Intervistë me Rami Mislimin, kryeredaktor i portalit Tetova Sot
A është lehtë apo vështirë të mbahet një portal?
Rami Mislimi: Në paletën gjerë shumëkoloritëshe të informacionit gatuar me shpejtësi e në garën e informimit koherent korrekt, lufta me kohën është e mprehtë. Karshi kësaj lufte, që vë theks tek plasimi i informacionit të freskët e me vlerë, vëmendja fokusohet në krijimin e identitetit të mirëfilltë medial, sulmuar në çdo sekondë nga sindroma “vdekje-prurëse” që në fjalorin gazetaresk shpesh gjendet me shprehjen “tragjedia e livadheve”. Thelbi i origjinalitetit medial e zhvillimit të gazetarisë prodhuese është mjaft i kushtueshëm e që portali ynë po i qaset me seriozitetin e duhur. Në të kundërtën, si shumë portale tjera do përjetonim “tragjedinë e livadheve” që lind nga kultivimi i gazetarisë përcjellëse (coppy-paste). Në kuptimin e thjeshtë, portal me informacion të ngjashëm. Në angazhimin e stafit më të gjerë portali ynë tashmë ka hyrë në referencat online, me zhvillimin e informacionit që e prodhon si dhe me pjesën e analizave të faqes që janë themelet e krijimit të identitetit afatgjatë. Kjo ikje inteligjente nga humnera “vrastare” e gazetarisë përcjellëse normalisht që këkron më shumë angazhim e mund profesional, e gjitha në drejtim të zhvillimit të online-gazetarisë së mirëfilltë në rajonin që targeton portali ynë.
Vështirësitë me të cilat ballafaqoheni gjatë menaxhimit të portalit?
Rami Mislimi: Portalet shpesh ndodhen në thepin e mbijetesës nga shkaku i mospasjes së mundësive ekonomike për të ballafaquar trendet e online-komunikimit modern. Ngaqë portalet profesionale janë më shumë pasurim i botës virtuale me dimensionet e multi-informimit të kryqëzuar në shumë sfera, detyra kyçe është të ofrojnë pasuri mendimesh si “treg idesh”. Duke mos qenë portali aq i gatshëm të krijojë informacion të besueshëm, që dridh faktorë relevant, ai shpesh gjendet jashtë interesit të investitorëve potencial, që e shohin më shumë si rrezik kryqëzim-mendimesh se sa biznes fitimprurës, menaxhimin e portaleve. Duke mos qenë një “makineri” fitimprurëse, shumë portaleve u duhet më shumë të investojnë se të fitojnë, të udhëhequr vetëm nga pasuria e gjenit a idealit për pasurimin profesional, me informacion të dorës së parë të hapësirës virtuale. Për këtë arsye, portalet shpesh gjenden në vështirësi mbijetese për shkak se harxhimet materiale janë më të mëdha se fitimet, edhepse shumëkush fitimin e llogarit të ngadaltë shumëvjeçar me faktorizimin virtualo-publik ecur në sistemin përshkallëzues.
Si i keni marrëdhëniet me portalet e tjera, si është bashkëpunimi në këtë sferë?
Rami Mislimi: Raportet me portalet tjera janë si në mes vëllezërve e motrave. Në çdo kohë jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për problemet a pasojat për një informim të guximshëm profesional. Por, gjithnjë konkurencën e mirëfilltë duhet ta përbëjnë vlerat dhe jo qasjet tinëzare për mbijetesë në “kurriz të tjetrit”. Këtu flet syri xheloz, provokuar nga puna e mundi i madh që jepet për t`i dhënë portalit tonë identitetin që i nevojitet, e për ta mbrojtur atë identitet nga “vjedhjet” e mundshme, provokuar shpesh nga konkurrenca jolojale.
Sa respektohen të drejtat e autorit dhe të pronësisë në këtë sferë?
Rami Mislimi: Përgjithësisht, kemi bërë një “pakt të fshehte jo të shkruar”, që deri më tani respektohet nga të gjithë portalet për respektimin e të drejtës autoriale, si vlerë individuale a kolektive e shtëpisë botuese, e si një dimension i pasurimit të mendimit profesional në shumë raste i ndryshëm origjinal.
Po si është reagimi i biznesit dhe institucioneve qeveritare dhe joqeveritare për t`i shfrytëzuar portalet për marketing?
Rami Mislimi: Fatëkeqësisht, bizneset e institucionet qeveritare e joqeveritare, nuk investojnë në portalet që konsiderohen në rritje përnga numri i audiencës e faktorizimi i përfshirjes referenciale. Bizneset më shumë investojnë tek portalet nga të cilat mund të kenë “rrezik potencial”, apo tek të tjerat në baza miqësie apo lidhshmërie biznes-biznes, se sa të fokusohen në zhvillimin e portaleve që mirëfilli pasurojnë botën virtuale me informacion potencial. Edhe pse është konstatuar se po këto biznese janë konsumues më të mëdhenj të informacionit prodhuar nga online-portalet. Kjo sjellje nuk është korrekte nga ana e tyre. Ndërkaq qeveria, si në çdo kohë, investon në grante ku aplikuesit janë përgjithësisht gazetarë të futur në pazaret e lojërave politike, e jo në kultivimin e gazetarisë së re, e prodhimin e gazetarëve potencial të ardhëshëm. Gjithashtu është konstatuar diferencim në baza etnike kur është fjala për grante më të mëdha. Gjithmonë fiton ndonjë portal maqedonas, fatkeqësisht, është tregues i zhvillimit e hapjes së dobët demokratike të udhëheqësisë vendore.
Sa jeni të kënaqur me audiencën, me vizitorët?
Rami Mislimi: Portali ynë është një portal relativisht i ri,tashmë një vit në tregun e informacionit online. Por, nga trendet e sotme të informimit, portali është gjithnjë në rritje të audiencës, dhe ka arritur që për kaq pak kohë të jetë referencë për shumë media e portale tjera.
Si e mendon të ardhmen e portaleve? Çka do ta përmirësonte cilësinë e tyre?
Rami Mislimi: E ardhmja e portaleve është origjinaliteti i tyre. Fokusim në prodhimin e informacionit origjinal, e ndërtim i identitetit që do të garantonte ekzistencë më të gjatë në tregun informativ.Cilësinë normalisht e përmirëson përvoja si dhe stafi i zgjedhur profesional.
Intervistoi: E. Neziri







