Nëse do të mendonit për pak sport dhe fitnes në ditët e nxehta të stinës së verës zgjidhja është e garantuar. Sporti më i mirë do të ishte pa diskutim noti.
Përveçse përbën një sport të sigurt në forcimin e zemrës, muskujve dhe rritjen e fleksibilitetit, të notuarit është një tjetër alternativë në rritjen e cilësisë së jetës.
Forcon zemrën: Të notuarit është një ndër aktivitetet që ndihmon dhe forcon zemrën, pasi përbën një ndër sportet më të pasura me lëvizje dhe teknikë. Ndërsa ushtrimet e tjera do të ishin më specifike në nivele më fillestare, si të vrapuarit apo çiklizmi, noti përbën sportin më gjithëpërfshirës, duke bërë të mundur vënien në lëvizje të të gjithë trupit.
Balancon peshën: Të notuarit është vërtet i rëndësishëm, sidomos në ndërtimin e muskujve, si dhe forcimin e tyre. Madje noti ndihmon në zgjatjen e trupit, sidomos midis moshës 14-18 vjeç. Në rregullimin dhe forcimin e muskujve bëhet i mundur gjithashtu edhe rregullimi i metabolizmit, duke mundësuar kështu djegien e kalorive më shpejt se në kushte të tjera.
Rrit fleksibilitetin: Të ushtruarit e notit, qoftë edhe në një pishinë të ngrohtë, bën të mundur tendosjen e muskujve, duke rritur fleksibilitetin dhe zgjatjen e muskujve të ndryshëm në trup. Gjithashtu edhe pas një vrapi të lehtë noti do të sugjerohej në të njëjtën mënyrë. Pak not do të ndihmonte në çlirimin e energjisë negative, apo edhe çlirimin e toksinave trupore që pengojnë tendosjen muskulore.
Më shumë aventurë: Nëse të gjithë e presim verën me shumë dëshirë një ndër arsyet është pikërisht të notuarit. Sigurisht që noti konsiderohet një ndër sportet më me aventurë. Nëse nuk do të mundnit të kalonit ca ditë pushimesh në qytetin bregdetar më të afërt do të sugjerohej edhe të notuarit në pishinat më të afërta të qytetit. Kështu do të kishit mundësi të eksploronit kënaqësinë dhe aventurën që të ofron qoftë edhe një sipërfaqe e vogël ujore. Por, përveç aventurave siç u pa edhe më lartë në këtë tekst ai është shumë i mirë edhe për shëndetin tuaj, andaj mos hezitoni të merreni me të sa herë që keni mundësi.
Ndihmon në humbje peshe: “Njerëzit të cilët notojnë aq shumë sa ndiejnë lodhje aq sa duket se u ‘mbaron’ fryma, në fakt kanë humbur kalori dhe peshë njëkohësisht”, thotë Jane Moore, fizikant dhe notarë aktiv nga Tacoma, Washington. “Çelësi kryesor është vetëm t’i japësh vetes pak force”, shtoi ai. Kështu me pak vullnet sporti i notit do të ndihmonte në mënyrën më efikase në reduktimin e kileve të tepërta. Pra nëse keni peshë të tepërt, apo frikësoheni se do të shtoni ndonjë kilogramë, noti është shpëtimtari juaj pasi siç thamë djeg kaloritë më së shpejt se çdo sport tjetër dhe u ndihmon në humbjen e kilogramëve të tepërt nga trupi juaj.







