Statusi i shqiptarit


Edison Ypi
Statusi i grekut është pabesia, statusi i serbit është viktimizmi, i italianit kanconeta, i rusit megalomania, i gjermanit disiplina, i anglezit cinizmi, i turkut rehatllëku, i arabit Allahu, i kubanit sheqeri, i kinezit orizi, e kështu me rradhë secili statusin e vet.
Po statusi i shqiptarit, cili është vallë statusi i shqiptarit?
Shqiptari ka disa statuse.
Statusin e parë fare, atë më të rëndësishmin, kryestatusin, shqiptari ka statusin e hajdutit. Shqiptari vjedh dhe rrjep dhe xhvat jo vetëm vendin e vet, ortakun e vet, mikun e vet, familjen e vet, babën e vet, por edhe veten e vet. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku, me përjashtim të ndonjë budallai si unë dhe si ti që po lexon këtë shkrim, hajdutë janë praktikisht të gjithë. Duket si katastrofë. Por po të kesh parasysh se në total hajdutët e botës janë miliona herë më tepër në numur se hajdutët e Shqipërisë, s’është ndonjë qamet pse statusi themelor i shqiptarit është statusi i hajdutit.
Shqiptari ka dhe statusin e spiunit. Po nuk spiunoi dhe po nuk u spiunua, shqiptari ngordh si qen. Shqiptari këtë e di, kësaj i frikësohet, dhe merr masa për të mos ndodhur, domethënë ngordhur. Për ta kuptuar sa më mirë statusin e spiunit, shërben ky shembull; Dy shqiptarë që kanë shtëpitë apo dyqanet pranë e pranë. Si Hamletë të dorës së parë që janë, për njëri-tjetrin dyshojnë, secili dyshon se e spiunon tjetri. Dhe nisin e spiunohen reciprokisht. Jo për gjë tjetër. Vetëm për shkak të karakterit gjithpërfshirës së spiunllëkut. S’mund t’i bësh me faj në një vend ku spiuni është si fiku “shih spiuni spiunin dhe piqu, alias spiunohu”. Pra spiunllëku i pavullnetshëm por i domosdoshëm është arësyeja që për shqiptarin statusi i spiunit nuk është turp, por nder. Një numur sitesh në Internet me emra llahtarisës rudimente të një kohe të shkuar; “Denonco”, “Kallxo” ekuivalente me “Spiuno”, janë një turp tepër i madh në pikëpamje etike, por janë edhe një paevitueshmëri nga pikëpamja e përpjekjeve të suksesëshme për të çarë jetën, kështuqë edhe me statusin e spiunit jemi në rregull, dhe shyqyr që e kemi, domethënë e keni, e kishit, dhe do ta keni.
Po statusin e vrasësit nuk e ka shqiptari? Sigurisht që e ka edhe atë status. Mund ta verifikosh. Pa folur për mjetet e ftohta dhe të nxehta si kazmat, sqeparët, tritolat, dinamitat, kalashnikovat, që mbushin përditë kronikat e gazetave dhe televizioneve, bëji ndonjë kompliment ndonjë femre, dhe ke për të parë po s’të vrau në vend për vetmbrojtje, se komplimenta nuk i kanë bërë kurrë, komplimentin do ta marri për kërcënim. Statusi i vrasësit, në fakt çfaqjen e jashtëme e ka me sqepara dhe kallashnikova, por nuk është faj apo krim, është problem i thellë genetik, që hiç s’ke ç’i bën, dhe hiç mos e zgjat.
Shqiptari ka gjithashtu statusin e frikacakut. Ky status, siç dihet, është pararendësi i statusit të vrasësit. Shqiptari nuk është frikacak si frikacaku i botës, që është frikacak sepse është vrasës. Shqiptari është vrasës sepse është frikacak. Ndjekja korrekte e zinxhirit shkak-pasojë, pra konsiderimi i të qënit frikacak së pari, pastaj vrasës, të nxjerr në përfundimin se statusi i frikacakut, si status më pak i rrezikshëm se statusi i vrasësit, duke qënë i falshëm, nuk mund të konsiderohet gabim që duhet ndrequr, e aq më pak faj apo krim që duhet ndëshkuar, por vlerë për tu mburrur.
Shqiptari gëzon edhe statusin e dembelit, pra statusin e njeriut që nuk do të zerë punë me dorë. Thonë se 99 % të aktivitetit cerebral shqiptari e përdor si e si të mos punojë.  Që të mos punojë shqiptari shpik deri edhe proverba përmes të cilave implikon në dembelllëk deri edhe barinjtë e tij shpirtërorë si; “Po të ishte e mirë puna punonte edhe prifti dhe hoxha”. Për të mos zënë kurrsesi ndonjë punë me dorë, disa nga punët, ato më të lehtat, shqiptari i quan “Pun’ muti”, fjalëformim rrënqethës oruellian ky i padëgjuar në asnjë vend tjetër të botës, as në Rusi që është nëna dhe gjyshja e Njuspikut. Ç’nuk bën shqiptari për ta merituar statusin e dembelit. Edhe godet, rreh, plagos, vret, madje bën edhe gjënë më të pabesueshme, punon. Pak, se po të punojë shumë, rrezikon statusin e dembelit, që është një nga pasuritë më të mëdha me vlera të pallogaritëshme kombëtare historike dhe utilitare.
Shqiptari është i famshëm edhe për statusin e vetshkatërruesit, autodestruktorit. A s’më thua, pa këtë status të ndritur si do ishte katandisur Shqipëria e rrethuar me vetveten, dhe si do ja kishin arritur shqiptarët të ishin gjithmonë e më të pakët në numur ? Statusi i autotodestruktorit nuk është gjë e keqe. Është krasitje vitalizuese darviniane, pra sakrificë e domosdoshme për të garantuar mbijetesën në dëm të sasisë për hir të cilësisë. Thuaj shyqyr që Shqipëria na është katandisur kaq, dhe si numur kemi mbetur aq. Se ka, domethënë kishte, vende në botë që janë zhdukur pa gjurmë nga faqja e dheut. Shqipëria e vogël dhe shqiptarët e pakët, bereqaves që ekzistojnë.
Nuk mund t’i mohohet shqiptarit as statusi i llapaqenit. Shumë mirë bën shqiptari që përmes llapës siguron statusin e gores. Dhe jo vetëm; Pa bërtitur, klithur, uluritur, lehur,  pra pa përdorur llapën lëvizëse dhe pështymën lubrifikuese, njeriu vdes.
Po statusin e skllavit, statusin e dinakut, statusin e delirantit, statusin e mashtruesit, statusin e konspirativit (që nuk duhet ngatërruar me statusin e spiunit) statusin e palaços, statusin e të çmendurit, statusin e të pangopurit, statusi e budallait, a i ka, ai i zotëron, ai i gëzon shqiptari këto statuse ?
Pa merak. I ka të gjitha ato statuse shqiptari.
Përveç tyre sot shqiptari ka edhe statusin e Fesbukut që e freskon hera-herës me selfie ose fotografi duke ngrënë e duke pirë si derr.
Së fundmi shqiptari ka edhe atë statusin që me zor na e dhanë dhe me siklet ua morëm, statusin e europianit, Europës.
Shumë mirë.
Për hajër.
Por me një kusht.
Vetëm po qe e vërtetë se;
Një oqean me të këqia bën një të mirë të madhe.
Një det me budallallëqe bën një mënçuri të vlefëshme.
Një lumë me mungesa bën një prezencë të nevojshme.
Një mal me vese bën një virtyt të domosdoshëm.
Një qiell pësimesh bën një shkollë mësimesh.