E shtrirë në pjesën veri lindore të Shqipërisë, Dibra e Madhe është krahina shqiptare e cila pas vitit 1913 u nda në dy pjesë. Një pjesë e madhe e saj mbeti në Maqedoni. Nder dekada kjo zonë u la thuajse ne harresë dhe e pa pazhvilluar: shumë projekte janë realizuar vetëm falë kontributit të vet dibranëve.
Dibra e Madhe është një vend me potenciale të mëdha ekonomike e turistike por që ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti dhe investitorët. Bashkëpunimi në fushën e turizmit me Shqipërinë dhe promovimi i saj kanë marrë për herë të parë mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe agjencisë “Macedonia Invest”.
Buzë liqenit të Dibrës në malin e Rajçicës ndodhet miniera më e veçantë në botë, ajo e gipsit të kristaltë. Ajo për të cilën shquhet më shumë kjo komunë janë ujërat termale, të cilat kanë efekte kurative për 11 sëmundje. Një tjetër sipërmarrje, tipike e zonës është edhe prodhimi i jufkave, për të cilat Dibra është e famshme.
Baza ekonomike për këtë vend është bujqësia dhe blegtoria, aty ku edhe punësimi zë pjesën më të madhe. Fermerët thonë se produktet e tyre janë të veçanta dhe bio, por problemi për ta mbetet tregtimi përtej kufijve, me Shqipërinë. Kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës. Simbole të Dibrës mbeten edhe objektet e kultit fetar. Aty gjen 7 Xhami dhe 3 Kisha. Manastiri i Shën Gjergjit është ndërtuar që në shekullin e 19-të e ndonëse sot frekuentohet nga maqedonasit, dibranët thonë se e kanë ndërtuar vetë ata. Xhamia e Hynqarrit, është ndër të parat në Ballkan e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti në vitin 1467 por që është funksionale edhe sot.
Foto nga Dibra e Madhe






