Thomas Piketty / Ekonomi për të gjithë

Daniel Binswanger
Das Magazin, Zvicër

Libri i tij mbi historinë e pabarazive në vendet e industrializuar është shndërruar në bestseller brenda pak muajsh. Dhe studimet e tij janë të destinuar të kushtëzojnë debatin ekonomik botëror
Nuk ndodh shpesh që një libër mbi ekonominë me pothuajse një mijë faqe të shndërrohet në bestseller ndërkombëtar, por në muajt e fundit kjo ka ndodhur. Në shtator 2013, ekonomisti francez Thomas Piketty botoi “Le capital au XXIe siècle” (“Kapitali në shekullin XXI”). Pak kohë më vonë libri u botua në anglisht dhe bëri bujë në të gjithë botën. Një muaj më parë Piketty ka mbajtur konferenca në shumë salla të tejmbushura në New York dhe ka folur në Uashington përpara ekipit të konsulentëve ekonomikë të presidentit të SHBA, Barack Obama. Në Paris libri është shitur menjëherë, ndërkohë që edhe mjetet gjermanë të informimit kanë folur shumë.
Në ambientet akademikë ka shumë entuziasëm për këtë vepër. “Piketty do të ndryshojë mënyrën tonë të të reflektuarit për shoqërinë dhe administrimit të ekonomisë”, ka shkruajtur Paul Krugman, i cili në vitin 2008 fitoi Cmimin Nobel për Ekonominë. Elozhe të ngjashëm kanë ardhur edhe prej ekonomistëve liberistë. “Libri synon të revolucionarizojë mendimin ekonomik, dhe mund t’ia dalë”, ka shkruajtur The Economist. “Një tekst me rëndësi të jashtëzakonshme”, ka komentuar Financial Times.
“Jam shumë i kënaqur që libri po ecën kaq mirë”, thotë Thomas Piketty në zyrën e tij në Shkollën Ekonomike të Parisit. Eshtë një zyrë kaq e vogël, saqë nuk ka hapësirë ku të ulen mysafirët. “Shpresoj që edhe të lexohet. Shpesh herë librat kaq voluminozë përdoren thjeshtë si objekte dekorimi”, thotë ekonomisti duke e ridimensionuar suksesin e tij. Piketty, 43 vjeç, ka një pamje rinore dhe një sjellje të përulur. Pavarësisht moshës së re, mund të shfrytëzojë një fuqi të madhe institucionale. Eshtë një prej drejtorëve dhe themeluesve të Shkollës ekonomike të Parisit, e krijuar në vitin 2006 nga institutet studimorë më prestigjozë të Francës dhe prej sponsorëve privatë. Punojnë aty 120 studiues dhe kurset zhvillohen në anglisht. Në vitin 2013, shkolla është renditur mes dhjetë fakulteteve më të mirë ekonomikë në botë, në disa klasifikime ndërkombëtarë.
Karriera e Piketty ka qenë e shpejtë dhe mbresëlënëse, por një pjesë e suksesit i detyrohet modestisë së tij, një tipar që e dallon në planin intelektual dhe ndikon në vizionin që ai ka për shkencat ekonomike.
“Së pari”, thotë Piketty, “duhet kuptuar që ekonomia është një shkencë joekzakte. Asgjë nuk e ka dëmtuar këtë disiplinë, më shumë se sa arroganca e atyre që kanë dashur t’i veshin ekzaktësinë dhe një aftësi parashikuese pothuajse natyrore. Ekonomia është një shkencë sociale, as më pak e as më shumë. Mund të angazhojë matematicienë (dhe kjo është e domosdoshme), por veprimtaritë ekonomike zhvillohen nga qenie sociale, prandaj dhe zbulimet e shkencave ekonomike nuk janë më pak të kontestueshëm se sa ato të disiplinave të tjera sociale. Janë të shumta gjërat që nuk i dimë, prandaj është e nevojshme të verifikojmë gjithçka në thellësi”. Receta e Piketty kundër ekscentrizmit të modeleve matematikorë që nuk i korrespondojnë realitetit është më e thjeshtë nga sa mund të imagjinohet: mbledhja e numrit maksimal të mundshëm të të dhënave.
Lexim magjepsës
Libri i Piketty analizon evolucionin në shpërndarjen e pasurive dhe të ardhurave. Risia më domethënëse e studimeve të tij qëndron në zbulimin që në vendet e industrializuar, përtej pabarazive në shpërndarjen e të ardhurave janë rritur edhe ato që lidhen me pasurinë. Në mënyrë të veçantë, rëndësia në rritje e anuiteteve (te ardhurat vjetore nga pasuria/kapitali) mund të shkaktojë, në të ardhmen një shpërndarje edhe më të pabarabartë të të ardhurave. Nëse qeveritë nuk do të miratojnë kundërmasa, shtetet e industrializuar mund të dominohen përsëri nga anuitetet siç ndodhte në Europën e nëntëqindës. Ekonomia e tregut po shkon drejt një belle époque të re. Brenda një gjenerate, shoqëritë borgjeze ku kemi jetuar deri tani mund të zhduken, dhe një kastë milionerësh mund të dominojë ekonominë dhe politikën. Pershtatur ne shqip nga bota.al
Përveçse për tezën e vet themelore – sipas të cilës pabarazia në të ardhura nuk është aq një problem i ndryshimit mes pagave, se sa një pasojë e pashmangshme e forcimit të kapitalit – libri rezulton befasues sepse ngrihet mbi një themel shumë të gjerë dhe të fortë. Për të mbështetur teorinë e tij, Piketty përdor një sasi domethënëse të dhënash që shkojnë deri më shumë se dyqind vjet më parë, duke demonstruar që për të interpretuar në mënyrë të saktë tendencat ekonomike, nevojitet të merret në konsideratë një periudhë e gjatë kohe. Veç kësaj, autori e zgjeron studimin në një numër të madh shtetesh, përshkon zhvillimin e secilit dhe aplikon teorinë e tij të shpërndarjes së të ardhurave. “Kapitali në shekullin XXI” është mbi të gjitha një monument për konkretësinë empirike që do të ndryshojë qasjen e kërkimeve akademikë. Jo vetëm sepse konkluzionet bazohen mbi të dhëna shumë solide, por edhe sepse materiali i mbledhur nga Piketty për studimin është kaq i shumtë, saqë do të bëjë të diskutojnë një brez të tërë studiuesish.
Eshtë i habitshëm fakti që një vepër kaq e ngjeshur përbën një lexim kaq magjepsës dhe interesant, edhe për ata që nuk janë ekspertë të ekonomisë. Sigurisht, është meritë e prozës së qartë dhe elegante, por edhe forcës së temës që trajtohet. Cili argument do të ishte më i rëndësishëm sesa historia e shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë në shoqërinë moderne? Jo më kot Piketty citon vazhdimisht Balzakun dhe Jane Austenin për të përshkruar shpërndarjen e të ardhurave në shekullin 19. Pavarësisht bollëkut të tabelave dhe grafikëve, libri i tij lexohet si romani i madh realist i epokës bashkëkohore.
“Kapitali në shekullin XXI” është frut i biografisë së jashtëzakonshme të autorit. Piketty e ka nisur karrierën si gjeni i hershëm i matematikës në “École normale supérieure”, mori doktoraturën kur ishte vetëm 22 vjeç me një tezë në matematikë, mbi proceset e rishpërndarjes ekonomike dhe u emërua menjëherë profesor i asociuar në fakultetin e ekonomisë së “Massachusetts institute of technology” (MIT), më prestigjozi i SHBA. Ja si e tregon ekonomisti periudhën e kaluar në SHBA: “Ka qenë fantastike. Unë i adhuroj universitetet amerikanë dhe e përbuz antiamerikanizmin e marrë të disa intelektualëve francezë. Por pas pak kohësh u lodha prej qasjes matematikore dhe abstrakte ndaj ekonomisë që praktikohet në atë universitet, edhe pse mundesha t’u kushtohesha atyre lojërave abstrakte për gjithë pjesën tjetër të jetës sime”. Pershtatur ne shqip nga bota.al
Piketty është i bindur se ato përpunime të shifrave janë vetëm pjesërisht të lidhur me funksionimin real të botës dhe ekonomisë. “Modelet e mi kryesorë intelektualë nuk kanë qenë ekonomistët e MIT, fituesit e Nobelit Paul Samuelson dhe Robert Solow, por studiuesit francezë të historisë sociale të shkollës së “Annales” dhe mësuesi i tyre Fernand Braudel. Për këtë arsye, pas tre vitesh u ktheva në Paris”.
Dy nuhatje
Ishte viti 1996 dhe Piketty sapo kishte mbushur 26 vjeç. Në atë periudhë nisi të hedhë bazat për studimet mbi të cilët ngrihet vepra e tij monumentale. Bashkë me disa kolegë (veçanërisht Emmanuel Saez e Anthony Atkinson) studiuesi ka bashkuar seri të mëdha të dhënash që paraqesin shpërndarjen e pasurisë dhe të ardhurave në vende të ndryshëm në një hapësirë të gjatë kohe. Një pjesë e madhe e këtyre të dhënave u ndërfut në “bazën e të dhënave të të ardhurave më të larta të botës” dhe mund të aksesohet në internet. Të dhënat bazohen në rregjistrat e taksave, që kanë avantazhin e ofrimit të informacioneve të shumë kohëve më parë. Në këtë mënyrë mund të sigurohen seri të mëdha të dhënash që riprodhojnë se si ka shkuar shpërndarja e pasurisë në një kohë të gjatë dhe hedhin dritë mbi ndryshimet strukturorë të sistemit ekonomik. Dhe për herë të parë mund të përshkruhet me saktësi procesi që ka shkaktuar rritjen e pabarazive në të gjithë vendet e industrializuar, dhe mbi të gjitha në vendet anglo-saksonë, duke filluar nga vitet shtatëdhjetë të nëntëqindës.
Libri i Piketty është antipod në krahasim me shumë libra në shitje që i bëjnë homazh ideologjisë dominuese. Pak më pak se 20 vjet më parë, autori pati dy nuhatje teorike që kanë rezultuar të sakta: në një periudhë kur ekonomia akademike i kushtonte pak vëmendje temës së shpërndarjes së pasurisë, ai kuptoi se kjo temë do të vazhdojë të jetë përcaktuese për zhvillimin e ekonomisë së tregut. Veç kësaj, ka kuptuar se vetëm një kthesë e madhe historiko-empirike mund t’i rikthejë ekonomisë politike instrumentat për të kuptuar proceset themelorë që prodhojnë ndryshime në fushat e ekonomisë dhe shoqërisë.
Edhe pse shumëkush e ka pranuar vetëm tani punën e tij, Piketty ushtron prej kohësh një ndikim të dukshëm në debatin ekonomik dhe politik, dhe pa ekzagjerim mund të konsiderohet pikë referimi për lindjen e lëvizjes Occupy Wall Street. Në fund të fundit kanë qenë veprat e tij (në bashkëpunim me Emanuel Saez) që treguan për herë të parë me gisht rritjen e shpejtë të pabarazive të të ardhurave në SHBA dhe përparimin e papritur të 1 përqindëshit më të pasur. “Ne jemi 99 përqindëshi”: pa studimet statistikorë të botuar nga Piketty, ndoshta askush nuk do ta kishte menduar atë slogan.
Zgjidhje radikale
“Ekonomistët nuk janë të pagabueshëm, megjithatë kanë më shumë kohë se qytetarët e tjerë për të reflektuar mbi problemet ekonomikë”, thotë studiuesi. “Për këtë arsye kanë edhe detyrimin që të marrin pjesë në debatin publik. Objektivi im parësor është të jap një kontribut të dobishëm për diskutimin. U drejtohem mbi të gjitha qytetarëve, dhe jo grupeve të ekspertëve apo konsulentëve presidencialë”. Në pjesën e fundit të librit të tij Piketty propozon disa zgjidhje radikale për të korrigjuar rritjen e pabarazive në të ardhura. Nga njëra anë mbështet vendosjen e pagës minimale dhe norma fiskale të rritura për të ardhurat më të larta, ndërkohë që nga ana tjetër propozon futjen e një takse progresive mbi pasurinë për pasuritë më të mëdha.
A nuk janë utopiste këto receta kaq drastike? “Nuk besoj se propozimet e mi për korrigjimin e pabarazive gjithnjë e më të mëdha janë kaq drastike”, thotë Piketty. “Megjithatë është legjitime të priten me skepticizëm. Për mua më shumë rëndësi ka të arrijmë të biem dakord për faktet. Unë kam demonstruar që përqëndrimi i pasurive dhe të ardhurave do të vazhdojë të rritet dhe mund të prodhojë pabarazi më të mëdha se sa ato që janë vënë re në dyqind vitet e fundit, nëse nuk vendosim të ndërhyjmë në mënyrë energjike për të modifikuar raportet mes forcave të tregut. Kush mendon që pabarazitë e mëdha nuk përbëjnë problem, nuk do të arrijë në konkluzionet e mi politikë. Por kush mendon që në demokracitë duhet të ketë një nivel minimal barazie ekonomike, nuk mund të tërhiqet nga debati”.
Megjithatë, taksa mbi pasurinë funksionon vetëm nëse miratohet njëkohësisht në të gjithë zonat kryesore ekonomike të botës. Sipas shumë ekonomistëve, për këtë arsye një masë e tillë është e destinuar të dështojë. “Natyrisht, kur një koncept politik bazohet në bashkëpunimin ndërkombëtar gjërat ndërlikohen”, thotë Piketty. “Por siç e dinë mirë bankat në Zvicër, është bërë progres i dukshëm, për shembull në shkëmbimin automatik të informacioneve. E mundura dhe e pamundura nuk janë përcaktuese në nivel historik, sepse zhvillimi varet gjithmonë nga faktorë politikë të vështirë për t’u parashikuar”.
Eshtë vërtetë kaq e ndërlikuar të imagjinosh se si do të zhvillohet shoqëria në 20 vitet e ardhshëm? “Mund ta deduktojmë nga historia”, thotë Piketty. “Në fillim të nëntëqindës, kur në Europë dhe në SHBA ziente debati mbi futjen e taksave mbi të ardhurat, diskutimi dominohej nga ata që thoshin se një taksë e tillë ishte e papraktikueshme politikisht dhe duhej të përjashtohej absolutisht. Por pas pak kohësh, ajo taksë u vendos në të gjithë shtetet. Ajo që në fillim dukej si marrëzi e pakonceptueshme, u shndërrua papritur në një normë përgjithësisht të pranuar. Nuk do të përjashtoja që, sa i përket taksës mbi pasurinë, jemi përpara një zhvillimi të ngjashëm epokal. Besoj se ideologët që më japin leksione “zbatueshmërie politike” janë edhe më pak të besueshëm se sa ekonomistët që janë të bindur se po studiojnë një shkencë ekzakte”.
Pershtatur ne shqip nga bota.al