Zeqirija IBRAHIMI
(në frymë të veprës së F. Konicës “Shqipëria si m’u duk”)
Është vera e vitit 2014. Një verë e çuditshme. Bie shumë shi! Ke përshtypjen se çdo çast mund të ndodhë Përmbytja. Megjithëse është kohë kur kanë filluar pushimet verore, pakkush në Maqedoni në këto ditë flet për pushimet. Dhe, jo vetëm për shkak se moti klimatik nuk është i përshtatshëm, por edhe për faktin se as moti politik në Maqedoni nuk është hiç i favorshëm. Njerëzit nuk dinë kah t’ia mbajnë. Të gjithë i ka kapur një dëshpërim, por askush nuk guxon të bëzajë. Këto ditë do të votohet qeveria e re, që doli nga zgjedhjet e 27 majit. Këto ishin zgjedhjet në të cilat makineria e aktivistëve partiakë arriti suksesin më të madh. Secila nga partitë fituese mblodhi numër marramendës votash. U përdorën të gjitha mënyrat e vjeljes së votave: që nga bindja e lutja, e deri te kushtëzimi, premtimi, shantazhimi, blerja e kërcënimi. Në fund, përveç atyre që iu gëzuan pushtetit të ri, të gjithë mbetën të dëshpëruar.
E kur e shikon këtë vend nga një perspektivë a distancë tjetër, del se për këtë shtet ekzistojnë dy perceptime. Njëri perceptim është ai që e kanë maqedonasit. Ata mendojnë se shteti i Maqedonisë është fitore e madhe historike e kombit maqedonas dhe arritja më e rëndësishme e historisë së tyre, megjithëse në referendumin e 8 shtatorit 1991 ata e kanë lënë të hapur mundësinë e ribashkimit me Serbinë. Duke qenë një shtet si me gjysmëgoje, ata e ndjejnë veten se janë të rrezikuar nga të gjitha anët dhe kjo i ka bërë nga pak paranoikë. Ata kanë problem me bullgarët, që ua kontestojnë historinë, gjuhën dhe kombin, kanë problem me serbët që nuk ua njohin Kishën dhe kanë problem të madh me grekët, që nuk ua njohin të drejtën e emrit të shtetit. Madje, ky problem ka bërë që Maqedonia zyrtarisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të pranohet me një referencë – Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa sot kjo ngatërresë e ka ndaluar Maqedoninë të mos mund të integrohet as në Bashkimin Europian e as në Aleancën Veriore Atlantike (NATO).
Kjo është Maqedonia në planin e marrëdhënieve të saj me fqinjët. Ndërkaq në aspekt të brendshëm maqedonasit kanë krijuar një kontekst interesant. Ndonëse të gjithë dyshojnë në statistikat, zyrtarisht maqedonasit mezi janë 60% e popullatës në Maqedoni. Por, kjo nuk u ka penguar atyre që gjithë shtetin ta vënë në shërbim të kombit të tyre. Ata e konsiderojnë Maqedoninë si shtet të kombit maqedonas dhe të bashkësive të tjera etnike, ku në një thes janë futur shqiptarët që janë më shumë se një e katërta e shtetit, si edhe egjiptianët, që nuk janë as 0,5%. Dorën në zemër, këtë formulim dhe qëndrim të shtetit karshi kombeve të tjera në Maqedoni e kanë pranuar edhe shqiptarët dhe të tjerët. Madje, edhe kur në luftën e vitit 2001 shqiptarë ishin hedhur në kryengritje që ta ndryshojnë kushtetutën dhe pozitën e tyre në Maqedoni, të gjithë shqiptarët (partitë shqiptare dhe guerilja shqiptare e quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare) përsëri ishin bashkuar dhe e kishin pranuar këtë status. Çudi pse kishte ndodhur kjo! Dhe, prandaj maqedonasit besojnë se shteti u takon atyre dhe se të gjithë të tjerët duhet të jenë në shërbimin e tyre. Kjo u ka krijuar maqedonasve vetëbesim që të gjithë të tjerët t’i trajtojnë njësoj siç i trajtojnë hebrenjtë palestinezët në Palestinë. Maqedonasit nuk kanë besim veçmas ndaj shqiptarëve. Prandaj atyre kurrë nuk ua besojnë postet më të rëndësishme të shtetit. Bile edhe kur shqiptarët ankohen pse ua bëjnë kështu, atyre aq u bën! Hiç më larg kjo ndodhi edhe sivjet. Ata le që nuk i lanë shqiptarët të flasin për 12 postet më të rëndësishme të shtetit, por ua ulën pazarin sa edhe Ministrinë e Arsimit mezi ua dhanë.
Maqedonasit i perceptojnë shqiptarët si “një e keqe e domosdoshme”, që disi duhet të gëlltitet. Prandaj ata përpiqen me të gjitha mjetet dhe deri tash ia kanë dalë me sukses që shqiptarët t’i trajtojnë kështu. Ua japin nja 100 e kusur poste në shtet, nja 1.000 punësime të reja në administratë për aktivistët partiakë, shumica e të cilëve pastaj qëndrojnë në shtëpi dhe vetëm marrin rroga, me çka përsëri je rast social, dhe me kaq i detyrojnë të mjaftohen. Pas kësaj nuk u lejojnë të përzihen më në asnjë çështje tjetër vitale të shtetit.
Në anën tjetër janë shqiptarët (partitë shqiptare) që ende nuk e dinë çka duan. Ata ende nuk janë të qartë. Me shqiptarët në diasporë dhe jashtë Maqedonisë flasin për Shqipërinë Etnike, ndërsa në Maqedoni shtiren si kozmopolitë dhe flasin për integrimet. Sa herë që janë në opozitë, kërkojnë ndarje e federalizim, ndërsa sa herë që vijnë në pushtet ndryshojnë mendjen. Bëjnë betejë që Kërçovën ta fitojë një shqiptar, ndërsa kërkojnë president konsensual. Ata jetojnë në Maqedoni sikur në një shtet të përkohshëm. Sikur ky shtet nesër nuk do të jetë dhe ata do të zgjohen në Shqipëri! Dhe, kjo ëndërr u përsëritet çdo natë tashmë 24 vjet. Ndërkaq zhgjëndrra është krejt diçka tjetër.
Shqiptarëve nuk u intereson fare zhvillimi i këtij shteti. Megjithëse shtiren sikur lëvizin diçka në ekonomi, maqedonasit në atë pjesë nuk u lejojnë shumë hapësirë. Të gjithë resorët vitalë të ekonomisë së shtetit i mbajnë maqedonasit, ndërsa shqiptarëve u lejojnë aq sa të mos mund ta turbullojnë ujin në shtet. Le që pastaj maqedonasit arrijnë që shumicën e këtyre shqiptarëve t’i korruptojnë, disa t’i shantazhojnë me forma të ndryshme, që krejt kështu ta paralizojnë fuqinë e shqiptarëve për të hapur tema thelbësore në shtet. Shqiptarët nuk arrijnë të hapin tema për ndryshimin e emrit të shtetit, ndonëse ky emër nuk e reflekton realitetin e shoqërisë multietnike në Maqedoni. Ata nuk kanë të drejtë të flasin as për simbolet njëetnike të shtetit, as për statusin e gjuhës shqipe, as për statusin e ish ushtarëve të UÇK-së, as për diplomacinë njëetnike, as për shërbimin sekret njëetnik, as për armatën e tillë, as për drejtësinë e tillë... Hiç më larg se këto ditë, kur po votohet qeveria e re, gjykatat maqedonase (pra jo “të Maqedonisë”) vazhdojnë t’i gjykojnë pesë shqiptarë për një vrasje të kryer në vitin 2012, megjithëse kjo nuk është dëshmuar asnjëherë, ndërsa politikanët shqiptarë fshihen pas OSBE-së. Ndërkaq dështimin e tyre para maqedonasve rëndom e arsyetojnë me gjëra të mëdha, si integrimi në NATO e BE. Sepse populli shqiptar në Maqedoni vërtet beson se ata e kanë atë takat, megjithëse dihet mirëfilli se ata nuk i pyet kush për integrimet. Ata mund të flasin vetëm për emrin e ndonjë shkolle, për ndonjë përmendore minore private, për ndonjë përfitim të ndonjë funksionari dhe të partisë dhe këtu të përfundojnë kufijtë e fjalës së tyre. Por, që ta mbajnë pushtetin, politikanët shqiptarë aktrojnë para popullit të tyre se ata janë pushteti real. Dhe, këtë e dëshmojnë duke u sjellë me arrogancë ndaj të gjithë atyre që marrin guxim t’ua thonë këtë publikisht. Ata janë shumë të rreptë ndaj bashkëkombësve të vet, ndërsa shumë të urtë para maqedonasve. Ata mund ta përjashtojnë nga puna një shqiptar që nuk pajtohet me ata, por nuk guxojnë të pyesin bile se pse, fjala bie, projekti “Shkupi 2014” afirmon vetëm etninë maqedonase dhe ortodoksinë!?
Kjo është Maqedonia e verës së vitit 2014. Një shtet me paralizë të brendshme, me armiqësi me fqinjët, pa miq ndërkombëtarë, pa mundësi integrimi në BE e NATO për shkak të këtyre problemeve, pa mundësi zhvillimore, me shumë borxhe, me shkallë të lartë të varfërisë dhe të papunësisë, me shkallë të lartë të diskriminimit etnik e religjioz, por edhe me shkallë të lartë të korrupsionit dhe të shkeljes së lirisë së mendimit. Maqedonia është bërë atdheu i të rinjve që kërkojnë të ikin dhe kurrë të mos kthehen dhe i fëmijëve që ëndërrojnë se do të bëhet më mirë. Ndërkaq shiu vazhdon të bjerë. Thuajse pas pak do të ndodhë Përmbytja. Sikur edhe natyra është kundër atyre që kaq pak ia duan të mirën vetvetes! Një verë e mërzitshme dhe padurueshme!