Diana Jovani prej vitesh ushtron profesionin e perkthyeses në Vjenë, në zemrën e Evropës Qëndrore e cila njëherazi është edhe qendra e aktiviteteve të shumta rajonale e ndërkombëtare. U largua nga Shqipëria në korrik të vitit 1991, si turiste, me ftesë të një gazetare të Reuters të cilën e shoqëroi gjatë lëvizjes demokratike në Shqipëri. Atëherë kur u largua ishte asistente pedagoge në katedrën e anglishtes, në Universitetin e Tiranës. Në Vjenë u angazhua në një profil krejt tjetër, në përkthimet me shkrim. Sot, kryesisht merret me monitorimin e medias së shkruar dhe elektronike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe menaxhon një ekip virtual të shpërndarë në vende të ndryshme. Është përgjegjëse për një volum përkthimesh të shpejta e të sakta nga shqipja në anglisht, të pjesëve të përzgjedhura nga shtypi dhe mediat elektronike. Identifikimi i burimeve të reja të informacionit dhe analizat politike tashmë janë përditshmëria e Diana Jovanit. Thotë se është e paanshme në analizat politike dhe mediale që realizon, të cilat mbulojnë çështje me rëndësi themelore në Shqipëri, Kosovë e rajon. Por, sigurisht origjina ndonjëherë e vë emocionalisht në një plan tjetër. Beson se Shqipëria ashtu sikurse edhe Kosova po ecin në drejtim të integrimit evropian. Për Dianën, puna dhe vetëm puna me këmbëngulje është çelësi i suksesit. Ajo pohon se është koha që vlonjatët të bëjnë më shumë për vendlindjen. Më parë, tregon se ka ndihmuar disa grupe shkollore për projekte të përbashkëta në Austri dhe tashmë ka menduar për projekte binjakëzimi, të cilat mund t’i ndjekë edhe vetë. Për këtë qëllim ka disa ide të cilat synon t’i kristalizojë kur të ketë marrë informacionin e duhur.
Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe cilat ishin arsyet?
Unë jam larguar nga Shqipëria në korrik të vitit 1991 si turiste, me ftesë të një gazetare të Reuters, të cilën e shoqërova si përkthyese gjatë lëvizjes demokratike në Shqipëri. Kam punuar si asistent pedagoge në katedrën e anglishtes të Universitetit të Tiranës, post në të cilin u emërova direkt sapo mbarova studimet e larta për gjuhë angleze.
Sa e vështirë ishte përshtatja në Austri?
Fillimi është gjithmonë i vështirë, kudo ku njeriu jeton, si në një qytet në Shqipëri, ku nuk ka banuar më parë, ashtu edhe jashtë saj. Vjena në fakt nuk ishte vendi që unë dëshiroja të jetoja në atë kohë, sepse nuk flisja gjermanisht. Dëshira ime e parë ishte të shkoja në një vend anglishtfolës. Por, sapo u punësova në Vjenë fillova ta shihja qytetin me sy tjetër. Në vitet e para, Shqipëria më mungonte shumë, më mungonte familja, të afërmit, shoqet, shokët, dhe rrethi intelektual, por me kalimin e kohës përpjekjet për t’u integruar në shoqëri e për të qënë si gjithë qytetarët e tjerë më bënë t’i harroja për disa çaste lotët e t’i futesha punës. Sigurisht, mësimi i gjuhës gjermane ishte një element kyç, pa të cilin ishte e vështirë të komunikoje dhe më pas të gjeje një vend pune që t’i përshtatej aftësive intelektuale të gjithsecilit.
Nga pedagoge në përkthyese… Si do t’i ndanit këto profile dhe çfarë përfaqësojnë ato për ju?
Unë kam përfunduar studimet në degën Anglisht dhe përkthimi është pjesë e kësaj dege. Në Shqipëri isha pedagoge në Fakultetin e Filologjisë dhe Mjekësisë dhe puna me studentët më jepte shumë kënaqësi. Në Vjenë u angazhova në përkthimet me shkrim dhe më pas në përkthimet me gojë. Pra mund të them se nëse pedagogjia më jepte kënaqësi, përkthimin e dashuroj! Të përkthesh në fusha të ndryshme, në seminare, konferenca, takime zyrtare është sa e lodhshme aq edhe interesante. Emocionet janë përherë pjesë e pandarë e përkthimit. Aktualisht merrem me monitorimin e medias së shkruar dhe elektronike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe menaxhoj një ekip virtual prej 5 anëtarësh të shpërndarë në vende të ndryshme. Jam përgjegjëse për një volum të madh informacioni, i përzgjedhur nga portalet online të mediave, të cilat duhet të përkthehen shpejt dhe saktë nga shqipja në anglisht. Identifikimi i burimeve të reja të informacionit dhe analizat politike tashmë janë pjesë e punës sime të përditshme.
Si i kujtoni vitet e para të punës me monitorimin dhe përkthimin e informacionit nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia?
Monitorimi i medias së shkruar dhe elektronike në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni është një punë voluminoze që kërkon kohë dhe shkathtësi. Pra, duhet të kesh një shpejtësi maksimale në përkthim sepse siç dihet lajmi, informacioni duhet të përcillet në kohë reale. Unë i njihja mirë zhvillimet në Shqipëri dhe kësisoj informacioni nga ky vend përcillej në kohë reale. Vështirësia më e madhe ishte me Kosovën dhe Maqedoninë, vende për të cilat dinim pak në atë kohë. Por, pas më shumë se 20 vitesh eksperiencë dhe në kontakt të vazhdueshëm me zhvillimet në Kosovë dhe Maqedoni, vështirësi të tilla nuk ekzistojnë. Tashmë, mund të them se, i njoh mirë zhvillimet në këto vende të rajonit tonë, saqë një kolege nga Kosova kur më prezanton thotë se Diana është nga Kosova, jo nga Shqipëria.
Prej 11 vitesh, emri juaj është pjesë e analizave politike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Natyrshëm lind pyetja a u ka ndodhur të përballeni me vështirësi të tipit emocional në shprehjen e qëndrimit tuaj për çështje të caktuara?
Unë jam e paanshme në analizat e mia politike dhe mediale, të cilat mbulojnë çështje me rëndësi themelore në Shqipëri, Kosovë e rajon. Sigurisht, prejardhja ime nga Shqipëria më vë ndonjëherë emocionalisht në një plan tjetër. Por, besoj se si Shqipëria ashtu edhe Kosova po ecin në drejtim të integrimeve evropiane.
Cili është gjykimi juaj për median në Shqipëri?
Mendoj se në Shqipëri duhet të punohet fort për pavarësinë e medias dhe prezantimin e informacionit me një cilësi të lartë, si në shqip ashtu edhe në gjuhë të huaj. Për shumë institucione prezantimi i informacionit në gjuhë të huaj luan një rol kyç për vlerësimin e saktë dhe në kohë reale të zhvillimeve jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
Si lindi tek ju pasioni për gjuhët e huaja?
Unë vij nga një familje intelektuale. Të dy prindërit kanë qënë arsimtarë dhe kur mora të njëjtin drejtim si ata u ndjeva krenare që po vijoja traditën familjare të mësimdhënies. Babai im, Spiro Jovani, për 26 vite me radhë ka qënë drejtor i gjimnazit të njohur “Ali Demi” në Vlorë dhe para disa vitesh u nderua me titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e tij të çmuar në arsim dhe kulturë. Kur isha fëmijë, shkoja shpesh tek “shkolla e babit”, siç e quaja unë atëherë. Ulesha në një bankë në fund të klasës e dëgjoja me endje mësimin…! Jo vetëm në klasën ku jepte mësim im atë, por edhe në klasat e shumë kolegëve të tij. Kujtoj se ndiqja me kërshëri bisedat me nxënësit dhe aktivitetet me gjuhët e huaja në shkollë. Kjo la mbresa tek unë dhe besoj se ka ndikuar edhe më vonë në pasionin tim për përkthimet simultane.
Si do ta përshkuani një ditë tuajën në realitetin vjenez?
Unë e kam të ndarë ditën. Në pjesën e parë të saj, deri në pasditen e hershme kur jam në punë, më duket sikur jam në Shqipëri sepse jam në kontakt me lajmet dhe ngjarjet që ndodhin atje. Në mbrëmje përfshihem në realitetin vjenez. Vjena është qytet i lashtë e me tradita kulturore. Është privilegj të jetosh këtu! Së bashku me familjen time mundohemi që kohën e lirë ta kalojmë duke ndjekur jetën kulturore të qytetit, pa lënë mënjanë edhe aktivitetet ndërkombëtare. Është kënaqësi të jetosh dhe punosh në Vjenë, zemrën e Evropës Qëndrore, por edhe qendrën e shumë aktiviteteve rajonale e ndërkombëtare.
Në këto 23 vite që jetoni në Austri, sa pranë jush është Shqipëria?
Pavarësisht se jetoj prej më shumë se dy dekada në Vjenë, unë e ndiej veten shqiptare dhe ruaj traditat e vendit tim, sidomos në festat tona tradicionale. Në tryezën e Vitit të Ri asnjëherë nuk mungon kaposhi i pjekur me dollmë, ashtu si e gatuante nëna ime kur jetoja në Vlorë. Nga ana tjetër, respektojmë edhe traditën e vendit në të cilin jetojmë. Në shtëpi flas shqip me të gjithë pjesëtarët e familjes sime. Vajzat, Megi dhe Fiona, respektivisht 20 dhe 13 vjeç, flasin shumë mirë shqip, krahas gjermanishtes, anglishtes dhe frëngjishtes që mësojnë në shkollë. Ato janë nxënëse të shkëlqyera dhe shpesh herë kanë prezantuar në shkollë referate për Shqipërinë, të cilën e konsiderojnë vendin e tyre. Edhe pse janë lindur në Vjenë, ato me krenari thonë se janë shqiptare. Ndonjëherë më habisin, kur në tramvaj apo vende publike, flasin shqip…!
Në Austri jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh. Për mendimin tuaj kanë arritur ata të integrohen dhe të njehsohen me vendasit?
Shumica e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Vjenë, të paktën me aq sa di unë, janë integruar shkëlqyeshëm dhe janë pothuajse pjesë e pandarë e jetës vjeneze. Flasin gjermanisht shumë mirë dhe nuk dallojnë nga vendasit përsa i përket sjelljes dhe etikës profesionale. Shumë prej bashkëatdhetarëve tanë janë intelektualë, të cilët punojnë e kontribuojnë në sektorë të ndryshëm. Të tjerë punojnë në restorante, dyqane, apo shërbime të ndryshme publike. Është kënaqësi të të shërbejë një shqiptar në mes të Vjenës!
Ju mungon vendlindja?
Vlora është e lidhur pazgjithshmërisht me jetën time. E vizitoj sa herë mundem dhe aq herë mrekullohem me ndryshimet që shoh. Shpresoj që të vazhdojë kështu e të bëhet qyteti më i mrekullueshëm në gjithë Shqipërinë, sepse ka një bregdet dhe një natyrë mahnitëse që rrallë e gjen në vend.
Keni menduar ndonjëherë të angazhoheni konkretisht me projekte në vendlindjen tuaj?
Më parë kam ndihmuar disa grupe shkollore për projekte të përbashkëta në Austri dhe tashmë jam duke menduar për disa projekte binjakëzimi, të cilat mund t’i ndjek edhe vetë. Kam disa ide, që do t’i kristalizoj kur të kem marrë informacionin e duhur. Sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me investime e mundësi financiare. Në gjykimin tim, çdo qytetar vlonjat duhet të mendojë se si ta bëjë qytetin e tij shembull nga çdo pikëpamje, një qytet në të cilin të jesh i lumtur të jetosh e punosh.
Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për evidentimin e historive të suksesit të emigrantëve vlonjatë, që ndër të tjera synon edhe kontributin e tyre në të ardhmen e qytetit?
Është një iniciativë e shkëlqyer dhe mendoj se nëse bashkojmë forcat, mundësitë dhe të gjitha potencialet intelektuale të qytetit tonë, mund të arrijmë shumë. Përvoja e Albanian Excellence e ka treguar se asgjë nuk është e pamundur.
/f.n/atsh










