Nga Profesor Alfred Uçi
Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore drejtohet, në radhë të parë, tek autori për të zbuluar kuptimin autentik shekspirian të kësaj figure. Këtë rrugë është përpjekur ta ndjekë rreptësisht Fan Noli, i cili ka synuar të jetë sa më pranë Shekspirit, ndonse ka përthithur mjaft ide të mira që kish vënë re në vlerësimet e Volterit e Kolrixhit, të Gëtes e të Hygoit, të De Stalit e të Niçes, të R.Rolanit e të L.Tolstoit. Por edhe shpjegimet e Nolit nuk kanë pretenduar ta mbyllin diskutimin: ato mbeten të hapura. Me sa duket, enigma e Hamletit do të ketë fatin e së vërtetës absolute, për të cilën filosofi iluminist francez D.Didro ka thënë: “Ajo i ngjet asaj kurtizaneje, që i tregon dashnorit vetëm pak nga hiret e saj të shumta duke lënë gjithmonë nga bukuria e saj diçka të panjohur tërësisht e plotësisht”. Ndoshta edhe Shekspiri vetë nuk e ka ditur deri në fund domethënien e heroit që pat krijuar. Historia e letërsisë sjell mjaft fakte që provojnë, se vlera estetike e disa veprave letrare e artistike i ka kaluar parashikimet e autorëve të tyre. Nuk ma pranon mendja se Homeri, Eskili, Sofokliu kanë besuar që mesazhet e krijimeve të tyre do të mbrrinin deri tek ne. Prandaj, nuk është aspak vulgarizim të kërkosh, edhe përtej Shekspirit, kuptime, që lindin gjatë ballafaqimit të veprave të tij me epoka e kohë të tjera. Mund të mendohet edhe ndryshe. Të hiqet dorë përfundimisht nga përpjekjet për të deshifruar enigmën hamletiane dhe të kënaqesh vetëm duke e lexuar dramën ose duke e përjetuar në skenën e teatrit e të ekranit. Gjithsesi, duam apo s’duam, për këtë çështje do të diskutohet edhe më tej, pa shpresuar se do të ketë një zgjidhje përfundimtare. Enigma e Hamletit do të jetë gjithmonë një apel i përhershëm për të diskutuar për artin e për jetën, për enigmat e pashtershme të tyre. Ky mendim na ka sugjeruar edhe një formulë (disi groteske), e cila, duke qenë e hapur ndaj idesh të reja, nga ana tjetër, do ta ushqejë kërshërinë tonë ndaj intrigës interesante, të çuditshme e të ndërlikuar të fatit e të karakterit të Hamletit. Simbolikisht, këtë formulë do ta paraqitim si më poshtë:
Hamleti=I+V Me I kemi shënuar integralin e elementëve pozitive te gjithë shpjegimeve që janë dhënë deri tani, kurse me V kemi shënuar një madhësi variabile, korelacionin midis figurës se Hamletit dhe realiteteve të ardhme. Në sfond të ndryshimeve të pritme të jetës, figura e Hamletit do të tregojë nuanca e aspekte të panjohura, që do ta pasurojnë perfytyrimin tonë mbi përmbajtjen universale, polivalente dhe gjithnjë aktuale të saj. “Hamleti” është një dramë që po të luhej e plotë në skenë teatri, do të duheshin më shumë se pesë orë. Kur e kanë realizuar, regjisorëve iu është dashur gjithmonë ta shkurtojnë, t’i heqin diçka, madje edhe me qëllim që ta aktualizojnë dhe të theksojnë idenë e tyre të parapëlqyer për të. E me gjithë këtë “Hamleti” mbetet një dramë që bart diçka të pathënë deri në fund, diçka të papërcaktuar në përmbajtjen e saj tragjike. Çfare s’ka në të? -ide politike e morale, filosofike e historike, sociale e familjare, erotike e metafizike, nacionale e estetike. -Jo vetëm regjisorët, por edhe publiku kërkon e gjen në të diçka që s’e kanë kërkuar ose s’e kanë vënë re paraardhësit e tyre. Publiku shkon në teatër të shikojë një Hamlet te ri: idealist ose sentimental, egoist, fisnik ose racional e të kujdesshëm, një intelektual të revoltuar apo një Sizif ekzistencialist, kërkon të shikojë një Hamlet aktiv e të guximshëm, ose Hamletin meditativ, Hamletin entuziast apo Hamletin pesimist, të trishtuar e të zymtë, por gjithnjë tragjik. “Hamleti” përmban mundësi të shumta për interpretime të ndryshme dhe për aktualizime të freskëta. Kjo strukturë e ndërlikuar dhe e shumanshme e dramës i ka dhënë mundësi edhe Fan Nolit të formulojë variantin e tij interpretativ, duke e afruar me kohën e tij. Eshtë krejtësisht e natyrshme edhe për ne, që të përpiqemi të zbërthej më jo vetëm atë nyje, ku kryqëzohen kuptimi autentik shekspirian me atë nolian. por edhe atë aktualizim, që pati “Hamleti”, i vënë në skenën e Teatrit tonë Kombëtar më 1960, dhe që vazhdon ta ketë. Fan Noli në “introduktën e “Hamletit” përpiqet të jetë sa më pranë Shekspirit. Përfytyrimin e tij për Hamletin ai e nxjerr së brendshmi, nga vetë vepra dramaturgjike, duke provuar gjithësesi vërtetësinë e formulës që përmendëm më sipër. Çfarë spikat në vlerësimin e “Hamletit” nga Noli? Para së gjithash, Noli e konsideron “Hamletin” veprën më të përsosur të Shekspirit. “Hamleti”, - shkruan Noli - është piktura më e pasur dhe më e thellë që ko dalë nga penda e Shekspirit, i cili në fytyrën e tij ka pikturuar vetveten (Fryma e introdukteve të shtyn të supozosh se edhe për Nolin figura e Hamletit ka qenë pëlqyer si paralele autobiografike). Duke mbajtur mend që në galerinë shekspiriane s’ka pikturë të vogël, kuptohet sa rëndë është ta çmojnë nga të gjitha pikpamjet pikturën më të madhe, ku dramatisti ha vënë tërë mjeshtërinë, ku ka derdhur tërë mendjen, tërë shpirtin e tërë zemrën, ku ka hedhur dritat më të shkëlqyera dhe hijet më të errëta. A më mirë, Hamleti është dushku më i lartë dhe më i bukur i pyllit shekspirian”. Pastaj, Noli është përpjekur ta karakterizojë figurën qëndrore të dramës, të Hamletit; portretizimin e fillon me përshtypjet e Ofelisë, domethënë përsëri së brendshmi: “Hamleti, - shkruan Noli, - është, ashtu siç e përshkruan Ofelia, oborrtar, shkollor, ushtar, domethënë njeriu i mënyrave elegante, njeriu i mendjes së lartë, njeriu, i rreptë i luftës. Si “Princi” i Makiavelit, është dhelpër dhe luan. Eshtë princi ideal i Përlindjes Inglize, heroik e fetar nga instinkti dhe skeptik nga edukata, në fund të kohës së mesme dhe në krye të kohës moderne. Kështu kanë qenë shumica e princërve të shkëlqyer të kësaj periudhe, ëndërronjës, poetë e artistë, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, politikanë dinakë dhe të rafinuar, njerëz të punës, të mprehtë e brutalë”. Noli evidenton saktësisht karakterin tejet kompleks e të shumanshëm të Hamletit, por edhe atmosferën e Rilindjes europiane, që përshkon tejpërtej dramën e Shekspirit. Hamleti nuk hyn në situaten tragjike thjesht nga që ka të drejtë e detyre, sipas zakoneve mesjetare, të hakmerret për atin e tij të helmuar, që vetëm kaq i kërkonte. Hamleti është njeriu i Rilindjes dhe për të Mbreti i vrarë nuk është vetëm at, as vetëm “Mbreti i Danimarkës”, por është, para së gjithash, Njeri. “E kam parë, - i thotë Horati, - ish mbret i fortë”, kurse Hamleti i përgjigjet: “Ish burrë. Nga gjithë pikëpamjet, s’kam për të parë shok të tij”. Nolit s’i shpëtojnë as vetëm humanizmi, as drita e diturive të kësaj epoke, por as karakteri tragjik e i përgjakshëm i jetës politike të asaj kohe, në të cilën përfshihet edhe Princi ynë, që kërkon jo thjesht hakmarrje, por ta ndreqë shoqërinë. Noli bën edhe një hap tjetër më tej. duke iu afruar edhe më shumë thelbit të formulës që e përmendëm. Hamleti, sipas tij, është siç është Danimarka. Hamletin ai e përfshin në një situatë thellësisht tragjike kur: “Vëllai vret vëllanë dhe i rrëmben të shoqen” - rrëfen Noli për atmosferën ku gjendet Hamleti, - e ëma mëndjelehtë martohet me vrasësin e të atit; i ungji vrasës uzurpon fronin e të nipit; e dashura e tij e padjallëzuar, pa ditur e pa dashur, vihet në shërbim të uzurpatorit e të spiunojë; miqtë e shokët e djalërisë i vënë gracka e pusira; populli i falet mbretit kriminel... Hamleti tani sheh poshtërsinë njerëzore në tërë shëmtimin e saj. Danimarka, e bukur si parajsë, i duket si një burg”. Interpretimi nolian i Hamletit e lë disi pas modelin romantik, që e shpallte një hero “të sëmurë”, “të brishtë”, të lëkundur e thjesht meditativ. Noli e ekspozon Hamletin si tragjedi të një humanisti, që kthehet në vendlindje nga Universiteti i Vitenborgut, vatër e ideve rilindase, dhe e gjen veten të përfshirë në një dramë pa rrugëdalje. Hamleti kishte jetuar gjer atëhere i shkujdesur midis librave, studimeve të larta dhe arteve të bukura, ishte djali i përkëdhelur i një mbreti heroik të pashoq nga trimëria dhe mirësia; ishte princi trashëgimtar ideal, i adhuruar prej popullit dhe i paisur me të gjitha cilësitë e virtytet morale dhe intelektuale; kishte të dashur Ofelinë, vajzën më shpirtmirë e engjëllore të mbretërisë: nga maja e fronit ku lindi, skish veç lumturitë, bukuritë e madhështitë e natyrës e të njerëzisë. Por kjo mënyrë jetese kish marrë fund për të; ajo ishte zëvendësuar nga një situatë krejtësisht e ndryshme që paralajmëronte ngjarje të kobshme. Hamleti parandjen katastrofën, bota “i përmbyset mbi kokë”. Ai nuk mund të qëndrojë indiferent e të zhytet në dëfrime e qejfe, ku kërkon ta shtyjë i ungji, por heziton të ngrihet haptas kundër “një oqean mjerimesh”, sepse i duket e pamundur fitorja. Noli përveçon, si shkak themelor të tronditjes së thellë shpirtërore të Hamletit, dyshimin që i lind qysh në takim me fantazmën e të atit dhe që i kërkon të hakmerret kundër të ungjit. Mbi të rëndojnë detyra të vështira, që ia bëjnë jetën zeher dhe veten e gjen të papërgatitur mjaftueshëm për të kryer të tilla detyra: “Kjo botë e shthurur/ O prapësi, o dreq! / Që unë paskam lindur të të ndreq”. Barrë e rëndë për studentin e ëndërrimeve humanitare rilindase: i bie t’i marrë gjakun t’atit të vrarë; ta shkëputë t’emën nga krahët e atij që i vrau të shoqin e parë; të kthejë në fron mbretin legjitim trashëgimtar. Hamleti torturohet, duke medituar se sa i aftë t’i përmbushë këto detyra. Zhvillimin e situatës tragjike, në të cilën përfshihet Hamleti, shumë studiues e kanë lidhur ngushtë me cilësitë personale të tij, duke e quajtur njeri të plogësht, inaktiv, të lëkundur, melankolik, të pavendosur, të paaftë për veprim, me një fjalë, i kanë veshur një “ndërgjegje të brishtë romantike”. Edhe Noli e përmend këtë pikëpamje. Ja se ç’thotë: “Disa kritikë letrarë, që nga Gëtja e këtej, kanë pretenduar se Hamleti e vonon mbarimin e detyrës së tij ngaqë s’është njeri i punës, ngaqë s’ka asnjë prej virtyteve praktike, ngaqë i mungon zotësia të bëjë një plan e ta verë në veprim dhe ngaqë nuk vepron veçse në raste shtrënguese të pazakonshme. E vetmja bazë për këto gjendet në qortimet që i drejton vetvetes Hamleti”. Është e vërtetë se në rrjedhën e situatës së vështirë Hamleti kalon nëpër gjithë shfaqjet e kësaj psikologjie të turbullt, që kurorëzohet me vetëqortime e pavendosmëri, siç del nga një varg monologjesh tërë bukuri e dramacitet. “Unë,/Zuzar trupllom i fjetur e shpirtbrumë,/ SI teveqel, skuptoj dot çështjen time/E shap dot gojën; jo, as për një mbret,/Që mi rrëmbyen nder e mall e jetë/Me të pabesë. Mos jam frikacak vallë?/ Sqenkam veç një zemërlepur, spaskam pikë gjak,/ Se ndjekam shtypjen thelle hidhur, ndryshe,/ Do tua kisha hedhur korbave/ Qëkur kufomën e këtij çakalli!/Gjakpirës e kurvar, katil i poshtër./ Kodosh pa shpirt, pa zemër e pa besë!”. Por ai dyshon edhe se mos fantazma është vepër djalli, provokim që e rren për t’i humbur shpirtin; ai do prova të sigurta e për këtë qëllim organizon shfaqjen teatrore (Drama është gracka / Ku shpirti i mbretit hapet si laraska”). Noli e ka kundërshtuar mendimin se Hamleti është pasiv dhe i pazoti për veprime aktive. Ai ka llogaritur se koha që nga takimi me fantazmën dhe deri në fundin e veprimit dramaturgjik nuk zgjat më shumë se katër muaj, afat të cilin ai e quan fare të shkurtër për të vënë në jetë një plan, që përfshin dënimin e uzurpatorit, por të kesh parasysh, gjithashtu, se Hamleti është tipi intelektual e moral, që nuk iu shëmbëllen kondotierëve e kalorësve gjaknxehtë e të rrëmbyer. Përshkrimi që i bën Noli gjendjes së rëndë shpirtërore të Hamletit në situatën tragjike, ndihmon dhe më mirë të kuptohet veprimi “i vonuar” i tij në këtë dramë. Por Hamleti, sidoqoftë, vepron, sipas Nolit, nuk rri duarlidhur. “Që të veprojë, - shkruan Noli - do prona të gjalla dhe të sigurta dhe kur s’i mbetet asnjë dyshim për fajsinë e t’ungjit, pret gjersa t’i gjenje rasjen ideale që ta vrasë dhe e vret kur është damkosur në sytë e perëndisë e të botës si vrasës e helmonjës i pabesë. Gjahmarrja e tij është një vepër arti, një kryevepër nga fryma dhe forma”. Këto jane idetë kryesore të Nolit për këtë tragjedi të Shekspirit, që do të mbeten pjesë e përherëshme e së vërtetës mbi Hamletin. Por po të kemi parasysh ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të Shekspirit ndaj Kohës, do të shtyheshim ta kërkonim Hamletin në mote edhe pas Nolit, kur pati një ringjallje të fortë të interesimit për këtë dramë, kur heroi i saj u rishfaq me fytyrë edhe më tragjike, duke sjellë mesazhe të reja, që kumbuan të fuqishme e të freskëta, bashkëkohore sidomos në vendet ku sunduan diktaturat fashiste, staliniste etj. Kjo vepër e Shekspirit po evidentohej si dramë krimesh politike. Hamleti u shfaq në skenat e teatrove të Londrës, Parisit dhe Moskës, Varshavës, Berlinit e Pragës, të Bukureshtit e të Sofjes kur porsa kishte vdekur Tirani më 1953. Ai vinte nga kampet fashiste të shfarrosjes në masë, vinte nga kryengritjet e Berlinit, Poznanit, Budapestit, apo nga veprimet që kundërshtonin diktaturën personale të E. Hoxhës, nga Konferenca e Partisë e Tiranës, etj. Ishte një kohë, të cilën shkrimtari I.Erenburg e quajti “kohë të shkrirjes së akujve”. Kohë tejet dramatike kjo! Frika e pasiguria ishin të mëdha, por po lindnin edhe ca shpresa, si ato lulet e para që çajnë cipën e akulltë të dheut, kur pranvera është ende larg. Në skenën shqiptare të Teatrit Popullor “Hamleti” hipi pak më vonë, më 1960. Ndonse koha jonë vazhdonte të ishte dramatike dhe e tensionuar, edhe në të gjallonte shpresë për ne shqiptarët, sidoqë tejet e brishtë (se shqiptarëve s’u ec në histori), që do të vyshkej pak më vonë si lule varri (Është për t u vënë në dukje se drama u vu në skenë nën drejtimin e regjisorëve sovjetikë Vladimir Bartko, Nina Çefrenova dhe shqiptari Andrea Malo, që porsa ishte kthyer nga studimet në Moskë. Me të hynte në teatrin tonë fryma antistaliniste e përhapur pas Kongresit të 20-të të PKBS-së) A i solli ndonjë gjë të re kjo kohë enigmës hamletiane? Ajo e çvendosi ndjeshëm konfliktin midis Hamletit e Klaudit drejt konfliktit midis Hamletit e Kohës, Danimarkë-Burgut. Drama e vërtetë e Hamletit fillon që atë çast kur ai nis të besojë se vdekja e t’atit mund të kish qenë krim; dyshimin ia përforcon takimi me fantazmën e t’et. Ai tronditet, sepse e di fort mirë se ç’do të thotë të kesh dijeni për vepra të tilla, të kryera nga vetë sovrani. Në rrethet oborrtare kjo gjë është e barabartë me “krim shtetëror” nga më të rëndët. Volteri pat thënë një herë se Ovidin e internuan nga që duhet të kishte mësuar ndonjë të fshehtë të këtij lloji në rrethet e larta perandorake. Hitleri, Stalini i zhduknin herë pas herë bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, që kishin dijeni për urdhërat e tyre kriminale. Me këtë mënyrë sundimtarët zhdukin “dosjen” me faktet mbi krimin. Prandaj edhe Hamleti, menjëherë pas takimit me fantazmën e t’et, e kupton rrezikun e madh që e kërcënon nga që mëson se i ungji është vrasës, uzurpator. Për këtë arësye, duke dashur të mbrohet, zë të luajë rolin e një të marri e megjithë atë dy herë shpëton vetëm rastësisht nga komplotet e t’ungjit, që desh ta likuidonte. Hamleti e kupton se kish lëvizur, kish ndryshuar vetë koha; përçarjet, grindjet, vllavrasjet, partikularizmat mesjetare etj., ishin bërë të padurueshme. Historia kish shtruar në rend të ditës kapërcimin e tyre me anë të një shteti të centralizuar, autoritar, absolut. Që këtej buronin, gjithashtu, luhatjet e hezitimet e Hamletit: Ta ngrerë dorën kundër këtij shteti, që po niste të konsolidohej në kohët e reja, apo t’i nënshtrohej? Ja cila ishte çështja e vërtetë për Hamletin, i cili kish frikë mos ngrihej kundër rrjedhës normale të historisë. Duke e përdorur si xhongler kohën artistike, Shekspiri le të nënkuptohet se nga momenti që kish ndodhur krimi e deri tek çasti i takimit të Hamletit me Fantazmën, duhej të kishte rrjedhur shumë ujë, duhej të kishin ndodhur ndryshime të thella. Bëhej fjalë për një a dy muaj, por konvencionalisht Shekspiri e kondenson kohën artistike që, nga njëra anë, të tregojë veprimet imorale të s’ëmës e t’ungjit që shpejtojnë të martohen (“Një muajth pa u vjetëruar as këpucët që më përcolli trupin e tim eti, në një muaj pa u tharë kripa e lotëve, oh, sa shpejt u shtri në shtrat, n’incest pa turp!”), kurse, nga ana tjetër, çdo ditë e minutë të kësaj kohe e ngarkon ngjeshur me ngjarje që e kanë ndryshuar fort pamjen e Danimarkës (“si kopështi i paterrur drizat e egra e mbysin krejt”), në të cilën Hamleti, i rikthyer nga studimet, e ndjen veten shumë keq, të huaj në vendlindje. Duke kujtuar kohën kur u shfaq “Hamleti” në Tiranë, nuk mund të rrimë pa kujtuar se po kështu e patën ndjerë veten edhe shumë studentë shqiptarë, që, të kthyer me gënjeshtra nga vendet e Europës Lindore ku ndiqnin universitetet e akademitë, nuk i lanë më të riktheheshin nato vende me pretekstin se mos “prisheshin nga revizionizmi”. Hamlet në skenën e Teatrit Popullor atyre iu ngjallte mall për liri. Detyra e Hamletit për t’u hakmarrë ishte tejet e vështirë, sepse në mbrojtje të krimit qëndronte tashmë një shtet, një sistem politik me prirje të theksuara autoritare, tiranike, me fuqi absolute. Filosofinë e shtetit totalitar e shpreh qartë Rozenkraci: “Kur një njeri privat e ka detyrë / Me gjithë armët e fuqin’e mendjes / Të ruhet nga çdo dëm, pra, ca më tepër/Ai, nga mirëqenia e të cilit / Po varet jet’e gjithë popullit. / Se mbreti kurrë nuk vdes i vetëm; / Si pus i thellë mbyt, thëthin ç’ka pranë / Si rrot’e madhe, mbi një mal të lartë, / Me dhjetë mijë gjëra më të vogla, / Mbërthyer mbi parmakët, që kur bie, / Çdo gjë e vogël q’është e lidhur bashkë, / Rrëzohet tatëpjetë e përmbyset; / Kur rënkon mbreti, tërë shteti ngryset”. Ky Leviathan (Këtë term të huajtur nga mitologjia antike e përdori për të shënuar shtetin autoritar, që po shndërrohej në përbindësh, Hobsi filozofi anglez i shekullit XVII) përbindësh i tmerrshëm, kish akumuluar ndërkohë aq fuqi sa që rreth vetes pranonte vetëm funksionare, domethënë shërbëtorë e nëpunës besnikë, servila, që mbi gjithçka vinin interesat shtetërore. Këta lloj funksionarësh Hamleti i quan “sfungjerë që thëthin trurin, shpërblimet dhe ofiqet e mbretit”. Këta farë zyrtarë i bëjnë mbretit shërbime të mira, ai i mban, si majmuni arrat, në çip të nofullës së tij; i vë në gojë më parë dhe i gëlltit në fund; kur ka nevojë për ato që keni mbledhur, ju shtrydh vetëm dhe “o sfyngjer mbetesh prap’i thatë”. I tmerrshëm, mizor, i pamëshirshëm është shteti totalitar dhe me shërbëtorët e tij më të zellshëm, që i shtrydh dhe pastaj i hedh në koshin e plehrave. Mekanizmi i Madh e mizor i Historisë, të cilin Shekspiri e identifikonte me Kohën, rrezatonte gjithandej palirinë, kurse jetën dhe njeriun i tërhiqte në këto hone. Pra në dramën “Hamleti” në plan të parë del konflikti i thellë jo thjesht midis dy njerëzish, princit legjitim e uzurpatorit, por midis Lirisë dhe Palirisë. Hamleti e ndjen shpejt klimën e Palirisë: kudo spikat survejimi, përgjimi, spiunimi, hipokrizia, frika e krimi. Atmosfera e përgjimit dhe e survejiinit e detyron Hamletin t’i fshehë mendimet (“Plas o zemër, se s’do hapur goja”); hidhërimi e brenga e tij janë aq të forta sa që përdor gjuhën e rromuzeve e të aludimeve. Kur Mbretëresha për martesën e saj të shpejtuar me të ungjin, e pyet: “Përse të duket kaq e pazakontë?,” Hamleti i përgjigjet: “Më duket, zonjë! Eshtë e jo më duket”. Kur Horati i shpjegohet se “ka ardhur për varrimin e të atit”, ai ia kthen: “S’ke ardhur veç për dasmën e sim mëje”; “të pjekurat dhe gjellët funerale sa pa ftohur, na i stolisen sofrat e martesës”. Vetë mbreti, e shoqja, kryeministri, Laerti, domethënë edhe majat e piramidës shtetërore, i shërbejnë shtetit si funksionarë, edhe ata janë subjekte të “lojës” me survejime, përgjime, kompllote, prapaskena, dredhi, intriga, maska. Kudo sundon frika, mosbesimi, dyshimi. “Në kokë ç’ke, - e këshillon i ati Laertin, - mbi gjuhë mos i nxirr”, kurse së bijës i thotë se “dashuria është gracka për të zënë zoçka’’. Me këto sëmundje molepset froni, martesa, dashuria, familja, miqësia. Mbreti nuk e lejon Hamletin të kthehet në Universitet, sepse kërkon të mësojë se ç’mendime gjallojnë në kokën e princit trashëgimtar. Ai ngarkon shokët e fëmijërisë së Hamletit, Rozenkracin e Gildensternin ta vëzhgojnë e ta spiunojnë. Këta janë të zhveshur nga ndjenja miqësie dhe veprojnë si nëpunës e funksionarë në shërbim të shtetit. Ata janë të gatshëm të marrin pjesë edhe në krime, pa iu rënduar ndërgjegja. Polloni, kryeministri ka degjeneruar në “vesh” i Mbretit. Ai nis spiunë deri në Francë, ku studjon Laerti, i biri, që ta survejojnë dhe të mësojnë se me se merret e si e kalon kohën. Vetë Kryeministri merr pjesë në kompllote e prapaskena, që ia ngrakon tirani; ai ndërton gracka e kurthe, ndonëse bie vetë në to. Edhe të bijën, Ofelinë ëngjëllore, e ngarkon të përgjojë e spiunojë në mirëbesim Hamletin. Frika, hipokrizia e krimi politik kontaminojnë gjithë mjedisin. Ska asnjë shpëtim për njeriun; bota është dehumanizuar. Ja si e karakterizon Hamleti mjedisin ku i merret fryma: Në tërë Danimarkën ska përveç\Zuzarë dhe kalorës vagabondë”; “Bie erë kalbësirë në mbretërinë e Danimarkës”; “Danimarka është një burg i vërtetë, ku ka shumë qelira, vrima dhe bodrume, dhe ajo është një nga më të ligat”. Leviathani ka dalë nga shtrofka dhe duket se kërcënon dhe kërkon të gëlltitë pa mëshirë edhe ideatorinë e tij, vetë Mbretin, i cili ndihet i pafuqishëm, aq sa i kthen sytë nga perëndia së cilës i lutet: “Oh, krima ime kundërrmon ndaj qiellit ... \ Si? Makar në qoftë/E mbytur me gjak vëllaj der’e mallkuar. / S’ka vallë qiell’i ëmbël shi ta lajë, / Ta zbardhë si dëborë?. .. / Në prronjtë e botës së kalbur, dorë e artë / E kriminelit gërryen drejtësinë... , / Po nuk është ashtu dhe lart; /Atje s’ka lodra: atje qëndron vepra\ Ashtu si është e jemi të shtrënguar\ Të japim fjalë për çdo qime faj ... / O shpirt që do të dalësh jashtë llomës. / E futesh ca më thellë / Zot përkrahmë!”. Leviathani mizor sundon jo vetëm mbi jetën, por dhe mbi vdekjen. Duhet urdhëri i “inspektorit të varreve, që Ofelia të varrosej si e krishterë, ndonse dyshohet se vrau veten. Kur gastori-varrmihës tregon se ky veprim është në kundërshtim me ritet e krishterimit, kolegu i tij i thotë se “ashtu është vendosur lart”. E dimë tashmë se shteti totalitar s’le vrimë të jetës pa futur brutalisht hundët edhe në çështjet e varrimeve, edhe të dashurisë. Tragjedia e Ofelisë vjen se ia ndalojnë dashurinë e martesën me një “armik”, “kompllotist” si Harnleti, i cili është i vetmi njeri në mbretërinë e Klaudit që i dhimbset Ofelia e që e këshillon: “Ofeli e dashur, shko në manastir’”, ndoshta i vetmi vend ku mund të shpëtonte shpirtin e trupin. S’ishte këshillë kjo e një njeriu të urtë, por ishte klithmë e një njeriu që po mbytej, që po asfiksohej, që mund te shpëtonte po të shkonte edhe vetë pas Ofelise në Manastir. Në këto çaste Hamleti e kupton se i vetmi shteg shpëtimi ishte: të çmendej ose të vriste veten. Në këtë pikë tragjike arrin Hamleti: “Të rrosh a të mos rrosh - kjo është çështja; M’e lart’ është vallë të durosh\ Hobe, shigjeta fati të tërbuar/ A të përballsh një det të turbull helmesh Me arm’e fund t’u japsh. Të vdeç - të flesh-Jo më - dhe me një gjumë të mbarosh\ Çdo zemërdhembje, mijëra tronditje, / Që trupi prej natyrës trashëgon. \ Ja një qëllim që duhet dëshiruar \ Me gjithë shpirt. Të vdeç - të flesh; të flesh? / A ndofta t’ëndërrosh!Ah, këtu ngec; / Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë-vdekje, \ Pasi na shkundet kjo pështjell e mortme, / Kjo frikë na sundon; ja arsyeja / Qe aq e zgjat një jetë me mjerime / Se kush duron përbuzjen dhe kamxhikn ‘e botës,\ Zullumn ‘e shtypësit, përdhunën e krenarit, / Lëngimn’e dashuris’së papërfillur. Vonimn’e ligjit, gojështhurjen e zyrtarit, / Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemërgjerë / Nga të pavlefshmit merr, kur mund ta lajë / Hesapin fare me një copë thikë? ... “. Klima politike e shtyn Hamletin të veprojë si konspirator, të shprehet në mënyrë sarkastike, të tregohet i nxituar, brutal e gjaknxehtë, domethënë t’i kapërcejë gjithë ato cilësi, për të cilat është akuzuar si i “pazoti për veprim”. Hamleti vendos të hyjë në luftë me Leviathanin e përbindshëm. Për këtë qëllim ve maska, fillon të luajë si një aktor i mbaruar, shtihet si i marrë, i fsheh mendimet e planet e veta, vigjëlon ndaj kurtheve që i ngrenë kundërshtarët, ruhet mos i bier murit me kokë e mos shkojë për dhjamë qeni. S’i mbetet veçse të mbyllet, të burgoset në vetvete. Shpirti, ndërgjegja janë e vetmja shtrofkë ku mund të strehohet të fshihet e të maskohet, ku Hamleti hedh mbi vete hije ambiguiteti, mburoja më e fuqishme e tij përballë gjithë mjedisit armiqësor. (“Këtu e tutje do të duhet të vë një mashë stravagante”). Në të tilla çaste dhe përmes këtij ambiguiteti krijohet emgma hamletiane, që nuk e deshifrojnë gjithë përgjimet e survejimet e Pollonit e të Klaudit . Por kjo enigmë mund të kuptohet pak më mirë, duke e afruar heroin e Shekspirit me njeriun e kohëve tona, që e ka gati të pamundur të orientohet në labirinthin e jetës bashkëkohore, të dalë ngadhnjimtar nëpër proceset tjetërsuese, që rrëzojnë e përmbysin dëshirat e qëllimet më fisnike njerëzore dhe që s’arrin t’u përshtatet ritmeve të përshpejtuara e marramendëse të dinamizmit të jetës moderne. Hamleti e kupton, më në fund, se nuk ka të bëjë thjesht me të ungjin, por me Laviathanin, të cilin nuk është e lehtë ta rrëzosh, ta shtrish për tokë. Përballë këtij përbindëshi Hamleti qëndron si një kërthi i brishtë, më i pafuqishëm se sa përfytyrimi që kishin për të romantikët. Ai ka tiparet e heronjve të letërsisë ekzistencialiste, misionar i lirisë, që kërkon t’i kuptojë të fshehtat e jetës, që e tmerrojnë dhe e paralizoj në absurditeti dhe huqet e saj të egra, që e ndjen se është duke rrëshqitur drejt një fundi tragjik. Me një libër në duar Hamleti mediton për enigmat e jetës së helmuar. Ky episod na ngjall në përfytyrim Hamletin e Aleksandër Moisiut që bashkëbisedon me vdekjen, duke mbajtur në dorë një kafkë, të nxjerrë nga varri. I braktisur nga të gjithë, i rrezikuar nga të katër anët, mbetet i vetmuar në lirinë e vet, i llahtarisur nga realiteti dhe i hutuar, pa ndonjë plan të qartë e të sigurtë veprimi. Shekspiri përmbledh tek Hamleti gjithë dramën e humanizmit të Rilindjes. Hamleti është ëndërrimtar, utopist, që ka përfytyrimin e një shoqërie ideale njerëzore, ndonëse faktet e jetës politike të atëhershme e shtyjnë t’i verë në dyshim edhe vlerat më të larta rilindase: “Çfarë vepër është njeriu! Sa bujar nga arsyeja! Sa i pakufishëm nga zotësitë! Nga shtati e nga lëvizjet, sa i hijshëm e sa i çuditshëm! Nga veprimi si engjëll. Nga kuptimi si perëndi! Xhevahir i botës! Kurora e gjërave të gjalla! Dhe megjithkëtë, sa për mua ç’është kjo kuintesencë prej pluhuri? Njeriu s’më gëzon”. Bota e shëmtuar gati sa s’e trondit idealin humanitar të tij. Ai parandjen për vete një fund të keq dhe prandaj e rrëmbejnë meditimet për vdekjen, që e kupton si fund të vuajtjeve të mjerimit, por edhe si akt të natyrës, që i ben të gjithë të barabartë para saj. Pasi e ka vrarë, me thartqeshje Hamleti e njofton Mbretin se “Polloni është nisur për darkë në një kuvend krimbash politikë. Krimbi është i vetmi perandor që ha për të na ngrënë ... Mbreti i majmë dhe liparaku, i thotë, s’janë veç dy gjellë të ndryshme, dy pjata, po për gjithë atë tryezë. Ky është fundi”. Për një varg meditimesh të Hamletit mbi jetën dhe vdekjen është thënë nga kritika se shprehin frymë pesimiste, sidomos përsiatjet e dialogu i tij me varrmihësit. Por mund të ketë edhe një vlerësim tjetër të kundërt, për këtë është e rëndësishme që lexuesi të mos i humbë thartqeshjet, domethënë frymën ironike që përshkon tejendanë përsiatjet e Hamletit sidomos në varrezat. Aty Hamleti është si Sokrati i përvuajtur, që i përmbahet tashmë së vërtetës: “Për të njohur mirë të tjerët, duhet të njohësh më parë veten”. Nëpër peripecitë e jetës Hamleti e ka kryer këtë cikël dhe në episodin e varrezave, duke bashkëbiseduar me varrtarët e me kafkat, nuk vajton, por duket se i zotëron Jetën e Vdekjen, sundon mbi to. Ky episod është ndërtuar i tëri në një plan grotesk (varrmihësit janë quajtur prej Shekspirit “gaztorë” që “këndojnë duhe rrëmihur varre”) për të treguar se jeta nuk është e ujdisur mirë, se egoizmi e ambicia e të plotfuqishmëve ka edhe ajo po atë fund që i pret të gjithë, se vdekja vepron si forcë natyrore që i zhvesh njerëzit nga veshjet e ofiqet sociale. Hamleti qëndron i patrembur para zonjë Krimbes, para këtij perandori, siç ka qëndruar edhe para Mbretit e shtetit të tij të plotfuqishëm. Ai s’ka frikë as nga vdekja, sepse e ka kuptuar mirë se ç’është Jeta, se si duhet me qenë e mos me qenë ajo. Ai i zhgënjyer nga iluzionet e idealizimet e jetës, i njeh vetes të drejtën të ironizojë të tjerët. Ja si thartqeshet Hamleti me kafkat: “Kjo kafkë ka pasur gjuhë dhe ka kënduar njëherë; dhe tani ky varrmihës zuzar po e vërvit përdhe sikur t’ishte nofulla e Kainit, që bëri vrasjen e parë. Ndofta është koka e ndonjë politikani, intrigat e të cilit tani svlejnë pesë para përpara këtij gomari; dhe ndofta ka qenë një nga ata që futën në shishe perënditë vetë apo jo?”; “Një tjetër kafkë mund të ketë qenë e atij oborrtarit, që i lëpihet me servilizem Sundimtarit dhe “tani ia hëngri kokën zonja Krimbe; ka mbetur pa nofull dhe kafkën ia godet andej-këndej kazma e varrmihësit; ja një nderim i bukur i fatit. Vallë sa shtrenjtë kanë kushtuar këto kocka që të rriten njëherë dhe tani s’vlejnë veçse për të luajtur cingli me to!”; “Ja një tjetër, kjo mund të ketë qenë kafka e ndonjë avokati, pse jo? Ku m’i ke tani sofizmat, fjalëdredhjet, dinakëritë dhe davatë? Mund të ketë qenë ndonjë blerës i madh çifligjesh ... Dhe megjithë çifligjet e tij s’ka marrë pas veçse një copë tokë të gjerë e të gjatë sa një evrak? Dhe kjo kuti e ngushtë ku ia kallën kufomën nuk i nxe dot as tapitë e çifligjeve të tij”. Kur e pyet varrmihësin se sa kohë i duhet njeriut për t’u tretur në varr, edhe ky ia kthen Hamletit me sarkazëm. “Në mos qoftë i kalbur para se të vdesë, - sikundër ka sot shumë kufoma, që mezi mbajnë gjersa t’i kllasim në dhe - mund të qëndrojnë tetë vjet a nëntë”. Nuk mund t’iu vishet aspak këtyre gjysmë-shakave groteske pesimizëm; ato shprehin veçse dëshirën e Hamletit, që jeta të jetë më e pastër nga veset, që ajo aq e shkurtër, të jetohet njerëzisht, pa u bërë rob pasionesh të verbëra, të cilat, vdekja i kthen në pluhur. Hamleti e di se përtej vdekjes s’ka asgjë veç zbrazësisë, kohës Zero. Dhe në ka në fjalët e tij edhe hidhërim e trishtim, ato vijnë nga përjetimi i një të ardhmeje , enigmatike, që nuk dihej mirë si do të ishte. Shekspiri nuk i imponohet Hamletit, por vetëm e kqyr si e rrëmben vorbull a e rastësive kapriçioze dhe tekanjoze. Përgatitet ta ndëshkojë të ungjin, por godet për vdekje Pollonin, shpëton rastësisht nga likuidimi kur e nisin për Angli; nuk është i bindur se ku duhet t’i drejtojë goditjet dhe ndërkohë rrezikohet vazhdimisht nga pusitë e grackat që i ngrenë kundështarët. Edhe me t’ëmën s’di si të sillet: ta dënojë apo ta përbuzë? Dhe i mjafton të derdhë e të shfryjë kundër saj vetëm mllefin e idhët që i është grumbulluar në shpirt: “Shiko këtë pikturë dhe këtë./ Dhe barabit fytyrat e dy vëllezërve; / Shih çfarë hiri kish faqja e këtij, / Hiperion nga flokët ballë Jupiteri, / Sy Marsi: luftëtar e jep komandë, / Sydrim si të Mërkurit lajmëtar/ Në majën e një bregu e puth qiellin, / Një kombinim e formë përnjimend / Ku secili perëndi ve vulën / Për prova e siguri që ishte burrë; / Ky ish yt shoq. Shiko tani ç’pason/ Kë ësht’yt shoq; si vesh i kalbur/ Qi fishk të vëllajt shëndetin.A ke sy? .. / Ç’djall vallë të verboi e të gënjeu? ... / O turp! Ku e ke skuqjen? Ferr rebel, / Kur krye ngre në koskat e një plake, / Risi e flakt’u bëft’ahere dyllë / E në zjarr shkriftë ... Qysh po rron; aherr/ E kalbur në korrupte, qysh bën qejfi/ E dashuri në një qymes prej thiu ? ... / Një vrasës i pabesë; / Një skllav, që s’është as e njëzeta pjesë / E burrit që ke pasur; një palaço; / Kusar i mbretërisë dhe i fronit / Të vodhi nga dollapi një kurorë / Dhe tradhëtisht në xhep e kalli ... “. Kur fantazma e të atit i rishfaqet dhe e fton të kalojë në veprim, ai vendos të përleshet me botën e shthurur duke qëndruar si një disident a si një “i revoltuar permanent”, një vetmimtar i lirisë e drejtësisë, një Sizif i Kohëve të Reja, që e pranon duelin e i bën sfidë Leviathanit. Hamleti është një nyjë, ku plekset mendimi e vullneti, është mendim intelektual, që nxit vullnetin për veprim dhe, njëkohësisht, është vullnet që e shtyn mendimin drejt thellësive të qenies. Tani Hamleti tregon natyrën e tij të thellë heroike, zhytet i tëri në valët e jetës, duke kapërcyer gjithë lëkundjet e hezitimet, që nuk ishin cilësi të një frikaçi, por të një të urti, që peshon gjithçka para se të veprojë. “Se madhëria e vërtetë është \- thotë ai, - Të mos lëvizësh pa argument të madh, \ Po madhërisht të kapesh për një kashte, \ Kur nderi është në ballancë ... \Oh, mendofsha gjah \ Këtu e tutje a mend mos paça aspak”. Ai hyn në rrugë veprimi jo se ka besim se mund ta fitojë betejën, por nga që ka frikë mos humbë lirinë e vet, shtrofkën e vetme mbrojtëse të tij, nga që s’mund ta këmbejë lirinë as me jetën e tij. Hamleti është Princi i Shekujve të Ri, që bëhet kurban në altarin e progresit njerëzor, duke dëshmuar se me ç’mundime, vuajtje e drama të rënda jeta njerëzore i afrohet Lirisë e Drejtësisë. Rastësitë e rrëmbejnë princin në peripecira e “lojra” të papritura, që e mbytin skenën me pellgje gjaku: rrëzohen Hamleti, Klaudi, Laerti. Ç’mbetet , pra, në fund të tragjedisë së Shekspirit? Vetëm viktimat? Shekspiri, sidoqoftë, i vjen në ndihmë Historisë dhe ia dorëzon atë Fortimbrasit, një princi norvegjez, edhe ky një enigmë tjetër shekspiriane. Edhe pasi e vret Klaudin, Hamleti s’është i gëzuar, ngaqë e kuptonte se vrasja e këtij tirani, nuk do t’ia ndryshonte karakterin shoqërisë. Qindra të tjerë Klauda, Pollonë, Leartë, Rozenkracër e Gildensternë hidhen në betejat e luftës për Pushtet, për të shtënë në dorë Leviathanin. Prandaj, herë i duket vetja Herkul, e herë i duket i kundërt, i pafuqishëm në krahasim me heroin mitik. Ç’përfaqëson ky fund? Fitoren e rastësisë së verbër, absurditetin e jetës, e historisë apo Ditën e Re të Bardhë të Kohës? Kush e di? Ndoshta të trija së bashku! Gjithsesi kurorën Shekspiri e dorëzon për mirë a për keq, në duart e këtij princi të panjohur, kurse Horatin, dëshmitarin e drejtëpërdrejtë të ngjarjeve tragjike, të vetmin mik të sinqertë të Hamletit, e kursen, e pengon të vrasë veten nga dëshpërimi, dhe i ngarkon barrën të zbatojë porosinë e fundit që le: “Ja, po vdes, Horat; / Ti rron; tregoju çështjen time drejt / Atyre që s’e dinë mirë”. Dhe në epilog të dramës Horati tregon: “U them atyre që s’e dinë/ Si rrodhi puna: do t’dëgjoni vepra/ Karnale, të përgjakta, çnjerëzore / Me vrasje dhe gjykime aksidentale, / Të shtyra nga pahiri dhe pabesia. / Dhe përmbi to, një plan që u zbërthye / Dhe kundër vetë shpikësve u kthye”. Eshtë shpresa që na fal Shekspiri në fund të kësaj tragjedie dhe, njëherazi, amaneti i tij për një botë më të ujdisur, në altar të së cilës u përmbys, u bë kurban Hamleti, ky Princ - Vegim i pavdekshëm i Lirisë e i Drejtësisë. Ja përse drama “Hamleti” është më shumë se sa një dramë sociale, ajo është antropologjike, mbihistorike, universale, është shprehje e shpirtit të humanizmit tragjik të njerëzimit. Tragjedia e Hamletit ndjehet e kuptohet edhe në Shqipërinë bashkëkohore, ku ka mall të madh për të jo vetëm tek brezi i viteve ’50-’60, por edhe tek ai më i riu, që jeton në një botë të paujdisur dhe ende të pasigurtë, ashtu siç pat jetuar Hamleti. |