Mungesa e studimeve në lidhje me përdorimin e drogave bën që Shqipëria ende t’i referohet statistikave të vjetra, ku thuhet se njihen 40-60 mijë përdorues të moshave të ndryshme, të dhëna këto që i përkasin një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik para katër vitesh. Ndërkohë që bluzat e bardha konfirmojnë se nga anketimet e kryera herë pas here, si dhe nga të dhënat e qendrës ku trajtohe rastet më të rënda, vërehet një rritje e numrit të përdoruesve. Ku në masë shfaqet përdorimi i drogave ndërmjet moshave 15-25 vjeç, si dhe tek moshat mbi 50 vjeç. Dje në “Ditën Botërore kundër drogës”, specialistët e ISHP-së thonë se : “Në Shqipëri, nuk kemi të dhëna të matshme në lidhje me numrin e përgjithshëm të përdoruesve. Sipas studimeve të ekspertëve në këtë fushë (ISHP, 2011), gjykohet se, numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substanca psikoaktive të paligjshme variojnë midis 40000-60000. Ndërsa numri i personave të cilët kanë pasur probleme si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substanca të paligjshme (PDU) në të gjithë vendin është diku te 5000-7500. Nga këta, numri i përdoruesve intravenoz varion midis 4000-6000”. Gjatë dy apo tre viteve të fundit tendencë në rritje nuk po shfaqet vetëm tek ulja e moshës së përdorimit të drogave, por edhe tek përdorimi i rregullt, çka po shton ndjeshëm rastet e varësisë. Ndërkohë që përdoruesit e rregullt janë të rrezikuar edhe nga një sërë sëmundjesh. Kreu i shërbimit të Toksikologjisë Klinike në QSUT, Zihni Sulaj ka deklaruar dje për mediet se po shtohen pacientët që marrjen e drogës e kanë kthyer në një përdorim disa vjeçar. Megjithatë ajo që shfaqet më shqetësuese është fakti i përhapjes së shumë sëmundjeve që mbartin kontingjenti i personave që janë shndërruar në përdorues të rregullt të lëndëve narkotike. Konkretisht bëhet fjalë për sëmundje të tilla si Hepatitet, HIV-AIDS, si dhe infeksione të tjera që rezultojnë të jenë të përhapura në masë tek kjo kategori, teksa vënë në rrezik edhe pjesën tjetër të popullatës së shëndoshë. ”Kemi një shtim të përdoruesve kronik, që do të thotë që kanë 15-20 vjet karrierë përdorimi. Kemi një tendencë të përdoruesit të kokainës dhe të emfatominës, por më e ndjeshme është rritja e përdoruesve me kanabis sativa. Moshat më të prekura janë moshat nga 15-25 vjeç, gjithashtu kemi përdorues edhe mbi moshën 50 vjeç dhe nën moshën 14 vjeç. Kemi regjistruar 3 raste me HIV, dhe një numër të konsiderueshëm, rreth 20- 30 për qind me Hepatit C dhe me Hepatit D. Nuk mund të përjashtojmë infeksionet banele, infeksionet flebite, pneumonitë, kemi pasur raste të endokarditeve dhe miokarditeve mjaftë të komplikuara për tu kuruar. Nga ana tjetër janë regjistruar edhe vdekje”, ka deklaruar Zihni Sulaj. Problem më vete shfaqet mungesa e një qendre kombëtare që të mbledh të dhënat e përdoruesve dhe mënyrës se si trajtohen dhe ku.
Vëzhgimet në shkolla
Po sipas të dhënave të raportuara nga studimi i kryer prej ISHP –së tre vite më parë tek nxënësit e shkollave në të gjithë Shqipërinë, të grup moshave 15-16 vjeç, në lidhje me përdorimin e substancave duke përfshirë edhe ato të paligjshme, rezultoi se 1 në 10 adoleshentë kishin përdorur të paktën një herë substanca psikoaktive gjatë gjithë jetës së tyre (kanabis, amfetaminë, halucinogjen, LSD, medikamente qetësuese, kokainë, crack, heroin, kërpudha magjike, pilula antidepresive të shoqëruara me alkool,etj). Ndërkohë që substanca më e përdorur nga ky grup studimi rezultoi të ishte kanabisi. Të paktën 4.4 e tyre janë përgjigjur se kanë përdorur të paktën një herë gjatë jetës së tyre marijuanë. Ndërsa 3.7 për qind kanë përdorur të paktën një herë gjatë 12 muajve të fundit në periudhën që i janë nënshtruar pyetësorit.
Kategoritë më të rriskuara
Të rinjtë janë ata që janë më shumë të rrezikuar ndaj përdorimit të drogave. Përveç të rinjve, kategori tjetër që konsiderohen vulnerabël ndaj ekspozimit të rreziqeve që vijnë si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substancat janë: gratë, gratë shtatzëna, personat me probleme të shëndetit mendor, të rinjtë që braktisin shkollën dhe janë pa përkrahje, personat që vuajnë dënime në burgje apo institucione të tjera izolimi, personat që përdorin rregullisht alkool, nikotinë, qetësues të tipit antidepresiv apo anksiolitik, gjithashtu dhe medikamente antipsikotrope, si dhe personat që kanë sëmundje kronike. Ndër faktorët që ndikojnë në përdorimin e drogave janë: kureshtja, nevoja për të harruar/ ndjenja e fajit apo dëshira për të harruar situata traumatike, lehtësimi i dhimbjes, si një formë vetëtrajtimi i çrregullimeve psikologjike apo mendore, qëllimore (për të rritur vigjilencën, energjinë, rënie në peshë, aftësia për të socializuar, etj.)
Dëmet në sistemin nervor
Sipas studimeve të fundit në fushën e neurologjisë dhe impaktin që kanë këto droga të paligjshme në trurin tonë, është vënë re se përdorimi i rregullt dhe afatgjatë i tyre ndikon në funksionimin normal të trurit. Kjo do të thotë se mund të dëmtojnë përkohësisht por dhe në mënyrë të përhershme funksionet mendore (kjo varet nga frekuenca e përdorimit, lloji i drogës që përdoret, dhe nëse përdoren edhe substanca psikoaktive të tjera njëkohësisht me drogën si: alkool, nikotinë, apo medikamente të tjera). Prandaj dhe varësia nga drogat konsiderohet jo vetëm një sëmundje fiziologjike, por edhe mendore.
Vartësia nga drogat
Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik një person krijon vartësi nga drogat pas përdorimit të vazhdueshëm dhe afatgjatë të saj. Personi i varur ka nevojë që të përdorë drogë që të ndihet normal ose që të mos ketë simptoma të pakëndshme të tërheqjes. Vartësia mund të jetë fizike, psikologjike ose të dyja bashkë. Një person i varur nga droga fizikisht është mësuar që të funksionojë me drogë. Një person që varet psikologjikisht nga droga, mendon se nuk mund të funksionojë siç duhet apo të arrijë kënaqësitë emocionale pa përdorur drogë.
Toleranca ndaj drogës
Me fillimin e përdorimit të drogës individi krijon tolerancë ndaj saj. Kjo do të thotë që për të marrë efektin e duhur përdoruesi duhet që të marrë gjithnjë e më shumë drogë.
Tërheqja nga droga
Nëse një person që merr drogë e ndërpret atë ose e pakëson sasinë që merr, atëherë tek ai ose ajo mund të shfaqen simptoma fizike sepse trupi e ka të vështirë të funksionojë pa drogë. Simptomat e tërheqjes janë të ndryshme, sipas llojit të drogës dhe personit përdorues, por në përgjithësi ato përfshijnë depresionin, irritime, ngërçe, të përziera, djersitje dhe pagjumësi.
Pasojat e overdozës dhe programet e parandalimit në shkolla
Overdoza ndodh kur merret një sasi e tepruar droge dhe trupi nuk është në gjendje që t’a konsumojë, duke krijuar nivele të paabsorbueshme toksike në trup. Overdoza mund të çojë individin deri në vdekje. Në rastet kur nuk shkaktohet vdekje mund të mbeten dëmtime të trurit apo të organeve të trupit. Ndaj për të reduktuar rritjen e mëtejshme të përdoruesve nevojitet shtrirja e programeve të ndërgjegjësimit sa i takon parandalimit që në arsimin parauniversitar. Kjo duke qenë se në listat e përdoruesve raportohen edhe mosha më të vogla se sa 15 vjeç. Kështu, programet e parandalimit mund të përcaktohen për të ndërhyrë herët te parashkollimi, për të adresuar faktorët e rrezikut për abuzim drogash, siç janë sjellje agresive, aftësi sociale jo të mira, dhe vështirësi në të mësuar.
Çrregullimet e varësisë nga droga janë të trajtueshme
Sipas ekspertes së shëndetit publik në ISHP, Andia Meksi, çrregullimet e varësisë nga drogat janë të trajtueshme. Evidencat tregojnë se, qasjet multidisiplinare janë më efikase se ndërhyrjet terapeutike tradicionale. Gjithsesi, rastet klinike tregojnë gjithashtu se është mjaft e vështirë shkëputja e përhershme nga përdorimi i drogave. Personat që përdorin rregullisht një ose më shumë substanca psikoaktive kanë tendencën që të zhvillojnë varësi nga to, dhe nëse abuzojnë edhe me substanca të tjera njëkohësisht. Të gjitha drogat mund të krijojnë varësi, por jo të gjithë personat që përdorin drogë bëhen të varur (janë disa faktorë që ndikojnë, si ato gjenetikë, shëndetësor, sociale, psikologjike). Secila nga substancat psikoaktive ka specifikat e saj, duke krijuar një efekt të caktuar në organizmin e njeriut. Substanca si hashashi (në doza të larta), heroina, amfetaminat, LSD, janë shumë të rrezikshme pasi ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen dhe shëndetin tonë.
E përgatiti: Pranvera Kola






