Nga Milaim Shefkiu
Epilogu i zgjedhjeve të 8 qershorit nuk përfundoi me “happy end” për partinë e kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe simpatizantët e kësaj partie. Jo se PDK-së po i kontestohet fitorja, por planet për Qeverinë Thaçi 3 ia prishi lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i cili e dha një ide për bashkimin e opozitës kundër Thaçit.
Pas shumë propozimeve, “Vetëvendosjes” i “dhezi” ideja për bashkimin e bllokut opozitar kundër PDK-së dhe kryeministrit, Hashim Thaçi. Ai i bashkoi dhe i nxiti tri partitë politike: LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën, për të arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës, me kryeministër Ramush Haradinaj.
Në këtë hallakamë paszgjedhore, “Vetëvendosje” ia përmbushi ëndrrën Ramush Haradinajt që pas nëntë vjetësh pritjesh të kthehet në krye të Qeverisë, ndërsa LDK-së t’ia mundësojë kthimin në Qeveri. Kjo marrëveshje për koalicion apriori tregon se Albin Kurti dhe njerëzit rreth tij, nuk janë lakmitarë.
Ata thjesht kanë një aversion ndaj kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe të disa zyrtarëve të PDK-së, të cilët, nga komoditeti që ua ka krijuar qeverisja, u bënë arrogantë dhe cinikë ndaj të tjerëve. Dhe ky cinizëm po i kushton me humbje të qeverisjes së PDK-së. Mirëpo, edhe nga Albini varet se si do të reflektojë ndaj kësaj Qeverie. Nëse ai këmbëngulë që të ndalen bisedimet me Serbinë dhe të bllokohet privatizimi, atëherë “kerri i Qeverisë bllokon që në start” sepse bisedimet me Serbinë janë projekt i menaxhuar nga BE-ja dhe duhet të zhvillohen.
Pas Albin Kurtit, njeriu tjetër që ka merita për Qeverinë Haradinaj është Isa Mustafa i LDK-së, i cili hoqi dorë nga posti i kryeministrit. LDK-ja edhe pse nuk doli parti lidere në Kosovë, ajo prapë siguroi 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe në nivel partish mund të konsiderohet më e madhja.
Duke sakrifikuar një post që se ka pasur kurrë, LDK-ja pranoi që Haradinaj me 10 për qind të votave të bëhet kryeministër i “Qeverisë së Shpresës”, ndërsa vetë të kënaqet me postin e kryeparlamentarit. Ndërsa, sa i përket postit të presidentit kjo çështje është shumë diskutabile. Pra, Ramushi e ka zogun në dorë, ndërsa LDK-së i kanë mbetur në qiell.
AAK-ja është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve e rrjedhimisht edhe e këtij koalicioni. Haradinaj ka qenë kryeministër në vitin 2005 dhe mbahet në mend si qeverisja që i plotësoi atëbotë “standardet para statusit”. Ramushi e drejtoi atë Qeveri vetëm 100 ditë, ndërsa në AAK-ja krenohen se ishte qeverisja më e suksesshme në Kosovën e pasluftës.
Tani Ramushi e ka mundësinë ideale për të dëshmuar se ka qenë i suksesshëm. Kosova është në kolaps me papunësinë më të madhe në Evropë, me mungesë investimesh, krim e korrupsion, ekonomi të pazhvilluar…
Prandaj që nga kthimi prej Hagës, ai u shpreh i gatshëm me punu, ndërsa tani e ka mundësinë. Populli brenda 4 vjetësh pret punë dhe pagë 1000 euro, ndërsa nëse nuk i realizon këto premtime, në zgjedhjet e vitit 2018 AAK-në do ta përcjellë fati i AKR-së, nuk do ta kalojë as pragun.
Ky është vetëm njëri akt i Dramës të “Qeverisë Haradinaj”.
Problemi tjetër është se si do të jetësohet në realitet ky koalicion, pasi që Kushtetuta e Kosovës nuk e precizon qartë se si do të formohet Qeveria e partisë së dytë. Sipas ligjit, mandatar për Qeverinë e re është Hashim Thaçi i PDK-së, e nëse ky brenda 15 ditësh nuk arrin ta bëjë Qeverinë, atëherë sipas praktikave ndërkombëtare të drejtën e merr partia tjetër ose koalicioni, që i bie Haradinajt.
Mirëpo, në Kosovë kjo mund të interpretohet edhe ndryshe. Sipas Nenit 4 të Kushtetutës “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”. Kandidati tjetër nuk dihet nëse është i mazhorancës apo mundet edhe nga minoranca, (partia e dytë).
Mirëpo, nëse rrjedhimisht koalicionit LDK-AAK-Nisma i pamundësohet qeverisja, atëherë Kosovës nuk i shkruhet mirë. Mund ta presin trazira, të cilat më së paku i duhen vendit.
*ZERI





