenës e duke u shtrirë në Lindje. Nga ana tjetër, kjo shtrirje territoriale e Perandorisë Osmane ecte paralelisht me marrëdhëniet diplomatike që Veziri i Lartë ruante e kultivonte me Perëndimin. Pas vdekjes së tij, orientimi e interesat e perandorisë u fokusuan drejt Lindjes, duke u shkëputur nga marrëdhëniet me Venedikun. Më 15 mars 1536, në muajin e Ramazanit, Ibrahim Pasha do të darkonte me Sulltanin, por në mëngjes trupi i tij u gjet i vdekur pranë hyrjes së Divanit, me shenja në trup, gjë që tregonte se ishte vrarë me një shtrëngim pas një luftimi trup më trup. Një kal mbajti trupin e vdekur dhe u varros në një manastir dervishësh në Gallata. Mbi varrin e tij nuk u shkrua as emri i tij, as një përkujtimore. (Ibrahim Pasha. Grand Vizir of Suleiman the Magnificent. Hester Donaldson Jenkins).
Ai kurrë nuk e kishte harruar se ishte veçse një hije në tokë: Ai ishte pargaliu, i cili jetonte midis ferrit e parajsës, ku çdo hap drejt pushtetit ishte një hap drejt vdekjes.
Sarajet e mëdha të Pargaliut, çdo ditë vështronin hipodromin e humbur. Dikur aty Ibrahimi kishte vendosur skulpturat e sjella nga Buda. Nga larg dalloja obeliskët e lartë.
Në harqet e pallatit, midis korridoreve të gjatë, imagjinoja figurën e hollë e energjike të Ibrahimit, i veshur me kaftanët e bukur e të artë. Duke zbritur shkallët e sarajeve, punonjësi i muzeut më përshëndeti duke më thënë: “Je gjithmonë e mirëseardhur!” Me një buzëqeshje e falënderova. Ndoshta një qytet tjetër më pret mendova me vete: ajo do të jetë Parga.
*Kuratore e Koleksioneve Mesjetare dhe Ikonave Post-Bizantin
Muzeu Historik Kombëtar