Rrëfimi monumental i Sylejman Kllokoqit

SHKËLZEN MALIQI


Le të bëhet ky liber, si një monument i vëretë i kujtesës dhe meritës, shkas që Sylejman Kllokoqi, kameramani i shtatë luftërave, të nderohet me një çmim që unë po e emërtoj këtu: Hero i informimit

Parathënie e librit: Sylejman Kllokoqi “Me kamerë në shtatë luftëra”, Koha, Biblioteka Elephans, 2014

Libri që e keni hapur nuk është thjesht një rrëfim autobiografik i Sylejman Kllokoqit mbi atë çka ka përjetuar gjatë karrierës së tij të suksesshme tridhjetëvjeçare si kameraman i shtatë luftërave. Duke përfshirë kohën nga vitet ’80 të shekullit XX e deri sot, Kllokoqi na fton të bëhemi bashkëudhëtarë në peripercitë e profesionit të xhiruesit që jo rrallë herë ka qenë punë që ia rrezikonte jetën. Përpjekjet dhe përkushtimi që gjithnjë të jetë në lartësinë maksimale të mjeshtërisë dhe në vijat e para të informimit, e ballafaqonin shpesh me situata aspak të lakmueshme, si ato kur paramilitarët serbë në Bosnjë ia mbeshtesnin tytat e armëve në kokë, ose ajo e rrahjes brutale të tij në zyret e sigurimit serb në Prishtinë, kur nga më e keqja e shpëtoi vetëm konsiderata që kishin ndaj faktit se ai megjitatë ishte xhirues i akredituar i agjencisë amerikane AP, ndër më të fuqishmet dhe më të besuarat në fushën e informimit në botë!
Pjesa qëndrore e këtij rrëfimi i kushtohet ngujimit të pavullnetshëm e të gjatë të tij në Sarajevë në kohën e luftës, kur ky qytet ishte rrethuar nga forcat serbe plotë 1425 ditë (vitet 1992-1995), duke u granatuar dhe masakruar pa ndërprerë dhe mizorisht! Kllokoqi kishte arritur të dalë nga kjo kasaphane e paparë vetëm pas dy vitesh mbijetese me sfida të shumta që janë të rrëfyera me zotësi dhe ndjesi.
Në libër pastaj rrëfehen edhe përjetimet tjera që ka pasur në luftërat e rajonit, ku pjesa më e madhe i kushtohet Kosovës dhe ka edhe kaptinën e të qenit xhirues i sulmeve izraelite mbi Bejrut, si kaptina që i kushtohen raportimit viziv nga krizat dhe ngjarjet e rëndësishme politike dhe tjera gjithandej kontinentit të Europës dhe të Lindjes së afërt.
Kllokoqi rrëfen edhe për përjetimet tragjike që ka pasure që ka mundur të pësojë vetë, por kjo i kishte ndodhur, gjatë raportimit nga terreni në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë në vitin 2001, kolegut të çmuar Kerem Lawton, producent i agjencisë AP, të cili npara syve të tij e qëlloi granata e hedhur nga ushtria maqedonase.
Tregimet dhe observimet e Kllokoqit për luftën, janë sa profesionale, po aq edhe njerëzore. Rrefimi i tij është i sinqertë, objektiv dhe i ndërgjegjshëm, duke reflektuar çdo herë, edhe në situatat më të vështira, etikën profesionale të xhiruesit, që duhet të informojë për ngjarjet ashtu siç janë dhe pa asnjë zbukurim, dhe etikës së njeriut që me sy, shpirt e zemër sheh pamje aq makabre, krime aq të padurueshme, sa qëzemërimi do të duhej ta dridhte të tërin, t’ia mjegullonte shikimin, dhe zemra e plastë ti kërkonteqë kamerën ta shndërrojë në armën e cila ia kthen zjarrin hakmarrës kriminelëve! Por, jo, në ato çaste ai gjente në vete një forcë të paspjegueshme të koncentrimit, që kamerën e tij e bënte një armë ndryshe që godet të ligën. Kllokoqi e kishte kuptuar se vetë regjistrimi i imazheve të luftës së padrejtë dhe i krimeve ishte një akt dhe mjethakmarrës. Ai besoi se imazhet tronditëse që ua dërgonte rrjeteve televizive globale kishin fuqinë mobilizuese dhe ndikonin në zgjimin e ndërgjegjjes së opinionit botëror, që shpesh dukej sikur ishte e fjetur, por nuk mund të i mospërfillte gjatë imazhet dhe informatat e tmerreve që nuk ishin parë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ishte i bindur se herët a vonë, imazhet e tija dhe të kolegëve do ta bënin të domosdoshëm intervenimin e fuqive të mëdha, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën superfuqi Kllokoqi e veçonte si faktor vendimtar dhe shpëtues si në luftën e Bosnjës, ashtu edhe në Kosovë. Po kështu, Kllokoqi e dinte se një arkiv i tërë i imazheve dëshmuese dhe denoncuese të kameramanëve, të cilët e rrezikonin ose edhe e humbnin jetën për të informuar botën, një ditë do të shfrytëzohen për ndjekjet penale dhe ndëshkimin e krimeve të lufës, gjë edhe që ka ndodhur në Tribinalin e Hagës dhe gjykatat e tjera!
Pos këtij aspekti padyshim tejet të rëndësishëm të kontributit të Sylejman Kllokoqit (që pasqyrohet qartë në rrëfimin, e që unë personalisht e kam dëgjuar nga ai edhe më herët, sepse kemi pasur prej vitesh një miqësi të sinqertë dhe të patrazuar asnjëherë, gjë që ai e përmend në libër me një dashamirësi të madhe, që gjithësesi është dashamirësi e ndrësjellë), unë dua të theksoj dhe nxjerr në pah edhe një meritë tjetër të jahtëzakonshme të mikut tim, që besoj se nuk është aspak vrojtim dhe qëndrim i anshëm sepse jemi miq, por ngase duhet të vlerësohet si e tillë nga çdokush. Ajo që mua më fascinon në jetën dhe punën e mikut është protagonizmi historik i tij që është i padyshimtë, por nuk dihet si i tillë, në disa raste të veçanta që atë e bëjnë shumë më tepër se një profesionist guximtar dhe hero të kamerës. Protagonizmi dhe kontributi i Sylejman Kllokoqit dëshmohet me faktin se me kamerën e tij janë regjistruar dhe përhapur në botë pamje te krimeve të forcave serbe në Kosovë, që pas publikimit të tyre patën ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për fatin e Kosovës, që sot i dimë si vendime dhe kthesa historike. Të paktën në dy raste ai kishte nxituar që i pari, duke rrezikuar jetën, të arrijë në vendin e masakrave që i kishin bërë forcat kriminele serbe në Kosovë. Në vjeshtën e vitit 1998 me një kolegë gazetarë të AP-së, Adam Brown, ata ishin të parët që depërtuan në vendin e masakrës së familjes martire Delia në Obri të Epërme, ku ai xhiroi dhe dërgoi pamjet që shokuan botën.
Po kështu, edhe pse për raportimin e Obrisë ishte rrahur dhe kërcënuar me jetë nga shërbime sekret serbe, më 15 janar të vitit 1999, tanii shoqëruar nga kolegu Visar Kryeziu, fotograf i AP-së, sërish do të jenë të parët që herët në mengjes arritën në fshatin Reçak, ku forcat serbe kishin kishin ekzekutuar, në mbërmje, mizorisht 50 civilë shqiptarë dhe dërgoi edhe një xhirim tjetër trenditës për botën…
Në të dy këto raste, pas peripecive që i përshkruan me hollësi në libër, Kllokoqi nxitoi që xhirimet t’i dërgojë sa më parë agjencisëpër të cilën punon edhe sot, në mënyrë që pamjet e krimeve të shfaqen në rrjetet televizive e gjithë botës. I udhëhequr me moton se një imazh flet dhe i bind njerëzit më shumë një mijë fjalë, Kllokoqi arriti që imazhet e tij të prekin ndërgjegjjen e opinionit dhe politikave vendimarrëse. Imazhete krimeve të Obrisë dhe Reçakut, e pastaj edhe raportimet tjera, i patën lëvizur mekanizmat intervenues të bashkësisë ndërkombëtare që do ta zmbrapsin dhe mundin regjimin kriminel serb në Kosovë. Shfaqja e xhirimeve të krimit të Obrisë nxiti aprovimin e Rezolutës 1203 e KS të OKB (24 tetor 1998), me të cilën praktikisht legalizohej intervenimi humanitar ndërkombëtar në Kosovë dhe NATO, për bombardimin e Serbisë, thirrej në këtë rezolutë, nuk i duhej një vendimi i veçantë i KS. Efekti imediat i kësaj rezolute ka qenë edhe dërgimi i Misionit vëzhgues 2000 anëtarësh të OSBE-së në Kosovë.
Ndërkaq, publikimi i xhirimeve të masakrës së Reçakut, do të bëhet pretekst që Grupi i Kontaktit i fuqive të mëdha të marrë vendimin për organizimin e menjëhershëmtë konferencës së Rambujes, e pas dështimit të saj, sepse Serbia e refuzoi marrëveshjen e propozuar, u bënë të domosdoshme bombardimet ndëshkuese tëSerbisë ngaforcat ajrore të NATO-s. Si pasojë, Serbia u detyrua që t’i tërheqë forcat nga Kosova e pastaj, gradualisht, u krijuan kushtet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Në këtë libër mund të gjeni edhe gjëra tjera interesante që Kllokoqin e paraqesin si kampion të raportimit profesional, të shpejtë dhe ekskluziv, me xhirime cilësore dhe domethënëse, ku disa prej tyre janë bërë të famshme si storie televizive, e që rrallëkush e di se janë xhirime të tija. P.sh., në analet e raportimit televiziv në hapësirat e ish Jugosllavisë është bërë e famshme storia nga dita e parë e luftës në Slloveni, ku një ushtarë i armatës jugosllave i thotë Kllokoqit në kamerë, pasi që ishte pyetur se çka është duke bërë në pyll ku po qëndrone dhe priste i maskuar pas një shkurreje: “Ja, që po bëjmë sikur ata [mbrojtja sllovene] po na sulmojnë, e ne bëhemi sikur jemi duke u mbrojtur!”; fjali kjo që në ditën e parë shpjegonte me humor, por qartë, karakterin e konflikti të shkurtër që praktikisht ishte më shumë një inskenim për ta përjashtuar Republikën e Sllovenisë nga federata jugosllave, se sa luftë e vërtetë.
Po kështu, Kllokoqi ka qenë pas kamerës edhe në disa xhirime tjera të famshme dhe historike, p.sh.ato që pasqyrojnë harkun e karrierës të liderit famkeq serb Milosheviq, sepse është autor i pamjeve që e tregojnë atë në dokumentarët e shumtë historik, ku ai mban fjalimin nga një ballkon në Fushë Kosovë, ditën që filloi ngirtja e tij politike dhe ku turmës militante serbe ai i thotë: “Askush nuk guxon me ju prek!”, e nga ana tjetër Kllokoqi ka qenë pas kamerës edhe kur janë transmetuar live dhe si ekskluzive, nëBreaking News të të gjitha kanaleve botërore, pamjet e burgut të Shewingenit në Hagë, në mëngjesin kur kasapi i Ballkanit kishte vdekur.
Në fund, duke u kthyer edhe në herë te kontributi i jashtëzakonshëm në rastet e Obrisë dhe Reçakut, mendoj se opinioni dhe shteti i Kosovës ua kanë borxh Sylejman Klokoqit mirënjohjen për merita, që besoj se duhet të jetë ajo më e larta. Kllokoqit para pak kohësh mori një mirënjohje nga qytetarët esnafë të Sarajevës, që e kujtuan edhe pas 18 vitesh për kontributin e dhënë këtij qyteti kur punonte atje dhe bashkëvuajti me ta gjatë rrethimit dhe rezistencës.
Le të bëhet ky liber, si një monument i vëretë i kujtesës dhe meritës, shkas që Sylejman Kllokoqi, kameramani i shtatë luftërave, të nderohet me një çmim që unë po e emërtoj këtu: Hero i informimit. Me një akt të tillë gjithësesi do të nderohej edhe gazetaria relativisht e shpërfillur e Kosovës (Kllokoqi shpesh përmend emrat e shquar të saj në libër), për kontributet që i ka dhënë para, gjatë dhe pas luftës, për lirinë dhe mirëqenien e Kosovës.