Një kërcënim i ri për sigurinë në Ballkan

FATMIR MEDIU


  
Dervish Haliloviç, 41- vjeçar, ishte nga një fshat i vogël, Smajiç, afër qytetit boshnjak të Zenicës. Pas luftës në Bosnjë ai u rikthye në fshatin e tij si bari apo duke bërë punë të tjera për të mbajtur familjen e tij. Shtatorin e kaluar ai u vra në një fshat të thellë të Sirisë, duke luftuar për grupimin ushtarak të njohur si Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti. U kishte thënë familjarëve se kishte vetëm dy dëshira në jetë: të shkonte për Haxh në Mekë dhe të jepte jetën e tij për “rrugën e Allahut”. Dervishi dhe qindra të rinj e të reja morën rrugën e gjatë e të vështirë drejt Sirisë për të marrë pjesë në luftën e atjeshme.

Po përse këta të rinj e të reja bëhen radikalë dhe i bashkohen Xhihadit? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme që shtetet e Ballkanit duhet t’i japin përgjigje ose të rrezikojnë pasojat që do të vijnë me kthimin në vendet e tyre të këtyre luftëtarëve vullnetarë. Zhvillimet e fundit në Irak kanë sjellë një vëmendje të re ndaj kësaj situate, jo vetëm atje, por edhe në rajonin tonë, duke pasur parasysh se shumica e luftëtarëve islamikë nga rajoni ynë që luftojnë në Siri janë pjesëtarë të ISIS dhe Levantit, me lidhje të qarta organizimi nga Al-Kaeda.

Ky nuk është thjesht një problem ineficience e qeverisë së Irakut, por një problem me rëndësi për sigurinë në rrafsh global. Kjo është një thirrje për vigjilencë!! Ballkani i ditëve të sotme është i orientuar qartë në perspektivën e integrimit euroatlantik, me një qasje të re ndaj dialogut rajonal, bashkëpunimit ekonomik dhe atë të sigurisë. Pak vite më parë Ballkani ishte arenë e konflikteve të vjetra, të ushqyera nga doktrina të supremacisë nacionale dhe spastrimeve të egra etnike. Për 40 vjet komunistët u përpoqën të shtypnin besimin fetar dhe çdo formë të praktikimit të tij, dhe e ndaluan me ligj në Shqipëri.

Kjo çoi në zbehje të praktikimit të besimit fetar, si edhe në izolimin e Islamit tradicional sekular nga pjesa tjetër e botës islamike. Paslufta solli me vete efektet e globalizmit dhe tendenca të reja. Fillimisht idetë e reja erdhën në formën e asistencës humanitare. Me kohë u shndërruan në përpjekje për të transformuar traditat historike islamike në tradita të reja. Vehabizmi, i cili nuk kishte pasur kurrë më parë rrënjë në Ballkan, erdhi në formën e asistencës për ndërtimin e xhamive dhe edukimin e të rinjve në vende të ndryshme arabe. Me kthimin e tyre në vendet përkatëse ata arritën të zinin pozicione të rëndësishme në edukimin dhe praktikimin e Islamit. Kjo solli edhe përplasjet e para mes Islamit tradicional dhe Islamit “të ri” që po shfaqej në rajon. Krijimi i shtetit islamik dhe përparësia e përkatësisë fetare mbi atë të identitetit kombëtar nis të predikohet rregullisht në xhami nga teologët e rinj. Shqetësimet fillojnë të rriten, por edhe pse shërbimet sekrete i kushtojnë vëmendje, nuk shohim një qëndrim të vendosur ndaj këtij problemi, të paktën deri më 11 shtator 2001.

Me konfliktet në Irak dhe Afganistan çështja fiton rëndësi të re. Megjithatë, mbetet interesant fakti se fare pak, për të mos thënë asnjë besimtar i zellshëm nuk doli vullnetar nga rajoni që t’u bashkohej këtyre luftërave. Po ashtu nuk ka as edhe një parti politike që të arrijë të ketë mbështetjen e mjaftueshme për të marrë pjesë në zgjedhje në rajonin e Ballkanit. Në rastin e Sirisë është shumë interesante të shohim se si në një konflikt mes grupeve të të njëjtit besim islamik shohim një qëndrim të ndryshëm. Që në fillim të konfliktit në Siri në vitin 2011, shohim grupet e para të rekrutimit, që vijnë nga Ballkani: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova.

Në rastin e Sirisë, misioni i tyre përfshinte si rekrutimin e luftëtarëve për luftën në Siri, edhe krijimin e celulave lokale. Kjo përbënte një risi. Lidhjet e tyre me grupet ekstremiste të përfshira në konflikt, qartazi të lidhura me shtetin islamik të Irakut dhe Levantin dhe grupe të tjera radikale, me lidhje të drejtpërdrejta me Al-Kaedën, e bën problemin edhe më shqetësues. Sipas ekspertëve të sigurisë, më shumë se 1000 njerëz nga vendet e Ballkanit i janë bashkuar luftës në Siri, me besimin se janë duke luftuar një “luftë të shenjtë”.

Sipas një studimi të kryer nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit, një think-tank joqeveritar me qendër në Londër: “Megjithëse pjesa më e madhe e luftëtarëve të huaj në Siri mendohet se vjen nga Mbretëria e Bashkuar, prejardhja nga vendet e tjera është si më poshtë: Francë 11.6%, Gjermani 11.1%, Suedi 10%, Belgjikë 8.9% dhe Holandë 6.3%. Luftëtarët nga Europa Lindore dhe Ballkani Perëndimor (përfshirë Shqipërinë, Bosnjën, Bullgarinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë) përbëjnë 9.6% të rasteve, ndërsa ata që vijnë nga vendet e tjera (Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara) përbëjnë 5.3%. Rreth 19% të rasteve u konsideruan me origjinë të panjohur”. Ka gjithashtu gjasa që disa prej luftëtarëve që vijnë nga vendet perëndimore kanë lidhje shoqërore ose etnike me Ballkanin. Duket qartë se rajoni është duke gjeneruar përqindjen e vet të xhihadistëve dhe rrjedhimisht do të ballafaqohet me pasojat e këtij problemi serioz, veçanërisht meqenëse vështirësitë ekonomike dhe mungesa e edukimit janë faktorë që nxisin rekrutimin në rajonin tonë.

Shumica e luftëtarëve të rekrutuar, si në rastin e Dervishit nga Bosnja, vijnë nga zona të thella dhe nga familje me të ardhura të pakta. Kjo është e vërtetë në rastin e luftëtarëve shqiptarë. Fakti që ata morën familjet dhe fëmijët e tyre me vete në Siri na bën të mendojmë se premtimet financiare do të kenë qenë një shtysë e madhe. Turqia u kthye në vendin tranzit dhe shfaqi neglizhencë të konsiderueshme, të paktën deri në kohën e përplasjeve mes qeverisë turke dhe gylenistëve. Një pyetje që ngrihet është: si e kërcënon ky fenomen sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit? Ndryshe nga vendet dhe qeveritë perëndimore, qeveritë, komunitetet fetare dhe shoqëritë e Ballkanit janë shumë më pak të përgatitura për të menaxhuar këtë situatë ose atë që mund të krijohet me kthimin e “luftëtarëve të shenjtë” në vendet e tyre. Qeveritë, shoqëritë, media dhe komunitetet në Ballkan e kanë parë kryesisht këtë dukuri thjesht si akte spontane dhe sensacionale.

Kemi vërejtur përpjekje për të amenduar legjislacionin kombëtar në përgjigje të kësaj situate të krijuar, duke e kategorizuar pjesëmarrjen në një konflikt të huaj si një vepër penale apo deklarata e qëndrime dënuese nga drejtuesit dhe komunitetet fetare, por ende nuk ka një përpjekje të vendosur për ndërgjegjësim social, apo për të garantuar transparencën e nevojshme apo një qasje të integruar rajonale, apo edhe më të gjerë për të adresuar këtë problem. Aktualisht mbase ne thjesht jemi duke bërë një paralajmërim, por kjo situatë mund të kthehet në një skemë të përsëritur problematike me rreziqe reale. Rikthimi në përfundim të luftës së këtyre luftëtarëve përbën një kërcënim të mundshëm.

Radikalizmi i tyre fetar përbën një kërcënim të mundshëm edhe për konflikte të reja fetare dhe rritje të ekstremizmit fetar, islamik ose jo. Përdorimi politik i grupeve të tilla, veçanërisht në vende me histori të konflikteve etnike, si në Bosnjë ose edhe Maqedoni, përbën një rrezik real për këto vende dhe rajonin. Ata do të kthehen si heronj të një lufte të madhe, si besimtarë të denjë që kanë përmbushur detyrimin e tyre të shenjtë, që kanë luftuar për krijimin e një shteti të bashkuar islamik. Ata do të përpiqen të mbajnë lidhjet e tyre terroriste, të transferojnë përvojën e tyre në akte dhe praktika terroriste tek të tjerë, dhe rrjedhimisht të ushqejnë më shumë pasiguri në rajon.
Ka disa faktorë të tjerë që mund ta bëjnë situatën edhe më problematike:

a. Vështirësitë ekonomike në rajon;
b. institucione dhe qeveri të dobëta, me nivele shqetësuese të korrupsionit;
c. krim të organizuar dhe intensifikim të trafikimit;
d. konflikte dhe pakënaqësi të fjetura ndëretnike.


Çfarë zgjidhjesh mund të sugjerohen?

a. Ritheksim i perspektivës europiane për Ballkanin – pavarësisht rritjes së skepticizmit;
b. vazhdimësia e politikës së dyerve të hapura të NATO-s për vendet e Ballkanit, si një instrument për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit;
c. rritje të bashkëpunimit rajonal, me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, në shërbime sekrete dhe në sektorë të tjerë;
d. veprime të menjëhershme të qeverive përkatëse për të identifikuar dhe izoluar grupe dhe individë radikalë;
e. projekte për risocializimin e të rekrutuarve, mbështetje financiare dhe arsimore;
f. bashkëpunim të ngushtë me komunitetet fetare për të promovuar tolerancën dhe dënuar radikalizmin;
g. veprime të kujdesshme nga ana e institucioneve të sigurisë dhe atyre ligjore, për të shmangur valë të mundshme dhune brenda komuniteteve fetare apo grupeve etnike.


Mund të ketë edhe rrugë e qasja të tjera që mund të merren në konsideratë për të frenuar këtë trend në Ballkan, por një gjë është e sigurt: koha për të vepruar me vendosmëri është tani…, nesër mund të jetë shumë vonë!