David L. Phillips*
Tradita dhe historia janë të rëndësishme për shqiptarët. Teksa votuesit shkojnë të votojnë sot, ata nuk duhet të harrojnë se pavarësia e Kosovës nuk ishte dhuratë. Vendimi për të shkuar në luftë dhe përpjekja e vendosur e SHBA dhe aleatëve të tyre për të arritur pavarësinë e Kosovës, ishte kulmi i përpjekjeve të nisura prej shumë vitesh. Lidhja Demokratike e Kosovës luajti një rol themelor për besueshmërinë e kauzës së Kosovës.
LDK u krijua si parti kombëtare në 23 dhjetor 1989. Shqiptarët u dyndën t’i bashkohen LDK-së, si një shprehje e pakënaqësisë ndaj sundimit tiranik të Serbisë. Ibrahim Rugova, të cilin jam krenar ta quaj mik, nuk ishte një politikan profesionist. Ai ishte një studiues i historisë së letërsisë dhe një estet, nacionalizmi populist i të cilit u dha zë vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës.
LDK refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe bojkotoi institucionet serbë. Kur kosovarët shkuan në Parlament në 2 korrik 1990, ndërtesa u bllokua prej policisë. Kosovarët u takuan në shkallët e tij, në një akt sfide të hapur. Ansambleja e Kosovës e udhëhequr nga LDK u mblodh në Kaçanik dhe shpalli pavarësinë në 7 shtator 1990. Platforma e LDK-së denonconte spastrimin etnik. Ajo hidhte poshtë statusin e pakicës për shqiptarët etnikë në Serbi. Ajo kërkonte komunikim dhe liri lëvizjeje drejt Shqipërisë. Në 26 shtator u mbajt një referendum. Pjesëmarrja në votime ishte 87% dhe 99 përqind e tyre votuan pro pavarësisë.
Kam qenë dëshmitar në shumë takime mes lidershipit të LDK-së dhe zyrtarëve të SHBA. LDK-ja kultivoi një mbështetje të fortë bipartizane në Kongresin amerikan – me Senatorët Bob Dole dhe Joe Lieberman, dhe kongresmenët Tom Lantos dhe Bill Broomfield. Kosovarët nuk kanë mik më të mirë në Capitol Hill se sa kongresmeni Eliot Engel. Këto miqësi nuk u krijuan brenda natës. Ishin rezultat i një pune të madhe nga LDK dhe shqiptarët e Amerikës.
Kosova nuk kishte status ligjor, por LDK ia doli të punonte brenda sistemit të OKB-se. U ndihmua nga Shqipëria, një shtet anëtar i OKB, për të çuar përpara kauzën e saj. Pas disa vitesh Ansambleja e Përgjithshme e OKB miratoi më në fund një rezolutë më vete për Kosovën, në 13 mars 1995. Ajo përshkruante masat diskriminuese kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë – tortura, vrasje, arrestime arbitrarë, kërkime, dëbime me forcë, dhe mbylljen e shkollave të mesme dhe universitetit në gjuhën shqipe, si edhe institucionet shkencorë dhe kulturorë. Sipas një miku nga Shqipëria, “ne më në fund e nxorrëm Kosovën nga Jugosllavia”.
Si fytyra e lëvizjes së Kosovës për pavarësi në Shtetet e Bashkuara, Rugova ishte i angazhuar për të punuar me zyrtarë amerikanë për dialog politik. Por, këto përpjekje ishin të destinuara të dështonin për shkak të agresionit të Serbisë. Rugova iu bashkua kosovarëve që dënonin vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz në 22 janar 1998. Ndonëse Rugova pranonte pozicionin e SHBA gjatë negociatave në Rambuje, ai e dinte që Beogradi nuk do të binte kurrë dakord. Ai e dinte gjithashtu që NATO do të angazhohej vetëm pasi diplomacia të kishte shteruar të gjithë përpjekjet e saj.
Në një gjest vlerësimi për rolin e LDK-se, kjo e fundit fitoi 21 nga 27 komunat dhe 58 përqind të votës popullore në zgjedhjet e tetorit 2000. Megjithatë, statusi i përkohshëm i Kosovës ishte i pambrojtur. Protestat e verës 2004 shërbyen për të galvanizuar veprimet e komunitetit ndërkombëtar.
Zgjedhjet u mbajtën në tetor 2004. Ramush Hajradinaj u zgjodh kreministër në 3 dhjetor 2004. Rugova dhe Haradinaj shërbyen së bashku në pozicione udhëheqës për 100 ditë. Kjo periudhë – “një epokë e artë” – ishte unike në jetën politike të Kosovës. Kosova zhvilloi një plan veprimi për vetëvendosjen. Kosovarët morën përgjegjësinë për të ardhmen e tyre.
Z.Haradinaj u dërgua në Hagë bazuar mbi akuza të motivuara politikish. Nën udhëheqjen e re, Kosova hyri në një periudhë stanjacioni me politikanët që vendosnin interesin vetiak, mbi të mirën e përgjithshme.
Kosovarët panë që Dr. Rugova nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore, kur ai u shfaq në inaugurimin e Katedrales së Nënë Terezës në 26 gusht 2005. Isha me Dr. Rugovën në shtëpinë e tij vetëm pak javë përpara se të ndërronte jetë. Mbante një kapelë bejsbolli për të fshehur rënien e flokëve, që i shkaktonte kemioterapia. Dr. Rugova ishte i vendosur të jetonte dhe të festonte pavarësinë e Kosovës, por ndërroi jetë në mesin e periudhës së negociatave. Presidenti Bush shkruajti: “Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë”. Condoleezza Rice nxorri një deklaratë: “Edhe teksa luftonte me sëmundjen e fundit, Presidenti Rugova punoi për të bashkuar udhëheqësit e Kosovës dhe për të sjellë shpresë për popullin e tij”.
Endrra e pavarësisë lindi në Shoqërinë Letrare të Kosovës në vitin 1989. U realizua pas vdekjes së Dr. Rugovës. Unë pata nderin të jem i pranishëm në Prishtinë, ditën e festimeve të pavarësisë në 17 shkurt 1998.
Edhe sot e kësaj dite, jam i mrekulluar dhe krenar, që SHBA hynë në luftë për të mos lejuar që në Kosovë të ndodhte ajo që ndodhi në Bosnje. Kosova ka qenë gjithmonë një projekt bipartizan në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bill Clinton ka meritën për shterimin e të gjithë opsioneve diplomatikë, dhe më pas udhëheqjen e aksionit të NATO-s në vitin 1999. Edhe Presidenti George W. Bush ka meritë, për bashkërendimin e shpalljes së pavarësisë nga Kosova.
Sot, Kosova është e lirë. Megjithatë, është një shtet me të meta dhe probleme seriozë. Cdo shtet anëtar i OKB duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por vetëm 106 e kanë bërë deri tani.
Tani është koha që kosovarët të votojnë dhe të shprehin vendosmërinë e tyre për reforma. Demokracia dhe qeverisja e mirë do e bëjnë Kosovën një anëtar të barabartë dhe të respektuar të familjes së kombeve.
- David L. Phillips është Drejtor i Programit për forcimin e Paqes në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Columbia-s. Ai ka qenë këshilltar dhe ekspert për marëdhëniet me jashtë në Departamentin e Shtetit të SHBA gjatë administratave të Presidentit Clinton, Bush dhe Obama. Phillips është autor i: “Clirimi i Kosovës: Diplomacia imponuese dhe ndërhyrjet e SHBA)
Pershtatur ne shqip nga bota.ai






