Murtaja në Shqipërinë mesjetare - NGA PROF. PËLLUMB XHUFI


Nga prof. Pëllumb Xhufi


"Vdekja e zezë" 

Në historinë mesjetare të Evropës, epidemitë e murtajës bashkë me zinë e bukës, që godisnin periodikisht kontinentin e vjetër, kanë fituar atë interes, që dikur u jepej vetëm luftrave. Në fakt, njëlloj si këto, madje më shumë se to, epidemitë e murtajës kosisnin pjesë të tëra të popullsisë, rrënonin ekonominë, trondisnin rendin shoqëror dhe përmbysnin klishe morale e kulturore. Tashmë në letërsinë historike është bërë një referencë e pashmangshme përshkrimi i zymtë që Giovanni Boccaccio i bën te Dekameroni, murtajës së vitit 1348 në qytetin e tij të lindjes, Firence. Në tre faqet hyrëse të veprës, që kontrastojnë fort me përmbajtjen gazmore e burleske të saj, Boccaccio na bën pjestarë të skenave rrënqethëse që u përjetuan nga ai vetë në kulmin e harbimit të murtajës, në një qytet të përfshirë nga paniku e kaosi, ku shumë banorë vraponin të iknin për të gjetur, në mal apo në bregdet, një vend të paarritshëm nga flama; ku të sëmurë e të moshuar prisnin vdekjen në errësirën e shtëpive të braktisura; ku ndonjë mëkatar i paepur, në vend që t'u bashkohej lutjeve e procesioneve, zgjidhte t'ua kushtonte edhe këto çaste të fundit një jete të lëshuar dhe ekstravagante, për të ikur i ngopur dhe pa meraqe nga kjo botë. Barrierat morale kishin rënë përfundimisht, tashmë qëllonte të shihje burra dhe gra që zhvisheshin dhe kërkonin në trupin e njeri-tjetrit ndonjë fryrje apo njollë të errët, që ishin shënjat e dukshme të murtajës. Në qytetin e zymtë e të pajetë nuk ndihej më kurrëfarë autoriteti, as shtetëror e as kishtar, të vdekurit që mbushnin rrugët dhe shtëpitë e braktisura nuk i tërhiqte askush. Ajri kutërbonte nga kufomat e njerëzve dhe të kafshëve, dhe kalimtarët e rrallë mundoheshin ta shmangnin erën e keqe duke ngjeshur në hundë barishte aromatike. Dy qenë që tërhiqnin për zhelesh kufomën fatkeqe të një endacaku, papritur filluan të rrotulloheshin si të tërbuar rreth vetes, deri sa u lëshuan të ngordhur përdhe.
E ashuquajtura "vdekja e zezë", e përshkruar në këtë mënyrë nga Boccaccio, llogaritet të ketë përgjysmuar popullsinë e kontinentit. 
“Murtaja në Europë”, gravurë
Çuditërisht, ajo nuk ka lënë shenjë në dokumentacionin historik mbi Shqipërinë e shek. XIV, që përndryshe është mjaft i pasur. Gjetja rastësore e një varri masiv të kohës së Stefan Dushanit, në Shënjon të Hekalit, që i përket viteve të sundimit të Stefan Dushanit 1343-1355, dhe që shfaq qartaz gjurmë të gëlqeres, mbetet hë-për-hë e vetmja dëshmi e kësaj ngjarjeje. Përndryshe, nuk mungojnë të dhëna për epidemitë e murtajës në Shqipërinë e shek. XIV-XV. Por ato nuk kanë tërhequr posaçërisht vëmendjen e historianëve dhe murtaja është përfshirë në rrëfimin historik vetëm kur ka bërë ndonjë viktimë të shquar, siç është rasti i Despotit të Artës Pjetër Losha, në 1374, apo i Pjetër Bogdanit dhe i gjeneralit austro-hungarez, Giovanni Norberto Piccolomini, në 1689.
E pra, epidemitë e murtajës kanë qenë një dukuri që e ka shënuar fort historinë e shoqërisë mesjetare shqiptare. Siç thuhet në një raport të vitit 1625 nga Shqipëria e Jugut, mjaftonte edhe dyshimi më i vogël për rënien diku të murtajës, që aty të ndryshonte krejt rrjedha e jetës (l'accidente che più distorna il corso de publici affari è questo benedetto sospetto di peste). Dhe jo më kot, Gjon Buzuku, tek Meshari i tij, i kushton një lutje të posaçme shpëtimit të popullit të tij nga murtaja: Gjithë popullinë e kërshtenë ëndë Arbanitata en mortajet largo, ty të lusmë Zot! Gjetja, së fundi, e një fondi të pashfrytëzuar të Arkivit të Venecias, të serisë "Dispacci di Rettori e di altre cariche", që përmban njoftime të panumërta edhe për fenomenin e murtajës në viset më jugore shqiptare në shek. XVI-XVII, bën të mundur trajtimin, për herë të parë, të këtij faktori me impakt të madh në jetën dhe në shoqërinë mesjetare shqiptare.
Dokumentacioni që ne kemi gjetur i përket brezit bregdetar prej Vlore deri në Frar (Fanar), me një rreze në thellësi, që shtrihet deri në vijën Janinë-Kostur-Manastir e Shkup.
Ndër konkluzionet, që mund të nxjerrim nga një shqyrtim i parë i materialit, është, së pari, se epidemitë e murtajës binin në këtë trevë me një frekuencë mjaft të lartë. Kështu, për shek. XVII, vetëm në zonën e Delvinë-Paramithisë dëshmohen të tilla në vitin 1604, 1606, 1611, 1621, 1624, 1627, 1642, 1649, 1659, 1662 dhe 1673. Por, akoma më të shpeshta ishin alarmet për rënien e murtajës, të cilat, edhe kur rezultonin të rreme, destabilizonin njëlloj jetën dhe shoqërinë.
Sigurisht, në shek. XVII gjendja e murtajës nuk ishte ajo e shek. XIII-XIV, kur pasojat ishin katastrofike. Ishte rritur shkalla e njohurive mbi këtë sëmundje dhe aftësia për të reaguar ndaj saj. E megjithatë kjo e keqe vazhdonte të korrte një numër të madh njerëzish. Në tetor 1595 raportohej se në kështjellën e Shkodrës kishin mbetur vetëm 20 burra e gra gjithsej, pasi të tjerët ishin larguar prej andej për shkak të murtajës. Në gusht 1670, Arqipeshkvi i Shkupit, Andrea Bogdani, shkruante se nga 25 mijë shtëpitë që kishte Shkupi, vetëm 12 qenë katolike, meqënëse famullia e atyshme ishte goditur keqas në 1668 nga murtaja.
Në 1621, në Shqipërinë e Poshtme, vala epidemike la pas "një numër të pafund të vdekurish, si dhe rrënimin e fshatrave të tëra" (mortalità di numero infinito di gente, et distruttione de villaggi intieri). Në këtë vështrim do meritonte të rishihej edhe fenomeni i zhdukjes, përndryshe të pashpjegueshme, të mjaft vendbanimeve në këto treva, që rezulton nga krahasimi i regjistrave osmanë të shek. XVI-XVII.

Përhapja e epidemisë 

Konkluzioni i dytë ka të bëjë me shkaqet, rrugët e mënyrat e përhapjes së sëmundjes. Infeksioni vinte thuajse gjithnjë nga jashtë, të paktën kështu pretendonin vendasit, dhe shpesh herë nga kryeqyteti i Perandorisë, Stambolli. Prej këndej epidemia mbërrinte në qendrat e bregdetit epiro-shqiptar drejpërsëdrejti ose nëpërmjet qyteteve të ndërmjetme, siç ishin Shkupi, Ohri, Kosturi, Selaniku e Janina. Kështu, më 1604 murtajën e sollën në Gjirokastër disa banorë të saj që punonin në Shkup dhe që ishin kthyer pranë familjeve me rastin e festës së Pashkëve. Këta shfaqën menjëherë shenja të sëmundjes dhe vdiqën pak pasi mbërritën në qytet. Por e keqja nuk përfundoi aty: të afërmit e tyre, duke mos ditur arsyen e vdekjes, i ndoqën ritet e zakonshme të varrimit, duke e marrë edhe ata vetë infeksionin e duke ia përcjellë atë gjithë qytetit. Për më tepër, një grabitës fatkeq nga Zhulati, që kishte vjedhur pelën e njerit prej viktimave, u infektua prej shalës së kafshës dhe u ndje keq me të mbërritur në fshat. Paskëtaj, edhe në Zhulat u përsërit historia e Gjirokastrës: vjedhësi i pelës vdiq dhe u përcoll nga familja dhe bashkëfshatarët e paditur që u infektuan në një pjesë të mirë të tyre. Rreth 30 burra e gra të tjerë u shuan nga sëmundja. Një vit më vonë, në 1605, një valë e re epidemike pllakosi Igumenicën, Varfanjin e Delvinën dhe përhapësi i saj u bë një tregtar shqiptar që kthehej nga Konstantinopoja. Në vitin 1606, trupat e markezit Santa Croce, sulmuan e shkretuan qytetin e Durrësit. Por spanjollët nuk mund ta dinin se pushtuan një qytet të molepsur nga infeksioni i murtajës. Në fakt, robërit e shumtë dhe plaçka e madhe që ushtarë spanjollë bënë në Durrës, u bënë shkak që të infektoheshin ata vetë dhe të infektonin edhe qytetin e Otrantos, ku u ndalën për t'i shitur ato. Më 1622 murtajën e transmetuan në Prevezë një grup skllevërish zezakë (mori) që u sollën nga Barbaria. Një tregtar hebre e solli, në 1611, murtajën nga Larisa në Sajadhë. Në vitin 1626, një epidemi e rëndë goditi qytetin e Paramithisë. Vatra e saj u identifikua në lagjen e ciganëve (zingari), që ndodhej në periferi, nga ku u shtri në tërë qytetin. Në Paramithi qëlloi të ndodhej atë kohë edhe vojvoda i Margëlliçit, Mustafa Beu, i cili e mori infeksionin dhe ia përcolli atë familjarëve dhe bashkëqytetarëve të vet. Kjo epidemi u përhap deri poshtë në Delvinë, dhe e mbajti nën darën e saj, për gati dy vjet, gjithë atë krahinë. Bartës krejt të ndryshëm qenë ata që në vitin 1450 sollën infeksionin e murtajës në qytetin e Drishtit. Këta ishin disa qytetarë që ishin kthyer nga Roma, ku kishin shkuar për të marrë pjesë në "jubileun" e shpallur atë vit nga papa.
Në 7 qershor 1642, disa kallogjerë të manastirit të Shën Mërisë të Kominos, afër Butrintit, raportonin për ecurinë e epidemisë në krahinën e tyre. Murtaja kishte rënë fillimisht në një vend me emrin Vllahat, ku kishin vdekur plot 150 persona. Një berber i infektuar me atë rast, e përhapi murtajën në fshatin Llaka, ku vdiqën nga sëmundja 17 vetë. Nga ana e saj, Llaka u bë vatër për përhapjen më tej të epidemisë, sepse një bari nga Kakodhiqi (Cacodichi) e mori aty infeksionin dhe e çoi në fshatin e vet, ku gjetën vdekjen 7 persona. Murtaja kishte prekur dy familje në zotërimet e reja të Mehmet Beut, si dhe një tjetër në fushën e Bossopullës (Bossopula).
Në 2 mars 1659, Proveditori venecian i Korfuzit Sagredo informohej për avancimin e sëmundjes në sterenë shqiptare. Ditë më parë kishin mbërritur nga Konstantinopoja në Margëlliç 4 kapexhinj, me detyrë që të mblidhnin jeniçerët dhe spahinjtë e steresë. Të dërguarit e Vezirit të Madh bujtën në shtëpinë e Guffet Hasan Beut. Por gjatë natës, dy prej kapexhinjve vdiqën duke shfaqur shënja të qarta të epidemisë së murtajës. Ditën tjetër vdiqën edhe një vëlla dhe një shërbëtor i të zotit të shtëpisë. Kapexhinjtë e mbetur u nisën për në Paramithi, ku infektuan familjen e Memi Kallogjerit, tek i cili shkuan për të kaluar natën. Shtatë anëtarë të familjes së tij u prekën nga sëmundja. Prej andej epidemia u shtri edhe në fshatrat e Arpicës e të Arilës (villaggi di Arpiza et Arila). Banorët e zonave përreth, bashkë me familje e me plaçkë, iu ngjitën maleve për t'i shpëtuar kësaj flame (et tutti gl'habitanti circonvicini si sono retirati con le loro famiglie, et bagaglio sopra le montagne per essimersi da questo grande flagello).
Në gusht 1621 u konstatua përhapja e epidemisë në Sajadhë. Alarmin e dha vdekja e një burri që banonte në një barrakë afër bregut të detit, i cili e mori sëmundjen nga një kopshtar aty afër, tek i cili kishte shkuar të blente verë. Ditën tjetër, ai ishte ndjerë keq dhe të nesërmen iu shfaq në trup sëmundja në formën e një njolle të madhe mavi në shpatull. Të tretën ditë, i sëmuri dha shpirt. Tek kopshtari e kishte marrë infeksionin edhe një bari, i cili kishte shkuar tek ai për të blerë gjithashtu verë. Edhe ai vdiq në krye të tre ditëve. Nuk i shpëtoi vdekjes as kopshtari, që ishte bërë burimi i infeksionit, dhe që nuk kishte dashur t'i tregonte kujt se ishte i infektuar (ch'essendo infetto de detto male, ne havendo mai voluto palesarlo). Në këtë mënyrë, në Sajadhë e morën infeksionin 30 vetë, prej të cilëve 26 vdiqën, kurse 4 arritën të shpëtonin. Kjo flet për një incidencë mjaft të lartë të sëmundjes. Raportet përkatëse tregojnë se si përhapej infeksioni tek të afërmit që përcillnin në banesën e fundit njerëzit e tyre: këta, pasi kryenin ritet e varrimit, mjaftoheshin të shkonin të laheshin në det e të dizinfektonin rrobat e tyre. Kështu, të gjallët varrosnin të vdekurit, duke marrë infeksionin dhe duke vdekur edhe ata vetë (i vivi seppelliscono li morti, et restano con questa via miseramente feriti et morti ancor loro). Përfundimisht, shumica e banorëve e braktisi Sajadhën. Qyteti mbeti në dorë të rojeve, që ruanin shtëpitë e infektuara si dhe të katër personave vullnetmirë, dy burra e dy gra, që kishin pranuar të qëndronin "për t'u kujdesur për shpirtin dhe për përcjelljen e të vdekurve" (essendovi doi huomini et doi donne, ch'hanno la cura di governar li animi et seppellir li morti). Kjo skenë e zymtë bokaçeske mbyllet këtu, për t'i lënë vendin shënjave të para të rikthimit të jetës. Pas fashitjes së sëmundjes, të ikurit u kthyen në qytet, dogjën plaçkat e orenditë dhe dizinfektuan dhe parfumuan shtëpitë. Në Sajadhë po kthehej normaliteti, tregu u gjallërua, mullinjtë u rivunë në lëvizje dhe njerzit iu përveshën punëve të stinës.
Nga shqyrtimi i rasteve të mësipërme, rezulton se bartës të infeksionit të murtajës nga vendet e huaja drejt qyteteve dhe fshatrave shqiptare, bëheshin zakonisht ushtarët, tregtarët, skllevërit e huaj, nomadët, pelegrinët. Por në raste të tjera, po këta bëheshin shkak për përhapjen e sëmundjes nga qytetet shqiptare drejt brigjeve të Italisë, si në rastin e porsa cituar të Durrësit, apo në drejtim të Korfuzit ku mbërritjet e njerzve dhe të mallrave nga portet e Sajadhës (Bastias), Himarës, Vlorës e Sarandës ishin një fakt i përditshëm. Në përgjithësi mendohej se vendet e banuara nga "Turqit", d.m.th. nga myslimanët, ishin të destinuara të prekeshin më lehtë nga epidemitë e murtajës, duke qenë se "ishte prirje natyrore e tyre që të ruheshin pak prej saj" (era ordinaria inclination naturale de Turchi, ch'è di poco guardarsi da detto male).
Besohej se murtaja buronte nga ajri i qelbur, minjtë, moçalet dhe ujrat e infektuara: kjo qe arsyeja që reagimi i parë pas lajmit të pllakosjes së murtajës, ishte braktisja e qyteteve dhe rendja drejt maleve dhe bregut të detit. Por ndeshen edhe raste kur murtaja i atribuohej zhvendosjes së trupave qiellorë (hyrjes së Saturnit, Jupiterit dhe Marsit në konstelacionin e Ujorit), apo zhvillimit të ciklit hënor. Kjo është arsyeja, që në shtator të vitit 1621, pas kapërcimit të rrezikut të murtajës, ndërsa të gjitha familjet e larguara nga Bastija u kthyen në shtëpitë e tyre, 5-6 prej tyre insistonin të qëndronin larg qytetit edhe për pak kohë, deri sa "hëna të bëhej e plotë" (che la luna fosse in colmo). Fakt ky, që sipas tyre, shënonte edhe fundin e valës epidemike. Kur u përhapën zërat e parë për një epidemi të mundshme në lagjen e ciganëve, në Paramithi, Beu i Patramithisë dha urdhër që askush mos t'i afrohej kësaj lagjeje "deri sa me kthimin e hënës të merrej vesh e vërteta" (et vuol che stiano serrati quelli di quella contrada fino che con la volta della luna si chiarisca della verità). "Kthim i hënës" këtu nënkupton kalimin nga gjysmë-hëna me shikim majtas, në gjysmë-hënën me shikim djathtas, që shënënte edhe përmbylljen e ciklit hënor. 
“Murtaja”, Bruegel

Braktisje e izolim 

Murtaja sillte një thyerje drastike në ekzistencën dhe normalitetin e përditshëm. Më së pari, shkaktonte prerjen e kontakteve, të shkëmbimeve dhe izolimin më të thellë. Individi, fshati apo qyteti i dyshuar si i infektuar nga sëmundja, shpallej sakaq një rrezik publik dhe rreth tij ngriheshin muret e izolimit. Kur në 1605 një banor i fshatit Varfanj (Orfaneus), në lindje të Igumenicës, i ardhur nga Stambolli, vdiq nga murtaja, autoritetet osmane e dogjën shtëpinë e tij bashkë me plaçkat e orenditë, ndërkohë që banorët e Varfanit u deportuan në mal, të shoqëruar nga rojet në mënyrë që të mos lejoheshin të ktheheshin në fshat. Dy djemtë e të vdekurit u morën dhe u izoluan në një shpellë, dhe për fatin e tyre të mëtejshëm nuk u mësua më gjë. Një fat tragjik pati edhe një grua shtatzënë nga lagjia e ciganëve në Paramithi, që në janar 1626 ishte goditur nga murtaja. Lagja mbahej rreptësisht e izoluar dhe gruaja fatkeqe vdiq, pasi nuk u gjet asnjë mami që të pranonte të hyjë në zonën e infektuar për ta asistuar atë gjatë lindjes.
Në Korfuz, tregtarët që vinin nga zonat e infektuara të kontinentit epiro-shqiptar, izoloheshin bashkë me mallrat e tyre, në një shkëmb buzë detit, i cili quhej "shkëmbi i lazaretit". Ishte një vend që nuk frekuentohej nga korfiotët, por që rrihej shpesh nga piratët. Një natë gushti të vitit 1555, një anije pirate nga Mesina sulmoi lazaretin, duke u rrëmbyer disa tregtarëve nga Janina, dhe disa hebrejve, mallra për vlerën e 2 mijë dukateve.
Më 1621, në shtëpitë e infektuara të Sajadhës ishin vendosur roje, sikur të ishin vende krimi. Këta ndalnin çdo kontakt të jashtëm me të sëmurët. Në kushte të tilla, banorët, në mos nga murtaja, rrezikonin të vdisnin nga uria. Nga uria rrezikonin të vdisnin, më 1450, edhe banorët e Drishtit, të sfilitur prej 7 muajsh nga një epidemi e rëndë murtaje. Por kur disa tregtarë drishtianë kërkuan të blenin grurë në Shkodër, ata u pritën me breshëri gurësh e shigjetash nga shkodranët, që prej bedenave u bërtisnin të largoheshin.
Në 1605, autoritetet veneciane të Korfuzit u informuan se në Delvinë kishte vdekur një shqiptar musliman që ishte kthyer nga lufta e Hungarisë dhe po ashtu, një tjetër person i ardhur nga Janina kishte vdekur në limanin e Bastias, prej nga niseshin drejt Korfuzit mallra të ndryshme. Pas shumë hezitimesh, Bajliu urdhëroi ndërprerjen e kontakteve me sterenë shqiptare. Por një masë e tillë rrezikoi ta dënojë me uri popullsinë e Korfuzit, i cili furnizohej me grurë pikërisht nga tregjet shqiptare të steresë. Ndaj, vetëm pas pak muajsh, autoritetet e Korfuzit u detyruan t'i zbusin masat shtrënguese dhe të lejojnë një rifillim të kontrolluar të trafiqeve me bregdetin shqiptar.
Në fakt, rregjimi i embargos dhe i karantinës që vendosej në një zonë të infektuar, sillte anomali të mëdha në përditshmërinë e njerëzve, ndaj këta refuzonin deri në fund ta pranonin ekzistencën e sëmundjes, dhe shpesh përpiqeshin ta fshihnin atë. Në korrik 1621, një tregtar që kthehej në Janinë nga Orikumi me shenja të dukshme infeksioni, siç ishin njollat e zeza në trup, u mundua ta fshehë sëmundjen, duke deklaruar se gjoja në rrugë e sipër ishte zënë dhe ishte keqtrajtuar nga grabitësit. Në këtë mënyrë ai vetë mundi të jetojë edhe ca ditë normalisht mes njerëzve, por me një kosto të rëndë për të tjerët, pasi u bë bartës dhe shkaktar i vdekjes së shumë bashkëqytetarëve të vet. Në një rast tjetër të dyshuar murtaje të një qytetari nga Parga, të cilit thuhej se i ishte zbuluar një tumor, ndërhyri vetë Guvernatori venecian i qytetit. Ky u përbetua se tumori (fryrja) në fjalë ishte pasojë e faktit që parganjotit i kishte hyrë, kohë më parë, një ashkël në këmbë. Por, shtonte ai, i sëmuri nuk kishte patur absolutisht temperaturë apo shenja të tjera murtaje. Në fakt, pak ditë më vonë, subjekti i dyshuar vdiq pikërisht nga murtaja.
Në një rast tjetër, ishin përhapur zëra se Emini i skelës së Bastias kishte vdekur nga murtaja. Bajliu i Korfuzit u interesua vetë për atë rast, dhe sipas raportit të tij, Emini nuk ishte sëmurur nga infeksionin e murtajës, por thjesht kishte kaluar një grip (il suo male precedente fù di febre, non già contaggioso). Për rrjedhojë, Bajliu vendosi të heqë regjimin e embargos dhe të lejojë rifillimin e shkëmbimeve mes Korfuzit dhe skelës shqiptare. Por vetë ky fakt i fundit, hedh dyshimin se si në njerin edhe në tjetrin rast, bëhej fjalë për një mbulim të gjendjes epidemike nga vetë autoritetet veneciane, të cilat nuk donin kurrësesi ndërprerjen e importeve të drithit nga stereja shqiptare, që siguronin ushqimin për popullsinë e ishullit dhe për garnizonin venecian të tij.

Murtaja si instrument 

Në fund mbetet të shqyrtojmë rastet e shfrytëzimit të murtajës për qëllime diversioni, ekonomik dhe ushtarak. Thamë se në shumë raste, njerëzit dhe autoritetet lokale ishin të prirura të mos u besonin lajmeve për rënien e murtajës, gjë që po të ishte e vërtetë, do të thonte mbyllje e tregjeve, rregjim karantine dhe ballafaqim me skamjen dhe urinë. Por, nuk mungojnë raste, kur dyshohej që zërat për rënien e murtajës përhapeshin, siç thuhet në një dokument, nga persona me qëllime të fshehta (per qualche fine non penetrato). Kështu, zërat për përhapjen e infeksionit të murtajës në sterenë epiro-shqiptare, në korrik 1611, që u përcollën nga disa tregtarë hebrej, u pritën me mosbesim të madh: Bajliu venecian i Korfuzit dyshonte, me atë rast, se përhapja e zërave të tillë nga hebrejtë në fjalë bëhej qëllimisht prej tyre, dhe kishte lidhje me panairin e madh të Helasonës, që pritej të hapej ato ditë (che questi hebrei per qualche loro particolar interesse facendosi fra pochi giorni la fiera della Sona, possino artificiosamente haver sparso questa voce". Në janar 1624 u fol shumë se në Janinë kishte pllakosur epidemia e murtajës. Por, pas hetimeve të kryera nga autoritetet veneciane të Pargës, rezultoi se zërat nuk kishin asnjë bazë të vërtete dhe se ishin përhapur nga interesa të thjeshta tregtare (la fama sia nata da mercantili interessi più tosto che da fondamento di verità).
Në mars të vitit 1625 u përhap lajmi se në Janinë kishte shpërthyer epidemija e murtajës. Por, më vonë u mor vesh se lajmi i përhapjes së murtajës në Janinë nuk ishte i vërtetë dhe se zërat i kishin përhapur qëllimisht disa dinjitarë myslimanë "për qëllime e synime të caktuara të tyret" (per particolari loro oggetti et fini).
Nëse qëllimet e këtyre dinjitarëve myslimanë, që ishin të interesuar të jepnin alarme të rreme për murtajën, nuk arrijmë t'i zbulojmë, shfaqen qartë qëllimet që i shtynë, në janar 1624, disa dinjitarë lokalë të Paramithisë, të përhapnin zëra për përhapjen e infeksionit të murtajës në atë krahinë. Një gjë e tillë përkoi me mbërritjen aty të një ekspedite ndëshkimore të dërguar nga Porta e Lartë. Siç e thonë shkoqur raportet përkatëse, dinjitarët në fjalë kishin ngritur krye kundër Sulltanit dhe i dërguari i këtij të fundit kishte ardhur me mision për t'i shtypur ata. E pra, duke përhapur lajmin e rremë të rënies së murtajës në ato anë, bejlerët rebelë shqiptarë e detyruan ekspeditën osmane të largohej menjëherë prej andej dhe ta shtynte fushatën ndëshkimore për një kohë të pacaktuar (la fama della peste essendo inventata falsamente da Turchi perche questo Inquisitore non havesse pratica nei suoi luochi, come molto ben gli successe).
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe në Berat, në tetor të vitit 1658. Një ushtri e madhe osmane kishte mbërritur në atë qytet, ku do kalonte disa kohë, para se t'i drejtohej viseve të Vlorës, ku popullsia vendase kishte ngritur krye. Por zëra të interesuar përhapën fjalë për rënien e murtajës në qytet. Lajmi solli përshtjellim tek trupat osmane dhe tek popullsia vendase, e cila fajësonte ato për sjelljen e infeksionit. Kështu, dezertimet e vazhdueshme dhe armiqësia e vendasve, e detyruan komandantin e dërguar nga Porta t'i shpërngulte trupat e mbetura në Tërhallë të Thesalisë, ku do të dimëronin në pritje të rifillimit të fushatës pranverën e ardhshme. /milosao