Militantët islamikë ekzekutojnë gjyqtarin që dënoi Saddam Hussein (kurse John Kerry mbërrin në Irak)



Gjyqtari, që dënoi me vdekje ish- liderin e Irakut, Saddam Hussein, është kapur dhe ekzekutuar nga militantët islamikë të ISIS.
Raouf Abdul Rahman, që dënoi me varje diktatorin në vitin 2006, u vra nga rebelët si hakmarrje për ekzekutimin e 69- vjeçarit.
Vdekja e tij ende nuk është konfirmuar nga qeveria e Irakut.
Ndërkohë Sekretari i Shtetit, John Kerry ka mbërritur në Bagdad, në një vizitë surprizë.
Të dielën, duke folur nga Egjipti, Kerry paralajmëroi militantët sunitë se “ideologjia e dhunës dhe shtypjes nuk është një kërcënim vetëm për Irakun, por për të gjithë rajonin”.
Të dielën rebelët e ISIS morën nën kontroll pikat e kalimit kufitar me Sirinë dhe Jordaninë.
Po ashtu ata kanë nën kontroll edhe një aeroport me rëndësi strategjike në Tal Afar në veri.
Humbja e kontrollit në pikat kufitare me Sirinë është një goditje e rëndë për qeverinë e Irakut.
Korrespondenti i BBC thotë se Kerry do përpiqet që t’i bindë të gjithë politikanët që të bashkëpunojnë.
Rrëzimi i Saddam Hussein, që e mbante këtë vend të bashkuar, solli edhe rënien e mekanizmit të kontrollit mbi mbarë vendin, duke sjellë frikën se nuk do ketë më Irak.