KSENOFON KRISAFI
U bënë muaj që, pas publikimit të raportit të parë të grupit të punës, ngritur me urdhër të Kryeministrit për reformën universitare, në mjedise të ndryshme, në universitete dhe në shkolla të larta, në median e shkruar dhe atë audiovizive si dhe në takime e ballafaqime të drejtpërdrejta, janë shkëmbyer mendime, janë shfaqur ide, projekte, skenarë, formula rreth nevojës për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së një reforme, si dhe për etapat e realizimit të saj.
Puna e deritanishme e grupit të punës dhe skenari paraprak i reformës së projektuar meriton vlerësime pozitive dhe inkurajimin nga ana e të gjithë faktorëve relevantë. Kjo nuk do të thotë që produkti i deritanishëm është “i gatshëm për konsum” dhe mund të vihet në zbatim në gjendjen që është. Gjatë diskutimeve që janë zhvilluar është bërë e qartë se në idenë e përgjithshme të ekspozuar gjenden elemente të veçanta, në të cilat mund të qëndrohet disi më gjatë, për të identifikuar zgjidhjen më të mirë të mundshme, në përqasje më të plotë me traditën e dhe realitetet shqiptare.
Raporti paraqet jo vetëm mendimin e një mase të konsiderueshme pedagogësh dhe studentësh në universitetet publike e jopublike në vend, pro domosdoshmërisë së reformës, por edhe thirrjen për të reflektuar si dhe për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive drejt arritjes së projektit më të mirë, duke e parë universitetin shqiptar të reformuar si një të mirë të përbashkët të të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm të bashkësisë akademike universitare ose të një pjese të caktuar të saj. I prirë nga ky koncept raporti merr në konsideratë edhe përvojën pozitive që vjen nga disa vende me arritje të spikatura. Ai u referohet veçanërisht politikave universitare që zbatohen nga qeveritë e SHBA, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Japonisë, Australisë, Francës, Gjermanisë, Çekisë, Polonisë, Belgjikës, Spanjës, Italisë, Lituanisë, Irlandës, Portugalisë etj., që inkurajojnë përfshirjen e shtetit në forma partneriteti me universitetet e vendit të vet. Në këtë kuadër disa aplikojnë dhënien e bursave studentëve më të mirë, pa dallim se ku studiojnë, akordojnë financime publike për laboratorë, biblioteka, kabinete shkencash natyrore, japin paga për pedagogë të kualifikuar, kanë hequr taksat dhe tatimet ndaj universiteteve jo-publike, i kanë përfshirë ata në projektet dhe në financimet e mëdha modernizuese, kanë ndërmarrë përmirësime në legjislacionin fiskal, në mënyrë që të orientohen e të nxiten sa më shumë donacionet private drejt universiteteve, kanë inkurajuar përfshirjen e sipërmarrjes private në mbështetje të universiteteve etj.
Raporti i grupit të punës e shikon universitetin dhe në përgjithësi shkollën e lartë shqiptare, si kudo në botë, si një produkt të shoqërisë dhe si të tillë, nuk e përfytyron të shkëputur prej saj, të zhvilluar “në inkubator”, thjeshtë dhe vetëm për qëllimet e formimit dhe iluminimit të një elite të caktuar njerëzore. Ai nuk mund të zhvillohet dhe të transformohet brenda vetvetes. Ka nevojë të ballafaqohet dhe të përshtatet me bashkësinë njerëzore që e ka ideuar dhe e ka krijuar për plotësimin e nevojave të saj, gjithmonë në rritje dhe gjithmonë në ndryshim.
Transformimi i universiteteve shqiptare, sipas përfytyrimit të grupit të punës, parashikon ndër të tjera kalimin e tyre gradual drejt universiteteve publike, të ndërtuar dhe drejtuar sipas formave më të avancuara dhe më të suksesshme që gjenden sidomos në modelet anglo-saksone. Pikërisht ky model, i konsideruar gjerësisht i suksesshëm, i ka nxjerrë ato në krye të listave të rankimit dhe i ka shndërruar në më të preferuarit nga studentët dhe pedagogët.
Jehona e kësaj përvoje ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku nuk mungojnë përpjekjet për t’u frymëzuar prej saj. Përpjekjet e para të ndërmarra duken inkurajuese dhe kanë dhënë rezultate premtuese. Për të qenë më konkret do të përmend përvojën e Universitetit Europian të Tiranës, që e njoh prej disa vjetësh, nga afër dhe “nga brenda”. Aty gjen jo pak elemente embrionale që e tregojnë këtë prirje dhe që shfaqen në disa prej aspekteve të organizimit dhe të drejtimit si dhe në veprimtarinë e tij.
Universitetet në procesin e transformimit të tyre duhet të mbajnë në konsideratë faktin që përgatisin liderët dhe specialistët që do të drejtojnë dhe administrojnë botën e së nesërmes. Ky mision i madh nuk mund të kryhet, siç thuhet shpesh, me idetë e të djeshmes dhe institucionet e të pardjeshmes. Ata përgatisin gjithashtu pedagogët, mësuesit, trajnuesit, të cilët do të formojnë brezat e ardhshëm, specialistët e një kohe tjetër, më të avancuar. Pedagogët e sotëm janë përgatitur me dijet dhe konceptet e djeshme dhe kanë marrë përsipër të modelojnë rininë e sotme për ta bërë të aftë të përballojë sfidat që e presin. Nuk mund të injorohet fakti që pedagogët e universiteteve aktuale gjenden disi në vështirësi për të përmbushur siç duhet misionin e tyre, që t’iu mësojnë pedagogëve të brezave të ardhshëm specialitetin përkatës, në përmasat dhe në nivelin e duhur, sepse ata, secili sipas kulturës, dijes dhe botëkuptimit të vet, vetëm e imagjinojnë, por nuk e kanë të shkruar në formë manualesh ose studimesh, se si do të jetë shkenca dhe teknologjia, industria dhe ekonomia, shoqëria dhe politika pas 20, 30 ose 40 vjetësh. Ajo që mund të bëjnë është t’i përgatisin studentët me aftësitë e duhura që të kuptojnë në thelb ndryshimet që ndodhin në bashkësinë njerëzore, në ekonomi, në edukim, në shkencë, në fushën e dijeve, në mentalitet, në natyrë etj dhe të dallojnë prirjen e përgjithshme të ecurisë. Më tej të parashikojnë mundësitë dhe mënyrat e parandalimit të deviancave negative dhe të programojnë veprimin e duhur për ndryshimin relativ të drejtimit të zhvillimit në interes të njeriut të së nesërmes së përhershme.
Një universitet publik, siç parashikohet në raportin e grupit të punës, ka më shumë mundësi që t’i afrohet përmbushjes së kësaj sfide të vështirë.
Raporti përpiqet t’i gjejë zgjidhje edhe një realiteti tjetër të kohëve tona. Universitetet në vende të tjera, po kalojnë një periudhë kur monopoli i ofrimit të ekspertizës së kualifikuar në fushën e dijes, po cenohet vazhdimisht nga aktorë të tjerë të tregut. Ata po zbresin dalëngadalë nga piedestalet e pretenduara të ofertuesit ekskluziv të dijes, veçanërisht të projekteve kërkimore e shkencore, duke u detyruar të pranojnë se një vend të posaçëm po e zënë tashmë sipërmarrje të fuqishme, të cilat kanë hyrë prej kohësh edhe në tregun e dijes me projekte atraktive me karakter ekonomik, industrial, teknik etj. Me përcaktimet e veta ai hap shtigjet e nevojshme që universitetet shqiptare të shekullit të 21 ta pranojnë dhe ta shfrytëzojnë në dobi të tyre këtë ndryshim pozitiv.
Fjala universitet nga pikëpamja etimologjike nënkupton ndër të tjera edhe “parimin e universalizimit” të dijeve të djeshme, të realiteteve aktuale dhe të sfidave të së ardhmes. Në këtë kuptim dhe sidomos në modelin e universitetit publik, ai është ideuar që të ekzistojë dhe të përparojë duke u përfshirë kohë pas kohe në cikle ndryshimesh radikale konceptuale dhe institucionale, ndryshime këto që, si rregull, nuk ecin me të njëjtin ritëm sikurse ato në ekonomi, në shkencë, në teknikë etj. Ky është një ndër motivet, i cili, sipas disa prej studiuesve të kësaj fushe, shpjegon se përse modelet institucionale dhe ideologjike të universiteteve të fillimit të shekullit tonë, kanë mbetur gati të pandryshuara, për një periudhë rreth dy shekullore, në një botë që ka pësuar transformime të rëndësishme politike, ekonomike, sociale etj. Universiteti publik, duke qenë gati refraktar ndaj politikës, është më i predispozuar dhe më i hapur ndaj ndryshimit dhe përshtatjes me realitetet e reja.
Nuk mund të mos ndikojë për këtë edhe fakti që shkalla e autonomisë së tij do të jetë e vërtetë ose së paku afër të vërtetës. Në një kohë kur ngado dëgjohen thirrjet për vendosjen dhe ruajtjen e disa ekuilibrave të domosdoshëm të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, veçanërisht të ekuilibrit ndërmjet njeriut dhe natyrës, individit dhe bashkësisë, vazhdimësisë dhe ndryshimit, lirisë dhe përgjegjësisë, unitetit dhe diversitetit etj, në mjediset universitare vazhdon të përsëritet si një refren i pashuar, domosdoshmëria e autonomisë. Universiteti publik, i çliruar nga “vargonjtë” e politikës, të pushtetit edhe këtë aspiratë ka më shumë shanse për ta arritur.
Këto dhe mjaft aspekte të tjera, në të cilat raporti qëndron me hollësi, duhen parë me besim si premisa dhe bazë realiste për kryerjen e një reforme të shumëpritur dhe të domosdoshme në arsimin universitar në Shqipëri. Por lypset që gjithçka të shihet pozitivisht, pa u përpjekur për të gërmuar dhe për të kërkuar “midis rreshtave”, sikurse ndodh ngandonjëherë në debatin aktual.






