Poroshenko premton ruajtjen e unitetit ukrainas dhe drejtimin e saj evropian (VIDEO +FOTO)


Presidenti ukrainas Petro Poroshenko u angazhua sot, gjatë fjlaimit të tij inagurues para Parlamentit, se do të ruajë unitetin e vendit ku lindja është nën një kryengritje separatiste proruse dhe drejtimin e kësaj ish-republike sovjetike drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk kërkoj luftën, nuk kërkoj hakmarrje. Kërkoj paqe dhe do të bëj gjithçka për unitetin e Ukrainës”, deklaroi presidenti i ri në fjalimin e tij të parë për Kombin.
Poroshenko i drejtohet banorëve të rajonit industrial rusofon të Donbasit të kontrolluar në pjesën më të madhe nga kryengritësit e armatosur prorusë dhe ku ai synon të shkojë sa më shpejtë. Ai u premtoi atyre se do të kryejë një decentralizim të pushtetit dhe se do të garantojë përdorimin e lirë të gjuhës ruse.
“Shumë nga ju e ndjenë ‘magjinë’ e regjimit terrorist”, tha ai në rusisht, duke iu drejtuar banorëve të rajoneve rebele në lindje. “Ne nuk ju kemi braktisur në asnjë situatë”, vazhdoi ai.
“Do të vijë shumë shpejt që t’ju shohë, me mesazhin e paqes dhe garancinë e përdorimit të lirë të gjuhës ruse”, theksoi ai.
Poroshenko pranoi se rivendosja e paqes do të jetë e pamundur pa normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, por duke insistuar se statusi i Krimesë, gadishull ukrainas i aneksuar nga Rusia, dhe orientimi proevropian i Ukrainës nuk janë të negociueshme.
“Krimeja ka qenë, është dhe do të jetë ukrainase. I thashë dje qartësisht presidentit rus Vladimir Putin gjatë një takimi të parë të shkurtër para fillimiti të festimeve të Zbarkimit aleat në Normandi”, deklaroi Poroshenko nën duartrokitjet e forta të audiencës që u ngrit në këmbë.
“Asnjë kompromis nuk është i mundur mbi Krimenë, zgjedhjen evropiane të Ukrainës dhe sigurisë politike të vendit”, shtoi ai duke hedhur poshtë idenë e federalizmit të kërkuar nga Moska për rajonet rusofone.
Presidenti premtoi gjithashtu nënshkrimin sa më shpejtë të jetë e mundur të marrëveshjes së asocimit me Bashkimin Evropian dhe vendosjen e një regjimi pa viza për ukrainasit.

“Ne e konsiderojmë këtë si një hap të parë drejt aderimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
“Ukrainasit kanë qenë për një kohë të gjatë të larguar nga Evropa. Sot ne po rikthehemi në shtëpinë tonë, është një proces i pakthyeshëm. Zoti na bekoftë. Rroftë Ukraina”, përfundoi ai.






PORTRET – Poroshenko, miliarderi properëndimor në krye të një Ukraine të ndarë

Miliarderi që u bë i pasur me çokollatën, Petro Poroshenko u zgjodh në krye të Ukrainës përfshirë nga një kryengritje e armatosur dhe në prag të një lufte civile që mbështetet në pragmatizmin e tij për ta qetësuar.
Ky burrë imponues, 48 vjeç, premton se do të çojë vendin drejt një të ardhmeje evropiane dhe në të njëjtën kohë të normalizojë sa më shpejt marrëdhëniet me Vladimir Putinin, të cilin thotë se e njeh mirë dhe se ka pamje të rëndë dhe të cilit i ka shtrënguar dorën një ditë para betimit të tij në ceremonitë ndërkombëtare në Normandi, ku ai ishte i ftuar nga presidenti francez, François Hollande.
I zgjedhur me 54,7 për qind të votave, presidenti i ri i Ukrainës, që flet rrjedhshëm anglisht, ka marrë një mbështetje me peshë nga perëndimorët. Presidenti amerikan, Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel e kanë takuar para marrjes së funksionit të tij.
“Ky është një sukses. Një betim diploamtik i Poroshenkos u zhvillua në Francë ku SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë treguar hapur se do ta mbështesin”, komenton politologu ukrainas, Vitali Bala.
”I veshur me këtë mbështetje dhe me një rezultat të mirë në zgjedhjet presidenciale duke përfshirë dhe në rajonet rusofone, pragmatik dhe i moderuar, Poroshenko është vendosur mirë për t’i bërë ballë sfidave të mëdha me të cilat është përballur Ukraina”, nënvizojnë analistët.
Vetëm për gjashtë muaj, ky biznesmen që ka mbajtur poste për një kohë të shkurtër në qeveritë pro-ruse dhe pro-perëndimore ishte një personalitet politik i planit të dytë.
”Por ai është gjendur në momentin më të mirë në rrugën e duhur”, thekson Volodymyr Gorbatch, ekspert në Institutin Euroatlantik të Kievit.
Ai ka qënë oligarku i vetëm që nuk ka hezituar të vendosë burimet e tij financiare dhe mediatike, me stacionin televiziv ”Kanal 5”, në shërbim të protestave proevropiane në Kiev që çuan në rrëzimin e presidentit, Viktor Janukoviç.
Petro Porochenko rrallë herë ka marrë fjalën që nga podiumi i ”Maidanit”, por ishte ai që u ngjit mbi një buldozer për të qetësuar manifestuesit të vendosur për të thyer kordonet e policisë para selisë së presidencës më 1 dhjetor nën thirrjet e radikalëve, që i hidhnin çokollata dhe monedha. Në muajin mars, ai ishte në Krimenë e pushtuar nga forcat ruse, pak para aneksimit në Rusi.
“Poroshenko është shfaqur si një njeri i përgjegjshëm dhe mbrojtës”, nënvizon Volodymyr Gorbatch.
Specialist i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, ai premton se do të drejtojë Ukrainën ashtu si industrinë e tij me shumë prosperitet të çokollatës, Roshen.
Ai ka qenë ministër i Ekonomisë në kohën e presidentit të rrëzuar, Viktor Janukovitç dhe një prej themeluesve të partisë së tij, ministër i Punëve të Jashtme dhe shef i këshillit të sigurimit kombëtar nën presidencën e pro-perëndimorit, Viktor Jushtçenko.
Përveç të shkurës së tij si dezertor, kundërshtarët e tij e akuzonin se nuk kishte as ekip dhe as parti dhe se kishte ngatërruar qëndrimet, mes politikës dhe interesave kombëtare kur ai ishte në pushtet.
Por shumë besojnë se Poroshenko do të jetë i aftë të rimëkëmbë një ekonomi të përkeqësuar dhe të bashkojë një vend të thyer, në sajë të eksperiencës së tij qeveritare në të shkuarën dhe njohjes së çështjeve.
Para zgjedhjes së tij, Poroshenko premtoi se do të normalizonte marrëdhëniet me Rusinë për tre muaj.
“E njoh mirë Putinin, është një negociator i fortë dhe i vështirë”, ka deklaruar së fundi Poroshenko duke shtuar se do të ishte në gjendje të arrinte një kompromis me të.
Pasuria e Poroshenkos që është vlerësuar 1,3 miliardë dollarë nga revista ”Forbes”, ka hasur pengesa nga kriza me Rusinë, që ka ndaluar importin e çokollatave në mes të negociatave mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.
Ai është i martuar me Marinën që prje 30 viteve, një kardiologe dhe mamaja e katër fëmijëve të tyre./ /ec/
Nga Olga Nedbaeva, Oleksandr Savochenko