Udhëtim: NAPOLI DHE BUKURITË E TIJ

Pompei, Herkulanum dhe Vezuvi janë qendra të mëdha të turizmit. Kuptohet që koncepti për këto vende është i ndryshëm: dy qytetet e fshehura në tokë, të mbuluara gjatë shekujve nën pluhurin e historisë, i treti, mbi tokë dhe plot gjallëri


Feride Papleka


Napoli (Nea polis – qytet i ri, themeluar rreth vitit 600 para erës sonë) në këmbë të vullkanit Vesuv, qarkuar në pjesën perëndimore nga gjiri i bukur Tirren, mbahet si një ndër qytetet e mëdha të Mesdheut. Me rreth 4 milionë e gjysmë banorë ai është qyteti i tretë i vendit për nga numri i popullsisë pas Romës dhe Milanos. Popullsia e kësaj treve e quajtur napolitane arrin një dendësi 2080 banorë për km2. Porti i qytetit ka një funksion të dyfishtë: tregtar, por edhe turistik. Që andej turistët shkojnë drejt ishujve, por edhe në qytete të tjera. Rajoni napolitan është qendra ekonomike e krejt zonës që përbëhet nga qytete dhe fshatra të lidhura me rrugë dhe hekurudha të shumta.

PAK HISTORI

Strehë e poetit të madh të antikitetit latin, Virgjilit, në vitet ‘40 para erës sonë, kur gjatë luftës civile iu konfiskua prona familjare, ky qytet jugor ka një histori të veçantë me luftëra të gjata mes  vendasve dhe pushtuesve. Pas rënies së Perandorisë Romake, qyteti u pushtua nga ostrogotët dhe u mor nga Bizanti më 544. Mbretëria e Napolit dhe e dy Sicilive, në shekullin XI u pushtua  nga normandët që themeluan aty shumë principata, nga të cilat më e rëndësishmja ishte  ajo e Robert Guiscard-it, i cili i njohur edhe nga Papa Nikolla II, e pushtoi Napolin më 1071. Janë për t’u veçuar vitet 1442-1458, kur mbretëria i kaloi Alfonsit V të Aragonës, i cili ishte edhe aleat i madh i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut në qëndresën e tij kundërosmane. Pas rënies së mbretërimit aragonas vjen një pushtim i shkurtër austriak (1713-1735), pastaj burbonët (1735-1759) që e riorganizuan mbretërinë me despotizën. Pas një lufte të gjatë, mbretëria u bë republikë Partenopene (1799-1800). Burbonët u ndoqën më 1805 nga Napoleoni. Ky i fundit ia fali mbretërinë e Napolit vëllait, pastaj një gjenerali ushtarak, që ishte i shoqi i njërës prej motrave. Burbonët e mbetur në Sicili, e morën veten me rënien e Napoleonit, por u përndoqën nga spanjollët. Më 1860 ekspedita e “Një Mijëve” e Garibaldit, e mundi disa herë ushtrinë mbretërore dhe më 1861 mbretëria iu bashkua edhe njëherë Italisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Napoli bëri një rezistencë të fuqishme kundër pushtuesit nazist. Datat 27, 28, 29 dhe 30 shtator 1943, të njohura në historinë e Italisë si Quattro giornata di Napoli (Katër ditët e Napolit) kanë mbetur si ditët e kujtesës së heroizmit. Pati masakra dhe flijime të mëdha, por ushtria pushtuese u shpartallua dhe iku e mundur para se të vinin forcat aleate që kryesoheshin nga armata V Amerikane. Ai u çlirua më 1 nëntor 1943 dhe meritoi kështu Medaljen e Artë për shërbime ushtarake

VLERAT E TRASHËGIMISË KULTURORE

I vendosur në gjirin e Napolit dhe me sipërfaqe të madhe, Napoli ruan gjurmët e më shumë se njëzetetetë shekujve histori. Ai është njëri prej qyteteve më të moçme të Europës. Përvijimi i rrugëve dhe arkitektura e ndërtesave historike që lidhen me periudha të shumta, po ashtu edhe vendosja e tij buzë detit, i japin një vlerë universale, të jashtëzakonshme e të pakrahasueshme. Ai ka ushtruar dhe ushtron një ndikim të madh te një pjesë e madhe e Europës dhe më gjerë. Ai bashkon lagjet Avvokata, Montekalvario, San Giuseppe, Porto, Pendino, Mercato, Chiaia, San Ferdinando, StellaSan Carlo all’Arena, San LorenzoVicarìa etj. Qyteti ka obeliskë të pafund, manastire, galeri, më shumë se tridhjetë muzeume, midis të cilëve më i madhi është muzeu arkeologjik, mbeturina të mureve të dikurshëm rrethues, katakombe, gërmime arkeologjike të shumta, relive, kolona mesjetare dhe pallate historike. Mes bukurive të rralla arkitektonike mund të përmendim:  (kështjellat) Castel dell’Ovo dhe Castel Nuovo, pastaj Galeria Umberto I, Pallati mbretëror i Napolit, Teatri San Karlo etj.
Duhet të marrësh dekovilin që ngjitet për pesë minua në lartësitë veriore e të soditësh tërë bukurinë bregdetare. Në kodrinën Vomero, kisha San Martino fsheh perla baroke: motive lulore në mermer të purpurt të verdhë e të zi, larzime apo edhe gdhendje të shekullit XVII. Shumë mbresëlënëse është edhe pamja këndore. Që nga Lindja në Perëndim, që nga Vezuvi në Posilipo, vështrimi përfshin krejt gjirin napolitan. Për të mos e humbur nga sytë këtë pamje madhështore, mund të zbresësh nëpërmjet shkallës gjigante, të gurtë që gjarpëron mes shtëpive me kopshte. Shumë piktorë janë frymëzuar nga bukuritë e tij, por shkrimtari Curzio Malaparte e ka përshkruar tërë Napolin në romanin Lëkura.
***
Në të vërtetë Napoli është njëri nga qytetet e botës me përqendrim të madh të burimeve kulturore. Qendra e tij historike është më e madhja në Europë. Veçanësia e saj qëndron te ruajtja thuajse e paprekur e indit urban të origjinës. Ajo është regjistruar në listën e pasurisë botërore të UNESCO-s dhe ka rreth 450 objekte historike. Një monument i jashtëzakonshëm është kisha “Gesu Nuovo” në sheshin me të njëjtin emër. E rregulluar në pallatin e lashtë Sanseverino, e shekullit XVI, ndërtesa të mahnit me pjesën e përparme të errët gjithë reliev me pika diamanti. Sipas napolitanëve, hullitë e gdhendura në bazalt paraqesin nota muzike. Para se të shkosh atje, rruga Francesco de Sanctis fsheh një tjetër mrekulli të vogël. Krishtin e mbuluar, të skulptorit Giuseppe Sanmartino (1735). Ky Krisht prej mermeri rri shtrirë në qendër të kishës së vogël Sansevero, i mbuluar me vellon e hollë që duket sikur valëzohet përpara syve të tu.
Elementet arkitekturore në Napoli ngjiten deri në shekullin IV dhe V para erës sonë. Pastaj vjen arkitektura gotike, sidomos ajo franceze që shprehet qartë në ndërtimet fetare si bazilika San Lorenzo Maggiore, Santa Chiara, po ashtu si në ndërtime të tjera shekullore si kështjella: Castel Capuano, Castel Nuovo etj. Gjatë epokës aragoneze, në shekullin XVI, një numër i madh strukturash cilësore, qytetare dhe fetare janë rindërtuar me fortifikime muresh, si bie fjala pallati mbretëror dhe pallate të tjera, kishat Gesù NuovoSan Paolo Maggiore, kolegji  jezuit Capodimonte etj. Në shekullin XII Castel dell ‘Ovo, u transformua ne fortesë nga Normandët, por e mori pamjen që ka sot në shekullin XVII.
Qendra historike është gjithashtu tipike për atmosferën e saj të zhurmshme dhe plot gjallëri ku aroma e furrave me dru të restoranteve të sjell në mend se mbretëresha, pica (pizza) Margerita ka lindur këtu. Për ditët e festës së Krishtlindjes, një nga traditat shekullore është tregu artizanal i kukullave dhe i çerdhes së trinisë së shenjtë.
Napoli, si të gjitha qytetet e mëdha, përballet me probleme të mprehta shoqërore të përditshme. Në lagjet popullore është e pranishme mafia lokale Kamorra, e cila ushtron një aktivitet të madh. Mes dy vullkaneve (Vezufi në lindje dhe Fusha Flegrens në perëndim, Napoli i qëndron heroikisht të papriturës. Me qëllim që t’i paraprijnë rrezikut të ndonjë shpërthimi të mundshëm vullkanik, po studiohen planet e largimit të qytetarëve për një kohë të shkurtër, ndërsa vullkani dhe xhepi i tij magmatik janë në vëzhgim të vazhdueshëm shkencor.

TRI SIMBOLET E FAMSHME NË TË GJITHË BOTËN

Pompei, Herkulanum dhe Vezuvi, janë qendra të mëdha të turizmit. Kuptohet që koncepti për këto vende është i ndryshëm: dy qytetet e fshehura në tokë, të mbuluara gjatë shekujve nën pluhurin e historisë, të rizbuluara ngadalë e që na pajisin me një koncept të jetës së përditshme të shekullit I të erës sonë, na magjepsin para së gjithash nga pikëpamja historike dhe arkeologjike, ndërkohë që janë natyra dhe peizazhi që na tërheqin drejt të përpjetës së Vezuvit, “mbretit të vullkaneve”. Megjithatë, Pompei, Herkulanum dhe Vezuvi janë roje të një trashëgimie historike që i ka bashkuar fatet dhe emrat e tyre përjetësisht: shpërthimi i vitit ‘79 të erës sonë. Vullkani dhe  forca e tij e jashtëzakonshme janë përgjegjësit e parë të kësaj trashëgimie. Vezufi, pra, ka qenë njëherësh shkak rrënues i zhdukjes së dy qyteteve,  dhe rojë e heshtur e varrosjes së tyre, dhe më në fund, përgjegjës i lemerishëm i lavdisë së tyre.
Pompei dhe Herkulanum përbëjnë  sot dy dëshmitarë historikë, të papërsëritshëm në botë.  Perceptimi i mënyrës së jetës së popullatave antike që këto dy qytete na krijojnë mundësi të përfytyrojmë, nuk kufizohen si në qendrat e tjera arkeologjike në aspektin fizik të një qyteti, apo të arkitekturë dhe artit të tij. Sidoqoftë, jeta e tyre ka ardhur gjer te ne, edhe pse kjo duket paradoksale. Vizitori nuk provon asnjë vështirësi të vëzhgojë, për më tepër ta ndiejë këtë jetë. Duke shëtitur në rrugët e qarkuara me shtëpi private dhe me shitore artizanësh, ai lexon nëpër mure “sloganet politikë dhe “publicitetet”, që ruhen prej afro dy mijë vjetësh, mrekullohet përpara pasurisë së disa vendbanimeve aristokrate, zbulon se shtëpitë popullore, të marra me qira ekzistonin tashmë, dhe përjeton, në sajë të mbetjeve të orendive shtëpiake, një pjesëz të atmosferës shtëpiake, intime që mbretëronte dikur. Vizita në Pompei dhe Herkulanum përputhet gjithnjë me ndjesinë e pastër të një jetë të përditshme të ngrirë, të ndërprerë papritmas në shprehësitë e saj më të vërteta dhe më njerëzore. Kjo përshtypje nuk vjen vetëm prej dëshmive dramatike të trupave, të gurosur, viktima të katastrofës së tmerrshme, por mbi të gjitha edhe nga “objektet” e shtëpive, nga rrugët me kalldrëm që ruajnë ende  gjurmët e ecjes së qerreve. Në këto rrugë ne thuajse mund të diktojmë jehonën e gjallërisë së dy qyteteve të gjalla.
Të përfytyrosh se çfarë do të kishte ndodhur me këto dy qytete, nëse nuk do të ishin shkatërruar ashtu tragjikisht nga shpërthimi i Vezuvit,  është fare e kotë.  Përkundrazi, një mendim mbase mizor dhe e mistershëm u imponohet vizitorëve të sotëm “Është e pamohueshme se Pompei dhe Herkulanum nuk do të ishin bërë ajo që janë sot, nëse gjatë verës së vitit ‘79, Vezuvi nuk do t’i kishte varrosur aq dhunshëm poshtë hirit dhe baltës.



I vendosur në gjirin e Napolit dhe me sipërfaqe të madhe, Napoli ruan gjurmët e më shumë se njëzetetetë shekujve histori. Ai është njëri prej qyteteve më të moçme të Europës. Përvijimi i rrugëve dhe arkitektura e ndërtesave historike që lidhen me periudha të shumta

Në të vërtetë, Napoli është njëri nga qytetet e botës me përqendrim të madh të burimeve kulturore. Qendra e tij historike është më e madhja në Europë. Veçantia e saj qëndron te ruajtja thuajse e paprekur e indit urban të origjinës
Pompei dhe Herkulanum përbëjnë sot dy dëshmitarë historikë, të papërsëritshëm në botë.  Perceptimi i mënyrës së jetës të popullatave antike që këto dy qytete na krijojnë mundësi të përfytyrojmë, nuk kufizohen si në qendrat e tjera arkeologjike në aspektin fizik të një qyteti, apo të arkitekturë dhe artit të tij

Qendra historike është gjithashtu tipike për atmosferën e saj të zhurmshme dhe plot gjallëri ku aroma e furrave me dru të restoranteve të sjell në mend se mbretëresha, pica (pizza) Margerita ka lindur këtu