Optimisti i përjetshëm, Reagan ishte i bindur se Gorbaçovi ishte në gjendje që të ndryshonte sistemin sovjetik, dhe ai mendonte se kyçi për në kthesë të tillë mund të ishte feja. Më në fund, gjatë takimit të katërt në vitin 1988, Reagan hyri në një bisedë private me Gorbaçovin një për të cilin i premtoi udhëheqësit sovjetik se do të mohonte që ky takim kish ndodhur ndonjëherë. Ishte gjatë seancës së parë kokë më kokë në Moskë që Reagan hyri në një bisedë të guximshme jashtë mandatit të tij si President i Shteteve të Bashkuara
Ishte pyetja që preokuponte më së shumti Presidentin Ronald Reagan: A ishte udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbaçov një besimtar fetar? Reagan zhvilloi një seri samitesh me Gorbaçovin nga viti 1985 deri në 1988, dhe teksa takimet mes të dyve vazhdonin, Reagan ndonjëherë spekulonte me ndihmësite tij se përdorimi i frazave si “Dashtë Zoti” nga ana e Gorbaçovit mund të ishte një shprehje e besimit të tij fetar.
Shumë prej seancave të samiteve kishin të bënin me grupe të mëdhenj zyrtarësh amerikanë dhe sovjetikë, që diskutonin mbi çështje si kontrolli i armëve dhe konfliktet rajonalë. Por në bisedimet kokë më kokë e Gorbaçovin jashtë pranisë së zyrtarëve të tjerë si Sekretari i Shtetit, George Schultz, Reagan ndonjëherë ndiqte drejtimin që vetë dëshironte në bisedime.
Optimisti i përjetshëm, Reagan ishte i bindur se Gorbaçovi ishte në gjendje që të ndryshonte sistemin sovjetik, dhe ai mendonte se kyçi për në kthesë të tillë mund të ishte feja. Më në fund, gjatë takimit të katërt në vitin 1988, Reagan hyri në një bisedë private me Gorbaçovin një për të cilin i premtoi udhëheqësit sovjetik se do të mohonte që ky takim kish ndodhur ndonjëherë. Ishte gjatë seancës së parë kokë më kokë në Moskë që Reagan hyri në një bisedë të guximshme jashtë mandatit të tij si President i Shteteve të Bashkuara. Sipas memorandumit të bashkëbisedimit mes të dyve, që bazohej në shënimet e mbajtur nga dy këshilltarë të Reaganit dhe që tani është deklasifikuar dhe bërë publike në Librarinë Reagan në Luginën Simi, në Kaliforni, Reagani u përpoq në fshehtësi që të bindte Gorbaçovin mbi ekzistencën e Zotit.
Takimi u hap me komplimenta. Të dy burrat e shtetit pranuan se ata dhe vendet e tyre kishin ecur shumë që nga samiti i parë në Gjenevë tre vite më herët. Më pas, Gorbaçov shkaktoi një surprizë për të cilën Reagan nuk ishte përgatitur: ai lexoi me zë të lartë dhe i dorëzoi presidentit një deklaratë me shkrim të cilën dëshironte që të dy qeveritë ta firmosnin gjatë samitit dhe sipas të cilës SHBA dhe BS angazhoheshin për “bashkëekzistencë paqësore”.
Reagan tha disi turbullt se i pëlqente ideja dhe se do ta bisedonte me këshilltarët e tij; ai ia dorëzoi më pas copën e letrës njërit prej këshilltarëve, Thomas Simons. Propozimi i Gorbaçovit do të bëhej subjekt i shumë kritikave në ditët e mëvonshme.
Më pas, të dy burrat ringjallën debatin mbi të drejtat e njeriut. Reagan i dorëzoi Gorbaçovit një listë nënshtetasish sovjetikë që ai besonte se ishin viktima të represionit në një mënyrë apo një tjetër. Ashtu si në të kaluarën, Gorbaçovi u kundërpërgjigj duke argumentuar se Amerika duhej kritikuar gjithashtu për abuzime me të drejtat e njeriut. Krejt papritur, Reagan ndërroi temë dhe i hyri fesë. Ai i tha Gorbaçovit se ajo që do të thoshte tani mund do të konsiderohej totalisht sekrete.
Sipas atyre që mbanin minutat e takimit, Reagani i tha Gorbaçovit se “nëse dalin fjalë që kjo gjë u diskutua, Presidenti do të mohonte që ishte folur pë rnjë gjë të tillë”. Për të vënë theksin në këtë pikë, Reagan tha disa minuta më vonë se “nëse ndonjëri në atë sallë do të thoshte se ai kish dhënënjë këshillë të tillë Gorbaçovit për fenë, ai do të thoshte se ai person po gënjtente, se presidenti nuk e kish thënë kurrë atë gjë”. Gjatë përgatitjeve për samitin e Moskës, Reagan kishte diskutuar me këshilltarët e tij idenë e fokusimit tek liria e fesë. Ai kish punuar me ta mbi disa pika që duhej të prekeshin gjatë bisedës me liderin sovjetik; i kish mprehur këto ide gjatë qëndrimit në Helsinki. Sapo mbeti i vetëm me Gorbaçovin, presidenti e filloi bisedën me një thirrje në emër të lirisë fetare në Bashkimin Sovjetik. Ai e vlerësoi shumë Gorbaçovin ëpr faktin që kishte liruar disi rregullat ndaj Kishës Ortodokse Ruse. Sipas shënimeve të takimit, “Presidenti e pyeti Gorbachovin, po sikur ai të urdhëronte që liria e fesë ishte pjesë e të drejtave të popullit, se njerëz të cdo lloj feje – qoftë Islam me xhaminë e tij, besimi hebre, protestantët apo Kisha Ukrainase – mund të shkonin në kishën që donin”. Gorbaçovi e shmangu këtë pyetje. Ai këmbënguli se feja nuk ishte një problem serioz në Bashkimin Sovjetik. Sipas minutave të takkimit, Gorbaçovi i tha Reaganit se “ai vetë ishte pagëzuar por se tashmë nuk ishte besimtar, dhe se kjo gjë reflektonte një lloj evolucioni të shoqërisë sovjetike”.
Mund të kish patur disa teprime në shtypjen e fesë menjëherë pas revolucionit sovjetik, tha Gorbaçovi, por kohërat kishin ndryshuar. Programi i tij i Perestroikës ishte i projektuar të zgjeronte procedurat demokratike dhe do të shtrihej edhe tek feja.
Reagan shkoi më tej , duke ndërmarrë një hap që pak amerikanë do ta kishin konsideruar të dënueshëm. Presidenti ndërroi strategji nga përpjekjet që të bindte Gorbaçovin mbi vlerën e tolerancës fetare, tek promovimi i besimit tek Perëndia.
Reagan e bëri këtë duke i treguar një prej atyre historive tipike të tijat. Sipas shënimeve të takimit: Presidenti tha se kish marrë një letër nga vejusha e një ushtari të Luftës së Dytë Botërore. Ai po qëndronte në llogore në mesnatë, në pritje të urdhërit për sulm. Nuk kish qenë asnjëherë besimtar, sepse i kishin thënë që Zoti nuk ekzistonte. Por teksa shihte nga qielli, tha me zë të lartë një lutje që, nëse do të vdiste në betejë, Zoti ta pranonte. Ajo copë letër u gjet në trupin e një ushtari të ri rus që ish vrarë në betejë. Gorbaçovi u përpoq të ndërrojë temë. Ndoshta Shtetet e Bahskuara dhe Bashkimi Sovjetik mund të hapnin rrugën për më shumë bashkëpunim në hapësirë, i tha ai presidentit. Por presidenti nuk tutej. Sipas shënimeve, Reagan i tha Gorbaçovit se hapësira ishte në drejtim të parajsës, por jo edhe aq pranë parajsës se sa disa prej gjërave të tjera që kishin diskutuar tashmë.
Teksa takimi i afrohej fundit, Reagan u bë edhe më i drejtpërdrejtë dhe personal. Ai tha se biri i tij, Rod gjithashtu nuk besonte në Zot. “Presidenti konkludoi se kish kohë që dëshironte të bënte një gjë të vetme për birin e tij ateist. Ai donte t’i shërbente atij darkën e përsosur me ushqime të shijshme, ta linte të shijonte dhe më pas ta pyeste në se besonte se ka një kuzhinier”.
Nga dy këshilltarët amerikanë që ishin të pranishëm në këtë bashkëbisedim të jashtëzakonshëm njëri prej tyre e mori si të mirëqenë përpjekjen e presidentit. “Reagan mendoi se mund të konvertonte Gorbaçovin, ose ta bënte të shihte dritën e Perëndisë”, thotë Rudolf Perina që ishte atëherë Drejtor i cështjeve sovjetike në Këshillin Kombëtar të Sigurisë. I dyti, Tomas Simons, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit ka thënë në një intervistë tre vjet më parë se e shihte këtë përpjekje të Reaganit si një taktikë për të shmangur diskutimin e cështjeve të tjera më thelbësore. Ndërrimi i temës nga Reagani ishte jashtëzakonisht i pazakontë për një president amerikan, por jo krejt i paprecedentë.
Nëntë vjet më parë, paraardhësi i
Reaganit, Jimmy Carter kishte befasuar këshilltarët e tij kur kish pyetur diktatorin koreano jugor Park Chung Hee mbi besimin e tij fetar dhe më pas i ishte drejtuar: “Do të doja të mësoje më shumë mbi Krishtin”. Feja kish qenë një temë e vazhdueshme që mbështillte këndvështrimin e Reaganit mbi Bashkimin Sovjetik. Ai kish vëzhguar impaktin e Kishës Katolike në Poloni, kish folur me mikeshën e tij Suzanne Massie mbi një rritje të shpejtë të ndjenjave fetare në Bashkimin Sovjetik, kish spekuluar me Colin Powellin se Gorbaçovi mund të ishte një besimtar i fshehtë. Bashkëbisedimi sekret kokë më kokë në Moskë reflektonte bindjen e Reaganit se shtypja e fesë nga sistemi sovjetik e linte të dobësuar përballë problemeve ideologjikë. Ai mishëronte shpresën e tij se Gorbaçovi ishte në gjendje që të ndryshonte sistemin.
Reaganët ishin të vendosur të bënin një lloj aktiviteti spontan takimesh me njerëz të zakonshëm në rrugët e Moskës, të ngjashëm me shëtitjen e Gorbaçovëve përgjatë Connecticut Avenue në Uashington. Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kishin këshilluar një shëtitje në zonën e pazarit të njohur si Arbat. Shërbimi i Fshehtë kundërshtoi duke u shprehur se kish rrezik, por Reaganët vendosën ta bëjnë. Ata shkuan me limuzinë deri në Arbat dhe shtrënguan duart me turma rusësh për afro dhjetë minuta. Kur fotografët u ankuan se ishte e vështirë të nxirrej një foto e mirë, Nancy Reagan gjeti një karrocë të vjetër dhe qëndroi bashkë me të shoqin mbi të, duke realizuar foton që e dinin se do të zinte faqet epara të gazetave të nesërmen. Andej nga fundi, disa agjentë të KGB shoqëruan larg vendit një cift amerikanësh, por në tërësi e gjitha qe një sukses dhe shërbeu për të treguar se Reagani mund të bënte në Moskë atë që Gorbaçovi kish bërë në Uashington. “Në mendjen time, tashmë ishin barazim”, shkruante Jim Kuhn, asistent i Reaganit në librin e tij me kujtime “Ronald Reagan në jetën private”.
Mosmarrëveshja mbi shëtitjen e Reaganit në Arbat mishëronte masat e mëdha të sigurisë që e rrethonin gjatë të gjithë qëndrimit në Moskë. Reaganët qëndruan në Spaso House, rezidenca pranë ambasadës së SHBA. Presidenti ishte informuar se dhomat mund të kishin përgjues ose kamera, dhe që sa herë që dëshironte të studionte një dokument apo të fliste me një ndihmës duhej të zhvendosej në një dhomë të sigurtë të ndërtesës. Reagan kundërshtoi, duke thënë se dëshironte të lexonte i relaksuar materialet pa këto lloj procedurash. Problemi shkoi deri tek Powell, i cili urdhëroi që Reagan nuk kish pse shkonte në dhomën e sigurtë për këto përgatitje rutinë. Kërkesat e shërbimit të fshehtë amerikan e lodhën Gorbaçovin. Kur presidenti dhe e shoqja duhej të shoqëronin Gorbaçovët për një shfaqje në Baletin Bolshoi një mbrëmje, shfaqja u desh të vonohej për shkak të disa problemeve logjistikë. “Gorbaçovit i thanë se shërbimi i fshehtë amerikan donte të kontrollonte vetë të gjithë spektatorët”, kujton përkthyesi i Gorbaçovit, Pavel Palazschenko. “Ishte një ndër të paktët raste që e shihja Mikhailin të zemëruar”.
Pavarësisht obsesionit me sigurinë, Reagan mori pjesë në disa aktivitete të orkestruara me kujdes që synonin të demonstronin interesin në aspekte të ndryshëm të jetës sovjetike. Ai vizitoi manastirin Danilov ku deklaroi se “amerikanët shpresonin në një epokë të re lirie fetare në Bashkimin Sovjetik”. Gjatë një takimi me një grup shkrimtarësh dhe artistësh sovjetikë, Reagan shprehu shpresën që veprat e shkrimtarit rus në mërgim, Alexander Solzhenitsyn të mund të botoheshin brenda BS. Ai foli gjithashtu edhe për karrierën e tij më të hershme në kinema, duke thënë se aktorëve shpesh u caktohej nëj rol dhe duke shtuar se “politika ngjan pak me këtë”. Në aktivitetin më të ndjeshëm politik të axhendës së presidentit, ai u takua në Spaso House me afro 100 disidentë sovjetikë të ftuar posacërisht për këtë rast. “Ju keni lutjet dhe mbështetjen e popullit amerikan, të popujve në të gjithë botën”, u tha Reagan. Ai foli për vlerat e lirisë së fjalës, fesë dhe lëvizjes. “Kam ardhur në Moskë me këtë axhendë mbi të drejtat e njeriut sepse besojmë që ky është një moment shprese”, u tha Reagan disidentëve. “Ne shpresojmë se një liri do të sjellë një tjetër, e një tjetër e kështu me radhë”./bota.al






