Pabarazia: Monsinjor Piketi shkon në Amerikën Latine

Ndërsa teoria e ekonomistit francez mbi kapitalizmin si prodhues i pashmangshëm i pabarazisë ka pushtuar botën e zhvilluar, për vendet në zhvillim duket se problemet janë shumë të ndryshme dhe zgjidhjet janë shumë lart recetave të Piketit
ANDRÉS VELASCO, Project Syndicate

Pak gjëra ndezin intelektualët e së majtës së vjetër të Amerikës Latine si një libër mbi pabarazinë të shkruar nga një francez. Kështu, në mënyrë lehtësisht të parashikueshme, libri i Tomas Piketit (Thomas Piketty), “Kapitali në shekullin e njëzetenjë” ka bërë një goditje të madhe. Në dy muajt që nga publikimi i librit në anglisht, shumë ese janë shkruar për të pretenduar se vepra e madhe e profesorit të Shkollës së Ekonomiksit të Parisit konfirmon pretendime të mëhershme (zakonisht pretendimet e vetë eseistëve) mbi rreziqet e pabarazisë në Amerikën Latine.
Piketi paraqet një rrëfenjë madhështore mbi dinamikat e akumulimit të kapitalit në një ekonomi tregu. Në formulimin e tij tashmë të famshëm, “nëse norma e kthimit nga kapitali është më e lartë sesa norma e rritjes së ekonomisë, pasuria e trashëguar do të rritet më shpejt sesa pasuria e krijuar nga të ardhurat dhe pronarët e kapitalit do të përfitojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të prodhimit kombëtar”.
Askush nuk mund të mohojë se shpërndarja e të ardhurave është në mënyrë skandaloze e pabarabartë në Amerikën Latine. Por ka gjasa që vetë mbështetësit e Piketit (shumë prej të cilëve nuk ia kanë lexuar ende librin), do të duhet të dinë se teoria e tij ka shumë pak ose aspak të bëjë me dinamikën e matshme të shpërndarjes së të ardhurave në Amerikën Latine.
Teoria e Piketit lidhet me atë që ekonomistët e quajnë, shpërndarje funksionale të të ardhurave ose ndarjen mes ofruesve të punës dhe pronarëve të kapitalit. Por keqshpërndarja që shkakton kaq shumë shqetësim në Amerikën Latine lidhet me shpërndarjen personale të të ardhurave nga puna – pra, ndarjen mes atyre që kanë të ardhura nga paga.
Kjo ndodh për shkak se pjesa më e madhe e të dhënave mbi shpërndarjen e të ardhurave në Amerikën Latine vjen nga vrojtimet për matjen e standardeve të jetesës së familjeve, të cilat rrallë arrijnë të nxjerrin informacion të saktë dhe të vërtetë mbi ata qirambledhës që shqetësojnë Piketin, pra njerëzit që i marrin të ardhurat e tyre në formën e fitimeve, dividentëve apo interesave. Për shembull, rezultatet e CASEN 2009, vrojtimit mbi standardet e jetesës së familjeve të kryer në Kili, sugjerojnë se të ardhurat nga kapitali në këtë vend janë të shpërndara në mënyrë më të barabartë sesa të ardhurat nga puna. Natyrisht, askush me mend në kokë nuk duhet ta besojë këtë. Ky rezultat sugjeron se pronarët e aksioneve dhe bondeve gënjejnë para intervistuesve të qeverisë.
Kjo, nga ana e vet, zbulon dy copa informacioni – që të dyja të zymta – mbi shpërndarjen e të ardhurave në Amerikën Latine. E para, shpërndarja e vërtetë e të ardhurave personale – pra të gjitha të ardhurat, si nga puna ashtu edhe nga kapitali – është shumë e sigurt se është më e pabarabartë nga ajo që citohet zakonisht nga rezultatet e vrojtimit. E dyta, edhe nëse të gjitha dinamikat e kapitalit që shqetësojnë kaq shumë Piketin do të mund të pastrohen, shpërndarja e të ardhurave në Amerikën Latine do të mbetet sërish e deformuar në mënyrë rrëqethëse. Dhe kura për këtë keqshpërndarje nuk gjendet thjesht te taksat e konsiderueshme mbi pasurinë që rekomandon Piketi.
Pse jo? Natyrisht, nëse të ardhurat nga puna janë të deformuara, rishpërndarja e të ardhurave nga kapitali, ose aseteve për të varfrit mund të përmirësojë barazinë e përgjithshme.
Një studim i fundit nga ekonomistët te Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili përdor të dhëna të reja që mbulojnë shumë vende, është goxha i prerë mbi potencialin që paraqet rritja më e madhe e rishpërndarjes pa e dëmtuar rritjen ekonomike. Por studimi jep gjithashtu një rekomandim të prerë, për faktin se ka limite se deri në çfarë mase sistemi fiskal ka mundësi të rishpërndajë të ardhurat.
Autorët krahasojnë koeficientin Gini (një indeks shumë i përdorur me 100 pikë mbi pabarazinë, ku zero nënkupton barazi të plotë dhe 100 nënkupton pabarazi të plotë) para dhe pas taksave të qeverisë. Këto të dhëna tregojnë se vetëm shumë pak vende rishpërndajnë të ardhurat mjaftueshëm për të bërë një ndryshim më të madh se dhjetë pikë në koeficientin Gini, si dhe sugjerojnë se taksimi me synim rishpërndarjen më të madhe se 13 pikë, ka tendencë të ketë efekt negativ në rritjen ekonomike.
Natyrisht, rishpërndarjet reale, së paku në Amerikën Latine, janë shumë më të pakta se këto. Reforma fiskale e propozuar së fundmi nga presidentja Mishel Bashelet (Michelle Bachelet) në Kili synon të rrisë të ardhurat e shtetit me tre për qind të PBB-së. Edhe nëse asnjë nga këto para nuk do të devijojë nga synimi dhe të gjitha këto u rishpërndahen kilianëve të varfër, reforma nuk ka gjasa ta ulë indeksin Gini me më shumë se tri pikë.
Problemi është se koeficienti Gini i Kilit pas taksave është afërsisht 50 (Brazili, Kolumbia dhe Peruja kanë shifra të ngjashme), ndërsa vendet e përparuara e kanë indeksin Gini më së shumti pak më shumë se 30 ose edhe mes 20 e 30. Transformimi i Kilit dhe disa prej fqinjëve të saj në vende me barazi të nivelit të OECD-së do të kërkojë shumë më tepër sesa reformë fiskale.
E thënë ndryshe: nëse niveli fillestar i lojës në një shoqëri është shumë i pabarabartë, kjo shoqëri do të mbetet shumë e pabarabartë edhe pas rishpërndarjeve të përmasave të mëdha të kryera përmes taksave. Fokusi i politikave, për rrjedhojë, duhet të jetë ajo që profesori i shkencave politike në Universitetin e Jellit Xhakob Haker (Jacob Hacker) e quan “parashpërndarje”: ndryshimin e strukturës së përcaktuar nga tregjet në të ardhurat nga paga.
Tri mjete kryesore janë të disponueshme në përmirësimin e parashpërndarjes së të ardhurave. E para, reformë arsimore, me theks të fortë në trajnimin teknik – do të sigurojë fuqizimin e nënshtetasve me të ardhura të ulëta, duke i pajisur me aftësi të reja, të cilat do të mund t’i furnizojnë në tregun e punës. E dyta, politikë industriale e shënjestruar, që duhet të krijojë kërkesë për këta punëtorë dhe aftësitë e tyre të sapofituara. Dhe, e treta, modernizimin e tregjeve të punës për të krijuar një çiftëzim më efikas të aftësive të punëtorëve me nevojat specifike të kompanive në kontekstin e një heterogjeniteti gjithnjë e në rritje.
Këto politika nuk zëvendësojnë, por plotësojnë: ato duhet të ndërmerren që të gjitha në të njëjtën kohë. Të bësh diçka të tillë nuk është e lehtë. Në Amerikën Latine, udhëheqësit e politikës së qendrës së majtë, të shqetësuar siç janë me drejtësinë ekonomike dhe shoqërore, do të duhet të përshtaten me specifikat e secilit prej vendeve. Nuk ka ndonjë recetë të gatshme që po pret zbatimin prej tyre, si ato të dhëna nga kryevepra e ekonomistit francez.