Kosova duhet ta kapërcejë ferrin

Nga Enver Robelli


Kosova ka nevojë urgjente për qeverisje tjetër. Alternativat nuk janë ideale, madje kurrë nuk kanë qenë të tilla, por kush do të dëshironte që Kosovën ta fuste në grusht sërish klani i deritanishëm i sundimtarëve? Ky klan, i cili ka rënë në panik se mund ta humbë pushtetin, tashmë ka filluar të vërë në lëvizje të gjitha instrumentet antishtetërore, sabotimin, kurthet, lajmet e rrejshme, shpifjet, manipulimin e opinionit, shantazhet nga nëntoka. Ky klan që e ka bërë president të Kosovës një emisar të Rusisë dhe Serbisë nuk do të ngurrojë të bëjë edhe krime të tjera.
Tashmë në opinion po qarkullojnë njoftime mbi përpjekjet për të blerë deputetë nga tabori rival politik. Askush nuk mund të jetë i befasuar nga këto lajme kur të kihet parasysh natyra jodemokratike e regjimit të Hashim Thaçit.
Revista amerikane “Foreign Policy”, duke komentuar zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, shkroi: “Qeverisja e Thaçit u dominua nga menaxhimi i keq i financave, nepotizmi, krimi ndërkombëtar dhe skandalet e korrupsionit”. Brenga më e madhe e banorëve të Kosovës është çështja e punësimit, por privatizimi dhe ofertat e fshehta dhe jotransparente të protagonistëve politikë dhe të shërbëtorëve të tyre i kanë kufizuar mundësitë për punësim, nënvizohet më tutje në artikull. Sipas “Foreign Policy”, një vend pune në Kosovë mund ta gjejnë vetëm ata që kanë lidhje familjare apo politike.
Qytetarët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se shteti që po u lë pas Hashim Thaçi me kamarillën e tij është një shtet me atribute të zeza. Ky është shteti ku edhe shoferët dhe truprojat e politikanëve vjedhin qindra- mijëra euro, pasi shefat e tyre i kanë vjedhur milionat nga ky popull i varfër që bukën e hanë me lot. Duke parafrazuar Bertolt Brechtin mund të themi se Kosova sot është nëna jonë e zbehur, e cila qëndron e njollosur mes popujve dhe aty ajo bie në sy. Gjatë gjithë këtyre viteve të papërgjegjësisë dhe anarkisë së institucionalizuar e vërteta shtypej dhe sundimtarët ulërinin gënjeshtra. Andaj pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është aq i dobët.

Bota nuk ka kohë për marrëzitë tona
Secila qeveri e ardhshme, por edhe çdo opozitë konstruktive dhe realiste, duhet ta ketë parasysh këtë fakt. Më tutje secila qeveri e ardhshme, por edhe çdo opozitë konstruktive dhe realiste duhet ta ketë parasysh se bashkësia ndërkombëtare pas gati 20 vjetësh investime të mëdha në arkitekturën postkonfliktuoze në Evropën Juglindore nuk ka kohë, as vullnet dhe as para që të merret me huqet e politikanëve provincialë ballkanikë dhe me projektet e tyre mesjetare. Viteve të fundit e kemi parë se shqiptarët nuk janë më në fokus të politikës botërore. As nuk janë të licencuar për të qenë përherë viktima. As nuk duhet të presin se çdo problem të tyre do ta zgjidhin “këta të huajt”, “miqtë tanë” etj.
Ata mund të na i zgjidhin 10 probleme, por prej tyre 7 nuk do të jenë tamam në favor tonin nëse qytetarët e Kosovës nuk bëhen seriozë e të përgjegjshëm – si individë dhe si shoqëri. Zyrtarja më e lartë amerikane që u deklarua në lidhje me zgjedhjet në Kosovë ishte zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Kosova nuk është (më) qendra e botës, siç mund të mendojnë politikanët tanë provincialë.
Politikanët e Kosovës duhet të koncentrohen në ndërtimin e shtetit funksional kosovar. Bota e madhe demokratike gjendet para problemeve shumë të rrezikshme. Konflikti në Ukrainë është uverturë e një ballafaqimi të ardhshëm shumëvjeçar me Rusinë imperialiste. Në Irak këto ditë jemi dëshmitarë të dështimit të shtetit dhe të rrëshqitjes drejt një konflikti mes myslimanëve sunitë dhe shiitë. Një luftë e re fetare po duket në horizont. Marrëdhëniet mes Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të ftohta se sot për shkak të përgjimeve të shërbimit amerikan NSA. Bashkimi Evropian ende nuk i ka kaluar pasojat e krizës së madhe financiare që nisi në vitin 2007.
Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian në shumë vende të BE-së forcat antievropiane, raciste dhe skeptike ndaj zgjerimit kanë marrë shumë më tepër vota se ç’pritej. Politikanët e Kosovës (këtu e kam fjalën për politikanët e përgjegjshëm, nëse ka mbijetuar ndonjë i tillë në këtë sistem mafioz) duhet t’i kenë parasysh këto rrethana në politikën botërore, raportin e forcave dhe rolin e aleatëve tanë, pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do të ishte sot shtet.

Biseda me të gjithë
Kosova (bashkë me vendet e rajonit) ka një shans të madh. Ky shans e ka këtë emër: integrime evropiane. Në këtë rrugë Kosova duhet të bisedojë me çdo palë dhe çdo fqinj, përfshirë edhe Serbinë. Kosovës i duhet një ekip i mirë që do ta përfaqësojë në bisedimet me Beogradin në Bruksel. Dëmi që ka shkaktuar Qeveria e deritanishme është i konsiderueshëm, por mund të kufizohet nëse partitë që angazhohen për një shtet funksional formulojnë një platformë të qartë dhe nëse do të jenë transparente në punën e tyre.
Kush mendon se problemet e grumbulluara për 15 vjet në veri të vendit apo kudo tjetër në Kosovë zgjidhen për 15 ditë me shkop magjik apo me aventura politike – jo vetëm që gabon rëndë, por edhe e dëmton Kosovën. Meqë të gjithë politikanët e Kosovës e përsërisin frazën standarde se në politikë kanë hyrë për të mirën e vendit, “me shërby” e “me punu”, atëherë shansi është këtu, por nëse keqpërdoret ky shans mbase nuk do të kemi më as shtet. Momenti historik është delikat. Pjekuri, përgjegjësi, maturi, vendosmëri dhe realizëm: këto virtyte kërkohen tani. A kemi prej kujt t’i kërkojmë këto virtyte? Apo duhet sërish të vazhdojmë të turpërohemi për cilësinë e personelit politik të Republikës sonë?
Nuk është e pavend të ekzistojë frika se edhe më tutje mund të turpërohemi për shkak të pushtetarëve tanë. E, në fakt, si shoqëri do të duhej të kishim forcë, guxim dhe vendosmëri të kapërcenim ferrin. Dhe pa lëshuar pe ndaj askujt të fillohej pastaj lufta kundër çdokujt që keqpërdori pushtetin për ta plaçkitur këtë vend. Ky vend e meritonte një fat tjetër dhe një klasë tjetër politike.
Kjo shoqëri është lodhur nga banditizmi, është lodhur nga politikanët që para pak vjetësh mjet të vetëm mobil e kishin ndonjë pelë të zaiftë, e sot na terrorizojnë me vetura të shtrenjta të blera me paratë tona. A ka shpresë? Po. Shpresa është te zgjimi nga kllapia politike. Republika është e jona, jo e banditëve. Ata e kanë vendin në burg. Lajmi i keq: ky vend me gjasë ende do të mbesë peng i banditëve.
*KOHA DITORE

Related Posts: