Obama në Evropë për D-Day, Ukrainën, G7-n, por jo për Putinin


Një rast për të vënë pikat mbi ”i” përsa i përket krizës në Ukrainë dhe G7-a. Presidenti amerikan, Barack Obama shkon nesër në Varshavë, etapa e parë e katër ditëve vizita në Kontinentin e Vjetër me rastin e festimeve të së ashtuquajturës D-Day (dita me D të madhe, që përkujton zbarkimin në Normandi të forcave aleate gjatë Luftës II Botërore – shën. përkth.). Në Poloni, të mërkurën, Obama do të takojë kokë më kokë presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko. Nesër, Obama do të takojë liderët e rajonit, përfshirë Poroshenkon, për të festuar 25-vjetorin e zgjedhjeve të para të lira postkomuniste në Poloni. Më pas, Obama do të shkojë në Bruksel për takimin e G7. Objektivi i Obamës do të jetë të bindë aleatët evropianë për të qenë të bashkuar ndaj Rusisë. ”Pavarësisht përparimeve, Moska nuk ka marrë masat e duhura për uljen e tensionit”, thonë nga administrata e Obamës. ”Mëegjithatë, sanksione të reja nuk ka për momentin. Ekonomia ruse po kontraktohet dhe po izolohet pa dëme të rëndësishme kolaterale për SHBA-në, Evropën dhe ekonominë botërore”, thotë sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew. Obama do t’u bëjë presion evropianëve për të ruajtur edhe ata presionin ndaj Rusisë dhe ndoshta mund t’u përgjigjet edhe kritikave që nuk ka bërë aq sa duhet ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë. Obama do të ketë kështu mundësinë e dytë për të shpjeguar politikën e tij përballë Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me liderët evriopianë dhe Obamën të premten për festimin e 70-vjetorit të D-Day. Putin ka në axhendë takim me homologun francez, Francois Hollande. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama nuk ka në program një takim zyrtar me Putinin. Obama dhe Putin do të marrin pjesë, së bashku me liderët evropianë, në një drekë në Sword Beach.