Ekzistenca e Maradonës ka qenë e mbushur me eksese: nga barakat e Buenos Airesit, tek OLE-te ne stadiume, që nga golat e pamundur tek klinikat e dezintoksikimit, nga “Pibe de oro” tek “El gordito”, nga lavdia tek mundimet e “ferrit”… dhe kthimi
Që nga lagjet e varfëra të Buenos Airesit të periudhës pas Peronëve, deri tek qiellgërvishtësit e mëdhenj të Dubait, duke kaluar nga aneksi i gjirit të Napolit dhe nga dhoma e një klinike psikiatrike në Argjentinë. Historia e Diego Armando Maradonës, një legjendë e futbollit dhe e kohës së tij, e që mund të ofrohet e të rrëfehet jo vetëm nëpërmjet golave, por edhe nëpërmjet vendeve ku ai ka jetuar, është shpesh herë ekzistencë prej superkampioni, mes shkëlqimeve, mjerimeve dhe një rilindje fatlume.
El Futbol
Diego lindi në 1960 në poliklinikën e Lanusit, një qytet në afërsi të Buenos Airesit ku kanë lindur edhe futbollistë të tjerë. Janë vitet kur Argjentina tronditet prej grushteve të shtetit të juntave ushtarake, pas rënies së gjeneralit Juan Domingo Peron. Familja Maradona – nëna, babai dhe tetë fëmijë (Diego ishte i pesti) – i përket asaj shumice të argjentinasve që kanë mbetur jetimë të ëndrrës së Evita Peron, që jetojnë në kushte varfërie në të ashtuquajturat villas miseria (“qytete të mjerimit”), pavarësisht se vendi i tyre është eksportuesi më i madh i mishit në botë dhe ka një rritje të fortë ekonomike. Diego erdhi në njërën prej këtyre lagjeve, në barakat e Villa Fiorito, në zonën jugore të kryeqytetit: “Ishim shumë në shtëpi, dhe kur bëhej fjalë për të blerë këpucë, ishte vdekje. Nuk kisha asgjë, por atë pak e shijoja. Një bicikletë më dukej si një makinë e Formula 1”, do të thoshte vite më vonë.
Bijtë e këtij mjerimi, mes të cilëve Diego Armando, kanë vetëm një mënyrë për të kaluar kohën, që është njëkohësisht ëndrra për një të ardhme më të mirë: futbollin. Futbolli i luajtur përjetohej në fushat e fatit, duke goditur dhe përplasur topin pas murit, sic do të thoshte vite monë, duke ëndërruar stadiumet. Në autobiografinë e tij, “Unë jam El Diego”, do të rrëfente: “Nuk di nëse ishim bij të rrugës, por sigurisht ishim bij të fushave. Nëse më të rriturit na kërkonin, e dinin ku mund të na gjenin. Ishim atje, duke rendur pas topit”.
Shenja kampioni
Pikërisht këtu, mes pluhurit dhe gurëve, Diego i vogël do të zbulonte shenjat e para prej kampioni. E kuptuan menjëherë shokët e lojës, që i ngjitën edhe nofkën “El pide de oro”, një nofkë që do ta shoqëronte edhe në nivelet e lartë të futbollit ndërkombëtar. Një karrierë pothuajse e rrufeshme ajo e Maradonës: në vitin 1970 e marrin tek Cebollitas, të rinjtë e Argentinos Juniors. “Je vërtetë 10 vjec?”, do ta pyeste traineri. Me Diegon, Cebollitas qëndrojnë pa u mundur për 136 ndeshje me radhë.
Në 20 tetor 1976, pa mbushur ende 16 vjec, do të luante ndeshjen e parë në Primera division me Argentinos Juniors. Hyn në fushë me numrin 16 dhe zëvendëson një farë Giacobetti (do të bëhej i famshëm si “njeriu që u zëvendësua nga Maradona”), merr topin, bën një cano, një tunel kundërshtarit, duke bërë të shpërthejë tifozeria. “Preka qiellin me dorë”, do të tregonte në intervista. Një muaj më vonë do të shënonte golin e parë të karrierës. Filmimet e kohës e tregojnë të shëndoshë por muskuloz, një masë flokësh të dendur e të gjatë mbi fytyrën e një fëmije, i shkurtër dhe is hpejtë si një plumb, me fizikun e futbollistit të përsosur. “Vrapoja shumë dhe argëtohesha shumë”, rrëfen. Dhe bëhet kryegolashënues i kampionatit.
Eshtë kaq i zoti sa e thërrasin edhe në kombëtare (27 shkurt 1977 në një miqësore) dhe në moshën 18 vjec për pak sa nuk merr pjesë në botërorin e 1978. Por shansi zbehet pasi futbolli në Argjentinën e juntës ushtarake – që po aplikon kundër opozitarëve represionin e dhunshëm të quajtur “lufta e ndyrë” – është një cështje politike që nuk pranon gabime, sic mund të jetë besimi tek një futbollist pak më shume se adoleshent. Futbolli duhet për të mbajtur urtë popullin e në të njëjtën kohë për të krijuar jashtë një imazh pozitiv për një vend ku mijëra vetë burgosen, torturohen duke përfunduar në listën e desaparecidos.
Nga Boca tek Napoli
Shkon më mirë në vitet që do të vijnë, kur Diego ende pa mbushur 20 vjec shënon golin e parë në kombëtare kundër Skocisë dhe në 1981 ndërron fanelë. River Plate i bën një ofertë shumë të mirë, e megjithatë ai fluturon drejt Boca Juniors, një klub prestigjoz por në krizë financiare: është emocion i madh të luajë në skuadrën e zemrës së të atit, njeriu që ai e konsideron mikun e vet më të mirë, dhe që e ka bërë të dashurohet pas futbollit. Luan 40 ndeshje, shënon 28 herë, por kjo eksperiencë merr fund për shkak të marrëdhënies me trainerin, presionit dhe një disiplinë që nuk e duron dot.
Eshtë koha për të ndryshuar, ka dëshirë për Europën: Diego firmos me Barcelonën në vitin 1982. Në po të njëjtin vit merr pjesë në Botërorin e parë, atë të fituar nga Italia e Bearzot. Argjentina nuk është në maksimum, por Pibe është. Dhe i zbulon botës talentin e tij futbollistik, që dy vjet më vonë – pasi ka mbyllur me Barcelonën për shkak të një skualifikimi tremujor – e con në Napoli, qyteti me të cilin do të lidhë fatin e tij plot lavdi.
Capkëni ka ardhur në qytet
Kur Maradona vjen në Itali, është 23 vjec. Napoli, që e nderon si një Perëndi, ka patur një dekadë të tmerrshme. Në fillim kolera, më pas një luftë ë prgjakshme e kamorrës që ka parë Raffaele Cutolon t’u kundërvihet klaneve të vjetër, dhe së fundi tërmeti i vitit 1980 që ka shkurtuar numrin e popullsisë. Pa llogaritur faktin që klabi ka fituar gjithmonë pak ose aspak dhe në sezonet e fundit ka rrezikuar rënien në kategorinë e dytë. Në këtë kontekst, Maradona është jo vetëm një futbollist, por mishëron shpresën për një ringjallje. Blerja e tij – sic do të rrëfente disa vite më vonë presidenti i Calcio Napoli, Corrado Ferlaino – transformohet shpejt në një cështje shtetërore që përfshin edhe Demokracinë Kristiane, atëherë parti e shumicës në qeverisje dhe bankat e mëdha italiane. Calcio Napoli, për të blerë kampionin ka në fakt nevojë për 13 miliardë lireta, që i siguron falë disa garancive. Pas një tratative të gjatë me Barcelonën, mrekullia kryhet, dhe në 5 korrik 1984 Maradona prezantohet më në fund para 70 mijë tifozëve të grumbulluar në stadiumin San Paolo të Napolit. Një apoteozë.
Të fshehta të parrëfyeshme
Ajo që turma në festë nuk e di është se idhulli i ditës mban brenda vetes disa të fshehta të parrëfyeshme. Dëmtimi i dhunshëm që ka pësuar tek Barcelona, që e ka mbajtur pa luajtur për tre muaj e gjysmë i ka kushtuar shtrenjtë: ka dy vida celiku që e lodhin dhe e detyrojnë për terapi të vazhdueshme mjekësore, por askush nuk duhet ta dijë. Pastaj, suksesi i madh në një moshë kaq të re, pas një jete plot mundime e ka bërë të brishtë psikologjikisht. Me rezultatin që Maradona përdor shpesh herë kokainë “mujer blanca” (“gruaja e bardhë”) sic quhet në një këngë në spanjisht kushtuar atij vetë. Jo vetëm kaq. Pavarësisht se ka marrë me vete të fejuarën e tij historoike Claudia Villafane, ka një dobësi për vajzat e bukura me të cilat flirton shpesh herë fshehtas. Gazetat e thashethemeve e fotografojnë në shoqërinë e Heather Parisi. Por është një tjetër lidhje që shkakton skandal, ajo që Maradona do të kishte në vitin 1986 me napoletanen Cristiana Sinagra. Në vitin 1986 lind dhe një djalë, Diego Jr që kampioni – i detyruar nga gjykata – do ta pranonte ligjërisht vetëm në vitin 1992.
Diego Mundial!
Këto histori me femrat janë problemi i fundit i Maradonës. Viti i parë në Napoli nuk shkon ashtu si duhej. Talenti i tij nuk mjafton për të kthyer fatet e skuadrës dhe mes tifozëve nis të shfaqet zhgënjimi. Por vitn pasardhës, në sezonin 1985-1986 gjërat ndryshojnë: përreth kampionit krijohet një skuadër e re që e con Napolin në vendin e tretë në klasifikimin e Serisë A. Pibe merr zemër dhe niset për në botëror, ku e pret Argjentina e tij, që kampioni e udhëheq drejt fitores.
Eshtë një Maradonë në maksimumin e formës ai që gjunjëzon kundërshtarët dhe fiton nofkën e dytë të jetës së tij: “la mano de Dios”. Këtë nofkë ia vuri gazetari Luigi Necco, kronisti sportiv i Rai-t që transmetonte botërorin. Në fakt, kundër Anglisë Maradona shënon me dorë një gol që gabimisht quhet i vlefshëm nga një gabim i arbitrit. “E intervistova menjëherë pas ndeshjes dhe e pyeta nëse atë gol e kishte shënuar ai apo dora e majtë e Zotit”, rrëfen sot Necco. “Mendova se mbaroi aty, me një batutë. Por të nesërmen gazetarët argjentinas erdhën të më kërkonin e të më thoshin se ajo nofkë që unë kisha sajuar tashmë kishte bërë xhiron e botës”.
Sezoni pasardhës në Itali ishte ai i triumfit: në 10 maj të vitit 1987 Napoli arrin të fitojë titullin e parë kampion dhe qyteti përfshihet në një festë gjigande. Jo vetëm: skuadra bën bis dhe fiton edhe Kupën e Italisë, duke i dhënë kështu besueshmëri zërave se cdo gjë që prek Maradona shndërrohet në flori. Ka nga ata që e quajnë futbollisti më i madh që ka jetuar ndonjëherë, një kompliment që deri atëherë i përkiste vetëm brazilianit Pele. Dhe ndonëse një vit më vonë Maradona nuk arrin të udhëheqë skuadrën e tij drejt fitores, vijnë suksese të tjerë. Me kapiten Pibe de oro-n, Napoli fiton të parën Kupë UEFA në vitin 1989 dhe më pas një tjetër titull në vitin 1990. Në po të njëjtin vit Diego luan Botërorin e tretë në Itali. Dhe Claudia Villafane i dhuron dy vajza: Dalma (1987) dhe Giannina (1989). Duket se asgjë nuk e ndal dot superkampionin. Por dikush mund ta bëjë: vetë Maradona.
Krizat
Sukseseve të futbollit Diego u kundërvë në fakt një karakter të padisiplinuar: grindet shpesh me trainerin Ottavio Bianchi dhe me presidentine Napolit, Corrado Ferlaino. Grindet dhe me arbitrat dhe hyn në polemikë me të gjithë skuadrat kundërshtare dhe tifozeritë e tyre. Duket që vjen nga rruga. Dhe është rritur shumë shpejt duke mos mundur të mësojë artin e diplomacisë. Pastaj vijnë miqësitë e rrezikshme. Zërat për marrëdhëniet e tij me kamorristët bëhen gjithnjë e më këmbëngulës dhe në gazeta botohen edhe disa fotografi të Maradonës në shtëpinë e eksponentëve të klanit Giuliano. Thuhet madje se Maradona ka shkuar tek Kamorra për të rigjetur disa orë që i ishin vjedhur bashkë me Topin e Artë, që kish fituar në vitin 1986 si futbollisti më i mirë.
Në fund, është kokaina: një lum karstik që fillimisht përfshin netët e gjata të Diegos dhe më pas vërshon kudo. Sic do të pohonte zyrtari i karabinierëve Vittorio Tomasone, “duke mos mundur të bredhë rrugëve të Napolit ditën, për shkak të popullaritetit, Maradona është dashur të dalë natën. Dhe kjo rezultoi fatale: Ana më e keqe e Napolit e rrëmbeu”.
Në 17 mars 1991 futbollisti u gjet pozitiv në kontrollin antidoping në fundin e ndeshjes Bari-Napoli dhe u skualifikua për një vit e gjysmë. Rikthehet, sic thotë një tango, në “Buenos Airesin e dashur”. Por policia e mbikëqyr: arrestohet për mbajtje droge. Një goditje nga e cila, pavarësisht moshës së re, nuk do ta marrë më veten kurrë.
Me përfundimin e skualifikimit, Diego e gjen veten të dhënë borxh tek Sevilja për dy vjet. Eshtë fundi i raportit me Napolin, por edhe fundi i një epoke: kampioni që dhjetë vjet më herët kishte ngritur peshë tifozët e të gjithë botës, tani është i njollosur nga skandali i dopingut. Necco shpjegon: “Rezultati i kësaj cështjeje që i dha fund parabolës së Maradonës tek Napoli është që, nëse për skuadrën e futbollit bilanci në tërësi ishte pozitiv, duke parë cfarë fitoi, për Maradonën ishte në fakt negativ. Madje Napoli fitoi shumë edhe në turizëm dhe jo vetëm. Vetë prania e Maradonës bënte të harroheshin problemet e qytetit”.
Parabolë në rënie
Pas disa vështirësive (qëllon me pushkë me ajër të kompresuar gazetarët që ndodhen para shtëpisë së tij), Diego rikthehet të luajë me Argjentinën e tij në Botërorin e 1994 në SHBA, ku pëson një tjetër skualifikim për doping. Këtë herë flitet për efedrinë, një eksitues i ndaluar në SHBA. Sipas rindërtimit në filmin e regjisorit Marco Risi “Maradona, la mano de dios” (2007), kampioni nuk e dinte fare për atë substancë. Dikush flet për një kurth të orkestruar në mënyrë të përsosur. “Maradona po kurohej dhe nuk merrte drogë”, shpjegon Necco. “Por futbollit ndërkombëtar ai nuk i ka pëlqyer asnjëherë dhe dikush vendosi ta heqë qafe”.
Tashmë, për botën Pibe është një atlet i mposhtur nga jeta. Në vitin 1997 është sërish tek Boca Juniors, por pas kontrollit të disatë pozitiv në moshën 37 vjec vendos të tërhiqet nga futbolli. Nga ai moment, jeta e Maradonës është një spirale drejt humnerës. Rrëshket në kthetrat e kokainës që e detyron të shtrohet dy herë në spital për overdozë në vitin 2000 dhe 2004. Hera e dytë është kaq e rëndë sa që për të kërkohen sedativë dhe këmisha force. Në vitin 2005 pesha e tij ishte 120 kilogramë dhe ka të domosdoshën implantimin e një by-passi gaztrik; në vitin 2007, pas një tjetër shtrimi, shkohet deri aty sa jepet lajmi se Pibe de Oro ka vdekur. Por është vetëm hepatit, shkaktuar nga teprimet me të pirët.
Nga sirtari i kampionit dalin skelete të tjerë: taksat e papaguara. Financat e argjentinasit kishin qenë administruar gjithmonë në mënyrë të parregullt dhe jo gjithmonë të ndershme nga të afërm të ndryshëm, gjë që bën që kampioni të jetë 38 milionë euro borxh ndaj financave italiane. Inspektorët i sekuestrojnë shpërblimin e siguruar nga transmetimi i RAI, Kërcim me Yjet, ku merr pjesë në vitin 2005, sërish i dobësuar dhe në formë.
Mes grindjeve dhe problemeve në familje
Në ata vite, karakteri i tij shpesh i papajtueshëm e con disa herë në gjykatë pas grindjeve, dhunës dhe dëmshpërblimeve për dëme tëndryshëm. Apo për mospërmbyshje të detyrimeve, si në rastin e të birit Diego Jr. Pas dhjetë vitesh pa luajtur, nga kampioni i një herë e një kohe kish mbetur vetëm një karikaturë e shëmtuar, por fatmirësisht Pibe rinis të marrë veten. Momenti simbol i këtij rekuperimi është një funeral: në vitin 2010, pas vdekjes së Presidentit Kirchner, Diego Armando Maradona shoqëron në ceremoninë mortore të venë Cristina Fernandez, presidente aktuale e Argjentinës.
Eshtë rilindja e tij, e cila shoqërohet me një rikthim në nivele të lartë në futboll, si trainet i kombëtares, me një Maradonë të veshur mirë dhe esëll që jep këshilla në fushë. Nuk zgjat shumë, dhe kampionit nuk i mbetet vecse të shkojë në Emiratet Arabe për të mbyllur karrierën e tij si teknik i mirëpaguar në skuadrën Al Uals.
Grindet edhe aty, i provokuar nga një trainer kundërshtar, dhe merr si dënim një skualifikim. Këtë herë, shtypi është me të. “Lajmi bëri xhiron e botës”, thotë Necco, “si për të thënë: e shikoni, Maradona është gjithmonë i pakorrigjueshëm? Zakonisht, kundër tij hidhen të gjithë ata që i ka mundur apo që nuk i ka lënë të bëjnë cfarë të duan. Por duhet thënë se Maradona është nëj njeri i ndjeshëm. Njoh njerëz që ai i ka shpëtuar nga mjerimi, pa ditur askush asgjë. Dhe unë vetë i detyrohem shumë: kur mësoi që kisha një problem shëndeti, këmbënguli të më dërgonte mjekun e tij. Ja, ky është Maradona i vërtetë”.
Të gjithë e duan, edhe bosët e Kamorrës
Mes mijëra fotografive që shenjuan karrierën e Maradonës janë dhe disa që kanë shkaktuar shumë diskutime: dolën në gazeta diku nga fundi i viteve tetëdhjetë dhe në to ai shfaqet në shoqërinë e dy anëtarëve të familjes Giuliano, klani i përgjakshëm i Kamorrës napoletane. Maradona ulet me bosët e klanit në sfondin e një vaske banje me formën e një predhe në qendrën e tyre në Forcella, një zonë në qendër të Napolit.
Edhe një tjetër kamorrist, Salvatore Lo Russo, sot bashkëpunëtor i drejtësisë, ka deklaruar se ka patur marrëdhënie me Maradonën, që ai e ka ndihmuar të rigjente disa orë të cmuara që i ishin vjedhur kampionit, bashkë me një top të artë në caveau del Banco di Napoli. Orët iu kthyen pronarit, por trofei i cmuar nuk u gjet më asnjëherë: sipas bosit, topi ishte shkrirë tashmë dhe ishte shndërruar në lingota përpara ndërhyrjes së tij.
Tifozllëk dhe kokainë
Po cfarë bënte Maradona me klanet e Kamorrës? Ka nga ata që thonë se raporti ishte i pashmangshëm: kamorristët janë tifozë si të gjithë të tjerët dhe frekuentojnë stadiumin. Të tjerë thonë se lidhja mes kampionit dhe malavitës ishte në fakt kokaina, pasi tashmë Maradona kishte krijuar varësi të fortë prej saj, sic do të zbulonte ai vetë shumë vite më vonë. Por nuk kanë qenë këto të vetmet “shoqëri të këqia” të jetës së tij. Maradona ka patur në fakt gjithmonë një talent të vërtetë në tërheqjen e kritikave ndaj vetes dhe gjithmonë ka patur si miq disa prej personazheve më të diskutuar të historisë bashkëkohore.
Për shembull, në periudhën mes viteve 2005 dhe 2007, Diego shkaktoi një zhurmë të vërtetë mediatike fillimisht për shkak të miqësisë së tij me presidentin venezuelian Hugo Chavez, armik i betuar i Shteteve të Bashkuara, dhe në vijim për faktin që i ka dhuruar një fanelë me autograf presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad, duke shprehur dëshirën për ta njohur personalisht. Komuniteti hebre në Argjentinë nuk e kapërdiu këtë gjë: Ahmadinejad është një antisemit i betuar dhe në shumë raste ka mohuar vërtetësinë e Holokaustit.
I adhuruar si një shenjt
Ka njerëz në Argjentinë, për të cilët viti 2012 është në fakt viti 52 d.D. (dopo Diego). Llogaritja e datave bëhet duke nisur nga viti 1960, viti i lindjes së Maradonës dhe fillimi i kultit të “iglezia maradoniana”, një Kishë që pavarësisht sajimit llogarit të paktën 120 mijë ndjekës në botë, mes të cilëve disa futbollistë. Dhe ky është vetëm njëri prej manifestimeve të shumtë të kultit kundrejt Pibe de Oros. Me përfundimin e aventurës së tij në Napoli Calcio, në vitin 1991 për shembull një grup profesionistësh dhe docentësh universitarë napoletanë u mblodhën në grupin “Te Diegum”, duke organizuar në fillim edhe një takim periodik. Qëllimi ishte të deklaronin dashurinë e tyre absolute për Maradonën në një moment të vështirë për të.
Diego është edhe futbollisti i vetëm i gjallë për të cilin ka skulptura në vende të ndryshme të botës, një stadium (Estadio Diego në Buenos Aires) si dhe altarë në rrugët e Napolit. Në vitin 1994, këngëtari Manu Chao (që atëherë ishte pjesë e grupit Mano Negra) rregjistroi këngën Santa Maradona, ku kampioni ishte hyu që duhej thirrur në fushat e lojës. Gjithnjë Manu Chao i kushtoi këngën La Vida Tombola (“Po të isha Maradona do të jetoja si ai / Jeta është një bingo…”. Të tjerë e kanë ndjekur shembullin e tij. Si për shembull Pino Daniele, që për Maradonën ka shkruar këngën “Tango della buena suerte”. /worldsoccer/
bota.al






