Letizia Ortiz, Mbretëresha që nuk besonte në monarki


U rrit në një familje të klasës së mesme, republikane dhe agnostike. E bija e një sindikalisti radikal dhe gazetares së të majtës, Letizia ka lindur më 15 shtator 1972 në Oviedo, kryeqyteti i Asturias, një rajon i bregdetit verior mes maleve të gjelbra dhe me një histori të lashtë të revolucioneve të punëtorëve. Letizia Ortiz është vajza e dytë mes tre motrave. E njohu burrin e parë në kolegj, ajo studente dhe ai profesor i Letërsisë. Atëherë familja Ortiz Rocasolano ishte zhvendosur në Madrid për shkak të punës së babait. Ishin të dashur për një dekadë dhe më pas u martuan, por që martesa e tyre zgjati vetëm një vit. Letizia u diplomua në gazetari në Universitetin Complutense të kryeqytetit spanjoll. Studentes së shqetësuar, i pëlqente të linte gjurmë. Jetoi për pak kohë në Cali, bëri një master në Meksikë, punoi në disa media, duke përfshirë CNN (version iberik) dhe Bloomberg në Madrid, derisa u stabilizua më 2000 në televizionin spanjoll. I shkoi mirë që në fillim, mori pjesë në programe të ndryshme, dhe në momentin që po përkushtohej si prezantuese dhe gazetare e lajmeve u njoh me Princ Filipin. Ata u dashuruan dhe jeta e saj mori një kthesë të shpejtë.

Lamtumirë gazetarisë… 
Të premten më 31 tetor të 2003, ajo  prezantoi edicionin e fundit të lajmeve, pasi fejesa, të cilën e mbajti sekrete për disa muaj, u bë publike përmes një komunikate të pallatit të Zarzuela, rezidenca zyrtare e mbretërve të Spanjës. Që nga ai moment dhe në veçanti pas dasmës në Katedralen e Almudenas, më 22 maj të 2004-ës në  një mëngjes me shi të rrëmbyeshëm, ajo duhet të mësonte se tashmë kishte një post tjetër dhe të gjitha fjalët e saj në publik do të përgatiteshim dhe redaktoheshin. Për Letizia Ortiz nuk duhet të ketë qenë i lehtë kalimi nga një grua liberale, protagoniste e jetës së saj, e shoqërueshme, agnostike në një princeshë, katolike të devotshme, hije e trashëgimtarit të kurorës. Ajo i përkushtohej në një mënyrë aktive një institucioni që në disa qarqe intime e konsideronin anakronike. Ishte e parehatshme për vajzën nga Asturia që të rrethohej nga aristokratët spanjoll dhe evropian. Megjithatë ajo u mbështet që ditën e parë në aleatë besnikë për të kaluar pengesat, tek populli i thjeshtë që e ndjente si njërën prej tyre dhe bashkëshorti i saj, Princi i Asturias. Ata që e kritikuan, sepse preferonin që Felipe të zgjidhte një beqare me gjak blu, të përgatitur që në djep për postin e Princeshës, nuk llogaritën avantazhet e një vajze të zakonshme. Me kalimin e viteve dhe vazhdimësinë e skandaleve që pushtuan kurorën, tani shumë  pak dyshojnë që popullariteti i ish gazetares që mishëroi në mënyrë korrekte rolin që i dhanë, ndihmoi familjen të dilte nga errësira. Tashmë ish gazetarja liberale që kurrë nuk do të përulej para monarkisë dhe mbretit Felipe VI do të mbajë kurorën e mbretëreshës. /O. Jaupi