Nga Blerina Rogova – Gaxha
As në letrat paçavure të partive më nuk zë vend kultura e kombit, përpos disa fjalive “blla blla blla….”, sepse populli më nuk është as te letërsia, as te publicistika, as te fotografia, as te teatri politik e Biblioteka Kombëtare “SHIK”.
Ani kur po flasin për diversitetin kulturor, për konceptet e këtij zhvillimi, për një farë letërsie, krijimtarie, sporti … për komunistët e djeshëm dhe enveristët e sotëm, ec e mos shaj! Sikur janë të kulturuar në kohë fushatash dhe kur flasin për ato thonë, gratë dhe kultura, gratë dhe letërsia, ose gratë dhe mamografia… burrat në të s’ëmës shkofshin!
Në kohë fushate kur flitet dhe sa rrallë për kulturën, flitet vetëm për ata katër ose pesë burra sa kanë qenë në krye të një farë ministrie dhe të gjithë mbahen mend për do farë paresh, disa miliona dhe për do fotografi e ikona.
Që nga fjalitë “blla, blla, blla….”, deri te fjalimet revolucionariste për progres shoqëror, kultura është nën ground zero sepse populli më nuk është as te letërsia, as te publicistika, as te fotografia, as te krerët e kulturuar politikë e bile as te shkenca e te dija. Ata janë atje ku ndahet kulaçi ani pse të shkretët “nuk e dinë” se po vazhdojnë ta presin një copë jetesë nga ata që rrenën e kanë njerëzi bile një herë në katër vjet.
Projektet e mëdha për integrimin kombëtar të kulturës, për integrimin e saj ndërkombëtar, për artistët që shteti as e jo rrallë as mileti nuk i sheh, për ruajtjen e trashëgimisë e të arkitekturës, për gjurmimet arkeologjike, për shtëpinë e operës e të baletit, për teatrin kombëtar, për muzeun e luftës…, më nuk janë as premtime fushate, sepse vota nuk u marrka me kulturë!
Natyrisht kjo nuk vlen edhe për buxhetin sado të varfër të Ministrisë së Kulturës, për të cilën u tha se vetëm në një javë që ka shtatë ditë, nga këto të parafushatës, kishte shpërndarë mbi 260 mijë euro…
Gojët e liga po thonë se janë dhënë me sherr e për votë!!!
Në slogane, posterë, spote e billboarde nuk u “kujtuan” të merren me premtime për kulturën.
Nga helmeta e kryeministrit që po ikë deri te nudoja e kryeministrit legjendë, nga mëngët e përvjela deri te bukuroshet e fjetura, nga pretendimi i madhështisë deri te vogëlsia,nga kopjet e fushatave amerikane e evropiane deri te ato shqiptarçe, gjithë çfarë është bërë për kulturën ishte se plot nga tubimet u mbajtën në shtëpi kulture. Kaq.
“Read my lips: no new taxes” premtonte 26 vjet më parë Bushi i vjetër. E konsideruar si një prej frazave të famshme në retorikën e politikës botërore, mjeshtrit e analizës thonë se kjo frazë e ngjiti dhe e zbriti nga froni i presidentit. Bushi nuk e mbajti premtimin.
Disa madje e kanë konsideruar këtë premtim si gjashtë fjalët më destruktive në historinë presidenciale amerikane. Imagjinoni se çfarë do të mundë të shkaktonin premtimet e retorikës së fushatave në kohë zgjedhjesh pushtetesh shqiptare. Në gjithë diskursin politik, zhargoni i kësaj politike është teknik.
Retorikat kanë ndërruar, dizajni është moderuar. Lufta ka mbaruar, pavarësinë e kemi, ekonominë po e premtojnë, por kultura ende s’është “in”. Ndoshta pas disa dekadave, kushedi!
Nëse padronët e politikës e kanë ndërtuar diskursin dhe retorikën e fushatave nga ajo që popullit tash për tash më së shumti i djeg, ana e tij sociale, ata kanë harruar të shohin edhe mirëqenien shpirtërore, edukative a kulturore. Diktatori i kohës sonë është monumental. Sistemi i politikës së sotme është shtypësi më brutal.
Çuditërisht në këtë kohë fushate pak është folur edhe për kulturën e votimit, ose të debateve zgjedhore, ose për kulturën e mendimit dhe për sa javë na “lodhën e na bënë horë”!
Edhe pak ditë kanë mbetur që njerëzve të kulturës t’u premtohen pare, profesorëve rroga, akademikëve shtesa, studentëve të mos paguajnë, shkrimtarëve e poetëve “famë” e kështu deri në pakufi, ndërkohë që për zhvillimin e fushave të tyre flasim në një tjetër kohë. Sot jemi të zënë duke premtuar krejt çka t’ju dojë shpirti, megjithëse “lesh” do të marrim duket!
*ZERI





