Strategjia
Përballja me Rusinë apo me Kinën nuk është më një mendim i largët në doktrinën e mbrojtjes ushtarake të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara. Pas Krimesë, rreziku i një lufte të tillë po merret seriozisht
PETER APPS, Reuters
Pas më shumë se një dekade në të cilën janë përqendruar në luftën kundër militantizmit islamik, planifikuesit ushtarakë të Perëndimit po shqetësohen edhe një herë për një luftë potenciale mes fuqive të mëdha – si dhe ideve se si mund të parandalohet që diçka e tillë të nisë aksidentalisht.
Megjithëse rivaliteti i Luftës së Ftohtë me Moskën nuk është harruar kurrë, zyrtarë aktualë dhe të së shkuarës nga vendet perëndimore thonë se aneksimi i Krimesë nga Rusia i ka vënë fuqitë e NATO-s të rishikojnë supozimet strategjike dhe të mendojnë edhe një herë për rrezikun e luftimeve, qofshin konvencionale, qofshin bërthamore.
Deri në fund të marsit, shumica e fuqive të NATO-s – me përjashtim të anëtarëve lindorë si shtetet baltike të shqetësuara prej kohësh nga Moska – patën supozuar se vetë Europa nuk përballet me rrezik ushtarak.
Ende shumë pak njerëz besojnë se Rusia mund të sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s, por, në mënyrë që ta parandalojnë, zyrtarët perëndimorë thonë se ata duhet të marrin në konsideratë mundësinë dhe të hartojnë plane reagimi.
Kërcënimi ndaj aleatëve të SHBA-së në Paqësor nga Kina e fuqizuar ka përqendruar gjithashtu mendjet e ushtarakëve te çështja se si mund të përmbahet rreziku atje, dhe të sigurojë se asnjë konflikt lokal të mos rrjedhë dhe të kthehet në luftë botërore.
Në një fjalim të rëndësishëm mbi politikën e jashtme në Akademinë Ushtarake të SHBA-së në Uest Point muajin e kaluar, Presidenti Barak (Barack) Obama foli kryesisht për antiterrorizmin dhe tërheqjen nga Afganistani. Por ndërsa ai tha se rreziku nga kombet e tjera tashmë është shumë më i ulët nga sa ishte para rënies së Murit të Berlinit, ai bëri të qartë se ky rrezik vijon të ekzistojë.
“Agresioni rajonal që kalon pa reagime, qoftë në Ukrainën Jugore apo në Detin e Kinës Jugore apo kudo tjetër në botë, do të prekë në fund aleatët tanë dhe mund të tërheqë [në luftë] ushtarakët tanë”, – u tha ai kadetëve që po diplomoheshin.
Tensionet me Moskën dhe Pekinin janë rritur më shpejt se sa pritej nga shumica e zyrtarëve të Uashingtonit. Këto tensione dominuan takimet e Presidentit Obama me udhëheqësit e tjerë me rastin e 70-vjetorit të Ditës së Zbarkimit në Europë.
Konferenca mbi Dialogun Strategjik Shangri-La javën e kaluar në Singapor, ndërkohë, shfaqi rritjen e mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Pekinit në çështje të ndryshme nga mosmarrëveshjet rajonale detare te siguria kibernetike.
Gjatë javëve të fundit, thonë zyrtarë të ndryshëm, administrata “Obama” ka qenë duke risiguruar me insistim aleatët e vet dhe duke u sinjalizuar armiqve se cilat janë limitet që Uashingtoni nuk është i gatshëm të lejojë t’i shkelen.
Uashingtoni mund të mos jetë i gatshëm të veprojë ushtarakisht në Ukrainë, por një sulm kundër një anëtari të NATO-s, si ndonjë shtet baltik apo në ndonjë aleat formal në Azi si Japonia, Filipinet apo Australia do t’i angazhojë pashmangshmërisht në luftë. Këto detyrime nga traktatet nuk janë të reja, por zyrtarët amerikanë thonë se është e rëndësishme që të bëhet e qartë se këto detyrime merren jashtëzakonisht seriozisht.
Ata shpresojnë se këto masa do të reduktojnë rrezikun e një lufte aksidentale ku shteti ndërmerr aksione duke supozuar gabimisht se fuqitë e tjera nuk do të reagojnë.
“Nuk është e vërtetë që udhëheqësit në Rusi apo në Kinë po kërkojnë luftë – dhe Shtetet e Bashkuara natyrisht që nuk po kërkojnë luftë”, – thotë Kethlin Hiks, (Kathleen Hicks), nënsekretare e Shtetit për SHBA-në deri korrikun e kaluar, që tani punon për Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
“Shqetësimi kryesor lidhet me keqllogaritjet që mund të bëhen”.
Lufta e Madhe
Njëqind vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, librat mbi këtë periudhë janë bërë gjithnjë e më popullorë në Uashington, si dhe në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, thonë zyrtarë aktualë dhe të së shkuarës dhe kjo ka ndodhur jo thjesht për kureshtje mbi historinë.
Në qershor të 1914-s, vrasja e Arkidukës së Austrisë, Franz Ferdinand, nga një nacionalist serb, shkaktoi veprime dhe aleanca, të cilat sollën luftën brenda një muaji.
Tashmë, ekspertët thonë se pikat e nxehta mund të jenë mosmarrëveshjet mbi ishujt në Detin e Kinës së Jugut ose luftë etnike në fqinjët ish-sovjetikë të Rusisë apo nga një sulm kibernetik që i atribuohet vendit të gabuar.
Edhe ndërsa Uashingtoni risiguron aleatët, Moska dhe Pekini kanë paraqitur fuqitë e veta kundër Ukrainës dhe Vietnamit, të cilat nuk kanë aleanca formale. Rreziku, thonë ekspertët, është që këto vende mund të fitojnë besim të tepruar dhe të gjykojnë gabim.
“Krahasimet me vitin 1914 mundet përfundimisht të mbivlerësohen”, – thotë Nokolas Gvosdev, profesor i sigurisë kombëtare në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së.
“Por ato na tregojnë se lufta mund të fillojë përmes pasojave të paqëllimta dhe se një botë me ndërvarësi ekonomike jo domosdoshmërisht e ndalon luftën të ndodhë”.
Njësoj si më 1914, askush nuk e di me siguri se si mund të jetë një luftë tjetër e madhe në kohën tonë.
Ndërsa shumica e mendimit ushtarak supozon se konflikti mund të mbetet konvencional, fuqitë bërthamore i kanë mbajtur planifikimet e tyre për luftë atomike të përditësuara, duke renditur me seriozitet listat e objektivave për shkatërrim të garantuar të ndërsjellë, thonë zyrtarë aktualë dhe të së shkuarës.
Sulmet kibernetike, thonë disa ekspertë, mund të jenë pothuajse aq shkatërrimtare sa armët bërthamore për shkak se tregtia botërore është e ndërlidhur në mënyrë të paprecedentë.
Disa sisteme për të cilat supozohet se mund të parandalojnë konfliktin duket se kanë filluar të dobësohen.
Lidhje të dobësuara
Zyrtarët amerikanë i kanë hyrë punës për të ndërtuar kanale komunikimi formale dhe informale me Pekinin, duke kopjuar linjat e nxehta dhe procedurat që u krijuan gjatë luftës së Ftohtë me Rusinë.
Moska dhe Uashingtoni i kanë përdorur këto sisteme për vete gjatë muajve të fundit për të njoftuar te njëri-tjetri testimet e raketave dhe fluturimet e rikonjicionit mbi territoret e njëra-tjetrës.
Lidhjet me Rusinë, gjithsesi, janë dobësuar këtë vit pasi shtetet e NATO-s anuluan konferencat dhe shkëmbimet ushtarake me Moskën në protestë ndaj aneksimit të Krimesë.
Kontaktet me Kinën janë përkeqësuar gjithashtu muajin e fundit, veçanërisht që kur Uashingtoni denoncoi pesë zyrtarë të Kinës për spiunazh kibernetik, një akuzë që Pekini e mohon.
Një situatë pothuajse përplasjeje mes anijeve ushtarake amerikane dhe kineze në janar, si dhe një sulm fals rus mbi një destrojer amerikan në Detin e Zi në prill, krahas konfrontimeve mbi bombarduesit me rreze të gjatë veprimi dhe avionë të tjerë paraqesin rreziqe jo të vogla, paralajmërojnë ekspertët.
Javën e kaluar Japonia dhe Kina akuzuan njëra-tjetrën për aksione “të rrezikshme” pasi avionët e tyre iu afruan njëri-tjetrit deri në pak dhjetëra metra.
Disa analistë sugjerojnë se Kina dhe Rusia e dinë se Uashingtoni do të ketë vështirësi të menaxhojë përballje të ndryshme të ndodhura njëkohësisht.
Forcat amerikane janë të përhapura nëpër botë ndërsa forcat e Moskës dhe Pekinit, megjithëse më të vogla, janë pothuajse ekskluzivisht të përqendruara në territoret e veta. Që nga viti 2008, të dyja vendet kanë rritur shpenzimet ushtarake me 30 dhe 40 për qind përkatësisht, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike të Londrës.
Ndryshimi i vitit 2012 i njohur si “pivot” i cili përcaktoi se Marina Ushtarake Amerikane u zhvendos në një pjesë më të madhe në rajonin e Paqësorit, synonte ta bënte reagimin ndaj krizave më të lehtë.
Ndryshe nga kjo, në Europë, NATO nuk ka ndonjë ide më të zhvilluar përveç strategjisë së shpallur pas ngjarjes së Krimesë që synon të vendosë numra të vegjël trupash amerikane dhe avionësh në linjën e frontit në vendet anëtare të Lindjes për të cilat ekziston frika se Moska mund t’i sulmojë të parat.
Ndërkohë, deri sa ndodhi Ukraina, shtetet europiane i patën përqendruar forcat e veta vetëm në ndërhyrje rastësore, misione paqeruajtëse apo në misione kundërkryengritëse në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.
“Ne po ecim në një territor të panjohur”, – tha një zyrtar i lartë perëndimor në kushtet e anonimatit. “Kjo do të thotë… rindërtimi i aftësive luftuese të nivelit më të lartë dhe doktrinë e menduar dhe mësuar siç duhet, si për masa parandaluese të luftës konvencionale ashtu edhe për luftën bërthamore”.






