Partitë opozitare janë të ngjashme

Nga Majlinda Bushja


Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, veçandërisht vitet e fundit kanë rrëfyer ndër të tjera se ajo parti që kalon në opozitë ka sjellje të ngjashme me partinë paraardhëse opozitare, megjithëse nuk i përkasin së njëjtës forcë politik. Nëse do t’i kthehemi historisë së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, konkretisht, të 28 qershorit 2009 dhe opozitës së atëhershme do të vërenim se sjelljet e saj janë shumë të ngjashme me ato të opozitës së sotme të dal nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013. Pak a shumë është i njëjti qendrim: me bojkotim të seancave parlamentare, protesta në rrugë, me përpjekje për bllokim të marrjes së statusit të vendit kandidat, (megjithëse raporti i Komisionit Evropian e ka rekomanduar statusin), greva urie (pavarsisht qellimit është përpjekur për t’i dhënë ngjyra politike), etj. Gjithmonë tendenca e opozitës ka qenë për të kundërshtuar shumicën që fiton zgjedhjet, me të njëjtat mjete, dhe me pretendimin se, maxhoranca nuk po vepron si duhet dhe asaj po i  mohoen të drejtat.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit 2009 partia opozitare e atëhershme (pozita e sotme, Partia Socialiste) nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare duke kërkuar rihapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave, e cila nuk u bë asnjëherë. Madje, ajo vendosi për ditë të tëra disa çadra para kryeministrisë dhe nisjen e një greve urie në shenjë revolte për mos pranimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme, duke krijuar klimë tensioni në vend. Sot, pas 4-5 vitesh dhe rotacionit politik në vend po ndodh e njëjta gjë. Vendosja e çadrave te grevës së urisë pranë kryeminstrisë, pavarsisht se është deklaruar se ajo ka arsye ekonomike, (politikanë të opozitës e kanë mbështetur atë duke takuar herë pas here grevistët). Sikur të mos mjaftonte kjo gjendje, greva e punonjësve të pushuar nga puna, gjeti mbështetjen e policëve të larguar nga puna, dhe pasoi disa ditë më pas nga një tjetër grevë urie, këtë herë me motive politike,  para parlamentit të Shqipërisë në fillim nga një grup prej rreth 14 personash, ish të përndjekur politik. Ndërkohë që, greva e punonjësve të pushuar nga puna u mbyll pas 15 ditësh përpjekje dhe premtimit të Komisionierit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle, ajo e ish-të përndjekurve politike ende vazhdon mes amullisë së kotraditave, qeveri-ish të përndjekur.
Një tjetër sjellje e ngjashme mes dy partive politike kryesore në vend (PS-së dhe PD-së) është dhe bojkotimi i parlamentit. Për muaj me radhë opozita e atëhershme bojkotojë parlamentin si shenjë proteste për mospranimin e rezultateve të zgjedhjeve në vend. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit parlamentar pas ndërrrimit të pushteteve, ku opozita e sotme apo maxhoranca e djeshme kanë bojkotuar herë pas here seancat parlamentare duke mos votuar ligjet që kërkojnë edhe votën e opozitës, pavarsisht se maxhoranca i ka votat e mjaftueshme.
Po e njëjtë ka qenë dhe ngjashmëria në protesta. Është mundur të gjendet gjithmonë një arsye nga pala humbëse për t’u hedhur në protestë. Me mospranimin e rezulateve opozita e djeshme apo partia kryesore në pushtet sot,  zhvilloi disa protesta ku ajo që mbahet mend nga të gjithë është protesta e 21 janarit e cila degjeneroi në konflikt mes policisë dhe protestuesve ku mbetën të vrarë 4 persona. Opozita e sotme (PD) pa kaluar as një vit nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 ka zhvilluar disa protesta, ku së fundi ka qenë ajo kundër trafikut të drogës. Thua sikur trafiku i drogës të mos kishte egzistuar kurrë, e të pafajshmit kërkojnë drejtësi. Trafiku i drogës është një vazhdimësi, dhe jo një fillim i ri, që si dihet fundi, e që fund s’pritet të ketë. Pasi, herë pas here faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për luftën ndaj korrupsionit dhe trafikut të drogës, në çdo raport të tij, por lufta ndaj tij është e ashpër. Ai nuk është një gjë e re, është një gjë e vjetër, por që shitet si një gjë e re dhe “faji mbet gjithmonë jetim”, siç thotë populli. Sebepi i trafikut të drogës ka vënë në alarm opozitën ku, së fundi, z.Basha, Kryetar i Partisë Demokratike, tashmë në opozitë, paralajmëroi një stinë protestash, deklaratë e bërë në emisionin “Studio e Hapur” në News24.
Kështu, klima e tensionit politik ka qenë po e njëjtë nga të dy krahët politik sa herë që kanë qenë në opozitë, veçandërisht kur Shqipëria ka qenë para vendimit të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Krijimi i imazhit negativ për vendin gjithmonë ka qenë në fokus të partive opozitare të cilat në vend që të ofrojnë zgjidhje, kthehen në problem për palën tjetër e cila kërkon bashkëpunim dhe bashkim të plotë në të tilla raste. Gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike bllokimi i tre ligjeve që kërkonin 3 të 5 në parlament u përdor si pengesë për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar kërkonte me ngulm votimin e tre ligjeve në parlament që kërkonin shumicë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Pavarsisht votimit të tre ligjeve para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, Shqipëria nuk e mori atë, madje as në dhjetor të vitit që shkoi, ku vendet si Hollanda, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka ishin skeptike për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Sot, na ndan më pak se një muaj nga vendimi i radhës së Bashkimit Evropian për marrjen e statusit, ku opozita po përpiqet të krijojë imazhin e një vendi me klimë tensioni përmes protestave, mbështetjes së grevave me arsye politike, dhe tensionit në mbledhjet e grupeve parlamentare, apo braktisje të seancave parlamentare, duke mos rënë dakort, ndërkohë që qytetarët kërkojnë tjetër gjë; klimën e paqes.

Kjo sjellje është një kthim përgjigje për opozitën e djeshme, apo opozitat janë të ngjashme pavarsisht krahut politik të cilit i përkasin? Faktet radhiten me këtë të fundit. Partitë politke kanë të njëjtën sjellje , atë të refuzimit dhe mospranimit të idesë së palës kundërshtare, duke pretenduar, se janë mohuar të drejtat sa herë janë në opozitë, duke e kërkuar të drejtën e tyre me të njëjtën sjellje, pavarsisht destabilitetit që mund të krijojhet në vend, dhe ngjyrave politike që ju përkasin.