Numri i personave, të cilët nisen nga vendet e Perëndimit drejt Lindjes së Mesme, për t’u përfshirë ushtarakisht në sulmet e Irakut, po vjen duke u rritur.
I ashtuquajturi Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, ose ndryshe ISIS-ISIL, po vazhdon përpjekjet për të shtrirë kufijtë e tij nga Siria veriore deri në Irak.
CNN njofton se, për shkak se ky grup po fiton terren në Irak, shumë xhihadistë të përgatitur ushtarakisht në Perëndim po i bashkohen ISIS-ISIL.
E megjithatë, më herët, gjatë vizitës së shefit të diplomacisë amerikane, John Kerry, në Bagdad, ai bëri të qartë se Uashingtoni do të mbështesë Irakun kundër militantëve të ISIS-it. Edhe në një takim me udhëheqësit kurdë, u bë e ditur se Amerika i mëshon idesë për një zgjidhje të konfliktit me strategji politike dhe jo ushtarake.
“Ndihma e Shteteve të Bashkuara do t’u lejojë forcave irakene të sigurisë ta përballojnë ISIS-in në një mënyrë shumë më efikase, duke e respektuar plotësisht sovranitetin e vendit. Kjo mbështetje do të jetë e madhe, e vazhdueshme dhe, nëse liderët e atjeshëm hedhin hapat e nevojshëm për bashkimin e Irakut, atëherë do të jetë edhe më e efektshme”, tha John Kerry.
Gjithashtu, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u shpreh se është i nevojshëm uniteti rajonal për t’i bërë ballë sulmeve terroriste, dhe se është momenti i duhur, që populli i Kurdistanit të shprehë sovranitetin e tij. / Top Channel






