Më e vogla e tri motrave Hoxha, Nerimani, ka publikuar pak ditë më parë librin me titull “Duke i kujtuar më dridhet zemra”. Pasazhe nga jeta reale e kushërirave të ish-diktatorit Hoxha, që nis me dënimin e të atit, nëpunës i Bankës së Shtetit shqiptar, e deri te 30 vitet e mundimeve në internim duke shkelur me radhë të gjitha kampet e përqendrimit nga Savra e Lushnjës në Tepelenë
Lidhja e gjakut me njeriun më të pushtetshëm të vendit gjatë regjimit komunist duket se nuk u bëri “derman” tri motrave Hoxha, madje në një nga pjesët e librit të Neriman Hoxhës, ajo flet për efektin e kundërt të këtij përkimi, më saktë si diçka që mirëfilli u kishte prishur punë… Më herët, në faqet e suplementit “Unë gruaja”, Handani, Suzana dhe Nerimani kanë rrëfyer jetën e tyre të vështirë e plot vuajtje në 30 vjet e gjashtë muaj internim dhe persekutim të zgjatur në kohë. Por fakti që më e vogla e tyre, Nerimani, e njohur si mësuese e gjuhës angleze për gjithë angazhimin e saj në pedagogji, vendosi të botojë një libër të vërtetë për jetën e tyre të mundimshme, i rikthen ato sërish në qendër të vëmendjes. Botimi me titull “Duke i kujtuar më dridhet zemra” nuk i lë shteg të lirë imagjinatës. Që në krye të herës i ngjan një katarsisi shpirtëror, ku ato të tria kërkojnë të pastrojnë shpirtin nga dhimbja, pikërisht në atë kulmin e moshës së tretë që u ka trokitur në prag. Por përveç kapitullit personal, atij jetik të atyre të triave, ka shumë ngjarje që nuk kanë kaluar në vesh të shurdhët, nga ato që kanë sendërtuar jetën e vërtetë në familjen Hoxha. Nerimani kujton episodin me nënë Gjylen, të ëmën e Enver Hoxhës, e cila jo vetëm kishte qëndruar në shtëpinë e Kokalarëve në dy ditët e mortit pas vrasjes së dy vëllezërve të Musinesë, por madje i kishte kërkuar kësaj të fundit që t’i lypte mëshirë Enverit, duke i kërkuar falje në mënyrë që ai t’ia ulte masën e dënimit, për t’i shpëtuar kështu persekutimit disavjeçar… Po cila ka qenë përgjigjja e Musinesë drejtuar drejtpërdrejt Enver Hoxhës? Mandej, ngjarja që la gjurmë në jetën e Nerimanit, pasi Liri Gjoliku e përjashtoi nga organizata e Partisë, ndërsa dënoi disa nxënëse të shkollës pedagogjike, ndërsa e motra e Foto Çamit doli “pa lagur”… Kemi përzgjedhur disa nga episodet më domethënëse në librin e Neriman Hoxhës, botuar nga shtypshkronja “Klean”.
Fëmijëria e tri motrave Hoxha
![]() |
| Tri motrat Handan, Suzana dhe Neriman Hoxha |
Si një ëndërr e këndshme më shfaqet periudha e fëmijërisë, periudha më e bukur, më e shtrenjtë për mua. Ishim tri motra, unë isha më e vogla. Babai punonte si nëpunës në Bankën e Shtetit. Familja jonë bënte një jetë të mirë në Tiranën e viteve ’30: me rrogën e tij të mirë dhe të ardhurat e krijuara nga shitja e disa tokave, pronë e familjes, babai ynë, Vehip Hoxha, kishte bërë një shtëpi në Tiranë dhe një në plazhin e Durrësit…
Jeta jonë e qetë ndryshoi kur Shqipërinë e pushtoi komunizmi. Atëherë filluan hallet, fatkeqësitë, filloi përndjekja masive e të “deklasuarve” nga Enver Hoxha dhe besnikët e tij. U gëzuam se hoqëm qafe pushtuesit dhe besonim se të gjithë shqiptarët do të kishim një jetë më të mirë në demokraci. Nuk e dinim se vargonj të tjerë do të vinin. U dukej se pjesëmarrja në LANÇ u jepte të drejtën të zaptonin shtëpitë e të tjerëve dhe këtë e legjitimonin me diktaturën e proletariatit. Frika u shtua kur babai ynë, një nga specialistët e fillimit të Bankës së Shtetit, u pushua nga puna dhe u burgos pa asnjë shkak, pa asnjë akuzë…
Ngjarja me Liri Gjolikun në Shkollën e Mesme Pedagogjike
Ishim nxënëse në shkollën e mesme pedagogjike. Kishim një orë pushim dhe po rrinim prapa palestrës, pranë hyrjes së bibliotekës. Një ditë më parë kishim parë kolektivisht (që të formoheshim ideologjikisht) filmin sovjetik “Rënia e Berlinit” dhe po komentonim filmin. Dikush nga shoqet thoshte se ushtarët sovjetikë ishin të fortë e të shëndetshëm, ndërsa ata gjermanë të dobët e verdhacukë. Ruzhdija (shoqe e klasës) që nuk mundi ta kalojë në heshtje këtë vërejtje prej injorantësh, me shumë takt e pa qëllim dashakeq shtoi:
- Janë efektet e filmit për të nxjerrë në pah superioritetin e sovjetikëve ndaj nazistëve. Prandaj edhe aktorët përzgjidhen.
- Ç’thua moj ti?! Pse të gjithë aktorë qenë? Stalini ishte ai vetë, sa i zgjuar, strateg i madh, i pamposhtur, i vuri përpara gjermanët, – ia priti një shoqe.
- Edhe ai aktor qe. Stalini real, ndoshta në atë moment mund të ishte duke u rruar apo mund të ishte i sëmurë, a ku ta di unë…
- I sëmurë Stalini! Mos e dhëntë Zoti!
… Të nesërmen, si zakonisht, u mblodhëm në oborrin e shkollës. Asgjë e veçantë s’na ra në sy deri çastin kur u futëm në rresht sipas klasave. Në krye të shkallëve kishte zënë vend drejtori i shkollës, Zijaudin Kodra, sekretarja e organizatës së
![]() |
| Tri motrat Hoxha me familjen, Tiranë 1952 |
Partisë, Eftiqi Konomi, sekretarja e organizatës së rinisë Liri Gjoliku dhe trupi pedagogjik. “Diçka e madhe duhet të ketë ngjarë derisa janë nxirë në surrat”, mendova, po s’e pikasja arsyen. Heshtjen e akullt e theu zëri i drejtorit: “Jemi mbledhur këtu për t’ju informuar se mes nesh është zbuluar një armike e rrezikshme e klasës. Ajo na ka mashtruar duke punuar në heshtje për të minuar nga brenda shkollën tonë…”. Ruzhdie Lufën e përjashtuan nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Sekretarja e rinisë së shkollës sonë, Liri Gjoliku, pasi mësoi se kisha qenë e përjashtuar nga organizata e pionierit, mori vendimin të më përjashtonte edhe nga organizata e rinisë. Iu nënshtrova përsëri dënimit për të ndenjur në bankë të veçuar dhe pa folur me njeri. Ndërkohë, dy shoqet e mia, Elsa Zallari dhe Violeta Kikino, që vazhdonin mësimet në Politeknikum, u përjashtuan nga të gjitha shkollat e Shqipërisë si të padenja për t’u shkolluar në shkollë të mesme. Lufta kundër Elsës kishte filluar me demaskimin politik të saj, sepse ajo kishte guxuar të mbronte babanë, Mihal Zallarin, të burgosur antikomunist. Kjo qe arsyeja që ajo u vu në shënjestër të organizatës së rinisë komuniste. Elsa e Violeta kishin baballarë dy arsimtarë të nderuar. Preteksti i përjashtimit u gjet: të dyja s’kishin mundur të bënin një hartim në gjuhën ruse. Hartimin s’e kishte bërë as e motra e Foto Çamit, funksionar i Partisë Komuniste, por ajo e kaloi lehtë, vetëm me një vërejtje, ndonëse ngulte këmbë që të merrej masë njëlloj dhe për atë.
Përjashtimi i tyre u bë me “ceremoni”: i rrahën dhe u shkulën flokët. Elsa u rrah mizorisht nga krimineli Hamdi Haska, i cili shoqëronte çdo të goditur me fjalët “jam komunist”…
Merreni me mend gjendjen tonë kur na komunikuan të largoheshim nga shtëpia dhe nga Tirana. Në familje pllakosi trishtimi. Mbas shumë përpjekjesh të babait, vendimi u anulua. Çuditërisht në vitin 1948 u vu re anulimi i shpërnguljeve familjare, të cilat u konsideruan si një gabim i rëndë i Koçi Xoxes, deri në atë moment krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Ky i fundit e fajësoi Koçi Xoxen si përgjegjës për të gjitha padrejtësitë që u bënë mbi popullsinë në atë kohë, si tradhtar të vijës së Partisë e puçist, që donte të uzurponte pushtetin. Shokët e vet i lanë hesapet me të duke e pushkatuar. Familja e tij u dëbua nga shtëpia siç qe vepruar me “armiqtë e popullit”.
Nëna e Hoxhës i kërkoi Musine Kokalarit që t’i lypte mëshirë Enverit
![]() |
| Gjyle Hoxha, nëna e Enver Hoxhës |
Makina mori një kthesë dhe ne u gjendëm në oborrin e Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës. Pasi u dha urdhri për të na sistemuar në Savër, u nisëm përsëri për udhë. Savra ndodhej rreth 4 km larg Lushnjës….
Muntazi dhe Vesimi ishin vëllezërit e Musine Kokalarit. Nëna e Enverit, teto Gjylua, ishte kushërira e afërt e Hanëmit (nëna e Musinesë). Kur u vra Muntazi me Vesimin, Gjylua ndenji një javë te shtëpia e të vrarëve, ku priteshin ngushëllimet. Musineja, nxënëse e shkëlqyer, kreu universitetin në Itali. Kur do ta dënonin, tha: “E shumta pesë vjet mund të më burgosin, por jo më shumë”. Në fillim e dënuan me 30 vjet, ia ulën 20 vjet dhe më vonë me punën që bënte iu ul në 16 vjet! Tërë jetën u martirizua dhe përse?! Një ditë Gjylua e thirri Hanëmin dhe i tha që Musineja të bënte një lutje dhe të kërkonte falje. E ëma e Musinesë, e gëzuar, ia thotë këto fjalë së bijës. Musineja i thotë nënës së saj: “Nënë, për ty bëj çdo gjë, po përse t’i kërkoj falje Enverit?! Unë nuk kam bërë asgjë, për bindjet e mia t’i kërkoj falje?! Jo, kurrë”.
Hakmarrja ndaj Omarëve
Se në duart e kujt kishte rënë populli shqiptar, tregon episodi i mëposhtëm: Aty nga viti 1942, Abaz Omari, njeri i mrekullueshëm, u takua me Enver Hoxhën në shtëpinë e Bahri Omarit. Nëna e Abazit ishte vajza e xhaxhait të Enverit, baba Çenit, të cilin Enveri e lavdëron shumë në librin e tij “Vite të vegjëlisë”. Midis tyre filloi një bisedë e ndezur që kaloi në një grindje të ashpër, që mund të kalonte deri në rrahje po të mos ndërhynte Fahrija, motra e Enverit dhe gruaja e Bahriut. Nuk i harroi Enveri fjalët e hidhura të Abazit: “Ti je i lidhur me serbët”…. Nga ana tjetër Enveri e komunistët nuk i harruan të dy vëllezërit Omari, kushërinj të tij.
![]() |
| Musine Kokalari |
Të “lirëve” u punonte fantazia, pëshpëritnin se vëllain tonë mund ta kishin çuar jashtë shtetit me detyrë meqë ishim nga një fis me Enver Hoxhën. Në të vërtetë, të qenit nga i njëjti fis me dhe të dhe mbiemri ynë Hoxha mund të na ketë prishur punë, sepse arratisja e dikujt nga fisi i tij provokonte edhe inatin e tij mbasi i vinte “njollë në biografi” edhe vetë Enverit. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin që ndërsa familjeve të tjera iu mundësua largimi nga internimi pas një periudhe dënimi, neve na mbajtën, tri vajza e një plakë, më shumë se 30 vjet internim. Në librin e tij “Vitet e vegjëlisë”, Enver Hoxha thotë se baba Çeni i drejtohet Vehipit (babait tonë) me fjalët: “Përse rri kot mor Vehip? Hap një shkollë dhe jepu fëmijëve mësim në gjuhën shqipe”. Kur babai e lexoi librin, tha: “Ç’janë këto gënjeshtra! Nuk më tha baba Hysen Hoxha të hapja shkollën e parë shqipe, por babai im, Asaf Hoxha”.
Kthimi në Tiranë
Ishte viti 1990, një fshatar kulloste lopën anës rrugës automobilistike. Pranë tij ndalon një xhip, prej tij zbret një zyrtar hijerëndë që i bërtet fshatarit pse një lopë tjetër po hante grurin pak më tej në fushë. Fshatari iu përgjigj gjithë mllef: “Lopa nuk është e imja, ti që ha bukë gruri nxirre, unë ha bukë misri”.
Më 23 prill 1991, më në fund, e lamë Savrën, me vuajtjet që hoqëm aty, dhe pas shumë përpjekjesh u kthyem në Tiranë, nga ku na kishin internuar. Them me shumë përpjekje, sepse nuk na bënin pasaportizimin si qytetare të Tiranës dhe nuk hynim dot në shtëpinë tonë, që e gëzonin të tjerë e ne nuk mund t’i nxirrnim. Kërkesa që i bënim Komitetit Ekzekutiv të Tiranës për t’u kthyer në vendlindjen tonë, në shtëpinë tonë, merrte përgjigje negative, të thatë, të ftohtë: “Pse doni të vini në Tiranë? Ju nuk e keni pasaportizimin këtu?!”. Edhe përpjekjet për të gjetur ndonjë dhomë me qira nuk kishin sukses. Ende njerëzve nuk u kishte dalë frika: në disa shtëpi private tiranase, që e dinim se jepnin dhomë me qira, sa merrnin vesh që vinim nga internimi nuk pranonin, edhe pse u shkonim me rekomandim…. Për fat të mirë, çdo muaj që kalonte e fuqizonte erën e ngrohtë të lirisë. Dhe ne u rregulluam më mirë te Meli, e bija e Asim Abdurrahmanit, e cila na strehoi te shtëpia e hallës së saj, pa asnjë shpërblim. Kthimi në shtëpinë tonë ishte një kalvar më vete. Megjithatë, pas disa vjetësh ne mundëm të merrnim një kat, ndryshe nga pronarë të tjerë që nuk e patën këtë fat as 23 vjet pas kthimit nga internimet e burgjet.
ERMIRA ISUFAJ/panorama










