Stuhia që goditi dje Teheranin (VIDEO + FOTO)


Të paktën katër persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën dje në Teheran, i përfshirë nga një stuhi rërë e papërjetuar më parë, bëhet e ditur nga media iraniane.
”Stuhia nisi rreth orës 17:10 (12:40 GMT) me erëra të forta që arrinin deri në 120 kilometra në orë”, sipas medias zyrtare.
”Moti i keq shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në rreth 50 mijë banesa”, njoftoi një zyrtar cituar nga agjencia e lajmeve Isna.
Pemë të shumta u thyen nga intensititeti i lartë i erës, rrugët u mbuluan nga mbeturinat ndërsa banorët kërkonin një strehë në vende të mbuluara.
“Mund të thuhej se i ngjante një filmi hollivudian mbi apokalipsin. Kam frikë”, tha një grua, e cila ishte strehuar në një dyqan në lagjen tregtare në Teheran.
Pas stuhisë së erës e cila zgjati rreth 15 minuta, nisi të binte shi i shoqëruar me erëra shumë të forta.