Ceremonitë përkujtimore të D-Day në Normandi të Francës kanë shërbyer për të vënë për herë të parë përballë njëri-tjetrin presidentin rus, Vladimir Putin dhe homologun e tij të porsazgjedhur ukrainas, Vladimir Putin.
Takimi është zhvilluar në prani të kancelares gjermane Angela Merkel. Merkel tha më herët se Rusia ka përgjegjësi të mëdha për paqen në Ukrainë, duke shtuar se me zgjedhjen e Poroshenkos ka ardhur koha për stabilitet dhe dhënies fund të krizës.
Presidenti rus mohon përfshirjen e Moskës në luftimet në lindje të Ukrainës, megjithëse Ukraina dhe perëndimi këmbëngulin se mes separatistëve ka luftëtarë rusë.
Në ndryshim nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, Gjermania është treguar e kujdesshme në lidhje me sanksionet kundër Moskës pas aneksimit të Krimesë dhe trazirave në lindje të Ukrainës.
Në takimin e G7, kancelarja Merkel deklaroi se sanksionet të mëtejshme ndaj Rusisë do të ndërmerren vetëm nëse nuk ka progres në çtensionimin e situatës.
Të enjten Putin u takua vecantë me kancelaren Merkel dhe kryeministrin britanik, David Cameron, por mungoi ai me presidentin Barack Obama.
“Status quo-ja e situatës aktuale është e papranueshme e duhet të ndryshojë. Rusët duhet ta njohin presidentin e ri të Ukrainës e të bashkëpunojnë me të. Na nevojitet një çtensionim i gjendjes dhe kalimi i armëve dhe njerëzve përtej kufirit duhet të marrë fund”, tha Cameron.






