Irani nuk përjashton një bashkëpunim me SHBA-në nëse vendos të ndërhyjë kundër xhihadistëve në Irak, konfirmoi sot presidenti iranian, Hassan Rohani.
“Nëse ne shikojmë që SHBA reagon kundër grupeve terroriste, atëherë mund të mendojmë një bashkëpunim , por deri tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, konfirmoi Rohani, ndërkohë që presidenti amerikan, Barack Obama ka përjashtuar dërgimin e trupave për të penguar avancimin e xhihadistëve në Irak.
Irani dhe SHBA-ja nuk kanë marrëdhënie diplomatike që prej 35 viteve, por kanë pasur diskutime para tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku në fund të vitit 2011 për situatën në vend.
Kryengritësit sunitë të Shtetit islamik në Irak dhe në Levant (EIIL) kanë ndërmarrë në fillim të javës një ofensivë të dhunshme në Irak duke shpërndarë një numër të madh terroristësh në veri dhe në lindje të vendit.
Rohani shtoi se që prej një viti Irani kishte paralajmëruar vendet perëndimore dhe arabe, të cilët e kanë akuzuar për mbështetje të grupeve xhihadiste në Siri.
”Këta luftëtatë kanë ardhur në Irak që nga Siria. Ne kemi paralajmëruar që prej një viti kundër rrezikut të këtyre terroristëve. Vendet e mëdha (perëndimorët) dhe aleatët e tyre dërgojnë armë për këta terroristë në Siri”, nënvizoi ai.
”Duhet t’ kthejmë në vepra fjalët në luftën kundër terrorizmit”, shtoi ai.
Rohani theksoi se Irani është i gatshëm të ndihmojë Irakun (…), nëse qeveria irakiane na e kërkon, në bazë të të drejtës ndërkombëtare dhe vullnetit të popullit dhe qeverisë irakiane./atsh






