Është rast unik në botën linguistike që gjuha shqipe u ka dhënë shqiptarëve emrin e tyre nacional. Ndërsa te popujt e tjerë nga emri nacional u përfitua emri i gjuhës: nga Italian u përftua italishte, anglez – anglishte, frëng – frëngjishte, te populli shqiptar kemi një rast të përkundërt që nga emri i gjuhës shqip doli emri kombëtar: shqip – shqiptar.
Shqiptarët, si një rast unikal nuk kanë prona të tjera nacionale përveç gjuhës. Prandaj ata këtë gjuhë, ashtu siç kanë ditur ta ruanin deri më sot, duhet të punojnë ta ruajnë, ta kultivojnë e ta pasurojnë edhe në shekujt që do të vijnë, e jo ta përdhosin ashtu siç po e përdhosin. E humbe gjuhën, s`je askush – ka thënë një i ditur. (prof.dr. Qemal Murati)













