Lulet e së Keqes. Vrasësi më “politikisht korrekt” i historisë

Përkrahës i shëndetit të fortë, luftëtar i kauzës së kafshëve, guru i ushqimit biologjik, autor përrallash. Ja Himmleri, vrasësi më i cuditshëm i historisë

“Je hebre?”, e pyeti Heinrich Himmleri një të burgosur gjatë një vizite në Frontin Lindor të vitit 1941. “Po”. “Të dy prindërit janë hebrenj?”. “Po”, vazhdon djaloshi. “Ke paraardhës që nuk janë hebrenj?”. “Jo”. “Atëhere nuk mund të të ndihmoj”. Djaloshi pushkatohet para syve të hierarkut nazist. Ky ishte Heinrich Himmleri. Për Hitlerin thuhet se ishte “magnetik”. Për Göringun se ishte një pilot shumë i zoti. Për Goebbelsin se ishte një demagog i jashtëzakonshëm. Për Heydrichun se ishte një skermist i sprovuar, një pilot i shkëlqyer dhe një muzikant i shumë i mirë. Askush nuk ka arritur të gjejë kurrë ndonjë gjë speciale tek Himmleri, asnjë moment të vetëm karizme dhe humanizmi gjatë gjithë ekzistencës së tij. Ndër krerët e lartë nazistë është më i tmerrshmi dhe më anonimi. Njeriu që gëzon një kurrikulum krimesh të paprecedente nuk shfaq tipare karakteristike. Shkurtabiq, i flashkët, flokë të rëna, trashaluq, sy si të mjegullt, ballë të lartë, shtrëngim dore të butë, Himmleri ishte një njeri si shumë të tjerë, monoton dhe pedant. Vetëm se zyra e tij ishte komanda e trupave SS-e dhe e policisë naziste, detyra e tij të realizojë masakrën më të frikshme të historisë. Tiparet e tij janë aq banalë sa që maj të 1945 as nuk identifikohet nga sovjetikët që e kapin rob dhe nga anglezët që e marrin në ruajtje. Nuk është as i kamufluar: Himmlerit i ka mjaftuar që të heqë pince-nez. Pa to, nuk është më ai. Si në një barcaletë, Himmleri ishte syzet e tij. Prapa tyre, asgjë. Deri më sot.
“Po shkoj në… Të puth, i yti Heini”, i shkruan Himmleri bashkëshortes Margaret. Dhe akoma: “Në ditët në vazhdim do të jem në Lublin, Zamosch, Auschwitz, Lemberg dhe pastaj në selinë e re. jam kurioz të shikoj nëse dhe si do të funksionojë telefoni i ri. Përshëndetje dhe të puthara! Papi yt”. Pak ditë më pas niset për një vizitë dy ditore në Auschwitz për të parë me sytë e tij se çfarë ndodh me një transportim hebrenjsh të nënshtruar veprimit të pesticidit Zyklon B. Kufomat e fryra që bëhen ngjyrë blu, furrat krematoriume. Himmleri i jep dritën jeshile asgjësimit në shkallë të gjerë të popullit hebraik. Këto janë vetëm dy nga letrat e jashtëzakonshme të gjetura në Izrael dhe të botuara gjatë këtyre ditëve nga e përditshmja gjermane “Die Welt”. Dokumenta, korrespondencë dhe fotografi të arkitektit të holokaustit. Duke i lexuar këto letra, duke i parë këto pamje, gazetat kanë nënvizuar “normalitetin” e xhelatit të Rajhut të Tretë, kreut të trupave SS-e, të programit të eutanazisë dhe të shfarosjes së popullit hebraik.
Letrat na zbulojnë një Himmler të vëmendshëm ndaj shpenzimeve personale, që jeton pa lukse, në ndryshim nga pothuajse të gjithë hierarkët e tjerë, sidomos Göringu. Nga letrat del një Himmler “ekzekutues i esëllt i një vizioni të botës”, siç thotë historiani Michael Wildt. Në sytë e tij, vrasja masive ishte një hap i domosdoshëm për të plotësuar misionin e Rajhut të Tretë. “Do të jem në një qendër ekzekutimesh për testuar metoda të reja dhe interesante pushkatimi”, i shkruan hierarku të shoqes. Siç e komenton “Der Spiegel”, “Himmler nuk kishte asgjë banale, ishte inteligjent, posedonte një energji rrezatuese dhe një fantazi të aftë që të zbatonte ideologjinë e nacionalisocializmit në veprim”. Letrat konfirmojnë se Himmleri nuk ishte aspak një përbindësh, nuk kishte asgjë demoniake, asgjë sadiste, nuk gjente kënaqësi në vuajtjen e të tjerëve (shpesh u ndie keq përballë kasaphanës). Në fakt, kishte një mision dhe një ideologji të mirëpërcaktuar. Pagan, i fiksuar pas shëndetit, eugjenetist, ekologjisë, darvinian, ultramodern dhe hiperiluminist.
Këto zbulime të fundit na flasin për një njeri që e konceptonte veten, sipas fjalëve të Joachim Festit, “jo si një vrasës, por si një patron i shkencës”. Dhe qe pikërisht ajo grua, infermierja Margaret, e apasionuar pas homeopatisë dhe mesmerizmit, që e ka futur në shkencën e biologjikes. Një fotografi e paraqet duke mbledhur barëra mjekësore në liqenin Tegernsee, ku e prisnin bashkëshortja dhe e bija Gudrun. Ishte qershori i vitit 1941. Ky material i jashtëzakonshëm ndodhet në Tel Aviv, në një kasafortë sigurie të regjisores Vanessa Lapa, e cila ka realizuar një dokumentar lidhur me Himmlerin.. Shfaqet Himmleri pionier i ushqimit biologjik dhe i betejës kundër “GM Food”, ushqimit gjenetikisht të modifikuar, për t’u luftuar në favor në një “bujqësie në përputhje me ligjet e jetës”. “Artificialja është kudo”, shkruante Himmler. “Kudo ka ushqim të zhvlerësuar, plot me ingredientë që e bëjnë më jetëgjatë dhe më të bukur”.
Himmleri ishte një lexues i zjarrtë i Max Bircher-Bennerit dhe i Ragnar Bergut, dy mbështetësit kryesorë te ushqimit biologjik, bile i pari edhe shpikës i të famshmit Muesli. Himmleri dallohet si një i zellshëm i luftës kundër suplementeve ushqimore, konservuesve, ngjyruesve dhe ndaloi përdorimin e sheqerit të bardhë të rafinuar dhe të mjaltit artificial. Mbështetës i madh i ilaçeve natyrore, kreu i SS-ëve qe edhe një armik i egër i viviseksionit dhe promovoi fushata për ruajtjen e mjedisit dhe të specieve nën kërcënimin e zhdukjes, si puna e balenës. Sipas Himmlerit, duhej ndaluar viviseksioni me objektivin e “rizgjimit dhe forcimit të shpirtit të dhembshurisë si një prej vlerave morale më të larta të popullit gjerman”. Një Himmler krenar ta quante popullin “të vetmin në botë që ka një qëndrim të hijshëm ndaj kafshëve”.
Vrasësi më i zellshëm i fëmijëve në histori shkroi deri një libër me përralla, në të cilat minjtë e gjetur në shtëpitë e gjermanëve nuk vriten, por çohen përpara gjykatës për t’u gjykuar, “trajtohen me njerëzillëk”. Me vullnetin e Himmlerit u miratuan direktiva për transportin e kafshëve, u mbajtën në Berlin konferenca ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e kafshëve dhe u miratua një rregullim i prerjes së peshqve dhe i kafshëve të tjera me gjakftohtësi. Një herë Himmler e pyeti mjekun e tij, gjuetar i njohur: “Si mundesh ti, doktor Kersten, të gëzohesh duke qëlluar, nga një vend i sigurtë, krijesa të pambrojtura, që shëtisin nëpër pyll, të paaftë për ta mbrojtur veten dhe të privuar nga çdo dyshim? Është një krim i vërtetë. Natyra është tmerrësisht e bukur dhe çdo kafshë ka të drejtën që të jetojë”. Ndërkohë vrasësit e Himmlerit ndiqnin dhe vrisnin hebrenjtë nëpër pyjet e Polonisë dhe të Ukrainës.
Një vepër e dy kërkuesve amerikanë, Arnold Arluke i Northeastern University të Boston dhe Boria Sax i Pace University të New York, ka arritur deri në konkluzionin se “holokausti është shkaktuar nga frika e infektimit gjenetik të popullit gjerman, që nazistet e konsideronin unik edhe për raportin e privilegjuar dhe simpatizues të tij me kafshët”. Himmleri vendosi edhe që të ndalojë therjen rituale hebraike që nuk lejon të anestetizohen kafshët. Stigmatizonte traditën kosher pasi paraqitej “kundër ndjeshmërisë së rafinuar të shoqërisë gjermane” dhe deri si “një vuajtje e kotë”. I fiksuar pas shëndetit, Himmleri kishte një urrejtje për duhanin, pirjen e të cilit e quante “një masturbim pulmonar”. Reichsführeri që nxiste ushtarët e tij të mos kishnin mëshirë për një kolonë grash dhe fëmijësh për t’i pushkatuar, e ndaloi duhanin jo vetëm midis SS-ëve të tij, por edhe në shumë vende pune, në zyrat qeveritare, nëpër spitale, nëpër trena dhe nëpër autobusë. Askush nuk pinte më duhan në prani të sovranit të kampeve të përqëndrimit.
Himmleri rekomandonte mëngjese me bazë preshi krudo dhe uji mineral dhe i kushtoi pjesë të aktivitetit të tij “problemit të patateve të ziera”, duke financuar deri kërkime lidhur me temën. Del edhe një pasion për banjat me gjethe avene të tharë. Himmleri kishte krijuar edhe një menu speciale për t’ia dhënë popullit gjerman: kafeja e mëngjesit zëvendësohej nga qumështi dhe përzierja e drithërave; në tavolinë, në vend të verës dhe birrës, duhej të pihej ujë mineral; vaktet qenë për t’u llogaritur me hollësi lidhur sasinë e vitaminave dhe të kalorive të caktuara nga eugjenetistë të afërt me të. Himmleri pëlqente shumë kaprojtë dhe e përkufizonte gjuetinë si “një krim i kryer me gjak të ftohtë kundër qenieve të pafajshme”. Është i njëjti njeri që sponsorizon në kampet e shfarosjes mjekët kriminelë dhe eksperimentet mbi kaviet njerëzore.
Parasëgjithash kreu i SS-ëve ishte një rritës pulash. Një fat që e ndante me “inxhinierët” e tjerë e “zgjidhjes finale”: Rudolf Höss, komandanti i Auschwitz, kishte një dyqan kasapi; Willi Mentz, gardian në Treblinka, kishte qenë mjelës lopësh; Kurt Franz, komandanti i fundit i Treblinka, kishte qenë kasap, ashtu si Karl Frenzel, “fokist” fillimisht në Hadamar e më pas në Sobibor. Në Waldtrudering, familja Himmler vendoset me qenin, pulat, lepujt dhe një derr. “Pulat bëjnë vezë”, i Margaret i shkruan Himmleri. “Pothuajse 2 vezë në ditë”. Në përfundim të luftës, familja Himmler ëndërronte të hapte një industri të madhe për prodhimin e vezëve biologjike. Strategu i shfarosjes çmendej pas perëndimeve të diellit, por sidomos për lulet. Dhe arriti kështu që të urdhërojë prodhimin e barërave mjekësore dhe të mjaltit organik në kampin e përqëndrimit të Dachau, ku Doktor Fahrenkampi drejtonte një lloj parajse të gjelbër në mes të kampit të shfarosjes.
Instituti Gjerman për të Ushqyerin dhe Ushqimin organizoi një rrjet kultivimesh në brendësi të kampeve të përqëndrimit në Poloni dhe Çekosllovaki. Në Dachau plantacioni drejtohej nga botanisti austriak Emmerich Zederbauer, i cili koordinonte një grup mjekësh, farmacistësh dhe teknikësh laboratori. Kurse në Auschwitz, Himmleri kishte urdhëruar të kultivohej një bimë speciale nga lindja, e quajtur kok – saghyz, që mendohej se kishte fuqi kuruese të veçanta. Në rrjetin e 20 kampeve të përqëndrimit, Himmleri organizoi kultivimin më të madh europian të barërave mjekësore. Shpesh Himmleri e krahasonte punën e tij prej seleksionuesi të grupeve etnike, të të paaftëve dhe të hebrenjve me atë të një botanisti: “E përballuam si një kopshtar që tenton të riprodhojë një varietet i cili është ndryshuar dhe zbehur. U nisëm nga kritere të seleksionimi të bimëve dhe proceduam kështu, me shumë vendosmëri, në eliminimin e njerëzve që mendonim se nuk mund t’i përdornim”.
Një skuadër speciale nën urdhrat e Himmlerit nisi një luftë kundër impatiens parviflora, një lule pylli e gjykuar “aliene” në fshatrat gjermane. Pastaj, kreu i SS-ëve ëndërronte që të “krijonte një zonë natyrale flore dhe faune të pafundme në Poloni”. Bile kishte ndaluar që të përdoreshin lulet artificiale nëpër funerale dhe qe krenar që arriti ta bënte Gjermaninë vendin e parë europian me rezerva natyrore. Letrat e Himmlerit për bashkëshorten janë plot me referime për lulet, një obsesion i tij. Në një letër, Himmleri tregon se i kishte dërguar 150 tulipanë nga Holanda: “Me një ngjyrë, me dy ngjyra, nuk i gjen kështu në Gjermani”. Urdhrat e tij për shfarosjen e fshatrave dhe të popullsive, Reichsführeri i nënshkruante rigorozisht me lapis naturali. Prej druri, sigurisht që jo prej plastike.
Përgatiti per bota.al:
ARMIN TIRANA