Santon nuk e vrau as Kosova, as Serbia por dy ditë pas statusit, vetë qeveria

Nga Kastriot Myftaraj

Me vrasjen e bankierit Artan Santo nisi edhe një fushatë e sofistikuar dizinformimi në media, e cila duket se ka qenë pjesë e pakos së operacionit, nëse mund ta quaj kështu, të përgatitjes së vrasjes dhe fshehjes së gjurmëve të saj. Në 29 qershor 2014, gazeta “Sot” e Tiranës, e bëri kryetitullin e saj të faqes së parë deklaratën e Avokat Idajet Beqirit në intervistën e tij për këtë të përditshme, se Santon e kishin vrarë shërbimet e fshehta serbe, për të krijuar destabilizim në Shqipëri. Megjithatë avokat Beqiri nuk solli asnjë provë për të vërtetuar se vrasjen e kishin kryer shërbimet e fshehta serbe, përveç asaj që ai e quajti “shkallë e lartë e organizimit të vrasjes” dhe të faktit se, siç tha ai, Serbia infiltron agjentët e saj në Shqipëri.
Por këto nuk janë prova, qoftë edhe të tërthorta, që të tregojnë se vrasja e Santos është vepër e shërbimeve të fshehta serbe. Pikësëpari, vrasës profesionistë me pagesë nuk kanë vetëm shërbimet e fshehta. Të tillë ka në qarkullim brenda dhe jashtë Shqipërisë, në botën e krimit të organizuar. Kur është e nevojshme ata mund të sillen në Shqipëri nga jashtë vendit. Vrasësit e Santos vërtet ka qenë profesionistë, por jo të shkallës aq të lartë sa ç’ kërkon t’ i paraqesë Idajet Beqiri. Se vrasësit e Santos kanë bërë veprime të tilla që nuk do t’ i bënin kurrë vrasësit profesionistë të shkallës më të lartë, ata të shërbimeve të fshehta, në këtë rast të atyre serbe.
Vrasësit profesionistë të shkallës së lartë nuk do të qarkullonin dy javë me një motor pa targë në qendrën e ngushtë të Tiranës, në atë që është zona më e rëndësishme urbane-institucionale e kryeqytetit, dhe ku është prania policore më e madhe në vend. Së paku, do të kishin gjetur një targë të rreme për motorin e tyre. Dhe nuk do të kishin përdorur të njëjtin automjet (motor), si për survejimin e Santos gjatë dy javëve, ashtu edhe për vrasjen e tij.
Survejimin e Santos duhet ta kishte bërë një tjetër automjet, i cili pastaj të komunikonte me vrasësit sipas kodit të përzgjedhur paraprakisht. Me të tilla detaje mund të bëhet një analizë e gjatë, por thelbi është çka thashë më lart. Sipas logjikës së Avokat Beqirit del se Policia e Shtetit në Shqipëri qenka nën kontrollin e shërbimeve të fshehta serbe, për shkak të mënyrës se si ka toleruar veprimet e vrasësve, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, qenkan agjentë të shërbimeve të fshehta serbe!
Por ka një tjetër argument kundër implikimit të shërbimeve të fshehta serbe në vrasjen e Santos. Nëse vrasjen e Santos do ta kishin kryer shërbimet e fshehta serbe, për të shkaktuar destabilizim në Shqipëri, atëherë nuk do të kishin pritur që të kalonte dita kur Bashkimi Europian do të merrte vendimin për t’ i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Pra vrasësit nuk do ta kishin kryer krimin në mëngjesin e së enjtes, por në mëngjesin e së martës, para mbledhjes së nivelit të lartë të BE, ose në ditët që i paraprinë së martës. Tashmë është e vërtetuar se vrasësit e mbanin nën mbikqyrje Santon që dy javë para se ta vrisnin, dhe qartësisht prisnin vetëm urdhrin për ta vrarë atë. Nëse urdhërdhënësi do të kishte qenë në Beograd, ai sigurisht që nuk do të priste që të kalonte e marta e 24 qershorit, për të dhënë urdhrin.
Sipas logjikës së pistës të vrasjes me qëllim destabilizimi, duhej që vrasja të ishte kryer në mëngjesin e 24 qershorit, para fillimit të mbledhjes së nivelit të lartë të BE, ose në ditët para së martës. Vrasësit mund ta kishin kryer krimin lehtësisht, në cilëndo nga ditët e dy javëve të fundit para vrasjes, se i ndjeri Santo kishte çdo ditë disa orare dhe rrugëkalime fikse. Nëse Santo do të ishte vrarë në mëngjesin e së martës, ose në ditët që i paraprinë asaj, atëherë me siguri që vendimi i mbledhjes së nivelit të lartë Bashkimit Europian për Shqipërinë do të kishte qenë i ndryshëm, do të thotë Shqipërisë nuk do t’ i ishte dhënë statusi i vendit kandidat. Vrasja e bankierit më të madh të vendit në qendrën e ngushtë të kryeqytetit, në zonën urbano-institucionale ku gjenden selitë institucioneve më të rëndësishme në vend, do të ishte një tregues i pagabueshëm për BE se Qeveria “Rama” nuk e kishte vendin nën kontroll.
Që vrasja e Santos të sillte destabilizim në vend, duhej që ajo të ndodhte para mbledhjes së nivelit të lartë të BE ku do të merrej vendimi mbi statusin e Shqipërisë, jo pas saj. Mosmarrja e statusit pastaj do të kishte sjellë destabilitet në vend, se Opozita do të ngrihej në protesta duke e akuzuar Qeverinë se vendi e humbi statusin edhe këtë herë, për shkak se Policia e Shtetit nën urdhrat e Qeverisë nuk kontrollon dot as qëndrën e ngushtë të kryeqytetit. Qeveria nuk do të mund ta kishte akuzuar Opozitën se vrasjen e kishte organizuar kjo e fundit për të ndikuar në vendimin e BE për statusin, se Opozita do t’ i kundërpërgjigjej duke i thënë se kishte qenë Policia e Shtetit, që është nën urdhrat e Qeverisë, ajo që kishte toleruar vrasësit të lëviznin lirisht, me një motor pa targë, për dy javë në qendrën e ngushtë të Tiranës, në zonën urbano-institucionale të kryeqytetit. Aq më tepër që Policia e Shtetit kishte treguar mungesë dëshirë për t’ i kapur vrasësit kur ata u larguan nga vendkrimi.
Merret vesh, nëse vrasja do të ishte organizuar në Beograd, Santo do të ishte vrarë në mëngjesin e së martës, ose në ditët që i paraprinë së martës. Santo, qartësisht nuk është vrarë nga shërbimet e fshehta serbe. Është shumë kërshërore dhe intriguese që pistën e vrasjes nga ana e shërbimeve të fshehta serbe, e hedh në qarkullim një njeri afër Edi Ramës, si Avokat Idajet Beqiri, i cili ka qenë aleat i Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, që e sollën Edi Ramën në pushtet. Idajet Beqiri është kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar, e cila në këto zgjedhje ishte pjesë e koalicionit të majtë, të kryesuar nga Edi Rama, dhe që quhej “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Por Idajet Beqiri ka qenë ngarkuar dhe me një mision special nga Edi Rama, jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011, duke qenë pjesë e ekipit të juristëve të PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Shkurt, Idajet Beqiri nuk mund ta ketë thënë atë që tha për vrasjen e Santos pa dijeninë dhe miratimin e Edi Ramës.
Qëllimi i deklaratës së Avokat Beqirit është shfajësimi i Edi Ramës për vrasjen e Santos. Se Edi Rama e kupton që mbi personin e tij bien dyshime të forta për vrasjen e Santos, jo si urdhëruesi i saj, por si njeriu të cilit iu kërkua leje nga urdhëruesi i vrasjes se kur duhej të bëhej krimi. Është e qartë se urdhëruesi i vrasjes së Santos ka pasur kujdesin që të mos dëmtonte agjendën politike të Kryeministrit Rama për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar i BE. Dalja e pistës serbe për vrasjen kërkon të krijojë një tymnajë që të fshehë implikimin e Kryeministrit Rama, me arsyetimin e nënkuptuar se, meqënëse synimi i atentatit me prejardhje serbe ishte destabilizimi i Shqipërisë, Edi Rama, duke qenë në pushtet, nuk kishte interes që të ishte bashkëpunëtor në këtë vrasje. Por siç e kam thënë, nëse vrasja do të ishte vepër e shërbimeve të fshehta serbe, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë, ajo duhet të kishte ndodhur në mëngjesin e së martës, ose në ditët që i paraprinë së martës. Prandaj, tymnaja e implikimit serb në vrasjen e Santos është pak si tepër transparente kur është fjala për të mbuluar këtë fakt që e implikon Edi Ramën.
Tymnaja e implikimit serb ka si parakusht që Edi Rama të shpallë agjentë serbë Ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kjo sepse Edi Rama është i implikuar në vrasjen e Santos, edhe për faktin se Policia e Shtetit, e cila gjatë tre javëve të fundit është mburrur shumë prej tij, për aksionin në Lazarat, në rastin e vrasjes së Santos na del se ka “toleruar” dy vrasësit që, jo vetëm të qarkullonin lirisht, me një motor pa targa, për më tepër se dy javë, në qendrën e ngushtë të Tiranës, pikërisht në zonën me prani më të madhe policore në krejt territorin e Shqipërisë, por edhe të largoheshin në mënyrë komode, duke ndjekur një itinerar të zgjatur dhe sfidues ndaj Policisë. Dy vrasësit janë sjellë sikur të mos kishin asnjë shqetësim nga Policia e Shtetit, ndonëse ajo kishte prani të madhe në zonën ku do të lëviznin ata. Dhe në të vërtetë, të vetmit ballafaqime të vrasësve me Policinë kanë qenë ato që ndodhën me nismën e policëve të veçantë, të cilët nuk gjetën as mbështetjen më minimale nga drejtuesit e Policisë së Shtetit.
Madje Policia e Shtetit është implikuar drejtpërdrejt në operacionin dizinformues duke bërë publike me anë të gazetarëve të përzgjedhur, që të nesërmen e ditës së krimit, prova që duhet të përbënin sekret hetimor, siç ishte përmbajtja e telefonit mobil të Santos. Por mund të thotë dikush, këto mund t’ i ketë nxjerrë Prokuroria, e cila drejtohet nga Prokurori i Përgjithshëm i emëruar nga Berisha. Nëse do të ishte kështu, atëherë Prokuroria nuk do t’ i jepte medias pikërisht videon që mbante Santo në telefonin e tij mobil, me deklaratën e Berishës ku e akuzonte atë se kishte ushtruar presion ndaj një gazetari të televizionit në pronësi të tij, për llogari të Edi Ramës.
Çfarë tregon kjo gjë? Santo, qëkurse Edi Rama u bë Kryeministër, madje që më herët, kishte bërë përpjekje që të arrinte një marrëveshje me të. Berishës kjo gjë nuk i pëlqente, por nuk ishte e papritur për të. Publikimi i videos që gjendej në telefonin mobil të Santos u bë për të krijuar përshtypjen se Santo e quante deklaratën e Berishës si një kërcënim ndaj tij, prandaj e mbante në telefonin mobil. Nënkuptimi është se Santon e vrau Berisha. Edhe kjo pistë duhet të konsiderohet gjatë hetimeve, por ka dy fakte të rëndësishme që e hedhin poshtë atë:
1)Fakti që vrasja nuk ndodhi para ditës kur do të mbahej mbledhja e nivelit të lartë të BE që do të merrte vendimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por më pak se 48 orë pas mbledhjs së BE që mori vendimin pro Shqipërisë. Merret vesh, nëse Berisha do të kishte pasur dorë në vrasjen e Santos, natyrisht se do të donte që me një gur të vriste dy zogj, pra t’ ia hiqte Edi Ramës edhe kreditin politik të marrjes së statusit të vendit kandidat të BE. Por mund të thotë dikush, Berisha e ka bërë vrasjen pas ditës së marrjes së statusit, pikërisht që të largohej dyshimi se në vrasje kishte dorë ai. Por këtu del një “por” tjetër shumë e fortë, dhe që ka të bëjë me faktin se Policia e Saimir Tahirit dhe Artan Didit në këtë histori del që të ketë qenë totalisht në shërbim të Berishës.
2) Këtë e them se fakti është që vrasësit kanë lëvizur dy javë nën hundën e Policisë së Shtetit, në zonën më të mbikqyrur prej saj në kryeqytet, si dhe janë larguar nga vendkrimi në rrethanat e mosdashjes totale të Policisë së Shtetit për t’ i kapur ata, sa kohë qenë të identifikuar dhe në ndjekje, gjë që madje ka ndodhur vetëm për shkak të nismave të policëve të veçantë, të thjeshtë. Tani, si qenka kjo histori, Shqipëria na paska dy Polici të Shtetit? Një Polici e cila vepron në mënyrë shumë profesionale në Lazarat, dhe një tjetër e cila vepron në qendrën e ngushtë të Tiranës në një mënyrë që nuk mund ta quash as amatore, për shkak se shumë qytetarë, amatorë në policimin në komunitet, nëse mund t’ i quaj kështu me një term policor, kishin evidentuar provat e pranisë së vrasësve gjatë dy javëve, për shkak të sjelljes së tyre të dyshimtë, për çdo qytetar, përveç policëve. Natyrisht se Shqipëria ka vetëm një Polici të Shtetit, dhe ajo vepron, në mënyrë profesionale, ose jo, varësisht urdhrave që merr nga drejtuesit e saj. Për këtë arsye, një motor i zi, pa targë, u duket policëve në qendrën e ngushtë të Tiranës, ashtu siç u duken banorëve të Lazaratit autoblindat e Policisë.
Një vrasje e profilit të lartë shoqëror, siç është ajo e bankierit dhe pronarit medial Artan Santo, është një krim i ndërlikuar, që duhet të ketë edhe një hetim kompleks. Një nga pistat që çon në gjurmët e vrasësve në raste të tilla është edhe ajo hetimit të fushatës dizinformuese që bëhet në media për fshehjen e së vërtetës së krimit. Mungesa e këtij aspekti të hetimit, e bën të mangët hetimin. Nëse vrasësit janë të fshehtë, bodyguardët e tyre medialë nuk janë të fshehtë, ata janë të detyruar që të zbulojnë fytyrën e tyre, dhe të fshihen vetëm pas velit të hollës të kinse përpjekjeve për zbulimin e së vërtetës. Fakti që aleati politik dhe bashkëpunëtori i ngushtë juridik i Edi Ramës, Avokat Idajet Beqiri, u përfshi në operacionin e dizinformimit për vrasjen e Santos, dhe këtë gjë e bëri në një gazetë që prej dy viteve është afër Edi Ramës, si gazeta “Sot”, tregon se Edi Rama është i interesuar personalisht që të krijohet një tymnajë e cila të mbulojë të vërtetën e vrasjes së Santos.
Vrasja e Santos është një vrasje e llogaritur për të shërbyer si kumt për të gjithë biznismenët e mëdhenj dhe pronarët e medias në Shqipëri. Ata duhet t’ i binden skemës që ka në mendje Kryeministri Rama për të bërë një rikonfigurim të establishmentit ekonomik të Shqipërisë çka do t’ i detyrojë shumë biznismenë që të shesë aksionet e tyre në kompani të caktuara dhe të largohen nga tregje të caktuara. Ndonëse vrasjen e kanë kryer njerëz që përfitonin drejtpërdrejt nga vdekja e Santos, ajo është bërë me lejen dhe miratimin e Kryeministrit, i cila ka dalë garant se e vërteta e vrasjes nuk do të zbulohet kurrë. Pas vrasjes së Santos, çdo biznismen i madh në Shqipëri e di se kur t’ i vijë një ofertë për blerjen e biznisit të tij nga një njeri i rrethit të Kryeministrit, duhet të mendohet mirë para se ta refuzojë, se para syve do t’ i dalë kufoma e Santos në hyrje të ndërtesës së bankës së tij.

*Titulli origjinal:Pista serbe për vrasjen e Artan Santos, dizinformim në interes të vrasësve