Disa zyrtarë të lartë rusë janë skandalizuar sot pas publikimit të një videoje që tregon ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme duke fyer presidentin rus, Vladimir Putine para manifestuesve që po sulmoni ambasadën ruse në Kiev.
Në një skenë të filmuar dje nga televizioni lokal, shefi i diplomacisë ukrainase, Andrii Dechtchitsa thirri para një turme manifestuesish të irrituar “Putin është një idiot”, për t’i qetësuar dhe për t’i penguar të vazhdonin sulmin kundër përfaqësisë diplomatike ruse.
Ky manifestim, që degjeneroi, u zhvillua pasi një avion ushtarak ukrainas u sulmua dje nga kryengritësit prorusë në Lindje të vendit. Të paktën 49 persona humbën jetën si pasojë e këtij sulmi.
Rusia dënoi dje në mbrëmje indiferencën e forcave të sigurisë që nuk bënë asgjë për të mbrojtur ambasadën (…) që përbën një shkelje të konsiderueshme të angazhimeve ndërkombëtare nga Ukraina.
Disa zyrtarë të lartë dënuan ashpër sjelljen e Dechtchitsas.
“Poroshenko duhet të ndryshojë ministrin e Punëve të Jashtme. Ai nuk di të vetëpërmbahet”, shkruan në rrjetin social ”Twitter” shefi i komisionit të Punëve të Jashtme të Dumas, Alexei Pouchkov.
Zëvendësministri i punëve të Jashtme, Konstantin Dolgov theksoi se kjo tregon natyrën e vërtetë të personave në pushtet në Ukrainë.
“Kjo tregon edhe një herë kulturën politike, ose mungesën e kulturës të personave që janë në pushtet në Kiev”, deklaroi ai.
Dechtchitsa u justifikua duke u shprehur se e kishte bërë këtë për të ulur tensionet.






