Portugezi nuk e sheh Kolumbinë të ecë shumë në turne, ndërsa eviton komentet për Anglinë
Zhoze Murinjo ka dhënë verdiktet e tij për fazën në grupe të Kampionatit Botëror. Portugezi, i përzgjedhur si “ambasadori” i aktivitetit nga faqja e njohur e internetit “Yahoo”, ka bërë parashikimet e para, ku atij i është kërkuar të zgjedhë se cilat skuadra do të përfundojnë mes 16 më të mirave, në fazën me eliminim direkt.
Për të, Grupi A ka shumë pak dyshime mbi emrin e skuadrës që do të dalë e para. “Them që Brazili fiton grupin dhe sinqerisht nuk e di se cila nga tri skuadrat e tjera mund të dalë e dyta”, tha ai. “Meksika ka një skuadër të fortë, ka një kampionat që është rritur shumë kohët e fundit. Nuk di çfarë të them, ka shumë kualitete”, tha ai, duke bërë që gazetarja Melisa Kollins të zgjidhte në vend të tij pikërisht Meksikën si skuadrën e dytë që dilte nga ky grup.
“Yahoo” - Murinjo është përzgjedhur si ambasadori i Botërorit nga faqja e njohur e internetit dhe gjatë aktivitetit do të japë aty opinione rreth ecurisë së tij.
Grupi B e vinte atë përballë një zgjedhjeje teorikisht të lehtë. “Sigurisht Spanja, për gjithçka që ata kanë bërë në 6 vitet e fundit, duke fituar të tre turnetë e mëdhenj që kanë luajtur. Unë jam tip emocional, mbështes gjithmonë miqtë e mi, ndaj nëse miku im tani drejton Holandën, unë do të them se ata kualifikohen”, tha Murinjo, duke iu referuar faktit se në stolin e “tulipanëve” ulet Luis Van Gal, për të cilin ai ka punuar në fundin e viteve ’90 te Barcelona. “Por kujdes Kilin, është skuadër që mund të zërë shumë mirë një nga dy vendet e para”.
“Kolumbia ka cilësi. Por përsëri do të mbështes miqtë e mi, ndaj them se kalojnë Greqia dhe Bregu i Fildishtë”, ishte parashikimi i portugezit për Grupin C, duke lënë jashtë Kolumbinë.
Në Grupin D, Murinjo i ka lënë përsëri zgjedhjen gazetares së “Yahoo”, pasi vetë nuk dinte se cilën nga kombëtaret të linte jashtë. “Një nga tri skuadrat shumë të rëndësishme do të mbetet jashtë, do të ndihet keq dhe për këtë arsye refuzoj të jap një përfundim. Ia kam kaluar shumë mirë në Itali, nuk do të doja të flisja keq për ta. Nëse them se eliminohet Anglia, sezonin tjetër nuk më lejojnë më të drejtoj këtu te Çelsi”, ishte komenti i Murinjos, me gazetaren që më pas ka zgjedhur Italinë të parën dhe Anglinë të dytën.
Një tjetër dështim për Francën i duket thuajse i pamundur trajnerit të Çelsit. “Nuk besoj në një tjetër kolaps të tyre. Sipas cilësisë që ka, shoh Francën të kualifikohet si fituese e grupit, me Zvicrën të dytën”, ishte parashikimi i Grupit E.
Skuadra e Bosnjës nuk shihet si favorite për të kaluar në fazën me eliminim direkt nga Murinjo, i cili në Grupin F është i bindur se do të ketë një skuadër dominuese. “Argjentina duhet të jetë fituese e grupit dhe mund të zgjedh Nigerinë të dytën vetëm prej faktit se një lojtar i imi, Obi Mikel, është pjesë e saj”.
Ndonëse në Grupin G është edhe Portugalia, Murinjo sheh Gjermaninë si dominuese, ndërsa ka paralajmëruar të dyja ekipet europiane të kenë kujdes nga kombëtarja e drejtuar nga Jurgen Klinsman. “Një grup shumë i vështirë, ku them me siguri se nuk do të ketë skuadër që përfundon pa pikë. Mendoj se Gjermania është e para, me Portugalinë të dytën, por kam frikë shumë nga SHBA-ja, do të kemi probleme në ndeshjen me ta”, deklaroi Murinjo.
Në fund, në Grupin H, Murinjo sheh skuadrat europiane të kalojnë turin. “Belgjika ka shumë talent. Them Rusia e para, Belgjika e dyta”, ishte përfundimi i tij.
Sipas këtyre përzgjedhjeve, që në fazën e parë me eliminim direkt, do të ketë ndeshje të mëdha, si Brazil-Holandë e Gjermani Belgjikë. Mes 16 më të mirëve, sipas parashikimeve të Murinjos, do të jenë 11 ekipe europiane, dy nga Amerika e Jugut, dy nga Afrika dhe një nga Amerika Veriore.







