Na e ktheni Artan Santon!

Ramiz Lushaj


Tragjikja e 26 qershorit 2014 ishte e tepërt për ta njohur Artan Santon, pasi emri i tij prej kohësh i bënte nder këtij vendi ballkanik të (ç)lodhur, Shqipërisë Londineze, që shpesh i djeg epokat e kokat e mbi 100 vjetëve pavarësi, në pritje për rilindje rrënjësore, të rrejshme dhe të pafundme të lirisë për të (mbi)jetuar, (pa)punuar, për të (ng)ecur lartësive rozafiane, tipike (anti)shqiptare, që gatuajmë të ardhmen me brumë oksidental dhe ujë oriental. Jeta është e para; fjala është e dyta, ecja...është e treta. Artan Santos ia morën të tria. Ia lanë përgjysmë të tria. Pikërisht atëherë kur të tria ma shumë se tij, i duheshin Shqipërisë dhe shqiptarisë. Mafia e sharroi me plumbat e zi në zemër dh në kokë, pikërisht aty, në vendin ku është si të thuash, zemra dhe koka e Shqipërisë: bash në trekëndëshin Presidencë-Kuvend-Kryeministri. Dhe ne, të gjithë, me fjalë dhimbjeje në biseda, në homazhe, e me sy loti pranë ekranit, e përcollëm me lule të bardha për në Sharrë. Ne, të gjithë, secili në vendin, kohën dhe në mënyrën e vet, e kryem ritualin shqiptar njerëzor të përcjelljes, por Artan Santo nuk ishte në atë përcjellje, nuk është as në Sharrë. Artan Santon, me shumë dritë e rrezatime, për kohën e shqiptarët, na e mori hiena mafie, që në mëngjesin e 26 qershorit 2014. Komentet janë të tepërta. Shteti im, shteti yt, shteti ynë, na e kthe Artan Santon nga duart e mafies, se ta morën te dera e shtëpisë tënde, para syve të ecjes sonë drejt Europës. Na e morën qytetarin model dhe modelin e kohës shqiptare. Na e morën pronarin e të parës bankë shqiptare me kapital krejtësisht shqiptar. Na e morën “lidershipin” e fjalës së lirë. Na e morën artistin e filmit “Guximtarët” dhe “artnorin” e tregimtarisë shqiptare me dy librat e tij, “Individi normal...” dhe “Darka e ambasadorit; An Mo, Shtëpia e re”. Shteti im, shteti yt, shteti ynë, na e kthe Artan Santon nga duart e mafies, se e ke detyrë me të drejtën e zotit, nga kodet e Kanunit, nga nenet e ligjit dhe të shtetit ligjor. Aq ma tepër që Artan Santon na e morën të pajetë në qendër të Tiranës, metropolit shqiptar, në “Bllokun pa blloqe”, ku i kanë dhe i kanë patur vilat dh zyrat udhëheqësit e lartë të djeshëm dhe të sotëm. Aq ma tepër, që Artan Santo na ka lënë amanet që të mos e përcillnin të vdekur nga shtëpia e tij, ndaj e përcollën të gjithë së bashku: shqiptarët e shtetarët, njerëzit e shtrenjtë të gjakut e të pragut, shoqëria e tij e madhe dhe e mirë. Nuk e di pse na flet për “Rilindje” o shteti i sotëm, po na e kthe Artan Santon se do ta ringjallim. Si rrallëkënd. Si Krishtin. Ajo pushkë me mulli e mafies që e mori të mirin “shembulltar”, Artan Santon, na mori ne të gjithëve. Pa veçim. E vrau edhe shtetin pa mëdyshje. Gjej rast të risjell në vëmendje të kohës (anti)demokratike, vargjet e vajtores tropojane, Xhufe Sylja, që i këndoi Heroit të Popullit, Bajram Currit pas vrasjes në Shpellën e Dragobisë, në “Ajo pushkë, o Beg, si t’muer Ty / Ka marr’ Rekë, ka marr’ Malësi / Muer Kosovën shpi për shpi /...”. Patjetër, por plasim në ankthin e pyetjes: kush e ka radhën nesër? Është revolja me mulli e mafies, e cila ende bluan në mullirin e saj. I ka aty edhe gëzhojat e vrasjes tragjike, publike, enigmatike të Artan Santos. Unë po e them se Artan Santo është i (pa)njohuri im. E kam parë veç në ekrane apo ndokund nga larg. Por çdo të thotë kjo?
Artan Santon e njoh ndryshe, si shumica e shqiptarëve: prisja t’ia lexoja librin e tretë me tregime. Ai është njeriu i madh i lapsit të vogël që kur drejtonte Bankën e Kursimeve, e nxjerri me hop nga minusi dhe e çoi me hop te plusi me 6 miliardë lekë fitime. Ai, patjetër është i pasur. Ndoshta i ka disa milionë dollarë. Po unë, edhe në këtë rast, udhëhiqem nga një mësim amerikan: “Mësohu ta vlerësosh një njeri që ka bërë mbi një milionë dollarë, se përndryshe, po të ishte i zotim, do t’i bëje edhe ti”. Po e thashë për të disatën herë se Artan Santo meriton (edhe pas vdekjes) respekt të shumëfishtë, si një nga modelet e kohës, se ai nuk është vetëm babai i mirë në përjetësi për dy fëmijët e tij të mirë, por, nëse më lejohet të them kështu: ai është edhe një nga “baballarët” e kapitalizmit shqiptar postkomunist, të financave shqiptare, të mediave shqiptare, të universiteteve shqiptare, të botimeve shqiptare. Gjithçka ishte shqiptare në jetën e tij. Vetëm sjellja jonë ndaj tij ishte antishqiptare, pasi ai nuk e meritonte 26 qershorin 2014. Shteti duhej të mësohej ta respektonte Artan Santon sa ishte gjallë, në gjalljen e tij. Ai nuk kishte eskortë. Ai, sikurse ne të gjithë, ia kishte besuar sigurinë e jetës shtetit. Dhe ne jemi në një shtet demokratik, anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE, anëtar i OSBE-së, Këshillit të Europës. Dhe nëse shteti shqiptar nuk e respektoi Artan Santon në sigurinë e jetës...sa ishte gjallë, duhet të mësohet ta respektojë tani, të vdekur, teksa ka ndërruar jetë dhe nuk është midis nesh. Ndaj po e themi fjalën e fundit: shteti im, shteti yt, shteti ynë, na e kthe Artan Santon nga duart e mafies së 26 qershorit 2014. Na e kthe për dinjitetin e shtetit dhe të demokracisë, për sigurinë politike, ekonomike, ushtarake të Shqipërisë Londineze, për lirinë nga frika e djepeve dhe varreve. Gjejini vrasësit se përndryshe nuk mund të na e ktheni Artan Santon. Në të kundërt, na duhet të themi edhe fjalën e fundit: edhe shtetin shqiptar euro-atlantik na e ka rrëmbyer mafia e pangjyrë dhe e pafytyrë, e pafe, e pashpirt, e paatdhe.